Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (IV)

| E diele, 11.01.2009, 11:54 AM |


Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar

Nga Besnik Dizdari

IV.

Pak kuj mund t’i shkonte nëpërmend, në atë 1972 të paharrueshëm, me Ymer Pampurin e Lojërave Olimpike të Mynihut, Rekordmen Olimpik dhe Kampion i Botës, se ndërsa për Shqipërinë ishte dhënë starti i shndërrimit të sportit të peshëngritjes në sportin simbol të olimpizmit të saj, do të mbërrinte izolimi i madh. Një izolim i të gjitha fushave i mbas Plenumit IV famëkeq të PPSH, ku asesi nuk mund të mos përfshihej edhe ndalimi i madh sportiv, mbi të gjithë sporti olimpik, që dikur në lashtësi kishte lindur për të zëvendësuar luftën me paqen.

“Most Consecutive Boycotts: 4 Albania 1976-1988”

Thjesht sportiv ai do të ishte pak a shumë një izolim vetëm 8 vjeçar, 1973-1980, kur kujton se përfaqësuesja më tipike e klasike bashkë, siç ishte Kombëtarja e futbollit, do të hiqte dorë nga pjesëmarrja në Kampionatet Evropiane dhe Botërore, duke u bërë kështu Shqipëria, i vetmi shtet bojkotues i këtyre garave – simbol të marrëdhënieve midis kombeve. Shto këtu dhe heqjen dorë prej pjesëmarrjes në Kupat e Evropës po në futboll, e kupton se çka ishte në këte periudhë, Shqipëria e ashtuquajtur socialiste. Në thelb kjo ishte një tjetër izolim i pamatë i vetë pranisë shqiptare në kontinentin e vjetër, kur dihet roli i madh i sporteve. Nga ana tjetër, ajo ishte një mpakje e talenteve sportivë që Shqipëria e vogël, çuditërisht nuk i kishte të paktë.

Ndërsa për olimpizmin shqiptar ai do të ishte një izolim 20 vjeçar: 1972-1992!

“Most Consecutive Boycotts: 4 Albania 1976-1988”!

Këte përcaktim historikostatistikor lakonik në anglisht, nuk e krijon autori i këtij shkrimi. Ai është marrë nga Libri bestseller i Olimpiadave, ku krahas rasteve më të rralla të rekordeve mirëfilli sportive për atletë shumë herë kampionë olimpikë, shumë herë pjesëmarrës, hyn edhe ky rekord i vetëm në shkallë botërore i Shqipërisë, e cila sot e kësaj dite mbetet vendi i vetëm në histori që ka bojkotuar 4 Olimpiada me rradhë: “Most Consecutive Boycotts: 4 Albania 1976-1988”! Në shqipet: “Bojkotuesja më e gjatë e pandërprerë: Shqipëria 4 Olimpiada 1976 -1980!”.

Kësisoji, me përjashtim të rekordit olimpik të Ymer Pampurit, do të mbetemi, me sa duket, përjetë, bojkotuesi më i madh i Lojërave Olimpike në historinë e njerëzimit: 1976, 1980, 1984, 1988.

Shqipëria nuk merr pjesë në Montreal më 1976 sepse Kanadaja ishte “vëllai i vogël i SHBA”; Shqipëria nuk merr pjesë në Moskë 1980 sepse “BRSS është socialimperializmi sovjetik”; Shqipëria nuk merr pjesë në Los Anxhelos 1984 sepse kjo është “Olimpiada e imperializmit amerikan”; Shqipëria nuk merr pjesë në Seul 1988, sepse kjo është “Olimpiada e Koresë së Jugut, shërbëtorit të SHBA dhe shteti kapitalist ndër më të zhvilluarit”, antipod i Koresë së Veriut, në fund të fundit, mike e vjetër komunizmit shqiptar.

Janë përcaktimet tejet politizuese, por krejtësisht të vërteta.

I tillë ishte 20 vjeçari i izolimit të madh të olimpizmit shqiptar, të Komitetit Olimpik Shqiptar, të cilin e kishte mbytë BFSSH-ja dhe Komitetit i Kulturës Fizike e Sporteve në Ministrinë e Arësimit dhe të Kulturës të Republikës së vogël Popullore e Socialiste bashkë. Për fatin e tij të keq, kjo ishte kryesisht periudha e kryetarit Veiz Lelo, ose e presidentit hije të KOKSH. Natyrisht kurrsesi për fajin e tij.

Periudha e tij është ndër më të errtat e sportit shqiptar: politikë, biografi, izolim prej veprimtarisë ndërkombëtare, ndonëse jo pak masivizim i sporteve, siç emërtohej politikisht, në veprimtari të rinisë, klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste. Ajo njihet si periudha që ndaloi jetën e simbolit të sportit shqiptar: Kombëtares së futbollit. Por dhe periudha që i dha Shqipërisë kampionen e parë të Evropës: Elizabeta Karabolli. Dhe gjithçka përkon me izolimin e Shqipërisë nga Bota pas të famshmit Plenum IV të KQ të PPSH. Po për këte arësye, Veiz Lelo, nuk ka fatin të njihet si president i Komitetit Olimpik Kombëtar, ndonëse në letër i tillë ishte edhe ai.

Sidoqoftë, edhe pse në këte izolim revizionisto - imperialist, siç kemi përimtuar në kapitullin e mëparshëm, ka një ngjarje kundërshtuese, të paprecedent: pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, ato të Munihut 1972, me rekordin olimpik të Ymer Pampurit. Ndërkaq, fundi i mandatit të Lelos është titulli i Kampionit të Ballkanit të Shpresës së Shqipërisë në futboll më 1978. Kësisoji, pa u përmendur thuajse asnjëherë si president i Komitetit Olimpik Shqiptar, Veiz Lelo ruan në biografinë e tij çuarjen e Shqipërisë për herë të parë në Lojërat Olimpike 1972. Në atë izolim të pashembullt ndoshta kjo nuk ishte pak! Ndonëse po ky kryetar i Komitetit të KP të BFSSH, i zgjedhur si i këtillë më 17 janar 1973 në Konferencën e 3-të Kombëtare të BFSSH, dashtë pa dashtë, mbetet në histori si ndaluesi i madh i olimpizmit shqiptar. Ndonëse kurrsesi për shkak të tij, por vetëm të Partisë së Punës së Shqipërisë, Komiteti të saj Qendror me shokun Enver Hoxha në krye.

Ministria e Brëndshme dhe e Mbrojtjes në krye të sportit “olimpik” shqiptar!

Dhe papritmas, në shtatorin 1979, mu në çastin kur me Elizabeta Karabollin në sportin e qitjes (pistoletë) Shqipëria bëhet me Kampionen e saj të Evropës, vjen shkarkimi i Veiz Lelos, teksa shfaqet një nga emërimet më të çuditshme në historinë e organizimit sportiv në Shqipëri: kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në Ministrinë e Arësimit e të Kulturës emërohet një njeri që vinte nga organet e tmerrshme të Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe të Sigurimit të Shtetit: Mehdi Bushati. Më 31 mars 1980, shpejt e shpejt, në Konferencën e 4-t Kombëtare të BFSSH, ai “zgjidhet” kryetar i Komitetit të KP të BFSSH, “Zgjidhet” në thojza, sepse dihet që asokohe në të gjitha fushat e jetës zgjedhjet ishin një farsë dhe të gjithë urdhëroheshin për ate që do të zgjedhnin.

Si duhej marrrë ky emërim? Çfarë synonte Partia mu në vitin e prishjes edhe me Kinën Popullore duke emëruar në krye të sporteve një njeri kaq të besueshëm, që për më tepër vinte nga organet e Sigurimit, të sektorëve më kriminalë të dëbim internimeve apo të survejimeve - rojet më besnike të diktaturës të një regjimi shtypës deri në skaj?

Në kundërshtim me gjithë këte, Mehdi Bushati nga ana tjetër, përbënte një figurë të shquar të futbollit kombëtar dhe për një çast kishe bindjen se vinte për të rimbëkambë ate që kishte pësuar ndalimin më të madh: futbollin, si ushtrues i spikatun i tij. Me kompetenca dhe pavarësi tejet më të gjërë se paraardhësit, përveç të tjerave edhe për shkak të lidhjes me familjen e një politbyroisti, Bushati si tepër i besueshëm prej shtetit të asaj kohe, ia arrin t'i japë një hop sportit shqiptar. Po nga ana tjetër, të dukej se ai vinte për ta mbajtur nën fré mjedisin delikat të sportit kombëtar, ndoshta për ta kontrolluar më mirë këte sektor të rinisë dhe të një gjakimi (pasioni) popullor, e pse jo, edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, deri në këte çast gati të shuara e tejet misterioze të një Shqipërie, e cila në këto vite të pleqërisë së Enver Hoxhës, ndoshta një hapje sportive mund t’i shërbente sadopak një hapjeje të vogël të vetë Shqipërisë.

Për fat, kryetarit të ri, do t’i ndodhnin dy episode të paprecedent, dy ndër arratisjet më zhurmëmëdha të sportistëve shqiptarë në histori. E para i përket një prej sporteve të vetëm të suksesshëm olimpik që mund të kishte Shqipëria: peshëngritjes. Gjithçka do të shpërthente te ditët dramatike të majit 1985. Katovicë e Polonisë. Saktësisht 22-26 maj 1985. Shqipëria, krejt papritmas për opininion sportiv evropian të këtij sporti, kësaj rradhe qe shfaqur si mëtuese: për herë të parë ajo arrin vendin e 7-të në Evropë! Ky ishte Kampionati Evropian që do ta nxirrte përfundimisht vendin e vogël të Ballkanit si forcë e peshëngritjes kontinentale. Pesë peshëngritës shqiptarë janë në gjashtëshen e Evropës: Hysen Cenaj, Vasil Hoço, Xhelal Sukniqi, Aleksandër Kondo, Asim Belinova. Madje Vasil Hoço është i 5-ti në dygarëshin e tij. Aleksandër Kondo i gjashti në shkëputje (157.5 kg), kësaj rradhe në peshën 90 kg, duke arritur 337.5 kg (157.5 + 180). Janë shifrat e fundit të dramës së njohur tashmâ të këtij fenomeni të sportit shqiptar, e trajtuar gjërësht prej nesh edhe këtu në “TemA”. Më saktë ajo ishte tragjedia e mândejshme e atij që quhej Aleksandër Kondo. Këtu do të merrte fund peshëngritja e tij. Kështu, në kthim, në Titograd të Jugosllavisë, së bashku me rekordmenin Xhelal Sukniqi, ata zbatojnë planin e arratisjes, sfidën ndaj Regjimit dhe Shqipërisë komuniste! Endrronin. Endërronin tituj botërorë dhe olimpikë. Nuk do t’i arrinin. Do të mbërrinin vetëm lirinë. Episodi i dytë i përket sportit më popullor të Shqipërisë: futbollit. Protagonistët bëhet Vllaznia e Shkodrës, ky dy futbollistë të saj, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni arratisen në Athinë, në kthim mbas ndeshjes së Kupës së Evropës me Rovaniemi të Finlandës, duke u bërë Bërsheni futbollisti i parë shqiptar i Mbasluftës i cili do të luante në kampionatin kombëtar të një shteti kapitalist: Greqisë si anëtar i klubit athinas Panionios.

Sporti shqiptar tronditet keqas. Protagonistëve të Vllaznisë, deri dhe mjekut të saj i tregojnë krahinat malore, por çuditërisht aspak kryetarit të BFSSH-së. Po të kishte qenë një tjetër do të mjaftonin vetëm këto dy episode për ta shkarkuar me ceremoni. Mirëpo kishe të bëje me familjet e sunduesve. Dhe vetëm deri këtu…

Jeta vazhdon ndërkaq, me olimpizmin e izoluar. Eshtë 1987.

Gjeopolitika sportive shqiptare papritmas zbret në Jug të Shqipërisë. Lind Flamurtari i i madh i Vlorës i cili nuk përmbahet. Kalon në turin e tretë të Kupës UEFA, ku shorti i dhuron mbas vetëm 13 muajve përsëri Barcelonën. Shqipëria duket më sportive se kurr. Partia në eufori. Në Tiranë mbërrin për një vizitë “misterioze” kryeministri i Bavarisë së RF Gjermane, Franc Josef Straus. Na dukej se shihnim diku dritat e zbehta të hapjes. Flamurtari, Partizani i Beogradit, Vismut Aue, Strausi, gazetarë të huaj që vijnë me ekipet sportive, shkrime në gazetat evropiane. Por gjithçka një zhgënjim i plotë. Shqipëria do të vazhdonte të mbyllej pa mëshirë. Po për fat vetëm edhe për katër vjet. Ne nuk e mendonim kështu dhe kujtonim se do të zgjaste tejet. Aq më tepër kur mësuam si me frikë se Partia nuk i kishte pranuar ofertat e Franc Josef Straus-it. Regjimi kërkonte të zgjaste jetën e vet, pa parashikuar kurrsesi se çka do t’i ndodhte mbas tre katër vjetëve…

Edhe kjo ishte periudha e një kryetari hije e “presidentit” të papërmendur të KOKSH.

E vërteta është se nën drejtimin e tij futbolli del nga izolimi. Më fund mbas shtatë vjetëve edhe Kombëtarja ringrihet dhe Partia e Punës kërkon të gjejë një prani ndërkombëtare përmes sportit. Kulmi arrin me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kupën e Botës 1984, ndeshjet e mëdha me Belgjikën e Poloninë që kanë jehonë kontinentale. Klubet shpërthejnë me fitore e kualifikime të paharrueshme: 17 Nëntori kundër Dinamos së Bukureshtit dhe mbi të gjithë ai që cituam: Flamurtari në ndeshjet tij historike me Partizan të Beogradit dhe Barcelona! Sportet e tjerë ndërkaq marrin krahë: volejbolli me Dinamon në dy fundore të Kupës së Evropës.

Dhe më e rëndësishme nga pikëpamja olimpike: Shqipëria shkon për herë të parë në një veprimtari rajonale olimpike, Lojërat e Mesdheut në Siri kur rrëmben 8 medalje (3 ari, 1 argjëndi, 4 bronzi). Më mbas qitja që mbas Karabollit, dhuron edhe dy Kampione të Evropës (Dingu dhe Kola). Një atlete e rrallë, Pavlino Evro nga Korça, për herë të parë i jep Shqipërisë një medalje ari në një Miting Ndërkombëtar (1500 m., Nicë). Shpresa e fubollit është Kampione e Ballkanit për herë të dytë më 1981 dhe peshëngritja nxjerr për herë të parë Kampionë të Ballkanit, midis të cilëve do të ishte edhe një legjendar i ardhshëm me emrin e panjohur Pirro Dhima

E megjithate KOKSH si dhe më parë është mbrapa kuintave të BFSSH. Mehdi Bushati përmendet në këte rol vetëm në Lojërat e Mesdheut e në korrespondencat e pakta me CIO-n. Falë besueshmërisë dhe prirjes për të qenë disi më i pavarur, çka edhe kjo rridhte prej lidhjeve të tij familjare me kreun e Regjimit (lidershipin, siç thuhet sot), ai ia arrin të shkëpusë organizatën e BFSSH-së nga Ministria e Arësimit dhe e Kulturës. Në një farë mënyre, ia arrin të ëndërrojë paksa befasisht edhe CIO-n (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) të Lozanës, e prap ne rréheshim te një shpresëz hapjeje.

Do të kishim edhe dy befasi krejt të jashtëzakonshme, sensacionale, siç mund të modernizohet në përcaktim pesha e këtij kuptimi…

Befasia e madhe: Presidenti i FIFA-s dhe Presidenti i CIO-s në Shqipëri!

Papritmas, më 13 prill 1983 mbërrin në Shqipëri Joao Havelange, president i FIFA-s! Enigëm e tanë! Përse erdhi, çfarë tha? Çfarë i thanë. Mister. Ndoshta është ajo që ka shkruar kohët e fundit Dr. Giovanni Armillotta në “Affari esteri”, pra një ftesë për të ndikuar tek ai që të mos dënohet Shqipëria kur ajo nuk pranonte të luante me përfaqësuesit sovjetikë. Apo që FIFA ta rregullonte shortin e saj të Botërorëve duke mos e caktuar asnjëherë që BRSS dhe Shqipëria të ishin së bashku në një grup kualifikues. Në pamje të jashtëme kjo duket që ka funksionuar.

Po ndërkaq, heshtja për këte vizitë misterioze, ishte e pashembullt. Si kryeredaktor i “Sportit popullor”, po më fort si gazetar, kisha një dëshirë edhe profesionale për ta takuar presidentin mitik të FIFA-s. Kërkova ta realizoj një gjë të tillë. Me shumë vështirësi e realizova. Shumë shkurt. Shumë pak. Në Hotel Dajti. Dhe kaq. Kërkova të botoj diçka në gazetë. Një intervistë. Një mendim. Asgjë. U urdhërova për të botuar vetëm lajmin zyrtar të ATSH, i cili u botua në fund të faqes së parë. Mbi te ishte njoftimi për daljen nga shtypi të librit të Enver Hoxhës, “Raporte e Fjalime 1980-1981” – grykë mitrolozi “kundër imperialistëve dhe revizionistëve të të gjithë botës e të të gjitha ngjyrave”! Aty poshtë lajmi i ATSH për vizitën e presidentit të FIFA-s, i pari president i saj i ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Lajmi ishte ky:

“VIZITOI VENDIN TONE PRESIDENTI I FEDERATES NDERKOMBETARE TE SHOQATAVE TE FUTBOLLIT

Me ftesë të Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të RPS të Shqipërisë, bëri një vizitë në vendin tonë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA) Zhoao Havelanzh. Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Manush Myftiu, priti presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA) Zhoao Havelanzh, dhe zhvilloi një bisedë miqësore. Në pritje ishin të pranishëm zëvendësministri i Punëve të Jashtëme Sokrat Plaka dhe kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve Mehdi Bushati. Gjithashtu në Komitetin e Kuturës Fizike dhe Sporteve u zhvilluan bisedime me presidentin e FIFA-s. Ai vizitoi edhe Muzeun Historik Kombëtar dhe disa objekte sportive. Për nder të tij u shtrua një darkë. Më 14 prill presidenti Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA) Zhoao Havelanzh, u largua nga vendi ynë. Ai u përcoll në aeroport nga kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve Mehdi Bushati dhe të tjerë”. (ATSH)

Mjafton të lexohet ky lajm për të kuptuar se çka qe Shqipëria e vitit 1983. Mbyllje. Sekrete. Dhe natyrisht asnjë lëshim. Vetëm izolim.

Dhe befasia që nuk mbaron këtu. 60 ditë më mbas, në mënyrë edhe më të befasishme mbërrin në Shqipëri Presidenti i CIO-s (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar), Juan Antonio Samaranch! Të dukej sikur Presidenti i FIFA-s pak më parë të ketë ardhur për t’i mbushë mendjen Shqipërisë për të pritur Presidentin e CIO-s. Samaranch mbërrin në Shqipëri më 8 qershor 1983 dhe skema është po ajo. Kisha urdhër për të botuar në gazetë përsëri vetëm në një kollonë, po në atë vend, vetëm njëzet rreshtat e lajmit zyrtar të ATSH-së! Lajm i cili gjithashtu ka të njëjtën skemë shqiptare të izolimit të pamshirshëm. Tek është gjithashtu i plotë, pa i lëvizur apo ndryshuar asnjë presje apo germë, edhe ai:

“VIZITOI VENDIN TONE KRYETARI I KOMITETIT OLIMPIK NDERKOMBETAR HUAN ANTONIO SAMARANÇ

Me ftesë të Komitetit Olimpik Shqiptar, të mërkurën më 8 qershor, mbërriti për një vizitë në vendin tonë kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Huan Antonio Samaranç, i cili shoqërohej nga zëvendëskryetari i Komitetit Aleksandru Siperko dhe anëtari i Sekretariatit të këtij Komiteti Alen Kupa. Në aeroport ata u pritën nga kryetari Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të RPS të Shqipërisë dhe kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar Mehdi Bushati e të tjerë. Midis drejtuesve të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe H.A.Samarançit u zhvilluan bisedime, ku u shkëmbyen mendime lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm midis Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Manush Myftiu priti të enjten më 9 qershor, kyetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Huan Antonio Samaranç. Në pritje ishin të pranishëm zëvendësministri i Punëve të Jashtme Sokrat Plaka dhe kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve dhe kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar Mehdi Buishati. Po të enjten, kryetari i Komietit Olimpik Ndërkombëtar Huan Antonio Samaranç dhe personat që e shoqëronin, u larguan nga vendi ynë. (ATSH)”

Fantastike! Natyrisht po Mehdi Bushati, po Manush Myftiu, po Sokrat Plaka, po një pritje, po një përcjellje. Dhe askush e asgjë tjetër. Dhe çka u tha? Heshtje. Mister. Nuk i thuhej natyrisht as kryeredaktorit të gazetës “Sporti popullor” , edhe kjo gazetë e Partisë doemos, që gjithashtu zbatonte skemën e vendosjs së lajmit në fundin majtas të faqes së parë. U tha vetëm një gjë koridoreve të Ministrisë: që Presidentit të CIO-s i kishin prezantuar një manifestim fizkulturor spartakiadist dhe ai “ishte mahnitur”! Me sa duket manifestimi ynë me Parti dhe Enver, me njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën, i ishte dukur më i bukur se ceremonitë magjike të hapjes së Lojërave Olimpie në të cilat Shqipëria nuk merrte pjesë qysh prej 11 vjetësh!

Do të vazhdonte të mos merrte pjesë edhe nja 10 vjet të tjera. Deri ditën që do të përmbysej BFSSH-ja, Komitetit i kryetarëve partiakë të saj dhe të pushtetit komunist shqiptar dhe të gjithë pinjollët e familjeve sunduese. Nëse vërtet këta të fundit janë përmbysë…

Ajo që të çudiste në vizitën e Samaranch-it ishte kjo tjetra: që ai nuk proteston aspak kur sheh se titullari i qeverisë i cili drejtonte sportet në rrugë shtetërore, i paraqitej edhe si kryetar apo president i i Komitetit Olimpik Shqiptar, çka binte krejt ndesh me statutin e CIO-s, i cili ashtu si dhe Komitet Olimpike Kombëtare ishte organizatë joqeveritare! Natyrisht Samaranch nuk e dinte as më të rëndësishmen: që ky i ashtuquajtur kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar nuk ishte zgjedhur asnjëherë qoftë dhe formalisht si kryetar i këtj Komiteti! Mirëpo, edhe CIO, i nënshtrohej ligjeve të pashkruara të “Luftës së Ftohtë”. Sidomos kur fjala ishte për Shqipërinë e vogël, por që kishte “guximin” të ishte bojkotuesja zâmadhe e Olimpiadave!

Latakia – një gjeopolitikë sportive, paksa olimpike…

Ishte e qartë si drita e diellit: në Shqipëri nuk kishte as olimpizëm, as president olimpik, as pjesëmarrje olimpike, as jetë olimpike. Kishte izolim. Merret me mend, ndërkaq se Samaranch duhet të ketë këmbëngulë tejet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Olimpiada. Dhe po kështu merret me mend se sa të rréjshëm kishin qenë emisarët shqiptarë për të justifikuar mospjesëmarrjen. Samaranch, i cili kishte qenë për disa vite ambasador i Spanjës në Moskë, doemos, do të ketë vënë buzën në gaz me mirësjellje dhe si një diplomat i vjetër e ka lënë Rinasin pa bza, duke menduar se veç olimpizëm nuk mund të gjente nën këte diktaturë të pashembullt. Si një udhëtar i madh që ishte, ai gjithsesi do të jetë ndjerë i lumtur që kishte futur në arkivin e tij të pasur edhe shkeljen me këmbë të kësaj kutie të mbyllur hermetikisht që quhej Shqipëria e Enver Hoxhës…

Duhej të kalonin edhe katër vjet, besojmë të ketë qenë 1986, për të mbërritur te një vizitë olimpike tashmâ misterioze edhe në pamje të jashtme. Në fshehtësi të madhe në aeroportin e Rinasit ka ardhur i dërguari i CIO-s për një takim të rrufeshëm me zyrtarë të sportit shqiptar për t’i mbushur mendjen Shqipërisë që të merrte pjesë të paktën në Lojërat Mesdhetare. Ajo ishte i vetmi shtet që edhe pse gjithshtu e lagnin ujërat Mesdhetare nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në këto Lojëra. Biseda duhet të ketë qenë tejet e shkurtër dhe me sa duket është zhvilluar mbrenda kufijve të ngushtë të mjedisve të aeroportit. Zyrtari i CIO-s ka folë, është dëgjuar, si të thuash në tokë neutrale, midis kufirit enigmatik shqiptar dhe metrave të parë të hapësirës perëndimore, është kthyer mbrapsht dhe ka ikur me po me atë avion që sapo e kishte sjellë!

Dhe Shqipëria e cila shkon për herë të parë në Lojërat Mesdhetare, ato Latakia 1987 në Siri, duke bërë një sensacion të vetë gjeopolitikës sportive të kohës.

Me një autobuz antik, ajo do të marrë rrugën e gjatë për në brigjet e skajit lindor të Mesdheut, në Siri, madje për çudi, duke iu bashkangjitur ekipit të saj edhe një gazetar i cili ishte autori i këtyre rradhëve, si dhe duke bartë episodin e paprecedent të ndalimit për shkaqe politike të basketbollistes së madhe Edra Alibegaj, me një rënë të lapsit nga organet e Sigurimit pa bërë asnjë përpjekje as vetë Komitetit përkatës në Ministri. Për fat, si mik i familjes Alibegaj, e kam ndjekur hapi mbas hapi se ç’po ndodhte me këte rast, dhe ndjehem i lumtur se të paktën me ndonjë këshillë kam kontribuar sado pak që Partia atje lart të kishte një pendim të menjëhershëm. Do të jepte urdhër vetë sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, që me avion ta çonin Edrën te ekipi i cili sapo kishte mbërritur në Stamboll, sepse medalja e artë e basketbollit për Shqipërinë socialiste nuk mund të merrej pa te!!

Kështu, në mesin e befasive të kësaj pjesëmarrjeje, sigla “ALB” kryesonte listën e 17 shteteve të Lojërave Mesdhetare që për fat ishin jubilare: të 10-tat në histori. Ajo çka u arrit në Siri ku Shqipëria shpërthen me 3 medalje ari, 1 argjëndi dhe 4 bronzi, në tanësi plot 8, mbetet rekord i pambrritshëm sot e kësaj dite. Debutuesi i çuditshëm ballkanik fiton medaljet e arta në volejboll e basketboll për femra dhe Kristo Robo, një qitës i nivelit evropian, fiton medaljen e artë në pistoletë. Mandej peshëngritja shqiptare: dy medalje bronzi nga Hysen Cenaj në 56 kg dhe Fatmit Bushi në 67.5 kg. Mbas tyre vijnë tri medaljet e paharrueshme të atletikës: Adriana Vejkollari dhe e famshmja Pavlina Evro në 800 e 1500 metra. Dhe mbi gjithçka, medalja e argjentë e Ajet Toskës së pambrritshëm në hudhjen e çekiçit me rekordin mesdhetar 74.06 metra – një shifër madhështore për historinë e sportit të vogël shqiptar, të cilën trajneri i madh Mirush Deliallisi do ta shijonte vetëm nga larg, në Tiranë, sepse edhe ai si një Deliallis i hershëm, nuk duhej ta shoqëronte atletin e tij në Latakia! Aq më tepër që bëheshin disi shumë, përveç të tjerave në një delegacion që ishte më i madhi në historinë ndërkombëtare të sportit shqiptar: gati 40 pjesëtarë të cilëve Partia ua kishte frikën, dhe iu kishte ngjitur si zakonisht zëvendëspërgjegjësin e delegacionit; jo do këdo, por një funksionar të mirënjohur të Sigurimit të Shtetit!

Në krye ishte ndërkaq, vetë kryetari e Komitetit të Kulturës Fizike e të Sporteve që këtu në mënyrë të rréjshme paraqitej si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. I duhej të fliste edhe në mbledhjen zyrtare të Komitetit të Lojërave Mesdhetare, ku mungesa e të folurit në një gjuhë të huaj do t’i krijonte edhe një papërshtashmëri të vogël protokollare. Gjëra “të vogla” këto. E rëndësishme ishte që më së fundi Shqipëria për hertë të parë i kishte thënë dy fjalë olimpike nga një tribunë po e vogël olimpike. Ishte një përmendje ekzistence…

Duke e marrë si pikënisje këte përfaqësim të parë deri diku olimpik të Latakia 1987, megjithate Shqipëria sërish do t’i largohej pa mëshirë Olimpiadës, që do të zhvillohej një vit më mbas, 1988, në Seul.

Edhe pse Latakia qe një sukses i madh sportiv.

Bojkotimi olimpik para rënies së Murit…

Dhe pësëri vetëm kaq. CIO, aq i etur për të mbledhë gjithë botën rreth vetes, mendja ta thotë se do të jetë deziluzionuar kur ka pa se edhe në Olimpiadën e ardhshme, atë Seul 1988, Shqipëria mbetej bojkotuesja shembullore. Ajo vazhdonte ta thyente rekordin e saj mbarëbotëror, të cilin po për fatin tonë të keq vazhdon ta mbajë ende sot:

“Most Consecutive Boycotts: 4 Albania 1976-1988”.

Dhe papritmas kryetari Bushati që shkarkohet. Edhe kjo një tjetër enigëm e sferave të larta të Partisë, ndonëse dikush tha se ishin çështje dualitetesh familjare atje lart a kushedi se çfarë. Habia qe e madhe se mu në çastin e mundshëm të një hapjeje sado tëvogël, sidomos nën drejtimin e këtij kryetari, kur sapo kishin kaluar dy-tre vjet me rezultate mjaft të bukura të sportit shqiptar, ai shkarkohet?!

Eshtë një shkarkim origjinal megjithate. Eshtë një shkarkim dinak përmes zgjedhjesh. Zgjedhjet në Konferencën e 5-të Kombëtare të BFSSH. 6 shtator 1988. Kryetarit që do të shkarkohej i detyrojnë të mbajnë raportin zyrtar të periudhës, natyrisht mbasi do t’i kenë thënë se nuk do të jesh më.

Do të “zgjidhej” kryetar një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, çka do të thoshte se Partia po i jepte rëndësi tjetër, tejet më të madhe sporteve. Jemi më 1988. Diçka kishte nisur të lëvizte sado pak. Midis “të zgjedhurve” si anëtar i atij që quhej Këshilli i Përgjithshëm i BFSSH, është dhe autori i këtushëm, edhe si president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, thjesht për shkak të gazetarisë së tij kushtuar këtij sporti ndër vite, përveçse kryeredaktor i “Sporti popullor”, të vetmes gazetë sportive të vendit, rekordmene (doemos mbas “Zërit të popullit”) në shtypin shqiptar me plot 150.000 kopje në javë prej të cilave 140.000 abonime!

Kam kërkuar të diskutoj në këte Konferencë dhe kam diskutuar duke e nisur me kritikën e mungesës së materialeve sportive në treg për rininë, çka e ka shtangë sallën në prani të dy anëtarëve të Byrosë Politike, Manush Myftiu dhe Foto Çami. Mandej doemos kam folë për sukseset e sportit shqiptar nën udhëheqjen e Partisë. Jam duartrokitur gjatë. Vështroja anash presidiumin e Konferences dhe e kuptoja se kishte edhe të ngrysur në fytyrë, madje edhe njeri prej të dy jerarkëve të lartë të Byrosë Politike. Ajo që e çliroi situatën do të ishte diskutimi i Foto Çamit, përveç të tjerave sekretar i Komitetit Qendror të PPSH, i cili e filloi fjalën e tij duke vlerësuar diskutimin tim. Kaq mjaftoi që në pushim të merrja përqafime të pafund. Kjo Shqipëri ishte. I mungonin herojtë. Sidomos nga raca e jonë e gazetarëve të cilët ishim nënshtruar keqas. Ishte një Shqipëri që asesi nuk ta falte as shpirtin olimpik…

Anëtari i Komitetit Qendror të PPSH, Ali Vukatana, i cili në këte Konferencë të 5-të Kombëtare të BFSSH zgjidhet kryetar i Komitetit të KP të BFSSH, vinte nga Ministria e Mbrojtjes, kuadër i rëndësishëm i drejtimit të politikës ushtarake të Partisë. Nga Ministria e Brëndshme Partia po kalonte tek ajo e Mbrojtjes në krye të sporteve, ndoshta për të nënkuptuar dorën e fortë në këte sektor. Interesant ishte se të dy këta kryetarë ishin nga qyteti sportiv i Shkodrës, kur në historinë e Shqipërisë, drejtues të sporteve kishin qenë më parë edhe dy shkodranë të tjerë: Prof. Luigj Shala në vitet e Mbretërisë dhe gazetari Anton Mazreku në vitet e para të Mbasluftës. Nuk do të thoshte diçka më tepër kjo për Shkodrën. Te Bushati, Qyteti i Veriut në të vërtetë kishte patur futbollistin e saj të të rinjve, por që si drejtues i sporteve asesi ai nuk demostronte një afeksion për qytetin e tij, për të mos thënë diçka më tepër. Si dinamas i hershëm, skuadra e zemrës së tij ishte po Dinamo së cilës ky futbollist i një talenti të dukshëm, i kishte falë vitet më të bukura të rinisë së tij. Kishte mendimin se futbolli në Shqipëri mund të ecte përpara vetëpm falë klubeve të mëdhenj të kryeqytetit, megjithëse Flamurtari i Vlorës ia kishte rrëzuar gjithçka me episodet e tij të bujshme evropiane. Vukatana nga ana tjetër, gjithahshtu kishte të bënte me Partizanin, por në të kundërtën e të parit, atij i rrihte paksa zemra për Shkodrën sportive.

Kështu apo ndryshe, Vukatana është i pari kryetar i organizatës së BFSSH, i cili nuk vinte në krye të sportit me emërim paraprak, por drejtpërsëdrejti nga salla e “zgjedhjeve” publike, ndonëse dihej se edhe ato ishin formale, kur kujton se ai është thirrur më parë nga Partia dhe i është komunikuar se ti do të zgjidhesh. Ishte rasti i dytë në histori që veprohej kësisoji: kishte ndodhur vetëm me zgjedhjen po të drejtpërdrejt të Anton Mazrekut si kryetar i Federatës Sportive Shqiptare më 1945…

Nga ana tjetër Vukatana ishte i pari anëtar i KQ të PPSH në këte detyrë, çka të linte të kuptoje se nga Partia kishte një kërkesë për ndryshime të reja në sport, ndonëse pushteti po kalonte vite të vështira tejet, në të gjitha fushat e jetës. Dhe po kaq, kjo zgjedhje tregonte se Partia nuk e lëshonte në duar të tjera sportin. Përsa i përket olimpizmit, ai prap nuk përmendet asesi. Ushtarak profesionist, Vukatana nuk pati as kohë dhe as mundësi t'i jipte një shtytje sporteve, ndonëse edhe në vitet e tij, veprimtaritë ndërkombëtare kanë përsëri disa arritje. Peshëngritja mbrrin deri e 4-ta në Kampionatin Evropian - një ngjarje madhore me një sport të madh olimpik dhe për herë të parë ngjiten në podiumin kontinental të medaljeve emra të tillë si Luan Shabani, më mbas Kampion i Botës me Greqinë, dhe pjesë e ekipit është edhe i riu Pirro Dhima, i cili mbas pak do të niste të shkruante epopenë e tij olimpike nën flamurin e Greqisë. Shqipëria bëhet ndërkaq, Kampione e Ballkanit për herë të parë në volejboll për femra; Dinamo - finaliste e Kupës së Kampioneve po për femra.

Dhe mu këtu, në ditët e fundit të këtij kryetari - anëtar i KQ të PPSH, lind befasia e madhe: më në fund, për herë të parë Shqipëria pranon për t'u ndeshur me klubet sovjetike mbas një mospranimi absurd prej gati 30 vjetësh! Dinamo – Uraloçka e Rusisë në fundoret e Italisë për Kupën e Kampioneve të Evropës në volejboll për femra! Ky është dhe evenimenti i periudhës së Ali Vukatanës - paralajmërimi i Shqipërisë së viteve '90 që ishte në prag. Ndonëse ende lëvizja olimpike mbetet e papërfillëshme në kuptimin e saj të vërtetë dhe kryetari në fjalë, njeri i butë dhe modest, mbetet ashtu si dhe paardhësit: thjesht kryetar i BFSSH-së, megjithëse e çon Shqipërinë për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare, mu në qytetin e Olimpiadave të mohuara nga Shqipëria: Athinë 1991. Për fat në rënie të dukshme në krahasim me Latakia 1987.

Olimpizmi shqiptar përjetonte fundin e izolimit të tij 20 vjeçar. Përpara ishte Barcelona 1992. Olimpiada. Mu katy në Katalonën mbresëlënëse do të fillonte olimpizmi i vërtetë edhe për Shqipërinë. Ajo do të ishte një tjetër Shqipëri. Jo ajo e izoluesve të pamshirshëm. Po mbërrinte ora e fundit. Muri po rrëzohej edhe për vetizoluesen zâmande, Shqipërinë Socialiste e Komuniste bashkë…