Kerko: a
Adil Fetahu: Miliarderë, e 'zibidi'!
E merkure, 24.01.2024, 08:56 PM
MILIARDERË, E ‘’ZIBIDI’’ !
Nga
Adil FETAHU
Fillimisht
duhet ta sqarojmë kuptimin e fjalës (mbiemrit cilësor) ‘’zibidi’’, sepse shumica e
lexuesve të këtij eseu nuk e dijnë, dhe as nuk mund ta gjejnë në asnjë fjalor
të gjuhës shqipe të botuar deri më tash, edhepse në të folmen popullore
(sidomos në Kosovë) kjo fjalë është përdorur gjerësisht, prandaj është dashur
të gjendej në fjalorin e fjalëve të hueja. Nuk di nga e ka prejardhjen, ndonëse
mund të supozoj se ka mbetur nga
turqishtja. Nuk do ta gjeni as në
google. ‘’Zibidi’’ (pa thojza) është një figuracion, që ka kuptimin e varfërisë
së skajshme të ndonjë individi, apo të ndonjë familje, po kjo mund të vlejë
edhe për shtetin, si në rastin për të cilin e kemi fjalën. Shkaqet e gjendjes
së tillë janë të shumta, të cilat këtu nuk do t’i elaboroj.
Kjo
gjendje ‘’zibidi’’ për të cilën e kemi fjalën këtu, ishte krijuar nga hipërinflacioni, sidomos në vitin 1993, në të ashtuquajturën RFJ (Serbi e Mali Zi, që
për fat të keq edhe Kosova ishte dhunshëm brenda saj). Ishte krijuar në kohën e
shpërbërjes së Jugosllavisë, në vlugun e luftës agresive, të përgjakshme dhe
shkatërrimtare të ushtrisë jugosllave kundër Bosnje-Hercegovinës e Kroacisë,
dhe okupimit të egër policor dhe ushtarak të Kosovës.
Për
shkak të luftës agresive që po zhvillonte ushtria jugosllave, gjoja për
ruajtjen e Jugosllavisë, e në të vërtetë ishte për krijimin e Serbisë së Madhe,
gjithçka ishte orientuar kah frontet e luftës.
Shpenzimet e luftës ishin të mëdha, tregu i përbashkët i Jugosllavisë prej 22 milion banorë nuk ekzistonte më, OKB i
vuri sanksione ekonomike RFJ-së, fabrikat nuk kishin lëndë të parë as mjete
rezervë, prandaj shumica ishin mbyllur, punëtorët ishin lëshua në pushim pa
pagesë; edhe ata që shkonin në punë nuk kishin me çka të punonin. E vetmja
‘’fabrikë’’ që punonte pa ndërprerë, në tri ndërrime, ishte Banka Popullore e RFJ, e cila shtypte
para dhe ushqente e trashte inflacionin, gjithnjë duke shtuar zero (të pavlera)
në bankënotat e shtypura. Pagat e punëtorëve dhe pensionet nuk kishin asnjë
vlerë reale. Nuk paguheshin kontributet për sigurimin shëndetësor, pensional
dhe invalidor. Sindikatat me aksione të ndryshme mblidhnin e u ndanin ndihma
familjeve të punëtorëve me ndonjë metër kub dru, ndonjë thes me patate a lakra
e më rrallë ndonjë thes miell.
‘’Viti
i zerove të mëdha’’
Banka
Popullore e të ashtuquajturës RFJ punonte pandërprerë, duke shtypur banknota e
monedha pa kurrëfar vlere reale. Më tepër kushtonte çmimi i letrës në të cilën
shtypeshin banknotat, se sa ishte vlera e saj reale. Zerot shtoheshin në secilën
shtypje dhe emetim. Hiperinflacioni
zgjati dy vjet (1992-1993), por në tremujorin e fundit të vitit 1993, e deri më
24 janar 1994, kishte arritur rekordin botëror!
Për
ta ilustruar atë gjendje, shihni tabelën e shtypjes dhe emetimit të apoenave të
dinarëve në periudhën 1 tetor deri më 23 dhjetor 1993*).
Data e emetimit Vlera nominale Vlera në DM Rënia e vlerës deri në emetimin tjetër
1.X.1993 10.000 dinarë 3,85
DM 1,33 DM
12.XI.1993 5.000.000 d. 5,5 ‘’ 0,66 ‘’
23.XI.1993 50.000.000 d. 6,6 ‘’ 0,91 ‘’
2.XII.1993 500.000 000 d. 9,09 ‘’ 0,08 ‘’
11.XII.1993 5.000 000 000 d. 8,33 ‘’ 1,25 ‘’
15.XII.1993 50.000 000 000 d. 12,50 ‘’ 0,38 ‘’
23.XII.1993 500.000 000 000 d. 3,85
‘’ -
*)
Burimi: Banka Popullore e RFJ-së.
Gjatë
dy vjetëve të hiperinflacionit, Banka Popullore e ‘’Jugosllavisë’’ ka emetur e
lëshuar në qarkullim 33 tipa të bankënotave dhe të monedhave; mesatarisht nga 4
lloje parash në muaj, ndërsa banknota me vlerë më të madhe nominale në dinarë ka qenë ajo me 500.000 000
000 (pesëqintmiliard) dinarë, e emetuar më 23 dhjetor 1993. Prandaj, viti 1993 mori emrin ‘’Viti i
zerove të mëdha’’!
(Foto-faksimili
i bankënotës)
Siç
shihet nga tabela e mësipërme, vlera e bankënotës prej 50 miliardë dinarëve, e
shtypur dhe lëshuar në qarkullim për pagesa të brendshme më 15 dhjetor 1993,
ditën e lëshuarjes në qarkullim, sipas kursit zyrtar, ishte e barabartë me 12,50 DM, por pas një
jave (më 23.XII.1993) i kishte rënë vlera në 0,38 DM ! Mund ta merrni me mend,
se për të konvertuar 100 marka në dinarë, mbushej një thes me dinarë të pa
vlerë, bëheshe multimiliarderë (me
zero)! Por, askush nuk i konvertonte 100
marka përnjëherë, veçse maksimalisht 10 marka, sepse vlera e dinarit binte disa
herë në ditë! U arrit absurdi: sa më shumë dinarë, varfëria më e
madhe!
Kursimet
devizore që kishin qytetarët nëpër banka, ishin ngrirë, nuk mund t’i merrnin,
përveç ndonjë rasti me lidhje të forta korruptive. Ata që kishin deviza në
shtëpi, i shpenzonin ato për të mbijetuar krizën e inflacionit. Kështu shteti plaçkiste
popullin e grumbullonte deviza për të financuar shpenzimet e luftës. Në skenë
dolën bankat piramidale: Dafiment banka dhe Skandik banka, të lidhura me
pushtetin, të cilat blenin e mblidhnin deviza (kryesisht DM), me çmime më të
larta se ato të rrugës. Për të grumbulluar sa më shumë deviza, u hap procesi i
shitjes së banesave shoqërore, me çmime
‘’bagatellë’’, përmes shit-blerjes zhirale të devizave: qytetarët ia
shitnin bankës devizat, banka ua konvertonte në dinarë me të cilët paguanin
blerjen e banesave. Me 500 DM mund ta blejë banesën dydhomëshe në qendër të qytetit, ndërsa një garsonjerë mund ta blejë me
më pak se 100 DM!
Dinari ‘e hante
vetveten’!
Duke
u përpjekur, më kot, për ta stabilizuar valutën dhe ndalë inflacionin, prej
korrikut 1992 deri në janar 1994, tri
herë është bërë denominimi i valutës së dinarëve, duke e këthyer 1
milion, madje edhe 1 miliard = në 1 dinarë ! Por kot. Me atë denominim nuk
arrihej asgjë, dhe inflacioni fugonte rrugës së vet.
Në
janar 1994 çmimet u rritën 313 563 558 % , ndërsa kursi i dinarit ndaj markës
gjermane u rrit 40.540.440 %! Këto shifra marramendëse mund t’i kuptojnë e shpjegojnë vetëm ekonomistët më të
përgatitur të makroekonomisë.
Hipërinflacioni
i këtillë shkaktoi varfërimin e skajshëm, ‘’zibidinë’’ e popullatës në Serbi e
Mal të Zi, por edhe shteti ishte në prag të falimentimit. Në Kosovë është
ndier më pak ajo varfëri, falë ndihmave
dhe remitencave të puntorëve tanë në botën e jashtme, të cilët u dërgonin familjeve të tyre valuta: marka germane, franka zvicërane, funta
angleze. Pagat që merrnin (në marka
gjermane) punonjësit e arsimit apo ata të shëndetësisë, nga sistemi i
financimit në Kosovë gjatë vitit 1992 e 1993, ishin dhjetëfish ose më tepër, se
pagat e kolegëve të tyre në Serbi. Kryetarja e Sindikatës së Arsimit të asaj
kohe në Serbi (Jellena Hristodullo), tregon se arsimtarët e Gjimnazit 12 të
Beogradit, në fillim të janarit 1994 kishin marrë rrogën në vlerë 1,5 (një
markë e gjysëm)!.
Ndihej
mungesë e madhe e artikujve të nevojshëm, duke filluar prej nafte e benzine
deri te mielli, buka e qumështi, e të mos flasim për kafe, sheqer, cigare,
detergjente. Shumë artikuj shiteshin në
sasinë e caktuar me triska, poqese mund t’i gjeje në shitore, sepse raftet e shitoreve ishin fshirë me
fshisë. Kush kishte pasur mundësi, kishte krijuar rezerva deri sa gjendeshin
artikujt. Tregtia në tregjet e
qyteteve zhvillohej kryesisht me këmbimin e mallit me mall (trampi).
Deri
sa të qëndroje në radhë, prej orës 4 të
mëngjesit, për të blerë bukën ose
qumështin, çmimi i tyre ndërrohej dy-tri
herë! Në nëntor 1993, rroga mesatare në
atë ‘’Jugosllavi’’ ishte 130 milionë dinarë, ndërsa pensioni mesatar 50 milion
dinarë.Në janar të vitit 1994 ato u ngritën në miliarda, por pa asnjë vlerë. Me
pensionin më të lartë që merrje, pas dy dite mund të bleje 2 qese supë, një
laps të thjesht kimik, ose një sapun, nëse mund t’i gjeje në shitore. Ja dhe
çmimet e disa artikujve tjerë:
1
bukë (600 gramësh) kushtonte 3,5 milion dinarë
1
litër qumësht, 4,5 milion dinarë
1
kg suxhuk, 500 milion dinarë
1
kg patate, 25 milion dinarë
1
kg molla, 20 milion dinarë
1
ve, 10 milion dinarë, etj.!!!
Më
18 janar 1994, ishte përcaktuar me dekretligj, se shuma maksimale e një çeku për
pagesën me çek, mund të ishte 10 milion dinarë, dhe po atë ditë për të blerë 1
kilogram mish, duhej plotësuar 27 çeqe, ngase 1 kg. mish kushtonte 270 milion
dinarë.
Deri
sa Serbia, me ushtrinë e ish-Jugosllavisë, në të cilën dominonte kuadri
komandues serb, me luftë agresive shkatërronte ish-republikën e Kroacisë dhe të
Bosnje-Hercegovinës për të realizuar idenë e Serbisë së Madhe, në anën tjetër, duke shtypur para pa vlerë
reale, shkatërronte ekonominë e vet dhe standardin e popullsisë.
Ndërprerja
e hipërinflacionit
Hiperinflacionin
e ndali si me shkop magjik Dragosllav Avramoviqi, me ‘’Programin e rikonstruimit
monetar dhe shërimit të ekonomisë’’, me ç’rast e fiksoi dhe barazoi vlerën
e dinarit me markën gjermane: 1 dinar = 1 DM. Ky raport nisi zbatimin prej më
24 janar 1994. Dinarin e bëri të konvertueshëm. Dinarët e vjetër i mblidhte dhe hiqte nga qarkullimi, duke i konvertuar me
dinarin e ri: 130.000 000 dinarë të vjetër, për 1 dinarë të ri. Deri në korrik
u mblodhën dhe u tërhoqën nga qarkullimi të gjithë dinarët e vjetër. Dinarin e
ri populli e quante ‘’Avram’, kurse vet Avramoviqin e qunte ‘’Deda Avram’’,
duke asocuar në ‘’Deda mraz’’, pak nga dashuria, pak nga humori.
Avramoviqi
(1919 -2001) ishte një ekspert financiar, që kishte punuar kohë të gjatë në FMN
dhe në Bankën Botërore dhe kishte përvojë në punët financiare dhe në krizat e
inflacionit në shtete të ndryshme. Më 2
mars 1994 u emërua guvernator i Bankës Popullore të ashtuquajturës RFJ, dhe pas
pak kohe edhe anëtar me korespondencë i
AShAS. Por, me qenë se si guvernator nuk lejonte shtypje të parave sa i
nevojiteshin regjimit, më 15 maj të vitit 1996, Kuvendi i të ashtuquajturës Jugosllavia
Federale e shkarkoi nga detyra e guvernatorit dhe praktikisht e përzunë nga
‘’Jugosllavia’’.
Kjo
ishte politika e udhëheqjes së
atëhershme të Serbisë e Malit të Zi. Politika, partitë dhe njerëzit që ishin në
pushtet atëherë, edhe tash janë në pushtet në Serbi, qoftë me emra të njëjtë
apo të ndryshuar. Pionerët e zellshëm të asaj udhëheqje: Vuçiqi, Daçiqi,
Vullini e shumë të tjerë, edhe sot e
vazhdojnë politikën e njëjtë, për Serbinë e Madhe, vetëmse në kushte e rrethana
tjera më të volitshme dhe pa hiperinflacion.