Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Në përkujtim të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit 2004 në ujrat e Karaburunit
E marte, 09.01.2024, 08:27 PM
Në përkujtim të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit 2004 në ujrat e Karaburunit
Nga
Albert Vataj
Nisja
fatkob nga brigjet e Vlorës së një gomoneje me 31 persona në bord, me synim
brigjet italiane, më 9 janar 2004, pati fund të ngjashëm tragjik me të tjera
ngulme, ku ata që në përpjekje për të ndjekur ëndrrat ranë në grackën e fatit
fatal.
Ata
u nisën asaj mbrëmje nga brigjet e Vlorës, për një jetë më të mirë, por një
fund tragjik do të shkruante me gjuhën e tmerrit minutat dhe orët e agonisë në
dallgët e detit që i përpiu.
Përshpirtje
dhe përunjësi sot në përvjetorin e ëndrrës së 28 personave që u kthye në
tragjedi, kur gomonia me të cilin ata udhëtonin mbytet pranë gadishullit të
Karaburunit. Ata 28 njerëz të cilët duke dashur të blejnë një të nesërme më të
mirë, paguan atë vdekjen e tyre të trishtë, duke u nisur nga Shkodra me mjetet
e rastit dhe duke u kthyer në atë qytet në arkivolë. E gjithë Shkodra i priti
me hidhërim dhe lot, e gjithë Shqipëria u trondit.
Ëndrra
e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë përsëri në një natë furtune me erën që
frynte si e çmendur dhe temperaturat nën zero. Pas 16 muajsh “paqeje” që po
ashtu i ngjanin ëndrrës, trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve. Në
udhëtimin e saj të parë, që nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës,
një gomone 12 metra e gjatë me 31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes
dallgëve.
Njëzet
nga udhëtarët e saj, – 17 burra dhe 3 gra – u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga
një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit,
në një pellg uji të kripur dhe benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të
tjetërt shpëtuan. Ishin në grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy
skafistët, që u arrestuan menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë
shtetërorë shqiptarë, e që akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë.
Alarmi
i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit, kur një telefonatë nga Shkodra i
sinjalizon policisë një avari në gjirin e Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5
metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje. Të
paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e rendit vetëm pak orë më parë ishin
sinjalizuar për një tjetër gomone, të ngarkuar me drogë, që ishte nisur po
ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se bëhej fjalë për të njëjtën gomone.
Por
sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje dramatike që u lëshua nga një
celular, pikërisht nga bordi i gomones. Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv
Top Channel, një nga skafistët kërkonte ndihmë. Nën një emocion të
drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën. U thirrën për ndihmë italianët
dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e kalibrit të rëndë, ndërsa nga
baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter. Në detin që nuk desh të
qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje, kërkimet përfunduan vetëm
mëngjesin e së nesërmes.
Rreth
orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas,
përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre
që shkundnin duar e këmbë e ulërinin për të kërkuar ndihmë, qëndronte një
kapicë kufomash. Për ta ndihma kish mbërritur me vonesë. Përmasa e tragjedisë u
rrok vetëm në orët e para të pasdites, kur gomonia me ngarkesën makabre u
rimorkiua deri në bazën ushtarake të Sazanit. Njëzet shqiptarët, përpara se të
vdisnin të cfilitur nga uji dhe thëllimi, ishin mbërthyer me dëshpërim në
litarët që përshkonin gomonen për të shmangur rënien në det.
Mes
trupave pluskonin çanta, valixhe, qese plastike të mbushura me sende pesonale:
fërtele kujtimesh. Gomonia, pothuaj fringo e re ishte blerë në Greqi vetëm pak
ditë të shkuara. Dy motorët e fuqishëm me siguri janë shkrirë gjatë përpjekjeve
për të lundruar me një ngarkesë aq të rëndë në mes të një stuhie detare.
Vdekje e llahtarshme
Për
disa prej tyre vdekja ka mbërritur brenda pak minutash. Të tjetrët, duke
kërcitur dhëmbët, i kanë parë tek vdisnin pa mundur të bëjnë dot asgjë. Ata që
mbetën, kanë shpëtuar për mrekulli. “Mjaftojnë edhe dhjetë minuta për të vdekur
kaq tragjikisht”, shpjegon Paolo Arbareli, drejtor i Institutit të Mjeksisë
ligjore në Universitetin “La Sapienza” në Romë.
Gomonia
ka nisur të ketë probleme të premten pasdite. Në më pak se 12 orë kanë vdekur
njëzet vetë, çfarë ka ndodhur me ta?
“Rezistenca
e njeriut ndaj të ftohtit është e ndryshme jashtë ujit dhe brenda ujit.
Temperatura e detit ulet aq shumë sa mund të vrasë brenda një kohe të shkurtër”
E
megjithatë në disa raste ndokush ia ka dalë të mbijetojë edhe pas 48 orësh në
kushte të ngjashmë .
“Po,
por ka qenë me siguri një stinë tjetër, uji ka qenë më i ngrohtë. Të kacavjerrë
në trugje a copa dërrasash, shumë ia kanë dalë të qëndrojnë edhe dy ditë e dy
net me radhë. Por në këtë rast, edhe në stere temperatura ka qenë nën zero. Uji
dhe i ftohti së bashku janë fatalë.”
Deri
në ç’temperaturë mund të durojë njeriu në këto kushte?
“Në
përgjithësi deri në 10-12 gradë nën temperaturën e trupit. I rezistojmë më
shumë megjithatë të ftohtit në të thatë se atij në ujë apo në dëborë”.