Kulturë
Petrit R. Aliaj: Refleksione nga 'Diaspora 2023'
E premte, 29.12.2023, 07:53 PM
REFLEKSIONE NGA "DIASPORA 2023"
Nga
Petrit R. Aliaj
Konferenca
e fundvitit "Diaspora 2023", tashmë, e kthyer në traditë nga Federata
e Shoqatave Shqiptare në Itali, mbylli punimet e saj më 17 dhjetor 2023 në
Brescia. Emërtimi i konferencave që ka realizuar FNAI përgjatë këtyre viteve
pësoi pak ndryshim, duke u pagëzuar me emrin "Diaspora 2021, 2022,
2023..." në librin e rregjistrit të Federatës si një zgjedhje e bukur e
Sekretares, ing. Erida Cela.
Në
këtë shkrim do të mundohem të hedh disa të dhëna nga vëzhgimet dhe eksperienca
që kam mundur të përfitoj si pjesëmarrës i të gjitha asambleve dhe konferencave
të Federatës, veprimtari të cilat datojnë që me themelimin e saj më 26.04.2015
në sheshin "Skënderbe" të provincës Fermo. Në këto veprimtari me
karakter atdhetar, aktorët kryesorë janë individë të pasionuar dhe grupe
shoqërore që merren me promovime të krijimtarive të ndryshme si bartëse dhe
trasmetuese të vlerave nga vendet e tyre të origjinës. Vlera të cilat krijojnë
emocione dhe mbresa në komunitet, për karakterin e tyre bashkues në marrjen e
vendimeve kolegjiale në këshillat drejtuese të tyre, duke respektuar e, për
rrjedhojë, duke evituar krizat që shkaktojnë kryetarët e përjetshëm.
Ecja
përpara në mënyrën më të thjeshtë të angazhimit vullnetar për të mirën e
komunitetit, për të bukurën Arbëri, për të shejtën gjuhë, është patriotizëm i
mbështetur në këto vlera morale të cilat e bëjnë çdo organizatë të bashkëveprimit
shoqëror që të afirmohet, të jetë e besuar, të jetë në rolin e një rregullatori
bashkërendues në komunitet, për identitet kombëtar dhe për një integrim
dinjitoz në bashkëjetesë, paqë e harmoni.
Krahas
të gjitha angazhimeve dhe veçmas për sa i përket anës funksionale, Federata ka
ditur të ruajë paprekshmërinë e saj nga influencat partiake duke zbatuar
statutin, pa hezituar për hir të dikujt që kërkon të përfitojë nga respekti i
të tjerëve si edhe nga toleranca e miqësive të sëmura, ku solidariteti në këto
raste thyhet nga konflikti i interesit dhe çon drejt shpërbërjes së saj.
Në
këto raste realiteti është tregues për të gjitha veprimet dhe mosveprimet nga
individë të cilët kërkojnë të aktivizohen, por që shpejt u bie entuziasmi në
ndjekjen dhe zbatimin e detyrave, humbin ndjeshmërinë, kthehen në vëzhgues të
papërgjegjshëm e të pavlefshëm në misionin e përbashkët.
Për
këdo që e ka provuar të jetë në drejtim, krahas gjithë kërkesave dhe detyrimeve
që rrjellin nga raportet me shoqatat, instuticionet dhe organizatat e ndryshme
shoqërore në kuadër të bashkëpunimit, paralelisht janë edhe hartimet, miratimet
dhe përkujdesi për zbatimin e programeve së bashku me analizat. Pikërisht në
vlerësimin e përzgjedhjes së personave intelektualë e aktivë nga stafet
drejtuese të shoqatave janë propozimet e tyre në asambletë zgjedhore, ku një
rol të madh ka pasur ardhja në drejtim e intelektualëve të rinj në moshë për
efektivitetin e punës së tyre në grup me ndryshime në organizim e metoda pune
si p.sh nga ish-presidentet; dr. Anila Cenolli dhe dr. Margita Hoxha.
Rëndësi
në hartimin e programeve të punës iu kushtua edhe daljes nga kornizat standard
për çdo fund viti, në atë të një dialogimi të hapur e publik në bashkëpunim me
specialistët në drejtim e me konsulentë.
Gjithçka
e gjykuar për anën funksionale të çdo konference është konsideruar një shtysë
"e imponuar", e mirorganizuar për të gjetur temat që prekin
shqetësimet e diasporës, mënyrën e komunikimit direkt, takimet online,
kontaktet e shumta individuale me angazhimin e të gjithë stafit drejtues me
shoqatat aderuese, të cilat janë motorët që e bëjnë të funksionojë mirë atë në
organizim, shtrirje, zgjerim dhe përfshirjen e kategorive të shumta në
veprimtari të përbashkëta. Puna ngulmuese për të kërkuar bashkërendime me
shoqata të tjera, larg egos për të qenë
gjithmonë në krye ose për të diktuar, është konkretizuar me thirrje të hapura
publike për bashkëpunim dhe aderim në Federatë.
"Të
gjitha këto elementë bashkëpunimi në përfshirje, krijojnë mundësi të shumta për
të realizuar e zgjidhur një gamë veprimtarish shoqërore dhe mjaft probleme të
tjera jetike që hasen në Itali, ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit
Europian ku vërehet më shumë tendenca për urrejtje, racizëm dhe
ksenofobi", (Amnesty International Italia), na diktojnë zgjidhjet e tyre
në unitet dhe të lidhur pandashmërisht me shtetet tona amë ku, ndër kryesoret,
është çështja e ruajtjes së gjuhës dhe traditave kombëtare në gjirin e
shoqërisë multietnike italiane, si një forcë dhe energji e fuqishme asimiluese.
Kombet
e tjera e kanë zgjidhur çështjen e ruajtjes së identitetit duke ngritur një
sistem të tërë, me shtëpi kulture, librari, teatër etnikë, biblioteka, institute të kulturës
etj. të cilat i mungojnë komunitetit shqiptar, edhe pse ka veprimtarë të cilët
kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të lavdërueshme për ruajtjen e identitetit me
mundësi të pakta, vullnetarisht dhe pa asnjë mbështetje financiare nga shtetet tona, qoftë kjo edhe për të
mbështetur një konferencë, dy, tre, katër që ka projektuar dhe realizuar
Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali. Kjo është një veprimtari me
përmasa mbarëkombëtare, me cilësi, rrjedhshëm, bukur edhe pse në vështirësi për
të paguar sallat, mjetet, kuadrin e duhur, të menduarit racional në kohë për
sistemimin dhe spostimin e të gjithë atyre që ftohen për të marrë pjesë në
tubimet e konferencave në vazhdimësi.
Kurorëzimi
me sukses i Konferencës "Diaspora 2023"është në nderin e të gjithë
atyre që kontribuan për ta realizuar atë, duke filluar me plan-programin e
Këshillit Drejtues të Federatës, ngritjen e grupit të punës për drejtimin e saj
dhe krejt ekipin e Drekës Festive të sinkronizuar mirë nga z.Ndue
Shabaku.(Zëdhënës i Federatës).
Merita
e oratorëve në tërësinë e problemeve që u trajtuan, qëndron në faktin se ata
jetojnë të përditësuar me çka duhet dhe bëhet për emigracionin, vlera të cilat
diktuan përzgjedhjen dhe përfshirjen e tyre në Konferencë, duke e bërë atë
cilësore në pjesëmarrje dhe sensibilizuese, për çka përjetojmë e çka duhet të
bëjmë së bashku për diasporën në Itali.
Më
vjen mirë të ndaj përgëzimet e mia për mbarëvajtjen e punimeve të Konferencës
për drejtuesen e saj dr. Adela Shehu si intelektuale me shumë eksperiencë në
promovimin e vlerave kombëtare e të trashëgimisë sonë gjuhësore e
kulturore në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera simotra të komunitetit
shqiptar në Slloveni e Kroaci, me historianë, shkrimtarë, përkthyes e
albanologë në Trieste. Është fakt që komuniteti shqiptar atje jeton në të
njejtën hapësirë në të cilën lobi serb është i fuqishëm, i paguar nga shteti i
tyre edhe me burime të tjera financiare e në sinkronizim me ata që lobojnë për
Serbinë brenda BE, të cilët po kërkojnë mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur
dhe aneksimin e saj nga Serbia. A mjafton kjo që vetëm shoqata
"Arbëria" të lobojë për identitetin tonë kombëtar dhe njohjen e
Republikës së Kosovës kundër furisë anti shqiptare? Sigurisht që nuk mjafton
dhe më shqetëson fakti se në drejtim të disa shoqatave me shqiptarë nga Kosova
u është dërguar ftesa për pjesëmarrje në konferencë dhe nuk ka pasur reagim. (???)
Kujtoj
se në përbërje të tyre ka edhe ish-luftëtarë të UÇK, kontribues të 3% për
luftën çlirimtare, të cilët janë betuar në gjunjë përpara flamurit kombëtar me
fjalët: "Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të
luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre ..."
Konstatimi im ndofta edhe mund të jetë i gabuar, por ndihem keq kur mungon
bashkëpunimi në planin kombëtar aq sa më jep të drejtë të shpreh se kjo mungesë
do ta mbajë për shumë vite Kosovën dhe Shqipërinë të ndarë, dhe, mos o zot,
duke mos reaguar ndaj situatave të rrezikshme me çka po ndodh në Kosovë
rrezikohet dhe bëhet e pa mundur ruajtja e sovranitetit territorial të saj.
Për
dr. Enisa Gordani shpreh konsideratat e mia për bashkëpunimin e saj brilant
duke treguar respekt për mundësinë dhe besimin që i u afrua për trajtimin e
temës; "Emigracioni dhe emancipimi, roli i gruas shqiptare" për të
cilën edhe nga publiku në rrjetet sociale ka marrë përgëzime dhe urime së
bashku me duartrokitjet tona në sallë, trajtimin, rolin dhe vendin që duhet të
zërë gruaja shqiptare në shoqëri, për forcën dhe dinjitetin e saj njerëzor si
krijuese e jetës. Faleminderit dr.Enisa!
-
"Petrit! Kur të vini në Asti, merrni me vete qeleshe, lodra e daulle,
flamuj e banderola, gajde, çifteli dhe, po të keni kostume kombëtare, i vishni
ato" - ishte mesazhi i drejtorit të
Qëndrës Kulturore "Margarita Xhepa" në Asti, prof. Hasan Bulçari, për
pjesëmarrje në paradën shumëngjyrëshe kombëtare më 23 shtator 2023. -
Faleminderit miku ynë Hasan Bulçari edhe për mesazhin e drejtuar të gjitha
shoqatave për bashkërendim të aktiviteteve rreth një familjeje të madhe me
FNAI-n.
Ai i bëri radiografinë punës
edhe sakrificave të komunitetit shqiptar në Asti, për kontributet e tyre në
vlera monetare për ndërtimin dhe funksionimin e kësaj qendre kulturore të
mrekullueshme, të cilën pata fatin ta vizitoj me drejtuesit e shoqatës "Alba"
në Brescia ku na shoqëroi zoti Nikolin
Gjeloshi, "Ambasador i Kombit" dhe ideatori i kësaj qendre. –
"Janë këta shqiptarë patriotë që dhuruan fondet, punuan dhe e vunë në
shërbim të komunitetit shqiptar dhe vendas këtë qendër, në të cilën japin
kontributin e tyre specialistë të artit, të kulturës, të gjuhës, bashkëpuntorë,
prindër me fëmijë e mësues, etj," - shpjegoi miku ynë Nikolin duke na
treguar listën e emrave të kontribuesve të afishuar brenda në qendrën e
kulturës.
Ndërsa
në përshëndetjen e tij modeste në konferencë zoti Nikolin Gjeloshi ndër të
tjera propozoi që Konferenca "Diaspora 2024" të mbahet në Asti .
Me
shumë konsideratë i përcjell përgëzimet dhe falenderimet e mia presidentit të
shoqatës "AssoAlbania" në Asti zotit Marjan Bjeshkëza për
bashkëpunimin e tij, konsideratat e shprehura për punën kolektive të Federatës
dhe pjesëmarrjen në të dy konferencat e saj me stafin e tij.
Për
detyrimin shoqëror që z.Granit Muçaj ka marrë përsipër të kryejë së bashku me
anëtarët Këshillit Drejtues të Federatës, gjej momentin që ta përgëzoj për
pozicionin e tij dhe përcaktimet në raport të rolit që duhet të luajë Federata
Kombëtare e të gjithë atyre që flasin shqip e të pandikuar nga kozmopolitizmi
gjuhësor në marrëdhëniet tona, ku dukuria e indiferentizmit ekstrem është veçse
goditje fatale kundër ideve e inisiativave që ndërmerren dhe bëjnë të ndrydhen
edhe ndjenjat më entuziaste të grupit. Ky ishte edhe një nga të shumtat
argumente dhe shqetësime që na përcolli në raportin e tij Presidenti i
Federatës zoti Ganit Muçaj si një fenomen që kthehet në edukatë dhe bëhet
kulturë burokratike dhe instuticionale.
Në
fund të fundit, gjithçka që realizohet në diasporë nga mërgimtarët, janë vlera
që trasmetojnë dhe nuk arrijnë të shkojnë atje ku duhet ose të kenë pranë tyre
ata që duhen. Më kujtohet një bisedë me një drejtues të komunitetit Maroken në
Brescia, i cili më shpjegoi se Ministri i tyre i Jashtëm vjen një herë në dy
muaj dhe bën takim të hapur me përfaqësuesit e komunitetit të tyre në Lombardi,
për t'i dëgjuar dhe pastaj takon përfaqësuesit kryesorë të shtetit italian, për
t'i përditësuar me problemet që ata hasin.
-Ndër
të tjera, kur flasim edhe në aspektin e bashkëpunimit na afrohen mjaft
intelektualë si profesorë, mjekë, doktorë, avokatë, shkrimtarë, krijues e
drejtues aktivitetesh ekonomike të cilët i meritojnë emrat e tyre për çka bëjnë
etj. Ndërsa kemi edhe një kategori tjetër në kërkim të lavdisë, honorareve dhe
pompozitetit që kërkojnë me insistim të përshëndesin në tribuna. Është si të
bësh dashuri me kusht me disa tipa të tillë pa skrupull, fodullë e pa
personalitet të cilët na thonë: "Po,po, do të jem aty, por unë dua të flas
kaq minuta". Janë tipa që kërkojnë të flasin gjithmonë për Belulin dhe
bëhen pengesë e të vështirë për çdo iniciativë me energjinë e tyre negative të
mburrjes.
Në
konsideratë për të gjitha takimet, konferencat dhe angazhimet e përbashkëta të
shoqatave të Federatës FNAI vlerësoj të
gjithë drejtuesit e 'shoqatave të tjera të cilët na nderuan me pjesëmarrjen dhe
vlerësimet e tyre duke shprehur edhe dëshirën e bashkëpunimit në bashkërendim
me Federatën. FNAI.Respekte e mirënjohje për
drejtuesit e tyre ; Marjan Bjeshkëza "AssoAlbania", Asti;
Ndricim Kercuku, "Krenaria Shqiptare", Pordenone; Silvana Muço
Dogani", Radici & Ali", Pescara; Sonila Otobashi,
"Skanderbeg", Parma; Eno Dule, "Ura", Novara; Petrit
Gjinaj, "Ura e Bashkimit", Ponte di Legno; Mahije Bujupi,
"Lidhja e Mësuesve Shqiptarë"; Elvira Lashi "Forum Donna
Indipendente", etj.
Uroj
që të zgjohet kategoria e personave të cilët e kanë vëzhguar Federatën
Kombëtare që në themelimin e saj me dylbi dhe skepticizëm, me arrogancë,
shpërfillje e në kor me ndrikullat e tipit "Oh ç'u kënaqëm", duke
injoruar ekzistencën e saj, aktivitetin, trasparencën, kërkesat në rritje për
punën dhe bashkëpunim të hapur e gjithmonë në mbrojtje të interesave të
komunitetit mbarëshqiptar në Itali dhe jashtë saj, për integrim dinjitoz dhe
bashkëjetesë me popullin Italian, i cili na ka hapur portat e miqësisë.
Nga
Greqia e përshëndeti konferencën edhe z.Ardian Daullja Kryetari i Unionit të
Shoqatave Shqiptare në Athinë i cili uroi organizatorët dhe të pranishmit për
vazhdishmëri të këtyre konferencave shumë të nevojshme për mbarë shqiptarinë
kudo ku ndodhet.Me këtë rast ai deklaroi
dhe falenderoi për inisiativat e bashkëpunimit dy palësh ndërmjet
Unionit që ai drejton dhe federatës Fnai në drejtim të promovimit të artit
,kulturës,traditave ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe si edhe promovimin
dhe marrjen e inisiativave për ushtrimin e të drejtave sociale të komunitetit
shqiptar në Greqi dhe Itali.
Për
mbështetjen konstante të realizimit të Konferencës dhe pjesëmarrje falenderoj
në veçanti Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Milano zotin
Diamant Kastrati, Konsullen e Përgjithëshme të Republikës së Shqipërinë në
Milano zonjën Anila Pojani për përshëndetjen e saj drejtuar Konferencës dhe dr.
Vat Marashi për mbështetjen e tij financiare .
Mirë u pafshim në "Diaspora 2024".
Petrit R. Aliaj.
Brescia 17.12.2023.