Kulturë
Albert Habazaj: Konispoli, Himara me Ardit Bidon…
E shtune, 16.12.2023, 07:54 PM
KONISPOLI, HIMARA ME ARDIT BIDON DHE “BETEJËN PËR 20 PËRQINDËSHIN” NË QARKUN E VLORËS
Nga Albert HABAZAJ
Dy fjalë për autorin
Një nga këndvështrimet e mia është besimi tek brezi i ri
që do ta bëjnë këtë vend të bekuar me emrin Shqipëri. Fatmirësisht, nuk gjykoj
se janë dëshira romantike e idealiste, ngaqë veç të tjerash, as mosha s’ma
lejon.
Një person i tillë, që ma rrit besimin është edhe
drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, prof.as. dr. Ardit
Bido, i cili ka lindur në Sarandë më 20 korrik 1987.
Emrin
ia kisha dëgjuar për mirë si një studiues serioz dhe me të ardhme, por me
Arditin jam njohur nga afër në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Shkup
më 29-31 gusht 2012 dhe patejtër në
vijim. Bido është studiues i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, me fushë të
ngushtë studimi raportin mes politikës, marrëdhënieve ndërkomëtare, fesë
dhe pakicave. Ai ka mbrojtur gradën
“Doktor i Shkencave” në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës,
lëmë në të cilën ka kryer edhe studimet Master. Ciklin e parë të shkollës së
lartë e ka përfunduar për Gazetari në të njëjtin universitet.
Në katalogun e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, kemi
48 regjistrime bibliografike të gjetura, nga të cilat, në 8 regjistrime Bido është
përgatitës, rencesent ose redaktor dhe, krahas dhjetëra studimeve të botuara në
revista shkencore e kumtesave të mbajtura në konferenca shkencore kombëtare dhe
ndërkombëtare, ai është autor i monografisë “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1937)”,
botuar në serinë më të aklamuar në fushën akademike për raportin fe - politikë,
nga shtëpia botuese “Routledge”; Tiranë: “Trifon Xhagjika”, 2011. Gjithashtu,
Bido është autor i monografisë “Koncesioni
editorial i shtypit shqiptar në epokën e biznesit”, Tiranë: UET Press, 2016,
si dhe botimit më të ri e ndër më të rëndësishmit deri më sot “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti i identitetit, statistikat
demografike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë”, Tiranë: Dudaj,
2023, tekst me 250 faqe, në shqip dhe greqisht.
Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e
shkruar dhe mediat audiovizive, si dhe ka menaxhuar departamentet e komunikimit
të disa institucioneve akademike, shtetërore dhe private. Prej vitit 2012,
pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë
Universitetit Metropolitan Tirana. Ai ka pasur angazhime publike dhe
komunitare, duke përfshirë drejtimin
e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e
kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në
Tiranë. Ardit Bido ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profesionale lidhur
me komunikimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të organizuara nga NATO, Ambasada
Amerikane në Tiranë, etj., në Shqipëri, Belgjikë, Luksemburg, Serbi, e disa
vende të tjera. Përveç gjuhës amtare shqipe, zotëron gjuhët angleze e greke dhe
ka njohuri të gjuhëve italiane e franceze. Ardit Bido është një studiues
i ri serioz, i besueshëm, i pashmangur nga ballafaqimet, sa i vërtetë aq trim
fjalës së shkruar dhe i ligjërimit të folur, i spikatur për seriozitetin, vëmendjen
dhe këmbënguljen në fushën studimore që rrok, intelektual fisnik, sa atdhetar
po aq qytetar, akademik me formim e mendim bashkëkohor eurpoian.
Libri i gjallë i
identitetit
Me librin monografik “Beteja
për 20 përqindshin: Fluiditeti i identitetit, statistikat demografike dhe
implikimet politike në Konispol dhe Himarë” prof.as. dr. Ardit Bido ka
realizuar dhe botuar një vepër shkencore, që përbën edhe një punë patriotike e
demokratike, pa shkarë në kurthet e shkrepave apo honeve nacionaliste.
Nga ana strukturore, teksti i përmbush kriteret që kërkon
monografia shkencore, sepse paraqitet si një
studim të gjerë e të hollësishëm shkencor, që trajton një çështje të veçantë
siç është gjendja ndëretnike në zonën bregdetare të Shqipërisë së Jugut dhe
eksploron deri në imtësi për temën që trajton; përmban një përshkrim të
detajuar të metodologjisë së hulumtimit të caktuar, prezantimin e rezultateve
të kërkimit dhe interpretimin e tyre, gjithashtu, si profesonist i klasit të
parë me arkivat dhe dokumentacionin, e paraqet në rrjedhën e procesit
dokumentin e duhur me vlerat tipologjike dhe faktike, si dhe faktorëve
me interes për procesin përmes mjeteve grafike dhe fotografike, dhe të dhënave
të shkruara.
Libri ka
edhe një bibliografi të pasur me burime parësore, dytësore dhe tretësore, ka
tabela e statistika, 9 shtojca, 12 harta dhe 20 fotografi. Në shtojca gjejmë përqindjen
e grekëve në Himarë dhe Konispol, diapazonin e vetëdeklarimit, minoritetit dhe
fluiditetit në këto dy bashki, përbërjen etnike, gjuhësore dhe fetare sipas
vendbanimeve të pesë bashkive të Jugut: Konispol, Finiq, Sarandë, Delvinë dhe
Himarë; të dhënat e kombësisë sipas Regjistrit të Gjendjes Civile për
vendbanimet e bashkive Himarë dhe Konispol; të dhënat etnike për vendbanimet e
bashkisë Konispol në censusin e vitit 1923 dhe në censusin e vitit 1945, sipas
ndarjes së sotme administrative, si dhe të dhënat gjuhësore për vendbanimet e
Bashkisë Himarë në në censusin e vitit 1923 dhe në censusin e vitit 1945, sipas
ndarjes së sotme administrative. Në ballinën e librit janë dy harta të bashkive
ku funksionon dygjuhësia dhe bashkitë e pretenduara nga pala greke në pesë
bashkitë e Jugut; po ashtu dhe evoluimi i pretendimeve të palës greke.
Autori rrok këto çështje të domosdoshme: si krijohet
identiteti etnik dhe kombëtar; fluiditeti i identitetit etnik dhe kombëtar; vetëdeklarimi
si forma e vetme e vetidentifikimit dhe vetëdeklarimi i rremë; Himara: 14.5%
grekë është maksimumi i vetidentifikimit; Konispoli: 13% grekë është maksimumi
i vetidentifikimit; kërkesat greke për Himarën dhe Konispolin pas vitit 1991; përhapja
e influencës greke, legjislacioni shqiptar e grek dhe “testet” e viteve 2011 e
2015; si dhe zhvillimet në prag të censusit.
Ky punim vjen në kohën e duhur, duke na sjellë një qasje
shumëpërmasore mbi një çështje tepër të komplikuar. Të gjithë e kemi të qartë
gjendjen që mbas 18 Shtatorit 2023 nisi një tjetër regjistrim i popullsisë dhe
i banesave në Republikën e Shqipërisë,
në të cilin, edhe këtë herë është përfshirë një seksion i pyetjes opsionale për
vetëdeklarimin etnik dhe fetar të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Siç shprehet në parathënien e librit, prof.as.dr. Sonila
Boçi, historiane: “Nga pikëpamja teorike, punimi i është shmangur qasjes
primordiale të përkatësisë etnike” dhe fakti që autori nuk diskuton mbi bazat e
nacionalizmit etnik, përkundrazi, ka zgjedhur një kontekst modernist, duke iu referuar
identitetit si koncept varialbël, i negociueshëm shoqërisht, i varur nga një sërë
faktorësh e konceptesh politike e shoqërore, ia rrit librit vlerat historike,
diplomatike dhe politike. Autori i referohet identitetit fluid, një identiteti
që nuk është tërësisht i përcaktuar, nuk është tërësisht i qartë dhe që mund të
shfaqet si një shumësi identitetesh, si në rastin e popullsisë së Gollobordës,
si një identitet rajonal, si në rastin e goranëve, apo të jetë i ndryshueshëm
si rezultat i kontekseve (apo presioneve) politike.
Për autorin, ligji shqiptar për shtetësinë e dyfishtë,
hapja e disa shkollave private në Himarë që operonin jashtë kontrollit të
autoriteteve shqiptare, ligji për varrezat e ushtarëve grekë e shumë vendime të
tjera të institucioneve shqiptare janë pika të dobëta, një sinjal alarmi për përbërjen
e ardhshme etnike të rajoneve në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në ato krahina në të
cilat ekzistojnë identitete fluide (të lëvizshme, të papërcaktuara qartësisht).
Për mendimin tim, “Beteja
për 20 përqindshin...” nuk është evolucion, por është një revolucion
shkrimor qytetar, në të gjitha përmasat që rrok shkrimi i fjalës së lirë, asaj
së vërtetës që, ashtu siç e dimë ne, duhet ta njohin brezat dhe të jetë e
regjistruar në kujtesën historike të kohës. Tema është aktuale, e nxehtë, e
guximshme, po aq jetësore e ndërkohë, që puna do usta qosheje për ta skalitur
gurin për të zënë vendin atje ku i takon.
Vërtet që Ardit Bido është i ri më moshë, aty te 35 vjeç
a diçka më shumë, por ai, pikërisht ai është zëri i brezit, i kohës në skenën e
historisë; është një studiues serioz dhe i besueshëm si burim referencial
brenda dhe jashtë vendit, sepse shkruan shqip, anglisht dhe greqisht; ndërkohë
që edhe një koleg i fushës apo të tjerë, patjetër mund t’ja verifikojnë të dhënat
lokale të punimit nëpërmjet krahasimtarisë disiplinore të fushave apo
nënfushave shkencore.
Debati shqiptaro-grek mbi praninë ose jo të pakicës greke
në Bashkinë Himarë dhe në Bashkinë Konispol është debat ekstremesh: pala greke
pretendon senë to, pjesa dërmuese e ortodoksëve janë grekë dhe pala shqiptare
pretendon se numri i minoritarëve është i papërfillshëm.
Në botimin studimor “Beteja
për 20 përqindshin...” trajtohet fluiditeti i identitetit etnik që ekziston
në tri fshatra të Bashkisë Himarë: Himarë Fshat, Dhërmi dhe Palasë, si dhe
popullsia vllahe në Bashinë Konispol, duke analizuar edhe se sa është maksimumi
dhe minimumi i individëve që vetidentifikohen si grekë. Po ashtu, trajtohet me
vëmendje dhe seriozitet të lartë edhe nëse ka pasur rritje artificiale të
numrit të personave të vetëdeklaruar si grekë, e nëse po, sa dhe si kanë
ndikuar në këtë aspekt politikat shtetërore të Greqisë apo grupet e veçanta të
interesit.
“Beteja për 20
përqindshin...” është studimi më i plotë deri më sot për çështjet delikate
të identitetit etnik në Himarë dhe Konispol, ku përplasjet politike mes shtetit
grek dhe atij shqiptar kanë qenë një provë force, që u rishfaq me hapjen e
Shqipërisë ndaj botës në fillim të viteve 1990.
Është vlerësuar nga shumë autoritete të shkencave humane,
ndërkohë që për këtë libër autori “ka zbritur vetë në bazë e gju më gju me
popullin”, në kuptimin real të fjalës, pa kërkuar përfaqësi të zgjedhur
personash në takimet e zhvilluara në tri bashki të qarkut të Vlorës: Konispol,
Himarë dhe në qytetin e Vlorës.
Studiuesi Ilir Ikonomi e vlerëson autorin Ardit Bido,
tashmë të stërvitur në rrjedhat e turbullta të historisë politike të Kishës
Ortodokse Shqiptare, që na jep një tablo shteruese të zhvillimeve që kanë çuar
në paqartësitë e sotme rreth identitetit etnik në këto dy bashki.
Akademiku Matteo Mandalà, profesor i Albanologjisë në
Universitetin e Palermos, Itali e vlerëson studimin e Ardit Bidos si një
kontribut të vyer, pasi shqyrton jo vetëm pasaktësitë e shumta që mbushin
literaturën historiografike dhe shtypin e përditshëm, por hedh dritë mbi një
realitet që në të vërtet është shumë më i ndërlikuar se ç’paraqitet nga përshkrimet
sempliciste që gëlojnë sot kudo. Si rezultat i këtij studimi na shpaloset para
syve një pasqyrë shumë më autentike, e
natyrisht, edhe më e besuseshme, e gjendjes aktuale ndëretnike në këto treva të
Bregdetit të Jugut të Shqipërisë. Profesori arbëresh shkruan: “Dy janë shtyllat
ku mbështetet analiza e Bidos: nga njëra anë, përdorimi rreptësisht shkencor i
metodologjive dinamike të cilat zbatohen sot në kërkimet sociologjike rreth
entiteteve që përgjithësisht përmblidhen me termin “etni”; nga ana tjetër, shtënia
në punë e të dhënave statistikore rreth shpërndarjes hapësinore dhe peshës
sasiore të anëtarëve të të dy etnive, shqiptare dhe greke”.
Është një ogur i mirë që ky studim ndjek zgjidhje të reja
për vështirësitë e vjetra. Bido thellohet në dinamikën e identitetit etnik në
tre fshatra të Himarës dhe të minoritetit vllah. Përtej përcaktimeve
konvecionale të statusit të pakicës siç paraqitet nga qeveria greke dhe ajo
shqiptare, studimi ngre shqetësime thelbësore që lidhen me fushën e drejtësisë
tranzicionale postkomuniste.
Studiuesja Ines Angeli Murzaku, PhD, profesore e Feve në
Universitetin Seton Hall, New Jersey, SHBA tërheq vëmendjen tonë: “Veçanërisht,
ai nëvizon ndërthurjen e ndërlikuar të çështjeve që lidhen me statusin e pakicës
fetare brenda këtij konteksti”.
Është një zakon i çuditshëm tek njeriu,
që i thonë obsesion, i cili përsëritet shpesh dhe e bën atë nganjëherë
qesharak; dëshirë e tepruar dhe e vazhdueshme për të bërë diçka, zakonisht të
padobishme, është ves, huq, që shfaqet jo vetë tek njerëz të veçuar, por rrëmben
edhe grupe të caktuara shoqërisht ekstremale, siç janë nacionalistët politikë
apo sillogjet greke, qarqet ekstreme nacionaliste greke
si “Agimi i Artë” sikurse paraqet shqetësimin e
tij prof. dr. Bardhosh Gaçe, sepse sillogjet greke prodhojnë irredentizëm, kur
gjejnë shteg, si në rastin kur tek shteti ka struktura nacionaliste.
Studiuesi Gazmend Kapllani është
profesor i Studimeve Shqiptare në Universitetin e Çikagos, SHBA, ndërkohë
shkrimtar, dramaturg, gazetar dhe mbrojtës i të drejtave të emigrantëve
shqiptarë në Greqi. Ja si e vlerëson ai këtë libër: “I pari studim me të vërtet
serioz mbi “obsesionin” e shtetit grek me pakicën etnike greke: një “obsesion”
që u ringjall fuqishëm pas Luftës së Ftohtë kur shqiptarët dhe grekët “u
takuan” sërish në kushtet e një pabarazie të skajshme: Greqia si “e ftuar” e
historisë dhe Shqipëria si një shtet katërcipërish i dështuar dhe i shkretuar
nga regjimi komunist. Që atëherë dhe deri më sot ky “obsesion” - në mënyrë
paradoksale i vetmi element që i ka mbijetuar Idesë së Madhe (Megali Idea) të
shekullit XIX - i bën marrëdhëniet mes dy vendeve t’i ngjanë vazhdimisht një
kardiograme të çakërdisur”.
Kam bindjen se “Beteja
për 20 përqindshin...” është një dritare e hapur jo vetëm për studiuesit,
politikanë dhe diplomatët, sigurisht jo vetëm për qytetarët e qarkut të Vlorës,
banorët e pesë bashkive të bregdetit jugor e veçanërisht për ata të Palasës,
Dhërmiut, Himarës apo edhe Konispolit, kush ka “mizën në kësulë”, që kthjellon
logjikën njerëzore, ku shikimi rrok hapësirat e qarta të mendimit dhe gjykimit,
bazuar në fakte, përbashkime, përveçime, kode, zakone, tradita,
domosdoshmërisht në dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit, në ligje, konventa
ndërkombëtare, amendamente, vendime etj.
Docent Odise Çaçi, intekeltual atdhetar
nga Palasa në takimin e Vlorës u shpreh qartë, prerë dhe saktë mbi ADN-në
shqiptare të Himarës, por edhe për identitetin e tyre, historikisht krejt
i njëllojtë me shqiptarët e tjerë përqark, që është
i njëjtë me identitetin kombëtar shqiptar,
për të qenët autokton në këto troje, në këto vende qysh në fillimet e jetës njerëzore, pavarësisht
rrjedhjeve që si fjalë kyçe kanë pasur sidomos interesin e vogël. Çaçi pruri në
përditshmërinë e kujtesës sonë albanologun e ndritur Eqerem Çabej, ku ndali në
faktin se prof. Çabej në vitin
1936 flet për “Shqiptarizmin e Himarës”: ... Fakti që të tre katundet në fjalë përdorin greqishtë si gjuhë të
përgjithshme në këto brezat e fundit asht rrjedhja e marrëdhanjeve të ngushta
sidomos tregtare qi ka pas Himara me ishujt grek, asht edhe rrjedhja e
propagandës së vazhdueme sistematike të kishës greke. Kjo ka qënë sidomos qysh
prej kohës së Katerinës së II. të Rusisë e nacjonalistëve e grekve për
greqizimin të shqiptarëve të jugut. Por Himara ka qënë dhe asht një krahinë
shqiptare, ku sundojnë edhe sot cilësit e racës shqiptare ma fort se në disa
krahina të tjera të Shteti t’onë. Për origjinën shqiptare flasin qartë zakonet
krejt shqiptare labe të tynë, për këtë origjinë flasin emrat e familjeve dhe të
vendeve (toponomastik). Sidomos flasin këngët e vajtimet e tyne të cilat janë
në shqip, zakonet në lindje, martese e vdekje si edhe festat e ndryshme të
vitit., se në folklorë ruhen sekretet e vjetra të jetës etike, se gjuha greke
që ata kanë adoptue keto tre fshatra pa dyshim janë më të reja se zakonet e
vjetra shqiptare që kanë, sepse zakonet janë shprehje ma konservatore të jetës
shpirtënore të nji populli se sa gjuha, duhet shtuar se grat e moçme flasin dhe
dijnë sot shqip në katundet Himarë, Dhermi e Palasë. Të tri këto katunde e dinë
vetë fare mirë shqiptarzimin e tyre dhe e kanë me çdo rastë këtë të vërtetë
janë një fis me labrit e Vlorës e të Kurveleshit, me të cilët bajnë edhe sot
krushqi... Banorët e Palasës tregojnë se rrjedhin prej Dukatit të Vlorës,
banorët e lagjes Gjilok të Dhërmi-ut krenohen se rrjedhin prej Kruje dhe kanë
qenë ushtarë të Skënderbeut. Të tre katundet e dijnë edhe sot se kan far’e
fisin e vet në Labri, në Progonat, në Nivicë të Kurveleshit dhe në katundet
Velçë, Tragjas e tjera të Vlorës. Nga keto fakte rezulton pra në mënyrë të pa
dyshimtë se të tria katundet janë origjinë shqiptare. Ato nuk mund të quhen jo
minoritet i plotë si Çamërit t’onë në Greqi, por as edhe minoritet gjuhe e
race. Për këto arsyet të tria katundet nuk mund t’ u aplikohet rregullorja e
shkollave mnoritare greke. Ky vendim shtojmë se pajtohet me dëshirën e flakët
të një pjese …të popullsisë së Himarës, Palasës e sidomos të Dhërmiut, e cila
don vetëm shkolla shqipe…
Një ndërhyrje edhe
si përnjohje
Rrok Zojzi, i konsideruar si babai i etnografisë
institucionale shqiptare popullin shqiptar e quan të formuar nga dy grupe të mëdha
krahinash etnografike: Toskëria dhe Gegëria dhe shkruan: “Me emnat “Gegë” dhe
“Gegni”, si e quejnë veten dhe vendin e tyne banorët e veriut të Shqipnisë (ose
“gegë” dhe “Gegëri”, si quhen nga banorët e jugut) kuptojmë ma të madhin nga dy
grupet e krahinave etnografike që morën pjesë në formimin kombëtar të popullit
shqiptar” [shih, Zojzi, Rrok; “Ndamja
krahinore e popullit shqiptar”, IV, Kolana e botimeve etnografike; Tiranë:
Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i
Studimeve të Artit; 2020, f. 37 (bot. 1,
1962) AH]. Pasi jep “organigramën” dhe bën zbërthimin e grupeve, krahinave e nënkrahinave
apo krahinëzave etnografike të Gegërisë, Zojzi shkruan për Toskërinë si Grup i
madh krahinash etnografike: “Me emnat “toskë” e “Toskëri”, si e quejnë veten
dhe vendin e tyne banorët e jugut (ose “toskë” e “Toskni”, si quhen nga banorët
e veriut) kuptojmë grupin e dytë të krahinave etnografike që muer pjesë në
formimin kombëtar të popullit shqiptar” [shih, Zojzi, Rrok; vep. e cit.; f.
103: AH]. Gegëria, si grup përmbledh gjithë veriun e Shqipërisë, ndërsa Toskëria
përmbledh gjithë jugun e Shqipëris, “përtej kufijve politik deri në kufirin
etnik të popullit shqiptar, thellë në Greqi” [shih, Zojzi, Rrok; po aty.; f.
103: AH]. dhe mund të themi se lumi i
Shkumbinit është vija e kufirit ndërmjet këtyre dy grupeve krahinash
etnografike.
Pra,Toskët,
ku futemi dhe ne, labët, myzeqarët, çamët (dhe si pjesë e së tërës labërore
edhe himariotët) janë një nga dy nëngrupet kryesore
dialektore të shqiptarëve (tjetri janë gegët) të dalluar nga karakteristikat e tyre kulturore, gjuhësore, sociale
dhe fetare.
Himara është tokë shqiptare është një
krahinë shqiptare si gjithë të tjerat, si Martaneshi, Çermenika, Mirdita, Dibra,
Mati, Hasi, Dukagjini ose Leknia, Luma, Zadrima, Myzeqeja, Kurveleshi, Malësia
e Madhe, Malësia e Vogël, Skrapari, Kolonja, (të më falni, por s’po bëj listim
të të gjitha trevave shqiptare tani pa qenë nevoja). Nganjëherë them, përse e bëjnë
kaq të ububushme Himarën qoftë Të nxehtit e vertikalitetit grek, apo qoftë dhe
këta xhanushët tanë? Kush nuk e ndjen veten mirë në Himarë - hopa, udha e mbarë
për atje ku ndihet si do vetë Perëndia... Ja ku është Korfuzi. Ja Athina… Ta lënë
të qetë himariotin në shtëpi të tij, në punë të tij, në Himarën e tij, në
Himarën tonë, në Shqipërinë e tij dhe tonën... Punë e madhe, me këta robër me
“shtëmangie në mendore”, thoshte gjyshja ime, i ndrittë shpirti!
Nuk janë problem himariotët, as ata që
vetidentifikohen grekë. Problem janë nacionalistë politikë, sidomos në Greqi,
por që nuk mungojnë as në Shqipëri dhe i fryjnë zjarrin për të ndezur urrejtje
midis dy vendeve gjeografikisht fqinjë, midis dy popujve historikisht miq, që i
janë gjendur njëri-tjetrit në të mirë e në keqe, sidomos në ditë të hallit e
natë të zezë. Kush harron këtë, le t’i rikthehet shfletimit të historisë përgjatë
shekujve deri më sot. Edhe qorr qoftë, të kërkojë një të tijin që i ka sytë dhe
t’ja dëftojë të vërtetën historike, ku nuk mund të mohohet dashamirësia,
bujaria, mikpritja, sakrifica, durimi midis grekëve dhe shqiptarëve, si
ballkanas e mesdhetarë, këtu në këto vise, që kur është formuar deti e toka me
fushë e me mal…
Kujtesa jonë historike
Është e domosdoshme të njohim veten, historinë e
gjeografinë tonë, vendlindjen, vendorigjinën, nga vijmë, çfarë udhëtimi jetësor
kanë bërë të parët tanë, të njohim gjuhën tonë, identitetin tonë, kush jemi, si
ndihemi vërtetësisht (edhe pse mund të jemi ballëlart apo ndonjëherë dhe
kokulur, gjaku nuk mund të mohohet), si na kanë edukuar nëna dhe baba, të
njohim pasurinë shpirtërore të katargjyshërve, strëgjyshërve gjurërve dhe
prindërve tanë, pikëpamjet, zakonet, virtytet etj. që janë formuar historikisht
në jetën e banorëve të trevës sonë dhe që ruhen, trashëgohen e zhvillohen më
tej si një thesar i çmuar nga njëri brez në tjetrin, duke i prurë harmonishëm
në sotmëri.
Jo vetëm përsa i përket ndarjes
administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e
Shqipërisë, miratuar më 31 korrik 2014 me ligjin 115/2014, por edhe sipas
traditës historike, sikurse banorët e Qeparoit, Kudhësit, Pilurit, Spilesë,
Himarës Fshat, Vunoit (Iliasi është quajtur lagje e Vunoit), Dhërmiut, (Gjikela
është quajtur lagje e Dhërmiut) si dhe Palasës, nën Llogora, sikurse banorët e
Borshit, Piqerasit, Lukovës deri në Nivicë - Bubar janë himariotë para malit e
buzë detit, edhe unë jam një himariot mbrapa malit e buzë
lumit, sikurse çdo tërbaçiot tjetër, apo banorët e Vranishtit, Kuçit,
Bolenës e Kallaratit. Gjithësej janë 23 fshatra, nga të cilët 6 jemi ne të Labërisë
së Brendshme, të Lumit të Vlorës, në rrjedhën
e sipërme të Lumit të Bardhë apo Shushicës, sikurse ka dhe një emërtim tjetër,
po ashtu janë edhe Fterra e Çorraj. Përsëri jemi siç kemi qenë pjesë e Himarës
historike, e cila është pjesë integrale e krahinës së madhe etnografike të Labërisë.
Edhe në të kaluarën ne, tërbaçiotët kemi pasur shkuarje të
mirë, miqësi e shkëmbime me fshatrat buzë Bregut, sidomos me Dhërmiun e Palasën,
Vranishti me Vunoin e kështu me radhë, ndërkohë që lagjja Bragjin e Qeparoit
(Qeparoi fshat e ka origjinën nga lagjja Bragjin e Tërbaçit) [Lexoni librat: historikun e Tërbaçit “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, grup autorësh,
Tiranë, Toena, 1998, librin “Bragjinajt e Qeparoit” të prof.dr. Jorgo Dhrami,
Tiranë: PSH 2015, 2005] Me Bregasit, kemi qenë një shtëpi me dy çati, derë e
tepsi, si i thonë një fjale të vjetër, por me tërë mend, miq e vëllezër për natë
të zezë, të njohur në furtunat përgjatë historisë.
Pse them që u rikthyem në origjinë, në Himarën tonë
historike? Megjithëse shtrirja territorial
e emërtimit Himarë ka ndryshuar historikisht si nga pikëpamja administrative,
ashtu dhe nga ajo etnografike, mund të theksojmë se në regjistrin Osman të
viteve 1432-1433, Himara del si nahije e vilajetit të Kaninës. Për më tepër
mund të shfletojmë librin e prof.dr. Rami Memushaj “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”,
Tiranë: Toena, 2004.
Vargmalet e Vetëtimës, vargmali i Çikës (Akrokeraunet)
janë vija natyrore ndarëse dhe po aq bashkuese midis fshatarave të Himarës
bregdetare dhe Himarës buzëlumore, Himarës breglumore e më gjerë Lumit të Vlorës
në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, që është pjesë e njërës nga dy
ndarjet më të mëdha etnografike shqiptare - Toskërisë, krahas Gegërisë.
Pa u futur nëpër kapilarët e historisë, kujtojmë se, edhe
me pushtimin e plotë të Shqipërisë, pas vdekjes së Skënderbeut malësorët
himariotët ishin qëndrestarë kundër osmanëve dhe pjesa malore midis Vjosë dhe
detit Jon mbeti e lirë për shkak të qëndresës së popullsisë.
Në botimin e nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, [FESH] vëll. 2, Akademia e Shkencave
Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 926-927 shkruhet: “Nga fundi i shek. XV u quajt
Himarë gjithë pjesa Jugperëndimore e Shqipërisë, që përfshinte më shumë se 50
fshatra, me shtrirje midis detit Jon, në lindje të Bistricës e qafës së Muzinës,
rrjedhjes së mesme të Drinos dhe të Vjosës (me përjashtim të Topalltisë dhe
Myzeqesë)…
Nga pikëpamja etnografike (etnologjike) dhe historike
krahina e sotme e Himarës lidhet me Labërinë, si një nënndarje etnografike e
saj, me afri më të mëdha me Kurveleshin, nga i cilit ndahet prej vargut të Çikës.
Në pikëpamje të zakoneve dhe traditave, Himara nuk dallon
nga hinterlandi lab. Nga fusha e kulturës shpirtërore janë të
përbashkëta kultet, besëtytnitë, ritet, e drejta zakonore, mënyra polifonike e
të kënduarit, vallja e kënduar, vajtimi me ligje i grave, baladat, legjendat e
përrallat etj. Nga fusha e kulturës material: veshjet tradicionale prej leshi
si guna, sharku, llabania, linja, fustanella e tirqit; zhapat (opingat) prej lëkure
të paregjur etj, të gjitha këto i gjejmë në të dyja krahët e vargmalit të Çikës.
P.sh., kënga polifonike himarjote është një variant i modifikuar i këngës labe
të Kurveleshit, po ashtu dhe vallja e kënduar.
E folmja e Himarës dhe e Bregdetit të Poshtëm përfshihen
në të folmen e Bregut të Detit, që është një nëndialekt i labërishtes. Në disa
veçori, e folmja e Himarës afron me të folmen e Kurveleshit, madje edhe me të
folmen e Gjirokastrës e me çamërishten. Por - theksohet në enciklopedinë e
Shqipërisë, që sipërcituam - në Himarë ka tre fshatra që flasin greqisht dhe
shqip: Palasa, Dhërmiu dhe Himara (sot qytet).
Greqishtja është përjapur në këto fshatar për arsye kulturore-arsimore,
fetare e të marrëdhënieve tregtare me Korfuzin dhe ishujt grekë të Jonit [shih:
FESH, vep. e cit., f. 972, zëri përgat.: Rami Memushaj, AH]
Në sy të realitetit
Rikthehemi në temën që po trajtojmë. Prof. Ardit Bido takoi
banorët e fshatrave që kishte kërkuar dhe foli sy më sy, hapur dhe pa
komplekse, duke e nisur maratonën e
verifikimit të gjithë asaj pune kërkomore - studimore dhe shkencore në arkiva
terren dhe laborator fillimisht me banorët sarandiotë e delvinjotë, si dhe me
banorët e intelektualët konispolitë, në qytetin më jugor të
Shqipërisë.
Në Konispol, Bido tha se
aktualisht jemi në një luftë ekstremesh të debatit publik. Ai theksoi se në
regjistër të gjendjes civile në gjithë Bashkinë Himarë janë 2.6% grekë, ndërsa
në Konispol janë 7.4% grekë, kryesisht në Vrinë. Rikujtoi se këtu ka edhe vllehë
që historikisht kanë patur një vetidentifikim grek dhe se kjo nuk është e
pamatshme. “Qasja e dytë shkencore është që në bazë të çfarë ndihesh, këtu në
Konispol ka nga 6.8% në 13% grekë, në Himarë nga ai 2.6% ato fiset e Himarës
Fshat, shumicë apo Dhërmiut dhe Palasës pothuajse gjysma që vetidentifikohen
historikisht si grekë shkojnë në 11.6% deri në 14.5 %. Dhe në një census normal
këto janë shifrat, ne do shihnim në census se ku bie pika, brenda këtij
diapazoni. Këtu ama futet implikimi politik”, u shpreh Bido, duke theksuar se
këto në Konispol i dinë më mirë se kudo tjetër, sepse njerëzit janë shumë më të
lidhur dhe të varur ekonomikisht nga matanë Qafë Botës që është po shqiptare,
Çamëria, e mbetur në Greqi. Gjatë promovimit në krah të autorin të pranishëm
ishin profesoresha znj. Bukurie Braho dhe historiani z. Astrit Tartari. Në
forum të hapur diskutimi morën pjesë konispolatë, markaqotë e mursjotë. Nga
profesoresha Braho ky tekst u vlerësua edhe si një ngjarje me vlera kulturore,
shkencore dhe atdhetare për çështje shumë e rëndësishme kombëtare, që bëhet nga
njerëz të guximshëm, ekspertë apo njerëz të studiuar, siç është studiuesi trim
Ardit Bido, që të arrijnë në përfundime të tilla të mbështetura në fakte reale
në një të vërtetë historike, duke lutuar dhe duke marrë informacione shumë të
sakta duke i vendosur pikën mbi “i” një problemi shumë të rëndësishëm dhe aktual.
Historiani Astrit Tartari lëvdëroi botimin e studimit “Beteja për 20 përqindëshin…”, duke thënë se ai shkon një hap më tej
nga statistikat që janë bërë gjer më tani. “Janë marrë shumë historianë me
statistika, unë mund të përmend Mit’hat Frashërin, profesor Selman Shemen e të
tjerë janë marrë me çështje të tilla. Apo ka dhe dokumente të autorëve turq që
janë marrë me statistika të detajuara për këtë problem. Por, ky libër shkon
edhe më tutje, nuk është thjesht konstatues por trajtohet dhe në mënyrë teorike
problem” tha historiani Tartari.
Bido vijoi udhëtimin burrërisht me banorët himariotë,
vuniotë, piluriotë e borshiotë të shumicës që vetidentifikohen shqiptarë dhe të
pakicës që vetidentifikohen grekë në kuvend popullor, apo bisedë publike, si i
thonë këta të sotshmit mbi “20 përqindshin dhe betejën për të”, domosdoshmërisht
në qytetin e Vlorës dhe për ta përmbyllur këtë kuvend qytetar me banorët
konispolitë.
Në takimet e zhvilluara, Bido ka folur me gjuhën e gjallë
të së vërtetës, por, detyrimisht, duke respektuar fjalorin zyrtar dhe
standardet dipomatike.
Është hera e parë që u zhvillua një debat i hapur mbi
këtë çështje të rëndësishme, e cila shfaqi një gjykim të drejtë e të thellë, si
pjekuri mendore dhe fuqi të arsyes, ndërkohë që kërkon një lexim të qetë dhe me
gjakftohtësi nga intelektualët, studiuesit dhe qytetarët që e kanë në dorë këtë
vepër me vlera në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë për të ruajtur miqësinë
midis dy popujve miq, të cilën duan ta shkatërrojnë rryma ekstremiste apo qarqe
të ndryshme nacionaliste.
Me banorët e Bregut në shetitoren e Himarës, ai u ul siç
i ka hije një burri të ri me mendje të qartë dhe shpirt të hapur. Në kuvendin e
Spilesë theksoi se popullsia greqishtfolëse e tri fshatrave të zonës arrin në
19%, por numri i të vetidentifikuarëve si “grek” përllogaritet në shifrën
14,5%.
“Në këtë zonë janë tri fshatra greqishfolëse, Himara Fshat,
Dhërmiu dhe Palasa, por nuk janë minoritare për një arsye shkencore. Sepse kanë
tradita dhe doke të njëjta me Labërinë bregase. Ka popullsi 19% greqishtfolëse,
por jo të gjithë janë grekë. Prej tyre, 14,5% janë me vetidentifikim grek. Kjo
është analiza që bëj në libër dhe më vjen mirë që studiues të shumtë, shqiptarë
dhe grekë, bien dakord në këtë pikë” - u shpreh Bido. Ai shtoi se përmes
nacionalizmit politik tentohet të prodhohet një 20 % i paqenë, që do të kishte
implikime politike afatgjata. “Ka një lëvizje politike që bën betejë për
arritjen e 20%. Kjo lëvizje tenton të prodhojë artificialitet, një gënjeshtër.
Është produkt politik, pasi kemi një ligj që do bënte që nga Llogaraja në Qafë
Botë, të kishim tabela dygjuhëshe, flamuj grekë, shkolla dygjuhëshe. Struktura
nacionaliste të shtetit grek, e kanë tërhequr politikën e shtetit grek për të
prodhuar politika me implikime afatgjata. Nëse ndodh artificialiteti, do të
prodhonte si efekt, që së pari ne do jemi në varësi të një shteti fqinj dhe
aleat, që është Greqia. Dhe më kryesorja, do prishte kohezionin e komuniteteve
të këtushme që jetojnë në harmoni, do përçante njerëzit që jetojnë vëllazërisht”,
- theksoi Bido.
Nuk përbënte shqetësim për profesor Bidon fakti, që pas
fjalës së tij, të pranishmit zhvilluan një debat të gjerë, nisur nga
keqinterpretime publike mbi këtë studimin e autorit, sepse në fund të
kuvendimit, edhe banorët “më të zjarrtë” të vetëdeklarimit si grekë, u njëmendësuan
me tezat, idetë, të vërtetat e pakundërstueshme që përmend autori në vepër, realitetit
parë në sy e duke folur sy më sy si burrat qëmoti.
Me dëlirësi dhe patjetër me një kënaqësi të motivuar, kur
erdhi në kuvendimin e Vlorës, trajtoi dukurinë pështejllimet, ulje-ngritjet në
takimin e Sipesë, por ndaloi tek fuqia e fjalës së vërtetë, tek forca e
argumentit ndër sivëllezërit himariotë: “Unë bëra një ftesë të hapur pikërisht
për këtë debat. - na sqaroi Bido. Dhe më erdhi mirë që ishin mbledhur në këtë
bisedim të hapur himariotë, piluriotë, vuniotë, borshiotë, nga Çorraj. Më vjen
mirë që erdhët me të tjera mendime, me mendimet që tentuan nacionalistët
politikë për të përçarë, duke deformuar deklaratat e mia në mënyrë të
strukturuar në rrjetet sociale dhe po e mbyllim duke rënë dakord.”
Patjetër që fjala e poetit dhe studiuesit Kristo Çipa pati
peshën e duhur specifike, sepse vlerësoi bazën shkencore të botimit dhe apeloi
për ta lexuar duke lënë mënjanë emocionet.
Në të gjitha takimet, Bido është shprehur se qarqe të
caktuara nacionaliste greke po tentojnë që artificialisht të prodhojnë mbi 20%
grekë në Himarë dhe Konispol. Sa për të qarë për të qeshur, por patjetrë për të
vënë duart në kokë, që shteti ynë t’i verë gishtin kokës për çështje të tilla
kapitale, jetike. Autori shtron pyetjen:
Sa grekë pretendon pala shqiptare dhe pala greke dhe sa vetëidentifikohen
grekë në Himarë dhe Konispol? Rezulton statistikisht e pamundur të
vetëidentifikohen si grekë më shumë se 14.5% në Himarë dhe 13% në Konispol nga
2.36% dhe 7.44% që njihen si minoritarë. Vetëdeklarimi i rremë në Xarrë në
censusin 2011, si nisje e tentativës për tejkalimin e 20% grekë përmes
presioneve, pensioneve dhe shtetësive, që të shpallet Himara dhe Konispoli
bashki minoritare.
Në këtë studim, ai paraqet arsyet pse në
Himarë dhe Konispol ka individë që vetëidentifikohen grekë dhe analizon të
dhënat demografike për të prodhuar statistikat se sa ata janë. Për herë të
parë, paraqiten të dhënat e kombësisë nga regjistri i gjendjes civile, si dhe
numri minimal dhe maksimal i atyre që kanë kombësi shqiptare në regjistër por
vetëidentifikohen grekë që nuk i kalojnë 15% në asnjë prej dy bashkive.
Bido paralajmëron për një plan grek për
greqizimin e bashkive Himarë dhe Konispol, përmes vetëdeklarimit të rremë të
mbi 20% të banorëve si grekë. Kjo do të bënte që nga Qafë Bota në Llogara të duhet
të ngrihej flamuri grek krah atij shqiptar në institucionet shtetërore dhe
greqishtja të bëhej gjuhë e dytë zyrtare me tabela e shkolla dygjuhëshe duke
prodhuar një varësi afatgjatë të Shqipërisë nga Athina zyrtare. Ai analizon se
si shteti grek ka një zhvendosje graduale nga viti 1991 në vitin 2012 me kahun
e tezave të qarqeve nacionaliste që pretetendojnë “Vorio Epirin”, përmes
mekanizmave si shtetësitë, pensionet dhe personazheve influentë si Fredi Beleri
dhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, e ka zhvilluar këtë strategji për censusin
2023.
Himara:
14,5% grekë është maksimumi i vetidentifikimit
Nga 23 fshatrat që përbëjnë Himarën, katër prej tyre:
Himara, Dhërmiu, Gjileka dhe Palasa, në origjinë janë greqishtfolëse, që
zakonisht kategorizohen në tri fshatra, ku Gjileka vlerësohet si lagje e
Dhërmiut. Mirëpo, edhe në këtë rast, kemi të bëjmë me një fluiditet të
identitetit etnik, teksa një pjesë e mirë e dokeve, zakoneve, traditave të
këtyre fshatrave janë të njëjta me ato të Labërisë bregdetare. Vajet e
ceremonive mortore janë në shqip. Po ashtu, ceremonitë e martesave dhe vdekjeve
nuk kanë ndryshim nga fshatrat shqipfolëse përreth. Për më tepër, është e
evidentuar që edhe pse një pjesë e fiseve të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës,
kanë origjinë greke nga Korfuzi e Stambolli, mjaft të tjera kanë origjinë nga
Labëria apo nga zona të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që fluiditeti i
identitetit shfaqet edhe përpara lindjes së nacionalizmit në Ballkan.
Shteti shqiptar nuk i ka njohur asnjëherë si fshatra
minoritare këto tri fshatra, pikërisht për shkak të origjinës së evidentueshme
shqiptare të një pjese të mirë të fiseve të atyshme, si dhe të ekzistencës së
dokeve e zakoneve shqiptare. Si në çdo zonë me fluiditet të identitetit etnik,
është krejt e zakonshme që brenda të njëjtave fise, të kemi degë me qëndrime
diametralisht të kundërta. Kështu, brenda fisit Marko gjejmë atdhetarin
shqiptar, kalorësin rebel të lirisë Petro Marko, por edhe nacionalistë grekë.
Brenda fisit Beleri gjejmë edhe zëdhënësin e palës progreke, Fredi Beleri, edhe
zërin e këngëve patriotike e lirike të variantit himarjot të këngëve labe,
Katina Beleri.
Konispoli: 13% grekë është
maksimumi i vetidentifikimit
Bashkia e Konispolit që qëndron në jug
të Shqipërisë, në kufirin me Greqinë, dhe përbëhet nga shqiptarë të Çamërisë,
ndahet në tri njësi administrative: Konispol, Markat dhe Xarrë. Nga këto,
ish-Komuna Xarrë ka katër vendbanime me shumicë ortodokse: Xarrë, Mursi, Vrinë
dhe Shkallë dhe një me shumicë katolike të krijuar pas viteve ’90 nga të
ardhurit nga veriu i vendit, Shëndellinë. Ndërkaq, në ish-Bashkinë Konispol,
krah qytetit, është fshati Çiflik me shumicë shqiptare dhe pak grekë e vlleh.
Në këto fshatra, historikisht popullsia ka qenë tërësisht shqiptare, teksa si
grekët, ashtu edhe kuçovllehtë, janë vendosur pas viteve ’50.
Nisur nga sa më sipër, shifra maksimale
e vetidentifikimit grek në Bashkinë e Konispolit është 13%, nga një popullsi me
origjinë greke 7,5% dhe vllahe me identitet fluid në masën 7,5-9,5%,
përkundrejt pretendimit shqiptar se është 7,44% dhe pretendimit grek se është
30,1%.
Mirënjohja
Ardit Bido shpreh
mirënjohjen: Pak herë ndihet njeriu aq i emocionuar sa kur sheh se fjalët e
tij, në një përurim të një vepre akademike, përçohen te zona e origjinës nga aq
shumë miq, shokë e dashamirës sa përmbushen sallat plotë. Ndaj, nga zemra e me
përulje, dua të falenderoj ata qindra bashkëqytetarët e mi në Delvinë, Sarandë,
Himarë, Konispol dhe Vlorë, që ma bën zemrën mal me praninë e tyre dhe fjalët e
ngrohta.
Falënderoj të gjithë ata
intelektualë të qyteteve të pesë bashkive të jugut, që më shoqëruan në debatin
publik, duke dhënë recensën e tyre për këtë punim: Esmeralda Kolanecin, Thoma
Ceron, Fatbardha Ballacin, Luan Lazen, Ilirjan Haxhiun, Gjergji Manon, Hekuran Halilin, Ermir Hoxhën, Kristo Çipën,
Astrit Tatarin, Bukurie Brahon, Odise Çaçin, Bardhosh Gaçen e këdo tjetër që
ndërhyri në këtë diskutim konstruktiv.
Në fund të fundit, siç u vërejt dhe gjatë kuvendimeve popullore,
“Beteja për 20 përqindshin” është një ftesë për një reflektim të thellë dhe
racional nga populli dhe politika.
Në fakt, mirënjohja si
virtyt është reciproke, sespe edhe ia shprehim me shpirt, zemër e mendje
mirënjohjen tonë të thellë për këtë punë të mirë, të bukur e të dobishme, për
këtë vepër shkencore, që sa na zgjuan
nga gjumi e na hap sytë, na bën nder si Atdhe, si vend, për të qenë me
dinjitet në krah të vendeve të qytetëruara të familjes së madhe europiane, me
mentore dashamirësen më të madhe të shqiptarëve, SHBA.
MSc. Albert HABAZAJ,
Drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë,
Vlorë, e mërkurë, 08.11.2023