E enjte, 26.12.2024, 06:32 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Jeta e civilizuar fillon me sigurinë

E hene, 04.12.2023, 07:55 PM


Prof. Blerim Latifi:

Brenda një kohe të shkurtër Policia e Kosovës ia doli t'i zbulojë dhe neutralizojë autorët e tri krimeve të randa, grupin kriminal që kreu plaçkitjen në Suharekë, grupin kriminal nga Maqedonia që kishte futur monedhat e falsifikume në tregun e Kosovës dhe autorët e krimit monstruoz në Bërnicë.

Kjo tregon se në Policinë e Kosovës ekziston një potencial profesional për luftimin e krimit, të cilin do ta kishin zili edhe policitë më të avancuara në botën demokratike.

Ky potencial duhet mbështetur, jo me fjalë, por me veprime.

Qeveria e Kosovës duhet të heq dorë nga retorika dhe masat e egalitarizmit bosh dhe të veprojë duke marrë parasysh parimin e meritokracisë. Ai që tregon rezultate në punë, duhet të marrë shpërblimin e merituar dhe jo të trajtohet njësoj me atë që nuk bën gjë të hajrit. Dhe këtu kam parasysh pagat e policëve, të cilat qartazi janë të ulta.

Të gjithë e dimë se si krejt qeveritë e tjera, edhe kjo qeveri çon financa në projekte të kota, p.sh.në subvencione ojq'sh, të cilat përfundojnë me zero efekte. Pse të mos orientohen këto financa tek ata që po na e dëshmojnë praktikisht se duan dhe dijnë ta bëjnë më të mirën e mundshme në fushën ma të rëndësishme të jetës së një shoqërie, atë të sigurisë dhe rendit publik?!

Sepse, siç thotë Hobsi, jeta e civilizuar fillon me sigurinë.

____________

Në mëngjesin e 24 shtatorit një grup i madh terroristësh serbë u shfaq i barrikaduar në ngrehinën e Manastirit të Banjskës. Skenari ishte i qartë:  Të rrethuar nga policia e Kosovës, ata do ta kthenin manastirin në një fushëbetejë, në të cilën muret e manastirit do të bëheshin shoshë nga predhat e shqiptarëve dhe disa nga pelegrinët serbë do të shfaqeshin të gjakosur në altarët e tij.

Kaq do të mjaftonte që Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe t'i jepnin një goditje fatale shtetit të Kosovës. Por për fatin tonë të mirë krejt ky spin i shërbimeve serbe e ruse të inteligjencës, dështoi.

Dy muaj më pas në një fshat të Podujevës, në një kishë të braktisur, shfaqet një gjoja prift ortodoks shqiptar, i cili mban aty një meshë dhe shpallë përvetësimin e kishës, përfshi riemërtimin e saj.

Ky prift përveç vetes nuk përfaqëson askënd tjetër. As Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. As shqiptarët ortodoksë të Kosovës, të cilët, realisht, nuk ekzistojnë si komunitet. Pak histori: Që nga gjysma e dytë e Shekullit 18 e tutje shqiptarët ortodoksë të Kosovës ishin konvertuar masivisht në islam, ndërsa ata që kishin mbetur jashtë këtij procesi, pas pushtimit serb me 1912, me masa të dhunshme të shtetit serb, ishin serbizuar. Kështu kapitulli i ortodoksisë shqiptare në Kosovë ishte mbyllur, duke lënë prapa veç një histori dhe kujtesë të zbehtë, pa ngjarje dhe pa figura historike.

Në këtë kontekst misioni i priftit privat ortodoks nga Elbasani për " rikthimin tek rrënjët" është veç një donkishotizëm. Por për dallim nga ai Servantesit, donkishotizmi i këtij prifti është i dëmshëm për ne dhe i dobishëm për Serbinë. Sepse Serbia do ta përdorë këtë donkishotizëm për llogari të propagandës së saj ndërkombëtare kundër Kosovës, në stlin:  "Ja shikoni ju perëndimorë, çfarë po bëjnë shqiptarët, po duan të na i marrin edhe kishat!".

Pra është e qartë se kush çka përfiton në fund prej krejt kësaj:

Serbia përfiton adute shtesë në kërkesat e saj për avancim të statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, përmes të cilit do që ta dobësojë edhe më shumë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Ne, ndërkaq, fitojmë edhe një budallallëk më shumë në listën e gjatë të marrëzive tona që i kemi bërë gjatë historisë. Në fakt, prej kohësh, strategjia serbe kundër shtetit të Kosovës, fuqishëm mbështetet në shfrytëzimin e dellit tonë kombëtar për të bërë marrëzira.

____________

Të bindur se Shkupi nuk do të binte në duart e ushtrisë serbe, një numër i madh i prijësve të Kosovës ishin strehuar aty. Por shpejt do ta kuptonin se e kishin gabim. Pas Betejës së Kumanovës, ushtria serbe e pushtoi Shkupin dhe këta prijës u arrestuan. Në mesin e tyre edhe Hasan Prishtina dhe Idriz Seferi.

Isa Boletini dhe Riza bej Kryeziu, përmes rrugëve të ndryshme, ia kishin dalë të tërhiqeshin në drejtim të Durrësit, ndërsa prijësi i Drenicës, Ahmet Delia, kishte qëndruar në vend me idenë për të organizuar një rezistencë të fundit kundër okupimit serb.

Përfundimisht vetëm tre burra nga Kosova do ta kishin fatin historik të vinin firmën e tyre në Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor 1912. Ata ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka. Emrat e tyre sot i shohim të gdhendur në oborrin e ndërtesës ku lindi shteti modern shqiptar. Këta emra na flasin se ky shtet u shpall duke e menduar Kosovën si pjesë integrale të tij. Falë këtij fakti çështja kombëtare e Kosovës do të mbetej gjallë përgjatë gjithë Shekullit 20.

____________

Ishte dikur një kohë e zymtë. Kohë e shtypjes dhe e poshtërimit kolektiv. Por edhe kohë ëndrrave të mëdha. Ëndrrave për liri, për ngadhnjim mbi të keqen. Dhe këto ëndrra prindërit i shprehin duke u vënë vajzave të tyre emra Liridona, Fitore, Liri... Pa menduar se kur ëndrra e tyre do të përmbushej një ditë, barbarë të rinj do të shfaqeshin për t'ua shuar mizorisht ëndrrat këtyre vajzave. Barbarë që fizikisht jetojnë në Shekullin 21, por mentalisht u përkasin shekujve të largët, shekujve kur gratë jetonin dhe vdisnin si pronë e burrave të egër.

____________

Toma Akuini, filozofi dhe teologu ma i madh i Krishtenimit perëndimor, e pa njëherë një njeri duke e vizatuar djallin. Pse e ke bërë me brirë, bisht, fytyrë e kthetra kafshësh?- e pyeti Toma piktorin. - Pse si duhet ta bëj?- ia ktheu ai. Toma iu përgjigj: - Bëje në trajtë të njeriut!

____________

Hiqjuani kët' flamur shqiptarëve të Kosovës dhe keni për ta zhdukur kujtesën e tyre historike. Dhe kur ta zhdukni kujtesën e tyre historike, keni me zhdukë edhe arsyen e lindjes së shtetit të Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora