| E merkure, 22.11.2023, 07:44 PM |
MUZEU POLITIK I ARKIVOLEVE
NGA
KALOSH ÇELIKU
Partitë
Politike shqiptare, e kanë shumë lehtë të themelojnë “Institucione Shqiptare”
para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Por, e kanë shumë vështirë t’i mbajnë
ato institucione gjallë brez pas brezi si shtetërore. Shkaku, se: janë
institucione dhe manifestime kulturore të politizuara partiake deri në palcë.
Propagandë dhe reklama partiake para kamerave televizive për pushtet. Dhe, me
ikjen e tyre nga Qeveria, postet partiake, shuhen sikur të ishin ndezur me
kashtë.
Dëshmia
e Ditës Sotshme me Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Vite me radhë e festojnë me këngë
e valle?! Krahë për krahu pa fije turpi, edhe dalin të fotografohen para
kamerave televizive. Edhe, pse: ende pa Shtëpi me tri katër ministra shqiptarë
deri më sot në Ministrinë e Kulturës, në Republikën e Maqedonisë Veriut.
Problem politik sot, të cilin kanë mundur ta zgjidhin moti kohë së paku
minstrat e kulturës shqiptarë, përderisa kanë qenë në pushtet me partitë
politike maqedonase të “vëllazërim – bashkimit”.
Sot,
me vonesë u delë gjumi, kanë qenë politikanë të dalldisur, dhe arratisur në
Shtetin e “përbashkët" Komunist dhe Neokomunist, sipas një shkrimi në INA,
se: “Shtëpia Muze e Alfabetit në Manastir edhe në këtë përvjetor të 115 po
vazhdon të përballet me probleme politike. Përderisa, deri para pak muajve ky
institucion kishte llogarinë e bllokuar, tanimë është problem edhe pronësia dhe
mbetja pezull, pasi që për këtë objekt paguhet qira”.
Dhe,
një shkrim tjetër publicistik me autor Medai Shaholli në INA: “Edhe në këtë
përvjetor të Alfabetit të Gjuhës Shqipe për fajin e politikanëve të
papërgjegjshëm, shtëpia muze na del të jetë me bashkëpronarë sllavë dhe shitës
arkivolesh apo agjenci funerale dhe të varrmihësve. Instituti i trashëgimisë
kulturore në Shkup si ent që duhet të merret me mbrojtjen dhe ruajtjen e
Shtëpisë Muze të Alfabetit Shqip nuk i bie ndër mend për këtë muze veç në çdo
përvjetor të tij dhe jo për pronësinë e saj që duhet blerë”. Mirë, them unë:
Ndoshta, ato arkivole janë për politikanët shqiptarë dhe “vëllezërit” e
Njerkës, Ditën e Nesërme?! Instituti i trashëgimisë kulturore në Shkup, edhe ai
vetë me qira, nuk ka kohë të merret me mbrojtjen dhe ruajtjen e Shtëpisë Muze
të Alfabetit Shqip, pasi partizanët e tij partiak turren me të katra pas
partive politike si dhelpëra pas herdheve të dashit mos i bien udhës. E
reklamojnë veten para kamerave televizive, gazetave, portaleve elektronike,
Facebook, Instagram me selfie si shkenctarë, gazetarë dhe shkrimtarë me
përurimet e librave të tyre publicistik – propagandistik, se: shqiptarët e
Shkupit kanë ikur në Turqi nga tërmeti. Dhe, jo nga dy marrëveshjet Turko –
Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve (1938 dhe 1953)?!
Shkrim
publicistik, të cilin Shaholli e përfundon me Thirrjen: “Ndaj, pushtetarëve
shqiptarë, ministra dhe deputetë, përfaqësues të kulturës dhe më gjerë, mos
shkoni në Shtëpinë e Alfabetetit sa për sy e faqe, por thirrni ndërgjegjes
kombëtare dhe mos e lini atë muze të historisë sonë kombëtare ta përvetësojnë
varrmihësit e agjencive funerale dhe e zgjidhni atë problem të bashkëpronësisë,
duke e blerë me tapi përfundimisht si pronë të kulturës shqiptare, në të
kundërtën do t’ju dënojë historia”. Duartroktije, autorit.
E
kam thënë edhe më herët në shkrimet e mia publicistike dhe Libra për Ditën e Nesërme.
Siç, duket: politikanët, nuk lexojnë libra. Aqmëpak, janë largpamës. Përveçse,
në Facebook dhe Instagram. Aqmëpak, gazeta dhe portale elektronike. Fatkeqësi
kombëtare.
Shqiptarët,
Sot: nuk kanë problem me armiqtë historik shekullor, por kanë problem me
Vetëveten si popull shqiptar...