Editorial
Nexhmije Mehmetaj: Një pasuri e pamohueshme për fëmijët në mërgim
E hene, 20.11.2023, 07:59 PM
SHKOLLA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NJË PASURI E PAMOHUESHME PËR FËMIJËT NË MËRGIM
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Një e veçantë e
shqiptarëve që jetojnë në Zvicër është
Shkolla e Mësimit Plotësues të gjuhës shqipe organizuara nga Lidhja e
Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë ”Naim Frashëri” e cila ka një traditë mbi
30 vjeçare.
Qëllimi i
shkollës ishte dhe mbetet që breznitë të ruajnë identitetin e tyre, sidomos
gjuhën shqipe dhe trashëgiminë etno-kulturore.
Gjatë gjithë
viteve mësim plotësues shqip pati luhatjet e veta. Këto luhatje janë ndikuar
nga shumë faktor e kryesisht nga mos vijueshmëria e mësimit prej një numri të
konsiderueshëm fëmijësh.
Gjuha shqipe dhe
të folurit shqip, njëkohësisht është edhe një mjet i identitetit kombëtar. Një
fëmijë në moshën shkollore, që di shqip, kur është në mërgim e ruan edhe
identitetin. Nëse nuk e njeh gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar? Pra
identitetin ia kanë humbur prindërit, që nuk flasin shqip me fëmijë dhe nuk i
çojnë ata në mësimin plotësues shqip. Bashkë me gjuhën i kanë humbur fëmijës
edhe mundësitë për të mësuar më mirë në shkollën e vendit pritës.
Në kushtet e
mërgimit roli i mësimit të gjuhës amtare në shkollë për zhvillimin gjuhësor të
një fëmije dhe për suksesin shkollor është mjaftë i njohur.
Në fakt fëmijët
në mërgim jetojnë me dy gjuhë. Shqip në shtëpi dhe gjermanisht apo frëngjisht .
..në shkollë. Fëmijët përvojën e parë
gjuhësore të shqipes të mësuar nga prindërit me të hyrë në shkollën publike në
një farë mënyre ndërpritet sepse fillojnë mësimin e një gjuhe tjetër të vendit
pritës. Është me rëndësi që fëmijët të shkojnë në shkollën plotësues të gjuhës
shqipe sepse aty përkrahet më tej zhvillimi i gjuhës amtare. Në asnjë mënyrë
mësimi plotësues nuk është pengesë dhe nuk duhet të ndërpritet sepse ka pasoja,
jo vetëm për zotërimin e gjuhës amtare por edhe për mësimin e të nxënit e
gjuhës së dytë. Fëmijët përjetojnë dygjuhësinë duhet të zhvillohen e pasurohen
të dyja gjuhët. Disa fëmijë e përballojnë lehtë këtë thyerje gjuhësore por tek
disa lindin probleme gjuhësore.
Lidhur me
mësimin plotësues në gjuhën shqipe duhet të kihet parasysh rëndësia e saj për:
1.Zhvillimin e kompetencës gjuhësor dhe aftësitë kognitive : Në
shkollë bëhet përvetësimi i gjuhës amtare, si në strukturën gramatikore, të
fjalorit dhe drejtshkrimit.
Të folurit e
fëmijëve bëhet më i kuptueshëm si me prindër dhe me rrethin familjar. Ata
arrijnë aftësi të mira në shkrim dhe lexim. Gjuha e fëmijëve një gjuhë e folur
nga prindërit arrin të bëhet një gjuhë e shkruar. Gjuha dialektore e folur në
shtëpi, kalon në procesin e ngritjes në gjuhë standarde, fëmijët arrijnë të
lexojnë tekste në gjuhën letrare dhe të dallojnë nga dialekti. Njohuritë e mira
të shqipes dhe një gjuhe tjetër krijohet dygjuhësia.
2. Zhvillimin e vetëdijes për rrënjët dhe identitetin kombëtar: Mësimi plotësues i gjuhës shqipe
ndihmon fëmijët të ndjehen të lidhur me origjinën dhe trashëgiminë e tyre. Kjo
lidhje me rrënjët mund të ndihmojë në krijimin e një identiteti të fortë social
e kulturor.
3.Zhvillimin e dygjuhësisë (bilinguizmi):
Kur një nxënës
di gjuhën shqipe për të komunikuar e shkruar dhe njëkohësisht ka mësuar gjuhën
e shkollës, kjo dukuri është bilinguizëm. Fëmijët identifikohen si dygjuhësh,
me dy gjuhë dhe dy kultura. Ata zhvillojnë dhe përdorin dy gjuhë të ndryshme në
komunikimin e tyre të përditshëm. Shqip në mjedisin familjar dhe jashtë
shprehin në gjuhën e shkollës. Këto dy gjuhë mund të jenë të ndryshme në
nivelin fonologjik, leksikor, gramatikor dhe pragmatik por fëmijët i
identifikojnë dhe ndajnë gjuhët. Ata zhvillojnë kompetenca në të dyja gjuhët në
mënyrë të ngjashme me fëmijët që flasin vetëm një gjuhë.
4.Zhvillimin e mundësisë për karrierë:
Në një treg pune
ndërkombëtar dhe të ndërthurur, njohja e më shumë se një gjuhe është një
avantazh. Ndonëse shqipja nuk është një gjuhë globale, njohja e saj mund të
hapë mundësi në fusha të ndryshme si diplomacia, tregtia, turizmi, arsimi dhe
shumë fusha të tjera ku njohja e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme është një
pasuri.
5.Zhvillimin dhe pasurimin kulturor. Njohja e gjuhës shqipe do të lejojë
fëmijët të shijojnë letërsinë, muzikën, kinemanë dhe artin shqiptar në gjuhën
origjinale. Kjo është një mundësi për të thelluar njohuritë dhe për të shijuar
bukuritë e kulturës shqiptare.
6.Rritja e lidhjeve familjare: Nëse brezi i vjetër i familjes flasin shqip, mësimi i
gjuhës do të ndihmojë fëmijët të komunikojnë më lehtësisht me gjyshër, halla,
xhaxha dhe të afërmit e tjerë. Kjo ndihmon në forcimin e lidhjeve familjare dhe
ruajtjen e traditave.
7.Pasuri sociale dhe emocionale: Mësimi i gjuhës së parë ndihmon fëmijët të ndjehen pjesë
e një komuniteti më të madh dhe të ndjehen krenarë për origjinën e tyre. Kjo
mund të ndihmojë në zhvillimin e vetëvlerësimit dhe ndjenjave pozitive ndaj
vetvetes.
Bazuar në
përvojat e hidhura, sjelljen indiferente ndaj gjuhës shqipe,
nënvlerësimin, mosinteresimin për
kultivimin e saj, mos ndjekjen e mësimit në shkollat shqipe nga shumica e
nxënësve shqiptar, mund të thuhet se pjesa dërmuese e bashkatdhetarëve tanë nuk
janë sa duhet të vetëdijshëm për pasojat
e moskujdesit të tyre ndaj gjuhës amtare dhe ndaj zhvillimit të natyrshëm të
personalitetit të fëmijëve të tyre.
Gjuha si pasuri
e pakontestueshme duhet të kuptohet e të pranohet si e tillë prej të gjithë
shqiptarëve, dhe si e tillë t’u lihet trashëgim atyre që i duam më shumë, atyre
që i vlerësojmë si pasurinë tonë më të madhe, pra fëmijëve.
Qëllimi i këtij
artikull është ngritja e zërit kundër lënies pas dore dhe përbuzjes së gjuhës
amtare shqipe prej vet shqiptarëve në mërgim.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 19.11. 2023