Sport » Legjenda
Shyqyri Ballgjini
E merkure, 01.02.2006, 03:57 PM
Ballgjini: Nga futbolli u largova si kampion i vërtetë
Në kuadër të rikthimit të figurave kryesore të sportit në kujtesën e lexuesit tonë, kësaj here është radha e njërit prej sulmuesve më të mirë të krahut, Shyqyri Ballgjinit, që ka lënë mbresa të pashlyeshme në të gjitha stadiumet ku shkeli këmba e tij. Ai është një nga ata futbollistë cilësorë që nuk duhet të bëjnë kushedi se çfarë mundimi për të rënë në sy, pasi talenti u buron natyrshëm, kështu që spikasin menjëherë dhe vlerësohen jo vetëm nga tifozët e skuadrës për ngjyrat e së cilës luajnë, por nga të gjithë sportdashësit. Shyqyri Ballgjini ka lindur në Durrës në 14 gusht 1954 dhe që në moshë shumë të hershme, ai dallonte ndër moshatarët e tij për lirshmërinë e tij me topin e futbollit.Më pas filloi angazhimi më serioz, ku nga loja thjesht për pasion, Shyqyriu filloi të aktivizohej me klasat e atëhershme sportive në shkollë dhe më vonë kaloi tek ekipet zinxhir. Ishte vetëm 15 vjeç, kur talenti i Shyqyri Ballgjinit spikati dhe ai bëri hapin e madh, atë të kalimit tek ekipi i të rriturve. Ishte viti 1969 dhe që nga ajo kohë, deri në vitin 1987 kur u nda nga futbolli, ai u kthye në një nga futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar. Ballgjini debutoi në moshë fare të re me ekipin e qytetit të tij të lindjes, Lokomotivën e Durrësit, me të cilën arriti mjaft suksese ku edhe u kthye për të mbyllur karrierën e tij si futbollist. Më vonë, në vitin 1973 sulmuesi i “frikshëm” që bëri të dridheshin gjithë mbrotjet kundërshtare kaloi tek ekipi i Dinamos, ku së bashku me një grup futbollistësh që gjeti aty, ose që erdhën pas tij, krijuan atë ekip të magjishëm që kujtohet edhe sot e kësaj dite si një nga ekipet më të mira të historisë së futbollit shqiptar. Ai i përket plejadës së artë të futbollit tonë, kur tek ekipi dinamovit ishin shfaqur talente të tilla si, Ilir Përnaska, Iliaz Çeço, Jani Rama, Faruk Sejdini, Vasillaq Zëri, Muhedin Targaj, Xhorxhi Puka, Andrea Marko, etj. Tani ai është 52 vjeç dhe megjithatë, kujtimet e golave të mrekullueshëm të tij asnjëherë nuk janë harruar nga sportdashësit që ndiqnin nga afër futbollin e atyre viteve dhe që edhe sot e kësaj dite, shprehen se Shqyqyri Ballgjini është një nga sulmuesit më të mirë të krahut që është parë në kampionatin tonë kombëtar.
-Kur filluat të merreshit me futboll?
-Mbaj mend se aty nga klasa e pestë, më lindi dëshira që të futesha në ekipin e moshave të Lokomotivës. Shkova në ambientet ku stërviteshin ata dhe pasi më provuan, më pranuan në ekip. Mund të them se që në atë moshë kisha disa aftësi teknike të mira, që ju pëlqyen. Më pas, duke u stërvitur ditë për ditë, forma ime ishte edhe më e mirë dhe teknika ime u përmirësua dukshëm, kështu që drejtuesit teknikë të skuadrës u bindën plotësisht. Kam qenë 15 vjeç kur u federova tek klubi i Lokomotivës, pra ka qenë viti 1969. Me skuadrën e Lokomotivës unë u aktivizova deri në vitin 1973, vit kur edhe u largova për në kryeqytet.
-Çfarë mund të na thoni përsa i përket periudhës tek Dinamo?
-Pas largimit nga Durrësi, erdha në Tiranë tek ekipi i Dinamos. U bëra lojtar i Dinamos në vitin 1973 dhe qëndrova aty deri në vitin 1982, kur u riktheva përsëri në qytetin tim të lindjes. Mbaj mend që trajner ishte Skënder Jareci, për të cilin kam një konsideratë të veçantë, pasi më mbajti afër dhe nuk më bëri të ndihesha si i huaj në ekip. Ai ishte njeri me shumë vizion dhe dinte të komunikonte shumë mirë me të gjithë futbollistët. Në fillim më dukej se nuk do të mund të zija një vend në formacion, duke qenë se isha vetëm 19 vjeç. Konkurrenca ishte e madhe, por unë u futa në formacion menjëherë. Atë vit ne u shpallëm kampion dhe kjo ishte një kënaqësi e madhe për mua. Më pas në skuadër erdhën edhe trajnerë të tjerë si Sabri Peqini, Durim Shehu dhe Stavri Lubonja, që tëgjithë shumë profesionistë dhe njerëz të përkushtuar për skuadrën. Sigurisht që ajo periudhë është kulmi i karrierës sime futbollistike, prandaj mbetet edhe koha më e bukur. Me Dinamon fituam gjithçka, megjithëse rivaliteti ishte shumë i madh. Mund të them se ai grup futbollistësh që ishin në atë kohë tek Dinamo, ishte vërtet një ansambël model.
-Cfarë ju ka lënë përshtypje tek Dinamo?
-Dinamo ishte një skuadër e madhe, me një psikologji prej kampionësh të vërtetë, ku mbizotëronte disiplina, vullneti dhe dëshira për të fituar çdo takim. Me Dinamon kam fituar praktikisht gjithçka. Jam shpallur kampion kombëtar 5 herë, në sezonet 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976, 1976-1977, 1979-1980. Gjithashtu kam fituar 5 herë trofeun e Kupës së Republikës, ndërkohë që kam marrë edhe dy kupa Spartakiadash Kombëtare. Personalisht kam marrë edhe të gjitha titujt e nderit që jepeshin në atë periudhë, duke filluar që nga Mjeshtër i Merituar i Sportit, Mjeshër i Madh, Mjeshër i Punës, etj.
-Kur debutuat në ekipin kombëtar?
-Në kombëtare jam thirrur në ndeshjen që kishim ndaj Algjerisë. Ka qenë një arritje shumë e madhe që vesha bluzën kuqezi, aq më tepër që në atë ndeshje Shqipëria fitoi me rezultatin e thellë 3-0. Me kombëtaren kam zhvilluar gjithësej 5 ndeshje, kjo jo për faktin se nuk jam thirrur nga trajnerët, por sepse numri i ndeshjeve ndërkombëtare që u zhvillua në vitet 70 u kufizua shumë, si pasojë e problemeve politike. Siç dihet, në atë periudhë vendi ishte në një moment izolimi. Më pas erdhi prishja me Kinën dhe izolimi i plotë, kështu që kjo lloj politike u pasqyrua edhe në sport. Megjithatë, kjo mungesë u kompesua paksa me ndeshjet ndërkombëtare që zhvilluam në nivel klubesh, ku përveç aktivizimeve me Dinamon, unë kam luajtur edhe për Partizanin dhe Vllazninë e Shkodrës në përballjet e tyre me ekipet e huaja. Gjithsej kam zhvilluar rreth 25 takime ndërkombëtare në karrierën time, që gjithsesi mbeten një numër shumë i vogël, krahasuar me kohën që ka ardhur tani.
-Përse u rikthyet përsëri tek Lokomotiva?
-Në vitin 1982 vendosa të largohesha nga Dinamo dhe të kthehesha tek ekipi që më bëri futbollist, pasi mu duk gjëja më e mirë që mund të bëja. U riktheva në Durrës me shumë dëshirë për të luajtur futboll dhe nga viti1982 deri në vitin 1987 luajta për skuadrën e qytetit tim të lindjes. Kur u riktheva në Durrës isha në kulmin e pjekurisë sime si futbollist, 28 vjeç, dhe kisha shumë dëshirë që të shpallesha kampion edhe me Lokomotivën, por një gjë të tilë nuk pata mundësi që ta realizoja, ndonëse fitova një Kupë Republike. Lokomotiva ishte një ekip simpatik, ku të gjithë shokët e ekipit stërviteshin me shumë vullnet dhe përkushtim. Gjithsesi, vendimi për t`u kthyer sërish tek ekipi i Lokomotivës më duket se ka qenë shumë i drejtë. Ajo skuadër më bëri futbollist dhe duhej t`ia shpërbleja me rezultate në fushë.
-Si ishte për ju ndarja me futbollin?
-Unë vendosa të largohem nga fushat e blerta në moshën 33 vjeçare, pasi kisha fituar gjithçka. Sigurisht që në atë moshë fillon dhe mësohesh me faktin se po afron gjithmonë e më shumë dita që duhet t`i thuash lamtumirë topit dhe fushës së blertë. Ka qenë një ndarje normale, pasi isha koshient se ishte momenti i duhur për t`u larguar. Nuk është se më kishin lënë totalisht energjitë dhe dëshira për të luajtur, por mendova se ishte më mirë të largohesha me një imazh prej kampioni dhe të mos qëndroja në fushë thjesht për kapriço.
-Po ndërkohë, me çfarë po merret i madhi Shyqyri Ballgjini?
-Unë aktualisht jam i papunë, megjithëse kam mbaruar edhe arsimin e lartë për Histori-Gjeografi. Duket sikur historia e lavdishme e asaj kohe është harruar nga strukturat e sotme. Po kështu edhe kontributi im. Sidoqoftë nuk jam ankuar ndonjëherë për këtë fakt, sepse kohët kanë ndryshuar. Por gjithmonë do të më mbetet në kujtesë tifozeria e zjarrtë dhe brohoritjet e stadiumeve. Eshtë rasti t’i them tani faleminderit të gjithë kolegëve të mi të dikurshëm, specialistëve të futbollit dhe lojtarëve. Të gjitha këto mbeten të paharruara në kujtesën time.
Emri: Shyqyri
Mbiemri: Ballgjini
Datëlindja:14.08.1954
Vendlindja: Durrës
Kombësia: Shqiptar
Pozicioni: Sulmues
Skuadrat: Lokomotiva e Durrësit, Dinamo