| E diele, 12.11.2023, 07:53 PM |
Rradha
Nga
Lea Ypi
Përpara
dyqaneve kishte gjithnjë radhë në pritje të kamionit të furnizimit që nuk
sillte kurrë mall të mjaftueshëm për gjithë të interesuarit.
Meqënse
pa ngrënë e pa u veshur s'mund të rrije, doje-s'doje në rradhë do shkoje.
Por
brenda këtij detyrimi të pashpallur kishte një përjashtim. Në vend që të
qëndroje vetë, në radhë mund të vendosje një send.
Kalimi
i pushtetit nga individi tek sendi, jo vetëm që lejohej, por edhe këshillohej.
Sendi shërbente si përfaqësues i radhëmbajtesve për tu mundësuar lirinë të
largoheshin për të bërë një pushim të shkurtër.
Pavarësisht
nga forma dhe përbërja e sendit në rradhë: torbë doku, bidon teneqeje, shishe
bosh, tullë, gur, ose gjithçka tjetër e pashpirt, roli zëvendësues mbetej i
njëjtë.
Sendi
i zgjedhur për të zëvendësuar njeriun e humbte plotësisht vlerën e tij
përfaqësuese në çastin e mbërritjes së kamionit të furnizimit.
Kur,
më së fundi, kamioni vinte, sendet përfaqësuese, torba, guri, tulla, shishja,
kanaçja, e humbnin rolin përfaqësues, nuk mund të quheshin më njerëz. Në vend
të tyre mbinte nga dheu një turmë njerëzish, qindra gjymtyrë në lëvizje: koka
që zgjateshin mbi turmë për të parë sa mall kishte mbetur për tu shitur matanë
banakut, shpatulla që përplaseshin me njëra-tjetrën, duar që kapeshin e lëshoheshin
në hesap të vet, psherëtima ankthi e piskama zemërimi, shitëse me sytë e
mobilizuar katër në kërkim të miqve në radhë per t'u dhënë përparësi, e plot si
këto.
Si
pjesë e stërvitjes për të kuptuar funksionimin e sistemit të radhave, pyeta të
rriturit se përse duhet të linim një tullë në radhën e djathit dhe të vraponim
me bidon për tek radha e vajgurit, kur faktikisht në asnjërën prej tyre nuk po
ndodhte asgjë. Më thanë se sa kohë radhët vazhdonin për ditë e netë të tëra,
ishte e rëndësishme dhe e domosdoshme që për mirëfunksionimin e rradhave,
torbat e pazarit, bidonët e vajgurit, shishet e qelqit apo gurët e madhësive të
ndryshme, duhej të ngarkoheshin me funksionet e tyre përfaqësuese, përndryshe
do ishte stëmundim për njerëzit.
Sendet
në radhë kontrolloheshin rregullisht.
Ata që i kishin vendosur i vizitonin shpesh për t’u siguruar se torbat,
bidonët, tullat, gurët, nuk kishin lëvizur nga vendi gabimisht ose nuk ishin
zëvendësuar tinëzisht.
Në
rastet e rralla kur sistemi send-njeri
kërcënohej, plaste sherri e shamataja. Radhat egërsoheshin, shtrembëroheshin,
zgjateshin.
Njerëzit
luftonin ashpër për keqkuptime ose hile që bëheshin për shkak të sendeve në
rradhë që në formë dhe ngjyrë i ngjanin njëri-tjetrit.
Mirësjellja
dhe mbrojtja e mbarëvajtjes së rradhës bëheshin zanafilla të miqësive. Fqinjët
me të cilët kalohej koha në radhë, ose miqtë e zënë gjatë ndarjes së
përgjegjësive mbikëqyrëse gjatë orëve të pritjes, ktheheshin në burim aleancash
për lloj-lloj rastesh me natyrë humanitare. Fjala vjen, kur një i moshuar i
familjes sëmurej papritur e dikush duhet të kujdesej për fëmijët, apo kur, për
dreq, pikërisht në ditën që duhej përgatitur një tortë ditëlindjeje, mbaronte
sheqeri.
Mbështetja
tek miqtë dhe fqinjët për gjithçka, ishin strategji themelore për mbijetesë.
Sa
herë që në shtëpi mungonte ndonjë vegël pune apo përbërës ushqimor, mjaftonte
të trokisje në derën e një fqinji, në çdo orë të ditës apo natës. Kur edhe ata
nuk e gjenin dot atë që kërkohej, jepnin këshilla për të gjetur zgjidhje, ose i
bashkoheshin operacionit të kërkimit.