Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Një pasqyrë për të parë vetveten

| E enjte, 09.11.2023, 08:05 PM |


Flas sinqerisht

Para disa vjetësh, po rrija e bëja bisedë me një burrë të mirënjohur të Shqipërisë e Kosovës, këngëtarin Dervish Shaqa. Në mes tjerash, Dervishi, që fiste ngaalë por me shum mend, më tha:

Një pasqyrë e vogël xhepi ban 1 lek. Nuk ka gjë ma të lirë për njeriun. Është e vogël e banë lirë, por është shumë e madhe e duhet të paguhet shumë shtrenjt. Nuk ka gja ma mirë se sa të shohësh vetveten. Mjer ai që nuk e sheh e nuk e njeh vehten e tij!

Sa shpesh m’u ka kujtua këto muajt e fundit kjo thënie e Bacës Devish. Sepse, erdhi ajo ditë që na duket të gjithëve se jemi bërë të mençur.  Jemi bërë të gjithë politianë,  filozofë, juristë, gazetarë, diplomatë; shkurt jemi bërë ‘’ekspertë’’ të gjithçkaje e të gjithkujt. Ashtu qoftë, se do të ishte gë e madhe. Veçse, populli na kujton: ‘Ti aga e unë aga/, po gomarin kush na e mba’?

Për hir të së vërtetës, duhet thënë, po jetojmë kohë llafesh të pafund. E kam dashur dhe ushtruar shumë vite veprimtarinë politike-shoqërore, veçse të flas sinqerisht, tani sikur më ka dalë krej prej qejfit. Pse do thoni? Sepse është bërë edhe politika më keq se tifosllëku i sëmurë në sport, e për disa – edhe pazar i turpshëm.

Më kujtohet edhe një fjalë e të famshmit Loro Biriçi, fjalë që ma ka thënë disa herë. - Zanati im asht i vështirë se, hiqen sikur e dijnë të gjithë, që nga atje lart (nënkupto: Qeveria), deri tek ai i cili më lustron këpucët çdo ditë...Po, po! Edhe lustraxhia përditë më thotë: Profesor, heqë filanin, e fute filanin në kombëtare...!

(....)

Polemikë, pa hierarki partiake

Ooo, ti, që të kemi zgjedhur për drejtues e jo për sundues!

Të pyes: a je ne vete: A sheh me sy? Gjeje bre, një pasqyrë për të parë vetveten. Më vjen zor, por dua të ta  kujtoj atë thënien e vjetër: ‘Shtëpia digjet, e...’. Demokratizohu he burrë (a grua qofsh) se pasha besën, po të ishte gjë e keqe, nuk të themi. Ktheje një herë nga vetja demokracinë. Jeto bre një herë si populli se veç do të fitosh; mos i quaj humbje vilën, makinat, rrogën ‘për merita të veçanta’, postin, etj.etj, se nuk janë të tuat.Populli t’i ka dhënë.

OOO i privilegjuar! Po flas, e po mendoj veç për ty. Se, e di mirë, asgjë nga ato që do të lësh ti, nuk do t’i marr unë. Jam fatlum që nuk u persekutova, por edhe që as kam patur as më ka ofruar kush pushtet e privilegje. Se, ndoshta, edhe unë do të isha ‘prishur’. Nuk mund të them, se në ato pozita, do të isha më i mirë se ti...!

Është trimëri jo e vogë l të fitosh mbi të tjerët, por është trimëri shumë më e madhe të fitosh mbi vetveten. (21 shkurt 1991).                   *

(Nga libri  i Zeqir Lushajt: DYQANI I MENDJES – Publicistikë,  shkëputëm këto dy dromca, në shej kujtimi, në dyvjetorin e shkurarjes në amshim të autorit, i cili ndrroi jetë më 10 nëntor 2021. Ndjesë e dritë pastë!).

Adil FETAHU

___________

Lexoni edhe:

Adil Fetahu: Ai kurrë nuk do të harrohet

Lutfi Alia: Rekuiem për Mikun e Paharruar Zeqir Lushaj

Aleks Kapllaj: Zeqir Lushaj, është Institucioni i miqësisë tonë!

Kolec Traboini: Djalë Tropoje