| E hene, 30.10.2023, 07:58 PM |
Pushtetarët kriminelë, i varfërojnë popujt e tyre aq shumë, në mënyrë që ata të kalojnë gjithë kohën për të siguruar bukën e gojës dhe të mos u mbetet më kohë për t’u hedhur në revoltë”. Aristoteli
DURRËSI NË DY VEPRIMTARI
Art dhe letërsi bashkë
Nga Kadri Tarelli
Në qytetin e Durrësit, në galerinë e artit pamor
“Nikolet Vasia”, më: 17, të vjeshtës së dytë, 2023, në prani të shumë qytetarëve
artdashës durrsak, u hap ekspozita e një grupi piktorësh, me simbolikën “Pëllumbat
e PAQES”, ku kryesues ishte artisti i njohur Jetullah Haliti, artisti i ri Blendi Zogaj dhe tê tjerë nga hapësirat mbarë-shqiptare,
të cilët na sollën tablo e punime, ku shprehej nëpërmjet ngjyrave, poezia e
shpirtit, dëshira e popullit dhe e kombit shqiptar, për paqe e ringritje
shpirtërore.
Një orë më pas, në sallën “Odeon”, në mjediset e
Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, të qytetit të Durrësit, nga OBVL në
bashkëpunim me Bibliotekën Publike të qytetit, u përurua libri “VUAJTJA E QYTETIT, Shkodra”,
me autor Mark Zadeja, anëtar i Akademisë Evropiane.
Në
këtë kuvend libri, në prani të shumë qytetarëve dhe intelektualëve të Durrësit,
së bashku me artistët piktorë nga Dardania, përshëndetën: Shpendi Topollaj,
Fatmir Minguli, Arben Kristani, Jetullah Haliti, Merita
Kuç-Thartori, Myzejen Konduri, etj.
Me këtë rast edhe unë Kadri Tarelli, munda të
jap vlerësimin tim për këtë vepër të rrallë, me peshë të madhe në mendimin
historik e filozofik shqiptar.
Shkrimin tim e titullova:
“VUAJTJA E QYTETIT, SI HISTORI,
PSIKOLOGJI DHE FILOZOFI”
Kujtesa, heshtja, humori
dhe e qeshura, mbajti gjallë një qytet
Në
vështrim të parë, duke lexuar titullin: “Vuajtja e qytetit. Shkodra”, mendova
se me këtë libër do të pasuroj dijen time me vuajtjet e qytetarëve shkodran, si
rrëfime të pa njohura më parë. Madje me vete thashë: “Përsëri do të futem në
përjetim të atyre ngjarjeve që kanë fillim, por jo fund, ngjarje plot vuajtje e
dhimbje njerëzore, të ndodhura e të shkaktuara çuditërisht jo nga pushtuesi,
por me shqiptarët nga shqiptarët.
Isha
i gabuar. Ky libër i vogël në dukje, përcjell vuajtjet e dhimbjet njerëzore të
një qyteti, jo konkretisht në formë klasike (rrëfim apo kujtim të përjetuar në
kohë dhe vend, me personazh vuajtës dhe xhelat, siç jemi mësuar në të gjitha
shkrimet e kësaj tematike.
Autori
nuk merret me këtë lloj letërsie. Sepse sot, të gjithë i dinë këto, pasi ka 30
vjet që është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, prandaj Marku nuk rri t`i
numërojë ato. Kanë shkruar për to, pena të shquara të letrave shqipe: Arshi Pipa,
At Zef Pllumi, Uran Kalakula, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori, Spartak
Ngjela, Maks Velo e plot të tjerë, të burgosur të ndërgjegjes ose fare pa faj, që
me rrëfimet e tyre të trishta e plot dhimbje, kanë sjellë të gjallë atë pjesë
të shëmtuar, të nëmur e të mallkuar të historisë shqiptare, që na dhemb, na
tmerron dhe na turpëron njëherazi, duke pyetur veten: Pse…Pse pse? Pa kërkuar
përgjigje, të cilën e mban gjallë heshtja dhe kujtesa.
Autor
Marku, nga ana e tij, gjen një formë të re, të pa ndeshur më parë, të paktën nga
unë si lexues i hershëm. Ai bën zbërthimin shpirtëror, zbulon fenomenet që
ngjasin në ndërgjegjen e tij dhe të bashkëqytetarëve, studion deri ku të çon durimi
dhe si mundet që njeriu para këtyre llahtarive të mbetet përsëri njeri dhe
qytetar. Ai, më konkretisht, merret me dukurinë e kujtesës individuale e
kolektive, si proces mendor e më pak fizik, duke e trajtuar në ndjesitë
psikologjike, më pas të përgjithësuar në mendim historik e filozofik. Diçka
vërtet për t’u përgëzuar e admiruar.
Besoj
se jam i saktë, se në rastin e parë, libra të tillë vlerësohen nga mjeshtëria e
shkrimtarit për të rrëfyer bukur artistikisht, ndërsa në këtë libër, duhet një
njohje e thellë në fushën e psikologjisë individuale dhe kolektive, për të hyrë
në thelb të çështjes. Pra një shkallë e lartë e të menduarit dhe të shkruarit,
madje kërkohet edhe një nivel i lartë edhe i lexuesit.
Kam
ndjesi se duke dëgjuar këto fjalë, cilitdo nga ne i lind e drejta të mendojë e
të gjykojë, se ky libër është i vështirë për t’u lexuar e kuptuar. Mendoj se
gabohet, pasi është shkruar më gjuhë e fjalor të thjesht, të kuptueshëm nga të
gjithë, pa fjalë të mëdha, apo të ngjeshura me fjalë “të jashtme”. I vështirë është
si të rroket e përthithet mendimi në rrafshin e një analize teorike, njëherazi
edhe praktike. Bie fjala: si përjetohet e përballohet vuajtja e mbarë qytetit,
si durohet durimi, poshtërimi dhe mjerimi! Si përcillet dhunimi, pushkatimi,
internimi, heshtja dhe pikëllimi, jo për një apo pak individë të thjeshtë apo të
shumë njohur si personalitete të qytetit, jo një herë, apo një ditë, por në
vazhdimësi me dekada, duke i mbështjellë me shpresën dhe zhgënjimin, jo thjesht
për të mbijetuar por për të rilindur e ringritur.
Përfundimi:
Dhe, qyteti mbijetoi falë kujtesës, si fillim, heshtjes si durim dhe shkrimit në
vazhdim. Ah heshtja….. Ky thesar mbrojtës i trupit dhe shpirtit. Heshtja,
kujtesa dhe humori, armët më të fuqishme të qytetit dhe qytetarëve për të
mbijetuar dhe rilindur. Këtu nuk them gjë të re për lexuesin, që e njeh sado
pak Shkodrën dhe shkodranët, që dhimbjen e përtypnin dhe e gëlltisnin përherë
me buzëqeshje, por shoqëruar me humor të hidhur, që shponte sistemin, por
mbante gjallë një shpirt të trazuar e të mbushur me mllef për diktaturën dhe
shërbëtorët e saj. Qyteti përqeshte dhe tallte diktaturën, që nuk ngopej me
persekutimin dhe hakmarrjen ndaj një qyteti, nga më të bukurit, më të diturit, më
të qeshurit, që përherë rrezatonte kulturë dhe art të mirëfilltë. Ne ende
mbajmë në kujtesë barcaletat me theks politik të shkodranëve, që i përsërisim
duke u gajasur së qeshuri, edhe sot pas kaq vjetësh. Çudi… të mbijetosh vetëm
duke qeshur…!?
Po
sjell në mendje një prej tyre: Një shkodran do të rrëfente më bukur, duke e
sjellë në dialektin e vet.
Ishte
koha e tollonave. Një lloj triskëtimi i të gjitha produkteve ushqimore, kafe,
mish, vezë, etj, etj. Bëhet fjalë për vitet 1980, e në vijim…. Në Shkodër vjen
një italian. Në mëngjes pas përshëndetjes, dëgjon: Nadja e mirë! Si ke nje…? Më
pas vijonte fjala “A more?”. Po kjo fjale u bë e shenjtë, se përsëritej për çdo
ditë edhe në drekë e mbrëmje. Pas 5-6 ditësh italiani u kthye në Itali dhe
miqtë e tij e pyeten si doli dhe a u kënaq. Italiani iu përgjigj: Në Shkodër
flitej dhe bëhej vetëm dashni. Njerëzit, madje edhe pleqtë, përshëndeteshin dhe
shtonin: “Amore”, “Amore”, “Amore….!”
Nuk
është e vështirë të kuptohet, se libri fillon me “Murrin e gjakut”, pra Shkodra
në prag-fundi i vitit 1944 dhe fillim i vitit 1945, kur fjala pushkatim ishte bërë
e zakonshme, ndërsa vuajtja përjetohej me lot dhe heshtje. Kështu me radhë,
historia vazhdon edhe me ngjarje, që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit
dhe mbarë Shqipërisë, duke mos kursyer dukuri edhe të ditëve tona. Bie fjala
“letërsia e realizmit socialist”, ose “Revolta e Spaçit”, ndërkaq edhe në ditët
e sotme, korrupsioni në administratë e deri te mjeku……. Etj, etj.
Si
zakon i imi, nuk merrem me analizë të përmbajtjes. Atë e lexon, e njeh dhe e
gjykon vetë lexuesi. Pa përmendur poezitë, thurur nga vetë autori, si përjetim
dhe përforcim i vuajtjes dhe dhimbjes: Ja disa tituj: “Mbas vorrezës”: “Kufomat ngrihen sodisin, / mbas vorrezës, te
muri i gjakut…”, “Muri i gjakut”,
“Dom Ndre Zadejes”, “Luftë klasash”…….. nata
kërkon të vrasë/ jetë e zhgënjyeme, luftë klasash/ prej shpirtit të hanës kullon
loti…..”, “Qyteti im-Gravurë e përjetshme”, etj, etj.
Veç
dua të shtoj diçka që e vlen të thuhet: Shprehje dhe fjali që bartin mendim të
ngjeshur e përgjithësues historik, psikologjik dhe filozofik. Shprehje, që
duhen futur në kujtesë, për t’u përdorur në fjalime, në takime, në biseda në
odat e burrave, pse jo edhe për ilustrim shkrimesh.
Po
rendis disa. Gjykoni vetë për forcën dhe përmbajtjen e tyre:
. Marrim përsëri
mendimin e kohës, për kohën: qëllimi qëndron te realiteti: etja për të vërtetën
krijon rrjedhojën për të shtjelluar ato çfarë ndodhën.
. Gjithnjë duhet të flasë
njeriu me mendimin, pastaj vjen shkrimi. Shkrimi duhet të jetë i saktë për të
dhënë atë çfarë ka ekzistuar, ndodhur, por kurrë atë çfarë ndokush aludon,
fantazon apo trillon.
. Heshtja, ky element
bazë i jetës sime, më ka dhuruar të domosdoshmen, “shpëtimin e qenies”.
. Historia e qytetit
ishte shume më e vjetër se liria e tij.
. Shkodra ime, qytet i
vuajtur, me lotët e saj bashkonte njerëzit pa asnjë dallim feje apo ideje.
. Mbijetesa e qytetit
tim është një mrekulli e vërtetë…….
. Durimi është cilësi që
të jep mundësinë e arritjes, por kur shpërthen, nuk dihet se çfarë ndodh.
. Duhet të njohësh çelësin
e së drejtës, për të parë (vlerësuar) më mirë të vërtetën, në qoftë se ti do të
arrish të krijosh.
. Burim i ndjenjës është
baza (bërthama), që krijon mundësinë, lirinë shpirtërore, art, finalizim i pasqyrë
e së vërtetës, me përqafimin e së drejtës.
. Krijimi për momentin
nuk e percepton kahen, por instikti i ndjenjës i jep vrull, guxim, kap thelbin
e saj për t’u ngjitur lart…. Vrullin për të evoluar vazhdimin, frymën, ndjenjën
shpirtërore, përparësinë për të arritur…….. etj, etj.
Urime
i nderuar Mark! Ke sjellë një libër të rrallë për nga forma, por të ngjeshur në
mendime, vuajtje, përjetime dhe zhgënjime!
Sikur
ta kishe kripur me pak humor shkodran, libri do të ishte edhe më i bukur. Do na
bënte të qeshim përsëri!
Suksese
në udhën e ndritur të krijimtarisë letrare dhe artistike!
Kadri Tarelli
Vjeshta e dytë. 2023.