Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?! (XXV)
E diele, 29.10.2023, 06:54 PM
Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa e XXV.
PSE VETEM SHKODRA?!
DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
VEPRAVE Të PASHLYESHME Të
KLERIT KATOLIK SHQIPTAR.
ISHTE VITI
1919 – 1920:
BURRAT QË SHPETUEN
SHQIPNINË NGA COPTIMI
Deri kur nuk do të shkrueni Historinë e saktë të Shqipnisë së Kastriotit?
Historia e shkrueme pa të Vërtetat e saja, asht vetem një përrallë!..
Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej aso kohe, sikur me të
vertetë kishte pushue. E verteta ndryshonte shumë nga dukja! Ndonse Shqiptarët
nuk kanë kercnue asnjë nga shtetet fqinjë, të mëdhaj e të vogjel u çuen me
shkye prej saj nga një copë e sejcili me pushtue ate ma të madhen. Italia tue
kenë andej detit kerkonte pjesët ma të mira. Greqia po ashtu kerkonte të
shtrihej deri naltë në Elbasan. Jugosllavia kerkonte me krijue mundësinë
ashtusi sot me dalë në detin Adriatik. Serbët nuk u knaqeshin me Vermoshin e
Shkodren, e as me premtimet e Ahmet Zogut.
Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në
Paris, ku u hap Konferenca e Paqës. Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e
kryesueme nga Turhan Pashë Permeti, as nuk u perfill fare nga Lidhja e Kombeve.
Në shkurt 1919 një delegacion Shqiptarësh u nis për në Paris. Askush nuk ua
hapi dyertë e Konferencës.
Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e
Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “disa emna të përvetshëm”,
të cilët, “arrijtën me një perkushtim të posaçem me shpëtue Shqipninë nga një
coptim i sigurtë!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e sotme të Historisë
së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot,
nuk e shkruejnë të Verteten e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga një coptim i
sigurt në Konferencën e Paqës në Paris, në vitët 1919 – 1920.
E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen as sot ajo e Vertetë, të
vazhdojnë ashtusi tash 100 vjetë me pertypë vetem rrêna!
Në vitin 1999, ishte e para herë që e kam ndigjue në Tiranë, nga Prof.
Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës
në Paris, 1919 – 1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e
Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe
Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat
Frashërin dhe Mihajl Turtullin...”
Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga
Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe
përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme...” Pra, kishte shkue puna deri
aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me
na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë, kur vetë italianët, nuk i lenin asgja
mangut komshijëve tjerë!
Ndersa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot mbas
100 e sa vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për
damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së
Pavarsisë në vitin 1912. Këte e verteton qendrimi i disa perfaqsuesëve të
Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty
sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit
shqiptar”... Anglia, Franca e Italia ishin per coptimin e Shqipnisë. Shkau
dihet shumë mirë se shka mendonte atëherë e sot.
Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit
Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj
Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj
Fishta O.F.M. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja.
Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli,
Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.
Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në
Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit
Shqiptar. E këte Ai e tregoi me vepra.
Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për në Paris.
Shkelqimi i këtyne dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje shumë i
paimagjinueshem në Konferencën e Paqës.
Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i
çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet
me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të
hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se,
“Shqiptarët sot janë me të vertetë pjesë e Europës së qytetnueme”. Takimet dhe
kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe
prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, ishin dhe janë edhe sot një model i
papersëritshëm në Historin’ e Shqipnisë!
Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan
Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore,
Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi Atij hymjen e trupave amerikane në zonën e
Rugovës.
Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me
Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e
Gjinokastres Greqisë.
Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon,
dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme t’ Amerikës dhe Anglisë,
të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të
Shtetit Shqiptar.
Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe
SH.B.A.
Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e
drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e
22 e 23 Dhjetorit 1919, me çdo kusht
nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. Imz. Luigj Bumçi, si gjithmonë
i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit
dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe
arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan me takue Papen.
Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar
1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai
shkoi direkt tek Papa.
Në kujtimet e Tij historike Imz. Luigj Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni,
të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht
mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten
qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na
epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy
provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit
Tittoni – Venizelos.”
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ
zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din
gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” - U
pergjegja (shkruen Imz. Bumçi nder kujtime): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se
bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të
Bashkueme t’ Amerikës!”
Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra,
neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të
Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy
provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba, shka të mundem per me Ju ndimue.
Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira
pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me
kênê!” Këtu u mbyll biseda.
Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë
me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u
takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden
me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça
e Gjinokastra shpëtuen!”
Me daten 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me
Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson,
simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë
e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu
referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per
vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.
Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12
Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto
Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e
Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht
në Shqipni.
Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me
fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që
nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato
lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”.
Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919
– 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W.
Wilson.
Ndersa fjalimi i mbajtun nga Imzot Luigj Bumçi në Lidhje të Kombeve në
frengjisht, asht përgatitë nga At Gjergj Fishta.
Vetem kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar SOT!
Ndonse SOT, qeveritarët e
dekompozuem pasues të asaj kaste që ka punue gjithnjë per shpartallimin e
Atdheut, po punojnë per arritjen e qellimit të parardhësve tradhëtarë e
komunista të vertetë antishqiptarë, që per një gjysë shekulli vetem menduene
asgjesimin e Trojeve tona, tue vazhdue si sot. Shqiptarët e vertetë asnjëherë
nuk duhet pajtohen per asnjë arsye me qellimin e këtyne tradhëtarve të shitun
komunista dhe antiatdhetarë!
Shqiptarët e vertetë janë vetem pasuesit e denjë të Gjergj Kastriotit –
Skenderbeut dhe, ndjeksit e nderuem të Nanë Terezes me Flamurin tonë kuq’e zi,
me Shqipen Dykrenare.
***
IMZOT
ERNESTO KOCI
Delegati i parë Apostolik i Vatikanit, Shteti i parë, që njohu Shtetin Shqiptar në vitin 1920.
Menjëherë mbas takimit të Imzot Luigj
Bumçit, i ngarkuem me detyren e Kryetarit të Delegacinit të Shqipnisë në
Konferencen e Paqës në Paris, me Papen Benedikti XV, i cili mori persipër me
bisedue me Presidentin e ShBA Wilson, per ruejtjen e Shqipnisë nga coptimi prej
shteteve fqinjë, me daten 12 Nandor 1920 Papa Benedikti XV ngarkoi Imzot
Ernesto Kocin (Kozzi), me detyren e Delegatit Apostolik në Shqipni. Imzot Koci
jo vetem kishte një dashuni të madhe per popullin e Gjergj Kastriotit, po edhe
njifte mirë gjuhen shqipe, per të cilen që në vitin 1900 Ai punoi dhe la vepra
me një vlerë të madhe etnologjike të Shqipnisë së Veriut.
Ai asht marrë kryesisht me të drejten
zakonore, edhe pse gjuha shqipe nuk ishte e shkrueme, po me anë të komunikimit
gojor me popullin e disa krahinave në Malësinë e Madhe, Mirditë, Zadrimë,
Postribë dhe Dukagjin, Ai ka mërrijtë me lanë një studim të plotë të “Kanunit të
Lekë Dukagjinit”, në një kand tjeter shikimi prej At Shtjefen Gjeçovit.
Imzot Ernesto Koci vertetë ishte nga
Trentoja, italo – austriak, po ishte një albanolog i perkryem dhe shumë i aftë,
e kjo vertetohet me veprat me vlerë që Ai ka lanë per kulturen e panjoftun
Shqiptare edhe sot.
Veprimtaria e Tij asht e gjithanëshme
dhe i paraprinë studjuesve shumë të njohun edhe pse të huej si, At Zef
Valentinit, At Jak Gardinit etj., që përjetsisht do të kujtohen nga Populli
Shqiptar per veprat e Tyne.
Imz. Koci edhe pse erdhi kur Shqipnia
vazhdonte me kenë nen thundrat e turqëve, Ai me një kujdes të madh mori rrugat
e vështira të Malsisë, ku la vepra të pashlyeshme baritore e kulturore, per të
cilat ka shkrue edhe Edith Durham (1863-1944) e personalitete të tjera shqiptarë
dhe të huej.
Ajo që Imzot Kocin nuk e ka shkelqye me
ndriçimin e duhun të Veprave të Tij diplomatike, asht kenë pikrisht mentaliteti
i politikanve tanë, që asnjëherë nuk kanë mujtë me shlye nga koka e vet
fanatizmin anadollkak antikatolik, apo sllavokomunist, ashtusi sot, që kanë
vazhdue me lanë Ambasadan Shqiptare në Vatikan mashumë 11 vjet pa Ambasador! E
që ma në fund këto ditë u gjet edhe Ambasadori…
Imzot Ernesto Koci asht le me 6 Korrik
1870 dhe, ka vdekë papritmes në Bari me 23 Shkurt 1926. Por, ajo që do të
theksoj asht “deshira e Imzot Ernesto Kocit me u vorrosë në token Shqiptare”.
Dhe ashtu u veprue.
Ai asht vorrosë në Kishen Kathedrale të
Shkodres, e Vorri i Bekuem i Tij, ka mundësi që asht zhdukë me “revolucionin
kultural të 1967”...
Me këte rasë po ju kujtoj thanjet e
Papës Gjon Pali II në Tiranë, përballë Heroit tonë kombtar Gjergj Kastrioti –
Skenderbeu: “... Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk
asht pa kurr në historinë e njerëzimit...Drama e Juej Shqiptarë të dashtun,
zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që
Evropa mos t’ Ju harrojë!.. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të
të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt
së ardhmës…“Një demokraci pa vlera, - këte e kam shkrue n’ Encilklikën
Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun
ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ” (25 Prill 1993)
A nuk e verteton këte fakt “rilindja
komuniste” sot në Shqipni?!
Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk
e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni...Drama e Juej Shqiptarë të dashtun,
zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan!..”.
Melbourne,
26 Tetor 2023.