Speciale » Alia
Lutfi Alia: Dinastia e Dukagjinëve (1)
E premte, 20.10.2023, 07:00 PM
DINASTIA E DUKAGJINËVE
(PJESA
I)
Nga Lutfi ALIA,
Siena – Itali
Në historinë e Arbërisë - Albanisë mesjetare,
janë shquar shumë familje fisnike patronimike dhe prijësit e tyre kishin tituj
perëndimor (princ, kont, duka, markez), si dhe tituj bizantinë (arhond, sevast,
sevastonkrator, protosevast, panhypersevast). Arbëria-Albania porta lidhëse mes
perëndimit e lindjes, historikisht është ndikuar nga kultura europiane dhe ajo bizantine, të
cilat u ndërthurën në jetën e arbërorëve, të shprehura si në sistemin e
organizmit administrativ, në dy fetë katolike dhe ortodokse, si dhe në stemat
heraldike të familjeve fisnike, që ishin sa origjinale, po aq pasqyrim
i heraldikës europiane dhe bizantine.
Familjet dinastike arbërore Progoni,
Arianiti, Muzaka, Dukagjini, Balsha, Spani, Topia, Skura, Zaharia, Blinishti,
Golemi, Matranga, Gropa, Kastrioti, Granai, Engjëlli, Gazuli, Jonima, Frangu,
Martaseos, Manesi, Toka, Zenebishti, Losha, Bua Shpata etj, ishin të lidhura
mes tyre me krushqi, por dhe me pakte aleance, rrethana këto që ndikuan në
ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të individualitetit teritorial arbëror.
Ndër familjet patronimike të herëshme në
historinë e Arbërisë janë shquar Dukagjinët, që zotëronin trojet e Arbërisë
veriore. Rreth origjinës së lashtë të Dukagjinëve dëshmojnë studiues të shumtë
të mesjetës. Bazuar në rrethana historike, një kronist bizantin i
shekullit VII pas K, shkruan: “Në vitin 460 pas K, gjatë mbretërimit të Leonit
I, vizigotët e shkretuan Ilirinë dhe një tribu e tyre e udhëhequr nga Duka
Gentius (Gjini) zbriti nga Dalmacia dhe u vendos në Shkodër. Pasardhësit e
Gjinit përdorën mbiemërin e kombinuar Dukagjini. [Herwing Wolfram, Storia
dei Goti, Roma, Salerno 1985, pp. 431 - 433]
Me fuqizimin e pushtetit, Duka Gjini, i pushtoi
territoret ndërmjet Shkodrës dhe Durrësit dhe krijoi Principatën e Dukagjinëve.
Në administrimin e këtyre trojeve, Duka Gjini zbatoi ligje, rregulla dhe norma
gote, duke i ndaluar ligjet romane dhe ato lokale ilire.
Perandori bizantin Teodosio II, e emëroi Duka Gjinin
sebastoncrator dhe Magister militum për Dalmacinë (gjykatës ushtarak). [Maku?ev V. Vasilievi?. O
Slavjanah v Albanie v srednie veka. Varsavskij Univers. Izvestija. 1871. Heft
3, f. 128]. Sebastoncrator është titull nga greqishtja; Sebaston - i hirësuar, i
nderuar dhe Cratos - i fuqishëm sundues, zot trojesh.
Në vjetarët anonimë të Raguzës (Annales Ragusini
Anonymi, sec. VII, pp. 6 - 8), në një fragment që trajton ngjarjet e vitit
687, janë përshkruar trazirat në Bosnie, ku një pjesë e vendit donte për zot
Dukagjinin e Albanisë (Duchagini de Albania), ndërsa kishin refuzuar
mbretin Stjepan. Në një trajtim të ngjarjeve të vitit 688, tregohet se një
Dukagjin ishte mundur dhe ishte vrarë nga mbreti Radosavo, i cili mori Shkodrën
dhe Lezhën dhe i shtriu zotërimet deri në det: “Duchagini fo amazato, et
Arbania oltra Leso fo presa per Radosavo, et molti altri paesi, chasteli,
chasteleti, Schutari, et Aleso fo de le bande de Levante, qual fo de Duchagini”.
Në Analet e Raguzës tregohet dhe për ngjarjet e vitit 689,
përshkruhet vala e migrimit të banorëve nga Arbëria dhe nga Bosnia (De
Arbania e de parte de Bosna), për t’u strehuar në Raguzë, sepse ishin
persekutuar si “partizanë” të Dukagjinit të mundur (perchè parici erano de
Bosna partixani de Duchagini). Ndër ngjarjet e vitit 690, tregohet për
masat që kishte marrë qyteti i Raguzës, duke ngrijt një mur rrethues për t’u
mbrojtur nga gjindja që vinin nga Arbëria dhe nga Bosnia. (E queso perchè
tutta via venevano homeni de ogni bande, tanto per mare quanto per tera de
Arbania et de Bosna). [Aurel Plasari. Arbni Historik, Gjeografik, kishtar dhe politik.
Tiranë 2020, f. 26 - 27]
Si kuptohet nga këto kronika Raguziane, Dukagjinët u
përballën me dyndjet sllave. Në një nga kronikat e vitit 744 tregohet për
migrimin e arbërorëve dhe bosniakëve, që kërkuan strehim në Raguzë, madje
saktësojnë se nuk ishin vetëm shtresat e ulëta, por dhe fisnikë kapedanë,
kontë, ofiqar, pra gjindje e rëndësishme, ndër ata dhe Dukagjinët. Me migrimin
e arbërorëve nga Lezha, Shkodra, Rodoni etj, spjegohet prania e shumë familjeve
arbërore në Raguza në shekujt e më vonshëm. [Serafino Razzi, Storia di
Ragusa, 1903, pp 5 -6].
Pas dyndjeve barbare, në shekujt IX – XI, trojet arbërore
kaluan në vartësi të Perandorisë Bizantine. Perandorët e Bizantit ushtruan
autoritet të fuqishëm politik dhe ushtarak, ata aplikuan ndarje të re
administrative të trojeve, kësisoj Iliria, u nda në zotërime të shumta lokale,
ndërsa disa fise u bashkuan dhe formuan njesi administrative të gjera si Dukati
i Shkodrës, Tema e Durrësit, Dhespotati i Albanezëve i Artës, Dhespotati i
Epirit i Muzakëve, më pas principatat e Dukagjinit, Arianitëve, Topia,
Kastrioti, Gropa, Toka, Losha, Zenebishi, Bua Shpata etj.
Në shekullin XII Principata e Dukagjinëve përfshinte
Shkodrën, Zadrimën, Malin e Zi, Pultin, Shatin, Ndërfanin dhe ishte pjesë e
Shtetit të Arbërit të Progonëve. [Makushev Vasilievi?. Zadunajskije
i adriatiçeskije slavianie. Sankt-Peterburg, red “Lit.6-ki”, 1867, IV, p. 304].
Në vitin 1214, Dhespoti i Epirit Mihal Komneni pushtoi
Shkodrën, por u detyrua të largohet, pas revoltës të organizuar nga Dukagjinët. [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 107].
Në vitet 1202 – 1214, Dukagjinët i zgjeruan territoret e principatës, duke pushtuar trevat malore rreth lumit Fan (Mirdita). Kryeqyteti i Principatës të Dukagjinëve bëhet Lezha. Në vitin 1210, në bisedimet dhe në nënshkrimin e marrëveshjes të paqes ndërmjet Venedikut dhe Republikës së Raguzës, morën pjesë princat Dukagjini, që ishin aleatë të Venedikut. [M. Šhufflay et al. Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268]
Ashtu si fisnikët e tjerë arbëror dhe
Dukagjinët kishin stemën e tyre heraldike: mburoja me shqiponjën e bardhë me
një kokë të kthyer nga e djathta, me krahët të ngritura lart për fluturim.
Stemën e Dukagjinëve e përshkruan Gjon Muzaka në kujtimet e tij “Memorie
breve, faqe 278” ku shkruan: “Shqiponja e bardhë është stema e nënës tuaj, e
cila ishte nga dera e Dukagjinëve, që ishin familje fisnike, andaj mos e
harroni .... ”.
Shumë historianë theksojnë se Dukagjinët
morën stemën heraldike të dinastisë të Progonëve të Principatës së Arbërit,
sepse e konsideronin veten pasardhës të Shtetit të Arbërit. Në fakt, Papa
Klementi V dhe Papa Gjoni XXII, kur e njohën Mbretërinë e Albanisë, i pranuan
albanezët pasardhësit natyral të Shtetit të Arbërit. Bazuar në faktin se të dy
stemat, pra ajo e Progonëve dhe e Dukagjinëve ishin murosur në të njëjtin mur
të kishës Shen Maria në Gëziq, Kristo Frashëri e lidhi stemën e Dukagjinëve me
të Principatës së Arbërit. [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë
2014, f. 112]
Hipotezën e parë se dinastia e Principatës së
Arbërit u vazhdua me Dukagjinët përmes lidhjes me Progonin e dha Šufflay [Das
mittelaterliche Albanien, f. 286], mendim që e mbështeti dhe Gegaj në
botimin e vitit 1937 [L’Albanie, f. 14], pra para se të njihej
mbishkrimi i Gëziqit. Prania në këtë mbishkrim i emrave Tanush dhe i bijëve të
tij Gjin dhe Progon të pranishëm dhe në familjen e Dukagjinëve, vertetojnë
lidhjen e Dukagjinëve me dinastinë e Arbërit. Bernardin Palaj ishte i bindur se
Dera e Dukagjinëve ishte e lidhur me dinastinë e Arbënit, madje këtë mendim e
bazon në personazhin historik Duka Tanushi I Dukagjini, i dokumentuar në vitin
1281. [Palaj B., Duka Gjini e Dukagjinët, “Hylli i Dritës”, Shkodër 1941, nr
11012, f. 496]
Në vitin 1967 bazuar në mbishkrimin e zbuluar
në Gëziq, këtë tezë e trajtoi Shuteriqi, i cili theksoi se Dinastia e Progonëve
të Arbërit u vazhdua me Dukagjinët. [Shuteriqi Dh. Një mbishkrim i
Arbërit dhe mbishkrime të gjetur në Mirditë. Studime historike, Tiranë 1967, nr
3, f. 18 – 149]
Këto hamendësime u përforcuan kur u zbulua
stema e Dukagjinëve, e cila me sa duket, për ta ruajtur, e kishin ngujuar në
murin e të njejtës kishë në Gëziq, ku ishin murosur dhe gurët me mbishkrimin,
të cilat ndofta ishin trashëguar nga ndonjë kishë, apo manastir i më kahershëm.
[Plasari A. Arbni, botimi i vitit 2020, f. 130 – 132].
Zamputti, në përkrahje të kësaj teze
argumentoi: “Zonat malore të shtrira në luginën e Drinit dhe në luginën e
Matit, u bënë qendra e një principate tjetër, e asaj të Dukagjinit. [Zamputti
Injac, Rindërtimi i mbishkrimit të Arbërit .... botuar në Illiria, Tiranë
1984, f. 215 - 216]
Ky argument bëhet më bindës kur dimë se në luginën
e Matit ndodhet fshati i quajtur Dukagjin, i quajtur me këtë emër, si fshat në
zotërim të familjes Dukagjini. [Zojzi Rrok, Ndamja krahinore e popullit
shqiptar, në “Etnografia shqiptare”, Tiranë 1961, Nr. 1]
Dukagjinët i njihte mirë Gjon Muzaka, i cili në
testamentin e vitit 1510, me shtesën e vitit 1515 të birit Kostantin Muzaka,
dorëshkrim i zbuluar në vitin 1864 dhe i botuar nga Karl Hopf, i tregon të
bijëve historinë e Derës të nënës së tyre Maria Dukagjini, një histori tjetër e
origjinës të Dukagjinëve. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li
discendenti de nostra casa Musachi, 1510, pp. 282 – 283]
Në dorëshkrimet e tij, Gjon Muzaka tregon se Dukagjinët
në trojet arbërore, janë me origjinë nga Troja, më pas kaluan në Francë dhe në
shekullin XII, gjatë kryqëzatës të komanduar nga mbreti i Francës Balduini IV
për çlirimin e Jerusalemit, u vendosën në trojet e Arbërisë. [Giovanni
Musachio, La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, p.
292]
Si theksuam më sipër, në dokumentat bizantine Dukagjinët
rezultojnë më herët në trojet arbërore, madje që në shekullin V pas K, me
origjinë nga fiset Gote dhe në vazhdim në shekujt VI – XV, kur ishin në vartësi
të Perandorisë Bizantine, gjatë pushtimit nga sllavët dhe pjestarë në
Beslidhjen e Lezhës. Plasari thotë: “Në se hiqen mënjanë fantazitë
gjenealogjike të prejërdhjes së Dukagjinëve nga Troja etj, kronika e Muzakës
futet në histori, kur tregon për njërin nga të parët e Dukagjinëve. [Plasari A. Arbni, botimi i vitit 2020, f. 132].
Pavarësisht nga këto inkonvenienca historike, po e
prezantoj të plotë dëshminë e Gjon Muzakës, si e ka shkruar në kujtimet e tij.
“Bijtë e mi, nëna e juaj është nga familja Dukagjini, dhe
ajo familje ka sunduar në Albania. Ju rrëfej se origjina e Dukagjinëve është
nga Troja dhe nga aty u transferuan në Francë. Ishin dy vëllezër, të cilët më
pas shkuan në Itali, sepse në këtë kohë mbreti i Francës dhe princat e tjerë
kristianë, ndërmorën fushatën për çlirimin e Jerusalemit dhe njëri nga
vëllezërit mbeti në Itali dhe u bë sundimtari i Este dhe më pas i Ferrarës, ku
ndodhen dhe në ditët e sotme. Vëllai tjetër i quajtur Dukagjin, mori pjesë në
betejën dhe çlirimin e Levante dhe kur kaloi në Albania, mori në zotërim një
trevë të quajur Zadrima, më pas mori fshatrat e Fanit, trojet e Malit të Zi, të
Pultit dhe të Flatit, ku rindërtoi kështjellën e Flatit, si dhe morën në
zotërim qytetin e vogël të quajtur Shati, i cili aktualisht është shkatërruar.
Të gjitha këto troje janë quajtur Dukagjin, sepse ishin zotërime të fisnikëve
Dukagjini. Sundimtari i këtyre trojeve, Dukagjini u vra nga vasalët e fshatit
Elefanti. Shkaku ishte se ipeshkëvi i kësaj dioqeze e ngacmoi në nderë gruan e
Dukagjinit dhe ai e vrau ipeshkëvin në kishën Shen Maria e Elefantit. Atëhere
vasalët e tij u ngritën dhe e vranë sundimtarin e tyre, si dhe pjestarët e
familjes së tij, ndërsa djalin e vogël e shpëtoi Stefan Progani i trevës
Kalameri. Kur djali u rrit, Stefani e martoi me të bijën dhe e këshilloi dhe e
ndihmoi të kthehet e të marri në zotërim trojet e të atit dhe të njihet me
emrin Dukagjin. Nga kjo martesë lindën shumë fëmijë, që trashëguan trojet e
Dukagjinëve, ndër të cilët u shquan Gjergj Dukagjini, vëllai i tij Tanushi dhe
një vëlla tjetër. Vëllai i madh Gjergji ishte sundimtar i Zadrimës, Tanushi
ishte sundimtar i Fanit dhe vëllai tjetër mori në zotërim pjesën tjetër me tetë
fshatra të Zadrimës. Pasi u martua, vëllai i tretë Dukagjin krijoi derën e
Dukagjinëve në qytetin e Shkodrës dhe tani ndodhet në Venecia, me titullin
baron. Nga djali i parë Gjergj Dukagjini lindën Nikolla Dukagjini i Vjetri dhe
vëllezërit e tij. Nga djali i dytë zoti Tanush lindën Gjergji II dhe vëllezërit
e tjerë të tij. Nga këta pasardhës lindën shumë trashëgimtarë, që sunduan këto
troje, të cilët disa për vdekje natyrale, të tjerët të vdekur në beteja, kështu
u eleminuan dhe mbeti vetëm Pal Dukagjini, i cili u martua me motrën e zotit Arianit
Komneno, i ati i zonjës Skenderbega. Pas vdekjes të Palit dhe të fëmijëve të
tij, u shua dega e Dukagjinëve të vërtetë, tani kanë mbetur vetëm ata, që si
thashë janë në Venecia, ku vazhdon të jetoi vëllai i fundit i Pal Dukagjinit”.
[Karl Hopf, Croniques gréco-romanes. Inedite ou peu connues; avec
notes et tables généalogiques. Berlin. Librairie de Weidmann, 1873, f. 270 -
353]. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li discendenti de
nostra casa Musachi, 1510, pp. 292]
Në kujtimet e Gjon Muzakës është shkruar emri Elefanti,
por në fakt është gabim i kopjuesit të dorëshkrimit, sepse në varjantin
latinisht të tekstit është shkruar Trefanti. Këtë gabim e ka konstatuar dhe Šufflay, i cili thotë se bëhet fjalë për Ndërfandën dhe për
abacinë bendektine. [Šufflay Milan. Srbi i Arbanasi. Njihova simbioza
u Srednjem vijeku. Beograd 1925, f. 123]
Gjon Muzaka shkruan Progan, por ndoshta është Stefan
Progoni. Kjo ngjarje ka ndodhur në një vend dhe në një kishë ku ndodhet dhe
mbishkrimi i Gëziqit në Ndërfandë, ose si quhej më herët Trafandina dhe në
abacinë e Shen Maria të kësaj treve. Plasari thotë se pinjolli i shpëtuar
Progoni i Dukagjinëve i rritur, mund të jetë edhe nipi i Dhimitër Progonit, si
rezulton në mbishkrimin e Gëziqit, i cili e martoi me të bijën e vet e atëhere
pinjolli në fjalë trashëgoi sundimin dhe mbiemërin e të atit si Dukagjin,
sikundër mund të ketë trashëguar dhe sundimin e vjehrrit, porsa linja e
dinastisë së mirfilltë të Arbërit kishte mbetur në femra dhe prej një situate
të tillë, u mundësua dhe martesa e Komnenës të vesë së Dhimitrit me Gregor
Kamonën. Ky pinjoll i Dukagjinëve, i shartuar me një degë të dinastisë së
Arbërit, kishte disa fëmijë, si i ka përmendur Gjon Muzaka kur flet për famijët
e Gjin Tanush Dukagjinit. [Plasari A. Arbni,
botimi i vitit 2020, f. 133].
Përmendja e trevës Kalameri, si zotërime të
Stefan Progano, si ka shkruar Gjon Muzaka, kuptohet se bëhet fjalë për Kallmetin
e Zadrimës. Për sa i përket Gjin Tanushi I Dukagjini, kuptohet se lidhet me
konfliktin e tij me mbretin Karli I Anzhuin, sundimtari i Mbretërisë së
Albanisë.
Duka Ginium Tanuschi Albanensem përmendet në
vitet 1280 – 1281 pjesmarrës në betejën e Beratit, që ishte kryeqendra e
Muzakëve. Gjin Tanush Dukagjini u rradhit përkrah ushtrisë të Perandorit
Bizantin, kundër ushtrisë të anzhuinëve, që kishin rrethuar qytetin. Šufflay
tregon se Gjin Tanush Dukagjini ishte partizan i Paleologëve bizantinë. Duka
Gjin Tanushi u kap rob nga kapiteni anzhuin i Durrësit dhe e burgosën në
kështjellën e Tranit në Pulja. Në urdhërin e mbretit Karli I, cilësohej se
Gjini ishte “nga të fuqishmit e oborrit të Paleologut”, andaj kështjellari në
zbatim të urdhërit të mbretit, e mbante në qeli me këmbët e lidhura me hekura. [Milan
Šufflay. Srbi i Arbanasi. Njihova simbioza u Srednjem vijeku. Beograd 1925,
f. 123].
Në veprën Chronique gréco-romanes .... krahas botimit të
kujtimeve të Gjon Muzakës të hartuara në formën testamenti për fëmijët e tij,
Karl Hopf prezanton dhe gjeanologjinë e familjes Dukagjini, të cilën e fillon
në vitin 1281, me Duka Tanush I Dukagjini
(Duca Ginus Tanusius Albanenses), sundimtari i Lezhës.
Në shkrimin e ardhshëm do të rrëfej për Dukën Tanush I
Dukagjini, për fëmijët e tij dhe pasardhësit e shumtë të kësaj dinastie
fisnikësh arbëror.