Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Vjedhja si aktivitet kriminal ka përfshirë politikanë dhe shtetarë
E enjte, 12.10.2023, 06:55 PM
Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri globale, e cila është kthyer në një “epidemi demografike”
-Vjedhja si aktivitet kriminal ka përfshirë
politikanë dhe shtetarë, nëpunës të shtetit dhe mbrojtës të ligjit, fëmijë e të
rinj
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Popullsia
e Shqipërisë po shkon drejt plakjes, e ndikuar nga emigrimi. Vendi është prekur
nga rritja graduale e moshës së popullsisë, e cila po ndryshon strukturën
demografike të vendit.Të dhënat e Institutit të Statistikave, tregojnë se
popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, me rënie
1.1%. Një vit më parë vendi numëronte 31.8 mijë persona më shumë. Rënia më e
madhe, sipas të dhënave, vihet re tek grup moshat e reja. Kryesisht grup moshat
deri ne 29 vjeç. Kjo është grupmosha që është prekur edhe më tepër nga vala e
emigrimit, ku të rinjtë janë larguar për shkollim, punë ose bashkim me
familjen. Krahasuar me një vit më parë vendi ka 40 mijë të rinj më pak, ndërsa
numri i të moshuarve mbi 60 vjeç po shtohet. Nga ana tjetër korrupsioni nuk
është ulur…Sipas anketave të ndryshme, një përqindje e konsiderueshme e
bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë
gjithë vitit. Bizneset, në sektorët e prodhimit industrial, të furnizimit me
energji elektrike, gaz dhe ujë, janë më të prekurit nga ryshfeti, të pasuar nga
bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë. Zyrtarët
publikë, me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset, janë:
zyrtarët e doganave, zyrtarët tatimorë/të hyrave, zyrtarët komunalë ose
provincial. Por korrupsioni dhe rrogat e ulëta kanë ccuar në rritjen e
vjedhjeve. Lind pyetja: Çfarë vidhet më shumë në Shqipëri? Kjo është një pyetje
që merr përgjigje të ndryshme në varësi edhe të zonave apo qyteteve. Por ato që
dominojnë janë kryesisht biçikletat, skuterat, makinat, shtëpi e
biznese…Shpeshherë hajdutët janë raste të përsëritura dhe shumë profesionistë
në kryerjen e këtyre krimeve duke mos lënë gjumë, e në raste të tjera janë
vjedhje amatore që kapën shumë shpejt nga policia.Shumica e vjedhjeve kryhen në
vetëm pak minuta, nga një person i vetëm ose përgjithësisht nga grupe të vogla.
Në Durrës, Fushë-Krujë dhe Tiranë ndodhin më shumë vjedhje. Për këto problem do
na japë disa pëegjigje socialogu Gëzim Tushi…
-Para
disa muajsh, Instituti i Statistikave prezantoi shifrat më të fundit rreth
popullsisë shqiptare, sipas të cilave ajo rezultonte sërish në rënie dhe duke u
plakur. A ndikon në ekonominë e vendit plakja e popullsisë? Çfarë do të ndodhë
nëse plakla dhe emigrimi do vazhdojë me këto ritme? Si do t’i komentonit ju
këto shifra cilat janë shkaqet e këtyre fenomeneve?
Sigurisht
plakja e popullsisë dhe emigrimi janë të lidhura me njëra-tjetrën. Janë të
lidhura pazgjidhshmërisht. Nëse ikin të rinjtë, në emigracion detyrimisht
popullsia do të plaket. Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri
globale, e cila është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë të
gjithë vendet. Sidomos ato të zhvilluara, europiane dhe më gjerë. Plakja me
ritme të shpejta e popullsisë në Shqipëri nuk është vetëm një shqetësim
demografik, por është me pasoja edhe në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Sepse, nga njëra anë ulet mosha e forcës aktive të punës në ekonomi dhe nga ana
tjetër, rriten shpenzimet që duhen për të përballuar nevojat dhe kostot e
shtresës së të moshuarve për sigurimet e tyre shëndetësore e shoqërore. Plakja
e popullsisë është një dukuri, që ka shkaqet e saj. Tashmë është prezent edhe
në Shqipëri, e cila nëse dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth
27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç. Edhe pse nga pikëpamja e
moshës mesatare nuk jemi ndër listën e vendeve me popullsi me moshë të plakur,
shqetësues është ritmi i lartë i procesit të plakjes, që është nga më të lartit
në Europë. Kjo sepse shpejtësia e plakjes së popullsisë shqiptare është
akseleruar dhe shfaqet me dinamikë të lartë. Mjafton të themi se nëse në vitin
2006 mosha mesatare ishte 31.8 vjeç, tani e ka kaluar moshën 37.2 vjeç. Shkaqet
janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e
konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së
familjes, kontrollin e lindjeve, etj. Së pari, një nga shkaqet evidente është
ulja drastike e lindshmërisë. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të saj.
Kjo ka bërë që nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot
ajo ka zbritur në 1.67. Ndërkohë që për të mbajtur konstant këtë numër të
popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua. Pra, kemi kaluar
në një situatë kur ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë.
Së dyti, zgjatja e jetës është një tjetër tregues që dëshmon për plakjen e
popullsisë dhe prishjen e raporteve midis moshës së re aktive dhe të moshuarve.
Së treti, emigracioni është një nga shkaqet me peshë që akseleron treguesit
mekanikë të plakjes së popullsisë. Sepse në këto tri dekada janë larguar përmes
valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin më shumë se një milion
njerëz. Një fenomen që po vazhdon edhe kohët e fundit, duke u shfaqur si një
lloj “emigracioni i vonuar”. Kjo dukuri, (emigracioni), ka bërë që nga
Shqipëria të largohen kryesisht mosha rinore dhe njerëz të aftë për punë, duke
ndikuar në prishjen e raporteve midis popullsisë së re në moshë dhe njerëzve të
moshuar. Ndikimi i emigracionit në plakjen e popullsisë duhet vlerësuar
në të gjithë aspektet, sepse pasojat janë komplekse dhe afatgjata, demografike,
ekonomike, sociale e financiare.
- Vjedhjet janë kthyer në shqetësim për banorët në qytete
dhe fshatra. Grabitësit sot nuk kanë kursejnë portofolat në autobuza, në radhët
e supermarketeve, banesat por edhe kafshët, prej të cilave banorët sigurojnë
jetesën. Në kushtet kur nuk kanë siguri për vete dhe bagëtinë, në
fshjatra banorët thonë se janë të detyruar të qëndrojnë zgjuar natën dhe
të bëjnë roje.Banorët dyshojnë se grabitësit jetojnë pranë zonave të tyre dhe
kanë informacion mbi fermerët dhe ato cfarë posedojnë. Gjithashtu ata apelojnë
policinë për më shumë siguri dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.
Nuk ka dyshim që fenomeni i vjedhjeve, grabitjeve, përvehtësimit të dhunshëm
apo djallëzor të gjësë së tjerit apo pronës publike, është bërë dukuri e gjërë
e jetës sociale në shoqërinë tonë. Kjo ndoshta vjen dhe si pasojë e
korrupsionit në administratë. Vjedhin drejtuesit e shtetit, pse të mos vjedhin
dhe njerëzit e thjeshtë. Pse kjo gjëndje në Shqipëri?
Sic raportohet përvecc korrupsionit vjedhja është kthyer në një fenimen shqetësuaes
kudo në Shqipëri. Dhe nëse i referohemi statistikave të policisë vjedhja si
fenomen ka përfshirë kryesisht mosha të reja, adoleshent dhe të mitur në të
shumtën e rasteve. Në këtë epidemi sociale shumë shqetësuese të shoqërisë
shqiptare të ditëve tona, përtej pamjes empirike të rasteve të shumta dhe
fenomenologjisë së personalizuar të secilit rast, duket se tashmë ka një
tendencë që shfaqet si ontologji sociale gjithpërfshirëse. Sepse në këtë lloj
aktiviteti kriminal përfliten dhe ka të përfshirë politikanë dhe shtetarë,
nëpunës të shtetit dhe mbrojtës të ligjit, fëmijë e të rinj. Që janë nga qyteti
dhe nga fshati, të pasur dhe të varfër. Kjo kakofoni demografike e moshore
shfaqet si një nga deformacionet e rënda të tranzicionit tonë. Me shumë pasoja
materiale, psikologjike e sociale. Por vjedhjet tek fëmijët dhe të rinjtë janë bërë
më të shpeshta, në forma të larmishme dhe që po i ndeshim në të gjithë formatet
e njohura dhe të panjohura më parë, të shfaqura dhe të realizuara herë pas here
nga të rinjtë e moshave të ndryshme, duke përdoruar forma banale dhe të
stërholluara, me mjete tradicionale dhe klasike apo me forma moderne, të
realizuara në rrugë banale dhe shumë të rafinuara e mjaft të sofistikuara.Por
duhet thënë se “ideologjia e vjedhjes” për shkaqe historike dhe politike
nuk është dukuri e re sociale për shoqërinë shqiptare. Madje, duhet të njohim
realitetin që për këtë çështje nuk na ka munguar as “tradita”, madje as
motivimet thjeshtëzuese të shkaqeve të ekzistencës së saj. Por tani jemi
përballë një eksplodimi të kësaj dukurie, e cila nga moral i deformuar privat i
individëve të veçantë, duket se ka prirje të bëhet “mënyrë jetese” e gabuar dhe
kriminale për shumë të rinj. Sidomos për ata që e mendojnë vjedhjen si gjë të
natyrshme dhe mënyrë jetese të përshtatshme të kohës moderne. Madje tek shumë
të rinj që kanë zgjedhur këtë rrugë në vend të rrugës së dobishme të punës,
vjedhja konsiderohet edhe si “rrugë alternative” për të “siguruar të ardhura”
në rrugë më të shpejtë dhe më të sukseshme se sa puna e ndershme e punës dhe
sigurimi i fitimit me djersë. Është e vërtetë që kjo mënyrë e deformuar që ka
sjellë epideminë e vjedhjeve ka prekur më shumë kontigjentet moshore të brezit
të ri. Koha po tregon se në shoqërinë tonë vjedhja është bërë profesion për
shumë fëmijë të rrugës, për të rinjtë e mbetur të papunë apo që nuk e duan
punën, për adoleshentët e dhënë pas bixhozit, llotarive të fatit, drogës,
alkoolit dhe përgjithësisht të rinjve që kanë vendosur që të jetojnë, duke hyrë
qorrazi në hullitë e jetës vanitoze, duke qënë pa qëllime, ideale personale e
synime profesionale. Kurba e krimit të vjedhjes ordinere nga të rinjtë tanë
kohët e fundit është në rritje. Shkaqet e kësaj situate nuk janë të thjeshta
për t’u kuptuar dhe sidomos për t’u interpretuar në mënyrë adekuate. Sepse ato
janë shumë, janë të larmishme dhe komplekse, që lidhen me jetën sociale,
kushtet ekonomike, varfërinë, papunësinë. Por megjithatë nuk është e ndershme
që shtimin e vjedhjeve nga të rinjtë ta lidhim në mënyrë fatale dhe
deterministe vetëm me këto shkaqe. Ka ca arsye të tjera që janë të lidhura me
arsyet ekonomike, varfërinë dhe papunësinë të cilët janë faktorë madhorë, por
nuk janë të mjaftueshëm për të pranuar se ato në tërësi janë shkaqet e vetme
për të shpjeguar të tërën, pse ka një rritje evidente të të rinjve që janë
futur në rrugën e vjedhjes.
Të
kthehemi sërish te emigracioni. Kur do ndihen më shumë problemet e emigracionit
të të rinjve dhe fenomeni i largimit të
profesionistëve?
Largimi
i të rinjve dhe profesionistëve ka filluar të ndihet ndjeshëm. Kudo shihen
afisheku kërkohen punëtorë të profesioneve të ndryshme. Largimi i njerëzve nga vendi, zgjerimi emigracionit, ulja e
natalitetit ka filluar të shfaqë patologji sociale, të cilat nesër mund të
agravohen dhe pasojat mund të kenë kosto më të mëdha demografike, sociale,
ekonomike e financiare. Që tani kanë filluar të ndihen mungesa në tregun e
punës për fuqi punëtore të kualifikuar apo “bruto”. Po pakësohet numuri i të
rinjve, që janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës. Po prishet raporti midis
atyre që futen në tregun e punës me ata që dalin në pension, në favor të
kësaj kategorie. Nëse ecet në këtë rrugë atëhere do të duhet të “importojmë”
nga jashtë brezin e ri, për të plotësuar nevojat e tregut të punës. Tejet
shqetësues është fenomeni i largimit të profesionistëve, njerëzve të shkolluar
e profesionistë të nivelit elitar, të cilët po krijojnë vakume të ndjeshme në
fusha të tilla sikurse janë mjekësia, bujqësia, bota akademike e universitetet,
etj. Largimi i njerëzve që këtu kanë status social të garantuar, nivele page
relativisht të qëndrueshëm, është një dukuri që duhet ta bëjë klasën politike
dhe në përgjithësi ata që janë në bordin e shoqërisë që të mendohen mirë dhe me
përgjegjësi politike e patriotike, të mendojnë për të gjetur zgjidhjet për ta
përballuar dhe demotivuar këtë dukuri retrograde. Sepse sido që të jetë plakja
e popullsië, në mënyrë të pashmangshme nëse ecën me këto ritme, do të ketë
pasoja serioze edhe mbi nivelin aktual të jetesës në Shqipëri. Aq më tepër kur
niveli i zhvillimit ekonomik, nuk garanton se rritja dhe nevojat ekonomike do
mund të përballohen me rritjen e rendimentit të prodhimit. Politika duhet të
tregohet e kujdesshme, sidomos më e aftë dhe vigjilente për të lexuar dhe
parashikuar të ardhmen në mënyrë që të shmangë krizat e mundshme të së ardhmes.