| E hene, 09.10.2023, 06:58 PM |
LAUREATI I ÇMIMIT “NOBEL” – JON FOSSE
Kur
shkruaj, më duket sikur më flet dikush tjetër. Unë e shënoj atë që dëgjoj -
Fosse
-
nga asgjëja në hiçgjë –
Nga
Xhelal Zejneli
Laureat i çmimit “Nobel” për letërsi
për vitin 2023, dramaturgu, poeti, eseisti dhe romancieri norvegjez Jon
Fosse, në krijimtarinë letrare të vet nuk trajtoi “tema të mëdha”.
Çmimi prestigjioz iu dha për “dramat inovative dhe prozën, që i japin zë të
pathënës”. Rrënjosjen në gjuhën dhe në natyrën e
prapatokës norvegjeze të vet, Fosse e ndërlidh me teknikat artistike në gjurmën
e modernizmit.
Lidhur me çmimin e sipërthënë, Fosse
thotë: “Këtë e shoh si një shpërblim për letërsinë e cila pikësëpari
dëshiron të jetë letërsi, pa atribute të tjera”.
* * *
Ylli letrar botëror Fosse, shpesh është përmendur
si kandidat i çmimit “Nobel”. Ka
lindur në Haugesund të Norvegjisë në vitin 1959. Opusi i madh i tij është
shkruar në nynorsk, që është një
prej pesë gjuhëve të dikurshme të Skandinavisë perëndimore. Ka shkruar një
numër të madh dramash, romane, përmbledhje poezish, ese, libra për fëmijë. Ka
bërë edhe përkthime. Pas dramaturgut norvegjez Henrik Ipsen (Henrik
Ibsen, 1828-1906), Fosse është dramaturgu norvegjez më i përkthyer dhe më i
shfaqur në botë. U bë i njohur edhe me prozën e tij.
Studioi letërsinë krahasuese,
sociologjinë dhe filozofinë në
Universitetin e Bergenit. Në Universitetin e Hordalandit ligjëroi shkrimin kreativ. Kohë pas
kohe punoi si gazetar dhe si kryeredaktor. I takon brezit të shkrimtarëve të cilët në vitet ’80 të
shekullit XX sollën në Norvegji postmodernizmin dhe iu kundërvunë
haptas traditës sociale-realiste që mbizotëronte në vitet shtatëdhjetë
të qindvjeçarit XX. Por, kur është fjala për Fossenë, orientimi i ri nuk është
manifestuar në teknikën e të shkruarit me referenca intertekstuale.
* * *
Kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, Jon Fosse
shkonte në meshë në kishën katolike në Bjørgin. Pas shumë viteve kaloi në
katolicizëm. “Nuk do të mund ta bëja këtë po të mos ishte Meister Eckhart-i
dhe mënyra e tij e të qenit edhe katolik edhe mistik”.
Fosse
flet për ndikimin e teologut, filozofit dhe mistikut katolik gjerman Majster
Ekart (Meister Eckhart, rreth 1260 – rreth 1328) dhe për dimensionin mistik
të fesë në kalimin e tij në katolicizëm.
Fosse
i thotë New Yorker-it se Kishën katolike e sheh si
faktor të vetëm dhe të vërtetë përballë forcave ekonomike të fuqishme që e
qeverisin botën sot. “Sa e shoh unë, Kisha është institucioni më i rëndësishëm
i teologjisë antikapitaliste. Faktorë të tjerë janë edhe letërsia dhe arti por
ato nuk janë aq të fortë sa Kisha”.
* * *
Prej viti 2011 jeton në rezidencën Grotten, në
kuadër të Pallatit Mbretëror në qendër të Oslos. Këtë nder të jashtëzakonshëm
ia bëri mbreti i Norvegjisë, për kontributin e veçantë që ia ka dhënë Fosse
kulturës dhe arit norvegjez. Gjysmë viti
jeton në Oslo, ndërsa në kërkim të qetësisë, po aq jeton në një fshat austriak.
Në Norvegji, Fosse është institucion kombëtar, klasik bashkëkohor. Shkrimtari
norvegjez Karl Ove Knausgaard (Karl Ove Knausgård, 1968- )
e ka quajtur Fossenë “poet i së panjohurës” dhe “shkrimtar evropian
më i rëndësishëm”.
Fosse
shkruan në gjuhën nynorsk. Kjo është gjuhë e pakicës në Norvegji të
cilën norvegjezët e ndërgjegjësuar në pikëpamje kombëtare e ndjejnë qenësisht,
ngase gjuha bokmal që edhe sot shpesh përdoret në Norvegji, ua përkujton
norvegjezëve kohën e pushtimit danez dhe është tejet e afërt me gjuhën daneze.
E njohur si “norvegjishte
e re” të cilën e përdorin jo më shumë se 10 për qind e popullsisë
norvegjeze, versioni i kësaj gjuhe i përdorur nga Fosse, është zhvilluar në
shekullin XIX dhe është bazuar në dialektet rurale. Kësisoj është bërë
alternativë e përdorimit dominues të gjuhës daneze, që ka pasuar pas unionit
gati 400-vjeçar me atë vend.
Fosse
i cili shkruan në versionin më pak të afirmuar nga dy versionet zyrtare të
gjuhës norvegjeze, thotë: “Për mua, shpërblimi paraqet mirënjohje për gjuhën
në të cilën shkruaj dhe për lëvizjen që synon promovimin e saj. Për këtë
shpërblim, i falënderohem gjuhës”.
* * *
Fosse është pjesëtar i dramës
së re evropiane që e karakterizon paraqitja reale e botës, brutaliteti,
të qenët i drejtpërdrejtë, të qenët provokues, fabula lineare apo vargu i
tregimeve fragmentare. Koha rrallë është e përcaktuar, ndërsa vendi
ku zhvillohet ngjarja kryesisht është banesa, një pjesë e shtëpisë, krevati
bashkëshortor, spitali etj. Me gjuhën dhe me formën bëhen eksperimentime të shpeshta. Temat fare
nuk janë “të mëdha”. Kryesisht bëhet fjalë për frustrime private të
individëve në shoqëri, dëshpërimi, të qenët i pafuqishëm, të qenët pasiv.
Vepra e Fossesë mbështetet në një
gjuhë të thjeshtë e cila mesazhin e vet e përcjell nëpërmjet ritmit,
melodisë dhe qetësisë.
Veprimtaria e tij prek ndjenjat më të thella të
njeriut, ankthet, pasigurinë, pyetjet mbi jetën dhe vdekjen. Debitoi në vitin 1983 me romanin “E kuqe, e zezë”
(Raudt, svart). Pasojnë romanet, përmbledhjet me poezi, midis të cilave
shquhet “Engjëlli me ujë në sy” (Engel med vatn i augene, 1986),
esetë dhe librat për fëmijë. Në vitin 1994, në Teatrin Kombëtar në Bergen u
shfaq pjesa teatrale e parë e tij “Dhe kurrë s’kemi për t’u ndarë” (Og aldri
skal vi skiljast). Pason drama “Emri” (Namnet, 1995), për të cilën u nderua me çmimin “Ibsen”. Vijnë
dramat “Ditë vere” (Ein
sommars dag, 1999) dhe “Ëndërr vjeshte” (Draum om
hausten, 1999).
* * *
Prej vitit 1993 Fosse u fokusua
kryesisht në krijimin e dramave. E zhvilloi gjuhën teatrore të vet, sa intensiv
aq edhe poetik. Ai konsiderohet si një prej dramaturgëve evropianë më
provokues, më të lëvduar dhe më të shfaqur. Botuesi i tij thotë se ai është
përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ndërsa dramat e tij janë shfaqur mbi 1.000
herë anekënd botës. Disa drama i janë
shfaqur në skenat e teatrove më të njohur të Evropës dhe të botës, përfshi edhe
skenat teatrore të Japonisë, të Australisë dhe të Kilit.
Në vitin 2000, iu dha çmimi teatror kryesor nordik,
ndera për romanin “Melankolia” (Melancholia, 1995/1996) – çmimi “Melsom”.
Për punën letrare të ardhshme, shteti i Norvegjisë i akordoi bursë të
përjetshme.
Ka shkruar mbi dyzet drama. Shumë drama i
janë përkthyer në pesëdhjetë gjuhë. Konsiderohet si një prej dramaturgëve
bashkëkohorë më të mëdhenj dhe më të shfaqur në botë. Romanet e tij janë
përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës. Sidomos janë lexuar dhe lexohen romanet
“Mëngjesi dhe mbrëmja”, “Melankolia 1”, “Melankolia 2” dhe “Septologjia”.
“Magnum opus” i tij në lëmin e prozës
është cikli i romaneve “Septologjia” që e përfundoi në vitin 2021, e që
konsiderohet vepra letrare më e rëndësishme e tij.
* * *
Në
romanin “Mëngjesi dhe mbrëmja” gruaja e peshkatarit Olai - Marta është
në çastet e lindjes së fëmijës. Për peshkatarin, kjo është një ngjarje e madhe.
Ata kanë një vajzë – Magdën. Lindja është e vështirë. Pranë Martës ndodhet
mamia e moshuar Ana. “Po qe se lind djalë, do t’ia vë emrin e tim ati,
Johanes. Kur të rritet, edhe ky do të bëhet peshkatar si unë” - thotë Olai
dhe bërtet me zë: “Foshnja do të vijë në këtë botë të ftohtë, aty do të jetë
vetë, i ndarë nga Marta, i ndarë nga të gjithë, gjithmonë do të jetë vetë. Kur
të kalojë e gjitha, kur të vijë koha, do të rrënohet dhe do të shkojë atje nga
ka ardhur, nga asgjëja do të shkojë në hiçgjë. E tillë është rrjedha e
jetës...”
“Mëngjesi dhe mbrëmja” është roman që, duke hyrë
në thelbin e lindjes dhe të vdekjes, i lidh dy pikat e jetës së njeriut. Në mes
ndodhet jeta që duket se gjithmonë është e njëjtë, por gjithmonë edhe ndryshe.
Roman madhështor për ëndrrën kur jeta kishte kuptim.
Të
shkruarit e ka çuar Fossenë në alkoolizëm por edhe e ka nxjerrë prej
tij, për ta afruar me Zotin. “Kur shkruaj, më duket sikur më flet dikush
tjetër. Unë e shënoj atë që dëgjoj”.
Vitet e fundit Fosse shkruan vetëm pjesë teatrore
të cilat sot janë pjesë përbërëse e repertorëve të metropoleve teatrore të
Evropës.
* * *
Herë-herë e kanë krahasuar me
romancierin dhe dramaturgun irlandez, kryesisht të shprehjes franceze Semjuel
Bekit (Samuel Becket, 1906-1989). Në mesin e njëqind gjenive më të mëdhenj
të gjallë, gazeta Daily
Telegraph e ka renditur Fossenë në vendin e
83-të, ndërsa gazeta Le Monde i Parisit e ka quajtur “Becketti i
shekullit XXI”.
“Jon Fosse është
poet i së panjohurës. Mbase kështu më së lehti mund të sqarohet suksesi i madh
i tij. Ai na jep neve diçka që na mungon” – Den internasjonale Ibsenprisen / The
International Ibsen Award.
* * *
Pretendues seriozë të sivjetshëm për ta marrë
çmimin “Nobel” për letërsi, midis tjerëve kanë qenë edhe shkrimtarja avangarde
kineze Kan Sue (Can Xue, 1953-
); shkrimtari bashkëkohor japonez Haruki Murakami (1949- ); prozatorja,
poetja dhe kritikja kanadeze Margaret Atvud (Margaret Atwood,
1939- ); prozatori anglez me prejardhje indiane, i cili rrjedh nga një familje
myslimane e Indisë në të cilën flitet gjuha urde dhe angleze, Salman
Rushdi (Salman Rushdie, 1947- ); shkrimtari australian Gerald Murnane (1939- ), të cilin The New York Times
e ka quajtur dikur “shkrimtari më i madh i gjallë në gjuhën angleze
për të cilën shumë njerëz kurrë s’kanë dëgjuar”. Si laureat i mundshëm
është përmendur edhe shkrimtarja ruse, kritike e hapur e Kremlit - Ludmilla
Ullicka (Lyudmila Evgenyevna Ulitskaya, 1943- ), e njohur për romanet epike
të saj.
* * *
Veprat: Romanet më të njohura: “Melankolia I” (1995); “Melankolia
II” (1996); “Mëngjesi dhe mbrëmja” (2000); “Ky është Alesi” (2004);
“E kuqe, e zezë” (Raudt, svart); “Vigjilenca” (2007) etj. Romani “Septologjia” (2021) është vepra më e rëndësishme e tij.
Përbëhet prej tre vëllimeve dhe është i ndarë në shtatë pjesë.
Dramat më të njohura: “Emri” (Namnet, 1995);
“Fëmija” (1996); “Nëna dhe fëmija” (1997); “Biri” (1997); “Njeriu
me kitarë” (1999); “Ëndërr vere” (Ein sommars dag, 1999); “Vizitorët” (2000); “Dimri” (2000);
“Pasdite” (2000); “Vasha në sofë” (2002); “Vdekja e qenit”
(2004); “Ëndrra” (2005); “Hijet” (2006); “Unë jam erë”; “Dhe kurrë s’kemi për t’u ndarë” (Og aldri skal vi skiljast); “Ëndërr vjeshte” (Draum om hausten, 1999).
Përmbledhjet me poezi, midis të
cilave shquhet “Engjëlli me ujë në sy” (Engel med vatn i augene, 1986).