Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Shtëpia e pemëve të jetës
E merkure, 04.10.2023, 06:44 PM
SHTËPIA E PEMËVE TË JETËS…
-
Vepër nga Adrian Paci në Milano -
Nga
Visar Zhiti
Sapo
na thanë që në Milano, në pjesën moderne të metropolit italian, në “City Life”
është një vepër e artistit shkodran, Adrian Paci, që jeton dhe punon në këtë
qytet, ku jep leksione universitare, - e dinim që është i njohur në mbarë botën
e artit - dhe nxituam të shkonim ta shihnim. Ç’ishte, skulpturë, kompleks
monumental, instalacion modern?
-
Vërtet kam kërshëri, më duket e mrekullueshme… - po u thosha miqve tanë, Lulit
dhe Albanin, që po na çonin për atje mua me Edën time dhe do të shihnim se
vepra e Adrian Pacit ishte të gjitha ato që kisha menduar dhe më shumë…
Makina
rendëte rrugëve të Milanos dhe çdo shesh më dukej si “Piazzale Lagosta”, ku
banonte Maestro Ibrahim Kodra, legjendari, siç po e quante në takimet tona
poeti dhe kritiku i artit italian Sebastiano G.
Milano
ka ndryshuar dhe është modernizuar edhe në arkitekturë duke ruajtur vetveten,
po thoshim, ndërsa unë shtova se, kur donim të shihnim një vepër të Kodrës tonë
dikur, duhej të futeshim brenda, në shtëpinë e tij, në studio, në ndonjë
galeri, ekspozitë, ndërsa sot, që duam të shohim një vepër të Adrian Pacit
tonë, duhet të rendim jashtë, në sheshet e mëdha… aty ishte, permanente… po
ndjeja emocion…
Po
na prisnin dhe Adriani me Melisën e tij. Iu afruam Veprës së mermertë. Arketipi
i një shtëpie pa çati, me pemët brenda më të larta se muret, ato ishin banorë
të saj. Fasada për një çast - si asosacion ideje, - më kujtoi Katedralen e
Shkodrës, edhe kullat e malësorëve, por Duomon në Firence më shumë, po ajo
ngjyrë mermeri. Rozetat ornamentale ngjajnë dhe me punët me grep, çentrot e
nënave tona.
Dolëm
nga pas shtëpisë. Befasi krijuese, Paci nga ajo që duket e zakonshme, muri dhe
pemët, psh, krijon si me realizëm magjik të pazakonshmen, por që është
gjithsesi dhe e natyrshme, gjenialiteti i tij artistik arrin thellësitë e asaj
që duket e zakonshme, por dhe paradoksale…
Shtëpia
e Adrianiane është e banuar nga pemët, të tilla që i gjen dhe në Shkodrën e
tij, por janë pemë biblike:
fiku
- gjethet e të cilit ishin veshja e parë e njeriut, Adamit dhe Evës, por që
simbolizojnë pjellshmërinë dhe dijen, hurma - simbol i 7 virtyteve, shega-
kthimin e përjetshëm dhe dashurinë e mëshirshme, qiparisat- janë tipike të
trojeve, ku gjen prehjen jeta tokësore. E gjitha është një ftese për të
aktivizuar marrëdhëniet mes njeriut, natyres dhe artefaktit në një kontekst
urban, është shkruar në targetin mbi bar ndan Veprës. Është kujtimi i shtëpisë
tradicionale mes grataçieleve të se ardhmes, - shtoj unë. - Është metafora e
jetës, që tenton qielloren dhe Qiellin.
Nuk
të iket nga kjo shtëpi e artit…