Faleminderit
Dorian Koçi: Edhe 100 elektriçistit Lech Walessa që i ndrroi siguresat regjimit polak
E premte, 29.09.2023, 06:51 PM
Edhe 100 elektriçistit Lech Walessa që i ndrroi siguresat regjimit polak
Nga
Dorian Koçi
Lech
Walessa sot mbushi 80 vjeç. Ai është figura mitike e themelimit dhe rezistencës
së Solidarnosit në Poloni, sindikatës së pavarur të punëtorëve. Lëvizja
Solidarnos luajti një rol shumë të madh në deskrititimin e imazhit të një
partie komuniste siç ishte ajo polake dhe në shkatërrimin e monopolit të
përfaqësimit të pushtetit politik të klasës punëtore nga një parti komuniste.
Më
herët në Poloni në 1956, 1970 dhe 1976 protestat e punëtorëve në uzina dhe
fabrika ishin shtypur nëpërmjet aparatit të dhunës të stukturave të Ministrisë
së Brendshme por në vitin 1980 kjo gjë nuk ishte më e mundur. Në vend prej
kohësh që prej proceseve të montuara gjyqësorë ndaj punëtorëve u ruajtën
kontaktet midis familjeve dhe punëtorëve të akuzuar dhe të rinjtë dhe
intelektualët opozitarë ishin nisiatorët e fillimit të luftës së intiligjencës
për të të drejtat e njeriut dhe kushtetutën , i grupeve të organizuara të opozitës (KOR,ROPICO) . Në këtë mënyrë
ishte krijuar një bllok opozitar që me protestat dhe formimin e Solidarnos mori
përpjestime më të mëdha duke sfiduar seriozisht pushtetin monopartiak të
partisë Punëtore Polake dhe trashëgiminë e saj të dhunshme komuniste.
Në
vitin 1980-1982 regjimi komunist polak në bashkëpunim me KGB-në dhe shërbime të
tjera partnere të vendeve komuniste të Evropës Lindore u përpoq përmes një
operacioni që kulmoi me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend të
shtypte reovltën e punëtorëve polakë. Pas konforntimeve të ashpra të ditëve të
para gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtypjen e fortë të manifestimeve në vitin
1982-1983, gjendja u karakterizua nga një dhunë e kufizuar. Militantët
kladenstinë ishin të ndërgjegjëshëm se do të vuanin pak vjet në burgjet që
pastroheshin nga amnistitë. Në këtë stad të evolucionit, sistemi kishte shkuar
shumë larg origjinës së tij staliniste.Evolumi i ngjarjeve nga janari 1989 deri
në qershor 1989 solli në fuqi qeverinë e Tadeusz Mazovieckit , të parën qeveri
që nuk përfshinte më monopolin e Partisë Punëtore Polake dhe i hapi udhë
pluralizmit politik në Poloni.
Ngjarjet
e revoltës së “Solidarnosit” dhe rrëzimi i pushtetit komunist në Varshavë patën
jehonë jo vetëm në Evropën Lindore por edhe në Tiranën zyrtare. Ndryshimet
demokratike dhe institucionale u trajtuan duke theksuar qëndrimin e regjimit
shqiptar kundër çdo pluralizmi politik dhe social. Shtypi zyrtar e shprehu këtë
refuzim në një numër artikujsh që e përshkruan pluralizmin si “të papajtueshëm
me socializmin dhe me parimet themelore të teorisë marksiste-leniniste .Duke
komentuar ngjarjet hungareze dhe polake,një zyrtar i lartë i Partisë së Punës
theksoi se krijimi i pluralizmit politik në vendet e Evropës Lindore
përfaqësonte dështimin e revizionizmit dhe jo të komunizmit. “PPSh-ja e ka bërë
të qartë, jo vetëm tani, por menjëherë pas zhvillimeve të Kongresit famëkeq të
njëzetë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që rruga anti-marksiste e
përqafuar nga revizionistët modernë ishte e destinuar për të rivendosur
sistemin kapitalist dhe ai sistem nuk do të sjellë asgjë, përveç krizave,
zhgënjimit dhe dështimit të fortë. Tani e gjithë bota mund të dëshmojë këtë.
Udhëheqësit komunistë shqiptarë dhe ideologët kryesorë të regjimit u munduan të
argumentojnë se Shqipëria nuk ishte as lindje as perëndim dhe se PPSH kishte
denoncuar prej kohësh revizionizmin sovjetik dhe shndrrimi i këtyre vendeve nga
vende komuniste në vende kapitaliste ishte një zhvillim i pashmangshëm i
devijimit të tyre nga ideologjia komuniste.
Lech
Walessa ishte Presidenti i parë i zgjedhur pas rrëzimit të komunizmit në Poloni
dhe që gëzoi një popullaritet të madh, por jo të mjaftueshëm për tu rizgjedhur
në 1996. Kur humbi zgjedhjet BBC publikoi një foto ku kishte vajtur për peshkim
duke dhënë shembullin më të mirë të lojës së demokracisë në terren. Sjellja e
tij demokratike krijoi standartet e duhur për Poloninë që vetëm 8 vjet më vonë
u pranua në B.E.
Në
Shqipëri për fat të keq zgjedhjet e vitit 1996 u manipuluan dhe opozita u
dhunua, çka solli dëme të pariparushme për jetën politike të vendit. Shqipëria
ende nuk është anëtare e B.E dhe mëkati fillestar i zgjedhjeve të manipuluara i
shenjoi fatin si talisman i keq.
Pjesë nga libri
Dorian Koçi, Nga Adriatiku në Balltik Udhëkryqe shqiptaro-polake, Toena, Tiranë, 2020.