Speciale » Basha
Sabile Basha: Kadri Veli Halili - Atdheu mbi të gjitha
E shtune, 23.09.2023, 07:00 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
KADRI
VELI HALILI “Beba”, ATDHEU MBI TË GJITHA
(1881-
u pushkatua më 12 shkurt 1948)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Kadri Veli Halili me pseudonimin “Beba”,
ishte i lindur në lagjen Graiçevci të
fshatit Ribari i Madh, më 1881. Nga babai Veli dhe nëna Fata, e lindur
Rashiti. Në kohën kur u arrestua ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve:
Xhevës- 20 vjeçare, Tafës- 19 vjeç, Ajshes- 12 vjeçe dhe Avdullahu, 9 vjet Deri sa u arrestua ishte i pa dënuar. Ndërsa
në burg ndodhej që nga 10 marsi 1947.
Gjatë
kohës së Jugosllavisë së vjetër ai ishte marr me bujqësi, dhe kishte qenë
kryetar i fshatit Ribar i Madh. Pastaj jep dorëheqje dhe më vitin 1943, përsëri
ai caktohet kryetar i komunës së Lipjanit. Njihej si një njeri i përbetuar për
mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Atëherë, ministër i Kosovës në Qeverinë e
Tiranës, Ilaz Agushi, e kishte emëruar Kadri Bebën kryetar të komunës së
Lypjanit. Gjatë periudhës prej vitit 1941 e deri në fillim të fund të vitit
1944 ka mbajtur kontakte me krerët më të lartë të kohës. Ka kontribuar në
dërgimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike, sidomos në Frontin e
Prapashticës, ku kishte caktuar, kushëririn e tij Salih Rexhën, komandant të
njësive të rrethit të Lypjanit. Me 14
prill 1943, përmes vullnetarëve të vet dhe kryetarëve të fshatrave, e kishte
organizuar popullin e komunës së Lipjanit nën komandën e tij dhe në bashkëpunim
me njerëzit nga komuna e Sedllarit dhe Komoranit që të mbrohen nga grupe
partizanësh që ndodheshin në malin e Lipovicës. Me ç’rast, në këtë përleshje
janë vrarë mbi 6 partizan.
Kadri
Beba, ishte pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, po ashtu ishte edhe
veprimtar i LNDSH-së. Kishte marr pjesë në shumë tubime të ilegales. Ai bashkë
me grupin e tij ishte pjesëmarrës në punimet e Kongresit të V të LNDSH-së që u
mbajt më 25 korrik 1946, në Lipovicë.
Luftëtari
dhe patrioti i madh, Kadri Beba, në radhët e ilegales njihej si një ndër organizatorët më të mirë. Ai, veç kësaj,
ishte strateg i mirë i ecurive
luftarake. Në vjeshtën e vitit 1944 ai kishte bërë mobilizimin e popullatës në
komunën e Lipjanit që nga mosha 16-17 vjeçare që të marrin pjesë në luftë
kundër partizanëve në atë anë.
Ndërsa
në dimrin e vitit 1944/1945, me gjithë familjen kalon në ilegalitet. Në këtë
kohë organizon grupin e armatosur 535, që ka qenë udhëheqës i tyre. Grupi i
tij numëronte mbi 70 vullnetar të ndarë në 3-4 grupe më të vogla. Zëvendës i
Kadriut ishte Sadri Sejdiu nga fshati Busi, i cili ishte plagosur në luftimet
në Hoqë të Prizrenit më 8 gusht 1946, duke tentuar për të kaluar kufirin për
Greqi. Kadri Beba, lëvizte me grupin e tij në territorin e rrethit të
Graçanicës, Llapit dhe Drenicës dhe rregullisht i mbante lidhjet me grupet
tjera vullnetare, siç ishte grupi nga Gjilani- Din Hoxhen, Ajet Gërgurin, Ukë
Sadikun, Gjon Serreçin, Arif Shalën, Ibrahim Lutfiun, Azem Jashanicën, e shumë
atdhetar të tjerë.
Kudo
që lëvizte Kadri Beba kishte mbështetjen e popullatës sidomos në rrethet e Drenicës dhe në fshatrat Vërshevc,
Krajmirocë, Verigovc, Zllokuqan dhe në Ribarin e madh. Por duhet cekur se ai
shkonte gjithandej kudo që kishte nevojë për mbrojtje e fshatrave gjithandej
Kosovës. Me Ukë Sadikun ishte mik e shok i ngushtë në idealin e tyre. Ai
kalonte shpesh në rrethin e Podrimës, ku takohej me të dhe bisedonin për
situatën e krijuar në Kosovë. Kadri Beba ishte luftëtar i përbetuar i cili
luftonte për bashkimin e trojeve shqiptare. Duhet theksuar se ai ishte shumë
aktiv sidomos në luftën e gushtit 1945, që u bë në malin Kaqandoll, me ç’rast
aty ishin vrarë 7 partizan, po ashtu edhe lufta që është zhvilluar më 13 mars
1946 në malin e Mramorit, ku gjithashtu ka pasur të vrarë.
Në
fund të luftës në Kosovës forcat partizane komuniste ia arrestuan tërë meshkujt
e familjes, dhe për lirimin e tyre e kushtëzuan me dorëzimin e tij tek organet
e OZN-es. Ai pranon të sakrifikohet për familjen dhe arrestohet më 10 mars të vitit 1947. Pasi arrestohet, organet e sigurimit atë e
marrin në pyetje tri herë: me 3, 4, e 6 maj 1947. Të gjitha marrjet në hetuesi
i bënë krye hetuesi Qeda Topalloviqi. I cili gjatë hetuesisë e torturon dhe e
malltreton në mënyrën më shtazarake.
Sipas
aktgjykimit të Gjyqit Ushtarak të
Divizionit në Prishtinë, në përbërje të kryetarit togeri Smajl R. Softiqit-
kryetar i këshillit, gjyqtari ushtarak- majori Marko Gjuroviq, si dhe kolonelit
Millan Beriq, ndërsa procesverbalin e mbante sekretari i gjyqit, koloneli Vllada Nikoliq. Aktakuzën ndaj të arrestuarve
e kishte paraqitur gjyqtari ushtarak i divizionit të III-të Dushan Llozanqiq,
kundër: Kadri Veli Bebës, Ahmet Selmanit, Smajl Isufit, Maliq Mal Rrahimit dhe
Jakup Ajet Durmishit. Aktakuza e rëndonte për vepra penale nga neni 3, pika 3
dhe 7, e ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit, të cilat i
mbronte Jakuna Velibor Berisavljeviq nga Gjilani, në bazë të aktpadisë së hapur
dhe të mbajtur me gojë të datës 24-25 nëntor 1947. Gjykata e lartpërmendur me
25 Nëntor 1947, para të pranishmëve ka komunikuar Aktgjykimin :
1.
Kadri Veli Beba është dënuar me vdekje-pushkatim dhe humbjen e lirive politike
dhe të disave qytetare për një kohë të gjatë të përjetshëm.
2.
Ahmet Selmani me dënim heqje lirie dhe me punë të dhunshme në lartësi prej 15
viteve, si dhe humbjen e të drejtave politike dhe të disave qytetare, përveç të
drejtave prindore prej 5 viteve pas mbajtjes së dënimit apo faljes së dënimit
kryesor. Ndërsa koha e kaluar në burg nga 26 gushti 1947, të llogaritet në
dënimin e dhënë.
3.
Smajl Jusufi me dënim heqje lirie, me punë të dhunshme prej 15 viteve, si dhe
me humbjen e të drejtave politike dhe të disave qytetare, përveç të drejtave
prindore prej 5 viteve pas mbajtjes së dënimit apo faljes së dënimit kryesor.
Ndërsa koha e kaluar në burg nga 26 gushti 1947, të llogaritet në dënimin e
dhënë.
4.
Maliq Mal Rrahimi me dënim me vdekje- pushkatim, si dhe humbjen e lirive
politike dhe të disave qytetare të përjetshme.
5.
Jakup Ajet Durmishi me dënim me vdekje- pushkatim si dhe humbjen e lirive
politike dhe të disave qytetare të përjetshme
Ekzekutimi
me vdekje-pushkatim për Kadri Veli Bebën nga Lypjani u krye me 12 shkurt 1948.
Dënimin me vdekje e kryen Seksioni i
Punëve të Brendshme pranë G.M.P. në Prishtinë, përmes organeve të policisë
popullore. Në ekzekutim ishin të pranishëm: 1. Shefi i Seksionit të Punëve të
Brendshme pran G.M.P, Hashim Mustafa; 2. Zyrtari i Seksionit të Punëve të
Brendshme pranë Këshillit Popullor në Prishtinë, Rrezak Shala; 3. Prokurori
Ushtarak i Divizionit të III-të në Prishtinë, togeri Dushan Llozaniq; 4. Mjeku
i qytetit, Dr. Vasilije Jovanoviq.
Pas
kësaj, në vendin ku është caktuar që të kryhet dënimi me vdekje- pushkatim e
kryer ekzekutimin aradhe e policisë popullore nën komandën e udhëheqësve të saj
të ultë, me krisma rrebesh të pushkëve, pasi që para kësaj është sjell në
varrin e hapur. Pushkatimi është kryer në ora 5 të mëngjesit pa pranin e
publikut në vendin e quajtur Taukbahqe në Prishtinë, ku edhe sot nuk dihet varri
i atdhetarit të madh Kadri Beba.