| E enjte, 21.09.2023, 07:00 PM |
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
PROF.
DR. SYLEJMAN LLESHI, NACIONALISTI I PËRBETUAR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR
(1914-
u pushkatua më 11 gusht 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Profesor
Doktori dhe atdhetari i devotshëm Sylejman Lleshi u lind në Tiranë, më 7
dhjetor 1914. Nga babai Muharrem Lleshi. Shkollën fillore dhe të mesmen i
mbaroi në Tiranë, duke tregua sukses të shkëlqyeshëm. Më vonë vazhdoi studimet
për veterinari në Torino të Italisë. Por, Sylejmani i ri, donte më shumë
letërsinë, andaj më vonë e regjistroi edhe atë. Në rinin e tij, ai, ishte i
gjithanshëm. U tregua i zoti si në lëndët që studionte, por edhe në letërsi, në
sport, në njohjen e gjuhëve të huaja dhe në gjithçka tjetër. Bile, më 1932,
kishte marr medaljen e artë në hedhje shtize. Me okupimin e Shqipërisë nga
italianët, me 7 prill 1939, ai udhëton për Itali, për të studiuar me një grup
studentësh shqiptarë si: Halim Begeja, Seit Kazasi, Abdullah Shehri e shumë të
tjerë. Sylejmani i ri e urrente fashizmin andaj nuk ishte i rastit organizimi
që ndërmori me grupin e studentëve që studionin në Torino, për të bërë
atentat në Benito Musolinin, më 14 maj
1939, kur me këtë datë, do të mbante një fjalim në vendin ku studionin. I tërë
ky aksion dështoi ngase zbulohet atentati . Më 10 gusht 1939, e fusin në burg
në ishullin San Nikolla di Tremiti. Aty qëndroi deri në tetor 1941. Gjatë kohës
sa ishte në burg Sylejmani mësoi gjuhën gjermane dhe angleze, ndërsa gjatë
shkollimit kishte mësua gjuhën italiane dhe
frëngjishten. Pasi del nga burgu, më 1941, ai përsëri u angazhua që të
përfundoi studimet për veterinari. Nga Italia u kthye me dy diploma dhe me dy
doktorate. Sylejman Lleshi nuk ishte njëri që kënaqej me pak. Veç mësimeve që
bënte ishte shumë i pakënaqur me luftën që zhvillohej në vendin e tij, andaj,
pa humbur kohë angazhohej me forcat nacionaliste dhe formojnë Ballin Kombëtar.
Balli Kombëtar në Tiranë menjëherë pas formimit hodhi në Tiranë traktin e parë
që e kishin quajtur Dekalogu, që njëherë ishte edhe programi i tyre politik. Në
Dekalog bëhej thirrje për bashkim gjithëkombëtar kundër pushtuesit italian dhe
pushtuesve të tjerë. Më 1 gusht 1943 u mbajt mbledhja e Mukjesë, në të cilën
mori pjesë edhe Sylejman Lleshi. Nga këtu Sylejmani arrestohet ndërsa i vëllai
internohet në Porto Ramano. Ndërsa në Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar, që u
mbajt në Berat me 3, 4 e 5 janar 1944, Sylejman Lleshi ishte caktuar delegat
nga Tirana.
Në
maj, te vitit 1944, kishte ardhur lajmi se forcat çetnike kishin sulmua
Bihorin, tokë shqiptare në Malin e Zi, dhe po bënin kërdi në popullatën e
pafajshme. Ky ishte sulmi i dytë në Bihor. Me iniciativën e Mit’hat Frasherit,
Sulejman Lleshit, Seit Kazazit e Halim Begese, u formua një batalion
vullnetaresh me te rinj nga Balli, qe u pagëzua me emrin e dëshmorit “Besnik
Çano”. Pas një luftimi të madh që bënë në Morinë, ata kthehen në Tiranë. Në
ndërkohë, Sylejman Lleshi me një grup të rinjsh ballist zihen nga një batalion i Brigadës së Tretë
partizane, më 1944. Ata i dorëzohen këtij batalione, pasi se Sylejmani merr
vesh se komandant i tij ishte shoku i
tij nga studimet në Itali- Hamit Kuçi. Me forcat partizane ai hynë në Kosovë,
respektivisht në qytetin e Gjakovës.
E
thamë se Sylejman Lleshi ishte antikomunist i përbetuar, andaj me ardhjen në
Gjakovë ai e shfrytëzon rastin, ngase e mundonte shumë reumatizmi dhe çalonte
në një këmbë dhe, ecte, me ndihmën e një bastuni. Me arsye se nuk mundte të
vazhdonte më tej me brigadën, kërkon që të mbetët në Gjakovë. Prof. Zekiria
Rexha, kishte dëgjua për shkollimin superior të tij dhe për aftësitë që kishte
profesori, andaj kërkoi që të takohet me të. Pas njohjes me të, kërkoi nga
brigada që ta lironin dhe menjëherë e emëroi drejtor të gjimnazit në qytet.
Pasi
filloi punën si drejtor, njohjet e tij ishin të mëdha me shumë patriot të
Kosovës. Duke e parë situatën e krijuar, ai nuk mundi të rrinte duarkryq. Pas
një kohe u angazhua që të formonte Komitetin e Organizatës “Besa
Kombëtare” në Gjakovë. Qëllimi i organizatës “Besa Kombëtare” ishte, që të
formojnë sa më shumë komitetet të reja në terrenin e Kosovës dhe të Sanxhakut.
Sipas instruksioneve të prof. Ymer Berishës, u angazhuan që fillimisht të
formonin në Pejë, një komitet, e më vonë edhe në qendra tjera. Me formimin e dy
komiteteve në Pejë, u formua edhe Komitetin e Ri Qendror. Në komitetin e ri
Qendror u caktua Hajdar Planeja- Maloku, për kryetar, për anëtar u caktua Enver
Sudi, Gjergj Bahtiri, Kiolë Parubi, Marsel Vuçaj dhe at Bernard Llupi. Detyrat
e komiteteve, që kishin prioritet, ishin ato që sa më shumë të rinj të
përfshihen në radhët e organizatës dhe të bëhej informimi i drejt për
riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Të vinin sa më tepër
kontakte me masat e gjëra, dhe sa më shumë ti brumosnin me ndjenjën patriotike
ndaj atdheut, dhe të nxisnin urrejtjen ndaj okupatorit. Lirisht mund të thuhet
se këto ishin detyra të përgjithshme që vlenin për tërë organizatën. Si detyrë
tjetër me prioritet për Komitetit të Ri
Qendror ishte fillimi i menjëhershëm i përgatitjeve për luftë të armatosur
kundër okupuesit, dhe të punohet sa më shumë në drejtimin e bashkimit të
trojeve shqiptare.
Në
ndërkohë u formuan komitetet e rretheve në Gjakovë, në Prizren, në Istog, në
Drenicë. Në Pejë ishte i formuar komiteti më herët. Komitetet e komunave u
formuan në Kievë të Rahovecit, në Has të Prizrenit, në Ponoshec, në
rrethin e Gjakovës, në Polac, në Glanasellë në rrethin e Drenicës, në Klinën e
Poshtme dhe të Epërme dhe në Runik.
Të
gjitha komitetet kryenin detyrat që iu kishte caktuar komiteti Qendror. Por,
një aktivitet më të dendur e zhvillonte komiteti i rrethit të Gjakovës. Ky
rreth me punën e vet formoi edhe dy komitete rajonale. Kryetar i komitetit të
rrethit të Gjakovës ishte drejtori i shkollës Prof.dr. Sylejman Lleshi, anëtarë
ishin: Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, Skender Curri dhe Mavrush Nura profesor
nga Gjakova, Dula Hilmiu e Murteza Kryeziu mësues, Nusret Zeka nga Shqipëria.
Gati shumica e anëtarëve të këtij komiteti më parë i takonin partisë së
juristëve të Sylejman Rizës nga Gjakova. Me një unitet të madh të gjithë
këta anëtarë ia dolën të zhvillojnë një aktivitet dhe të kryejnë punë shumë të
frytshme në organizimin e organizatës.
Aktiviteti
i madh dhe i përkushtuar i drejtorit Sylejman Vokshi, nuk kaloi pa u hetuar nga
organet e ndjekjes jugosllave. Më 1946, në muajin shkurt, në banesën e tij hynë
udbashët pa paralajmërim dhe e arrestojnë profesorin patriot. Të nesërmen para
se të fillonte mësimi, u njoftuan nxënësit dhe mësimdhënësit për arrestimin
e profesor Sylejman Lleshi. Të gjithë
ata, e priten me një indinjatë. Atë ditë nuk u mbajt mësimi dhe të gjithë
protestuan ashpër kundër arrestimit. Pas protestave, profesorin e liruan për ta
arrestuar disa ditë më vonë.
Prof.
Sylejman Lleshin e arrestuan me tradhti, duke e marr gjëja se po shkonin në
Deçan për të mbajtur një ligjëratë para nëpunësve të këtij qyteti. Nga aty me
duar të lidhura e dërgojnë në burgun e Pejës- Kulla e Sheremetit, që ishte një
Had i vërtet. UDB-ja nuk do të ishte e tillë po qese do të ndalet me kaq.
Andaj, në ndërkohë u arrestuan edhe profesorët e tjerë si: Skender Curri, Zef
Neka. Pas një viti, me 1947, u arrestuan edhe Nevruz Nura, duke e dërguar në
burgun e Prishtinës, ku u mbajt dy vjet.
Pas
një hetimi disa mujor, duke përdorur maltretime, dhunë e tortura të papara,
grupi i ilegales patriotike shqiptare doli para gjyqit, ku dënimet ishin
paracaktuar edhe pse nuk kishte fakte. “Gjykimi i profesor Sulejmanit dhe të
tjerëve”, kështu e quajtën procesin gjyqësor. Ymer Ismail Ukshini, një
dëshmitar nga fshati Morinë i Gjakovës, kishte treguar se , “Gjykimi u mbajt ne
maj te vitit 1946, ne gjykatën e qarkut te Pejës dhe zgjati 3 dite. Trupi
gjykues përbehej prej gjykatësit Shoshkovic, prokurorit dhe dy poroteve. Ne
gjykatore, ishin sjell të burgosurit. Në të kishin marr pjesë edhe familjarët.
Nga kjo kuptojmë se, gjykimi kishte qenë i hapur. Ditën e pare ishin marr në
pyetje Sulejman Lleshi dhe Skender Curri. Ndërsa në ditën e dytë, ishin marr në
pyetje Ibrahim Ukshini, Ahmet Ibrahimi nga Peja dhe Bajram Morina nga Gjakova.
Te gjithë këta kishin mohua akuzat dhe nuk kishin pranuar asgjë. Gjykatësi iu
kishte shqiptua dënimet si: Sulejman Lleshit, iu kishte shqiptua dënimi me 12 vjet
burg; Skënder Currit, me 19 vjet burg; Ibrahim Ukshinit, i shqiptuan me 20 vjet
burg; Sefedin Komonit- 16 vjet burg të rëndë, Ahmet Ibrahimit- 18 vjet burg,
Myrteza Kryeziut- 14 vjet burg; Ramë Çollakut- 8 vjet burg; Mustafë Dylazekës-
5 vjet burg dhe Bajram Morinës 5 vjet burg. Të gjithë këta u dënuan me akuzën
se kishin veprua për shkatërrimin e rendit komunist dhe propagandë armiqësore
kundër Jugosllavisë dhe për nacionalizëm. Pas kësaj, të dënuarit i kishin
dërgua përsëri në Kullën e Sheremeti, në të cilën qysh më herët ishte marr
vendimi për likuidimin e tyre. Më 11 gusht, më 1946, erdhi dita e kobshme e
inskenimit se gjëja u thye burgu në pikë të ditës dhe nga aty dolën të
burgosurit: Sylejman Lleshi, Skender
Curri, Xhelal Preveza, Muharrem Mitrovica dhe shumë intelektual- patriot të
tjerë, derisa, ata dilnin nga burgu, në ndërkohë burgun e kishin rrethua forca
të mëdha ushtarake, policore e civile serbo-malazeze që pritnin vetëm një
sinjal për të shkrepur pushkët e tyre. Shenja u dha, gjëmoi rënd qyteti i Pejës
me rrethin. Ndërsa, në rrugë mbeten të shtrirë nga rafalët bijtë më të mirë
kombit shqiptar. Aty, të shtrirë për tokë,
qëndruan derisa filluan të dekompozohen kufomat. Më vonë të gjithë ata i
futen në një varr, të cilëve kurrë nuk iu zbulua vendi i varrimit.
Prof.dr.
Sylejman Lleshi, në kohën kur u pushkatua kishte vetëm 32 vjet. Në bazë të të
dhënave të veprimtarisë së tij ilegale, mendoj se profesori, gjatë tërë jetës
së vet qëndroi dhe eci i papërkulur dhe për asnjë moment nuk u nënshtrua.
Shpirti i tij prej poeti dhe prej një atdhetari të devotshëm, mbeti një shpirt
që gjakonte lirinë, një shpirt i një shtegtari që e kërkonte atë me çdo kusht.
Edhe tani kur po e kujtojmë atë, me këtë shkrim, zëri i tij na vjen si një
ushtimë që na fton për realizimin e ëndrrave të të gjithë atyre që ranë në
altarin e atdheut që qëllim suprem patën bërjen e Shqipërisë Etnike.