Mendime
Mehmet Kraja: Fjalë e mbajtur në Konferencën VII të Procesit të Berlinit, Tiranë 19 shtator 2023
E merkure, 20.09.2023, 06:54 PM
Fjalë e mbajtur në Konferencën VII të Procesit të Berlinit, Tiranë 19 shtator 2023
Nga
Mehmet Kraja
I
nderuar kryesues, të nderuar miq, kolegë dhe të tjerë të pranishëm,
Kosova,
në pak më shumë se 30 vjet, ka kaluar një periudhë me batica dhe zbatica të
mëdha: gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ne kemi jetuar aparteidin dhe
segregacionin në arsim, pra edhe në arsimin e lartë; pastaj luftën, me 13 mijë
të vrarë, ndër të cilët 1,100 fëmijë; pastaj shumë mësimdhënës dhe studentë të
vrarë, si dhe me shkatërrimin e pothuajse të tërësishëm të infrastrukturës
arsimore, laboratore, biblioteka, mësonjtore etj.
Me
vendime dhe ligje të Serbisë, duke i vënë në zbatim ato me dhunë policore, u
mbyllën institute shkencore dhe institucione arsimore, përfshirë edhe Akademinë
e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Procesi
e ringritjes së sistemit arsimor në Kosovë, edhe përkundër faktit se është
ndihmuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, ka qenë i vështirë. Përveç
kthimit në një proces normal arsimor, ka qenë e nevojshme të bëhet edhe
strukturimi, respektivisht bashkëkohësimi i sistemit dhe i procesit të
mësimdhenies dhe mësimnxënies.
Prandaj,
gjatë këtyre viteve ka qenë krejtësisht normale që edhe në sistemin e arsimit
të lartë në Kosovë t’i kushtohet më shumë kujdes procesit mësimor, sesa atij
shkencor, madje veprimtaria shkencore është reduktuar dukshëm në veprimtari
suplementare në raport me procesin arsimor dhe në një mënyrë është vënë në
shërbim të tij: marrja e titujve shkencorë dhe publikimi i punimeve shkencore
nuk po bëhet për programe as për punë shkencore, por për të avancuar me titujt
universitarë. Ky është një fenomen i përhapur edhe në tërë rajonin.
Me
një fjalë, ka fare pak ose aspak shkencëtarë të mirëfilltë, ka vetëm
mësimdhënës universitarë që merren me punë shkencore në mënyrë sporadike.
Më
anë tjetër, një numër i konsiderueshëm i të rinjve në Kosovë që tashmë janë
orientuar nga shkencat ekzakte, janë duke u shfrytëzuar si fuqi punëtore për
shërbime në fushën e internetit, duke e mos e vazhduar ngritjen e mëtejshme
profesionale, por duke u bërë fuqi punëtore e diskriminuar: pa sigurime, pa
asnjë të drejtë. Ndonëse nuk ka shënime të sakta, të tillë mund të jenë në
Kosovë rreth 5 mijë të rinj.
Dua
të ngreh para jush edhe një shqetësim tjetër: çështja e botimeve shkencore.
Duke
mos qenë anëtare e UNESCO-s, Kosovës i është pamundësuar të marrë ISSN-në për revista
shkencore dhe, për pasojë, të gjithë ata që duan të avancohen në procesin
mësimor universitar janë të detyruar të publikojnë punime shkencore në revista
me impakt faktor, i cili në Ballkanin Perëndimor, por jo vetëm këtu, është bërë
treg spekulativ, respektivisht i dyshimtë në të gjitha pikëpamjet. Nëse vonohet
pranimi i Kosovës në UNESCO, Akademia do të kërkojë nga Universiteti që të
rishikojë rregulloret e veta, në mënyrë që avancimet dhe marrja e titujve të
mos lidhet me botime të këtilla spekulative.
Prandaj,
do të doja që nga ky tubim të dalë si rekomandim që Kosovës t’i bëhet një vend
në familjen e madhe të kulturës dhe shkencës, pra në UNESCO, meqë pranimi në
këtë organizatë zgjidh edhe disa çështje substanciale që lidhen edhe me
veprimtarinë shkencore dhe universitare. Bie në kundërshtim të thellë
mospranimi i Kosovës në këtë organizatë me misionin dhe me parimet e saj themelore.
Ndërkohë,
neve na mbetet t’i realizojmë tre prioritete: 1) Të hapen institute dhe qendra
hulumtimi pranë fakulteteve dhe katedrave universitare; 2) Buxheti që ndahet për veprimtari shkencore
(i vogël, natyrisht) të shkojë ekskluzivisht për hulumtime shkencore dhe të mos
shpenzohet si buxhet suplementar për arsimin e lartë; dhe 3) Akreditimi i
universiteteve private të mos bëhet pa programe shkencore.
Ju
faleminderit!
https://www.facebook.com/mehmet.kraja