Mendime
Eshref Ymeri: Gjenerali që ia hoqi petën lakrorit rus
E marte, 19.09.2023, 06:56 PM
Gjenerali që ia hoqi petën lakrorit rus
Nga
Eshref Ymeri
Para disa ditësh,
në Portalin “Fjala e Lirë”, lexova një analizë mjaft interesante të gjeneralit Piro
Ahmetaj. Analiza titullohej “6 betejat e humbura dhe fundi turpërues i
luftës së Rusisë - Putiniste”.
Në
atë analizë, gjenerali erudit në fushën e artit ushtarak, ka folur me gjuhën e
fakteve. Të lënë përshtypje të thella rreshtat në vijim:
“... pas 18 muajsh do duhet risjellë në vetëdijen
publike, se udhëheqës të deformuar nga paranojat e (mbi) pushtetit dhe
nostalgjikë të “lavdisë së ushtrisë së kuqe” në Kremlin dhe jo
vetëm; politikanë të korruptuar dhe kamikazë anti-perëndimorë, si dhe sekserë
të interesave të oligarkisë (përfshi në Shqipëri), e mbivlerësuan
fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale...”.
Ajo “peshorja
tradicionale” e ka pasur dhe e ka “selinë”
para Kremlinit, në Sheshin e Kuq, ku çdo 9 maj transmetohen me bujë të
madhe paradat ushtarake të ushtrisë ruse, me të cilat, në vetëdijen e naivëve
perëndimorë dhe të rusomanëve të tjerë të Evropës, pa përjashtuar rusomanët
shqiptarë, banda oligarkike e Kremlinit, me neofashistin Putin në krye, është
munduar dhe mundohet të krijojë bindjen e patundur për “madhështinë” e forcave
të armatosura ruse, si ushtria me armatimin
“më modern” në botë. Këta naivë perëndimorë dhe rusomanë me gjykim të
cekët, nuk kanë qenë në gjendje ta kuptojnë që paradat ushtarake “madhështore”
në Sheshin e Kuq, kanë pasë shërbyer gjithmonë vetëm si fasadë për mashtrimin e
opinionit publik ndërkombëtar.
Zhvillimi i
ngjarjeve në Ukrainë pas sulmit të ushtrisë fashiste ruse dhe analiza mjaft e
argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, të bëjnë të kthehesh shumë prapa në kohë
dhe të kujtosh historianin dhe diplomatin francez Lui
Filip de Segyr (Louis
Philippe, comte de Ségur - 1753-1830). Në vitet
1784-1789 ai ka pasë qenë ambsador i Francës pranë oborrit të perandoreshës
ruse Ekaterina II (1729-1796) dhe në kujtimet e veta ka lënë këtë shënim:
“Rusia është një kolos me këmbë argjile”.
Një
kolonel rus, anëtar i shoqatës ruse të historianëve të luftës së dytë botërore,
ka deklaruar.
“Më
22 qershor 1941, pra, brenda një dite, Ushtria e Kuqe humbi 1200 aeroplanë”.
(Citohet sipas: Juri Rubcov. “Janë zbuluar dokumente të tmerrshme, të
mbajtura sekrete, për humbjet e vitit 1941”. Faqja e internetit “Svobodnaja
pressa”. 08 shtator 2023).
Shkrimtari Sergej
Bajmuhametov (1950) ka bërë publike një dukuri thellësisht domethënëse që është
vënë re në Rusi pas ardhjes në pushtet të neofashistit Vladimir Putin. Sulmi i
ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe zhvillimi i
ngjarjeve pas kësaj date, ka dëshmuar më së miri se në Rusi është vendosur
neofashizmi. Ai shkruan:
“Në dritën e
korrigjimeve të reja në legjislacion, të cilat janë të shumta, tani a ka rrezik
të dënohesh me burg nëse citon gazetat sovjetike të vitit 1939? Të gazetave të
tilla, në të cilat qenë botuar telegramet që shkëmbenin Hitleri, Stalini dhe
Ribentropi, si, fjala vjen:
“Miqësia e popujve
të Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik, e lidhur me gjak, i ka të gjitha
argumentet të jetë afatgjatë dhe e fortë (gazetat “Pravda” dhe “Izvjestija”,
25 dhjetor 1939). Ose të gazetave të tilla, në të cilat botohej fjalimi i kreut
të qeverisë sovjetike, Molotovit, në sesionin e sovjetit suprem të Bashkimit
Sovjetik”. (Citohet sipas: Sergej Bajmuhametov. “Paradokset
e historisë: në Rusi u ngrejnë shtatore përkrahësve të Hitlerit”. Faqja e
internetit “Novije Izvjestija”. 13 maj 2021).
Në atë fjalim,
Molotovi, si një komunist-fashist i rangut të lartë, shfreu tërë urrejtjen e
vet kundër një vendi fqinj, të cilin, Bashkimi Sovjetik, në bashkëpunim të
ngushtë me Hitlerin, kërkonte ta zhdukte krejtësisht nga harta e Evropës.
Prandaj ai pati deklaruar:
“Rezultoi e
mjaftueshme një goditje e shkurtër kundër Polonisë, fillimisht nga ana e
ushtrisë gjermane, mandej nga ana e ushtrisë së kuqe, në mënyrë që të shfarosej
kjo pjellë e shëmtuar e traktatit të Versajës”
(po aty).
Pra, politika
ruse, që nga koha e carizmit, periudha e diktaturës komuniste, deri te
neofashizmi i bandës së Kremlinit të ditëve tona, ka në themel egërsinë shoviniste
për pushtime territoresh të huaja. Por historia e ka vërtetuar me fakte se të
gjitha sulmet agresive që Rusia ka pasë ndërmarrë për pushtime të tilla, të
gjitha janë regjistruar si dështime, si faqe të turpshme në historinë e saj dhe
në atë botërore. Le të kujtojmë për një çast sulmin e ushtrisë së kuqe kundër
Finlandës më 30 nëntor 1939. Asokohe Finlanda kishte 3,5 milionë banorë, kurse
Bashkimi Sovjetik - 197 milionë Në një burim të internetit thuhet:
“Më 30 nëntor
1939, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën, me synimin për ta shtyrë kufirin nga Leningradi dhe për
të krijuar një qeveri-marionetë prosovjetike.
Komandantët ushtarakë patën planifikuar ta përfundonin luftën brenda 20
ditëve dhe të zhvillonin një paradë në Helsinki, për t’i bërë një dhuratë
Stalinit me rastin e ditëlindjes së tij më 21 dhjetor. Por fushata ushtarake në
Finlandë përfundoi me turp për ushtrinë e kuqe” (Citohet sipas: Gjergj Erman. “Lufta
dimërore: si e ndaloi Finlanda sulmin e Bashkimit Sovjetik, në të cilin u vranë
mijëra ukrainas”. Faqja e internetit “BBC News Ukraina”. 02 dhjetor
2019).
Agresioni fashist
kundër Finlandës, për tre muaj e gjysmë (30 nëntor 1939-12 mars 1940),
Bashkimit Sovjetik i kushtoi 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të
sakatuar, të zhdukur pa lënë gjurmë dhe të vdekur nga të ftohtit.
Bashkimi Sovjetik
po me turp e mbylli edhe fushatën agresive kundër Afganistanit, në të cilën u
vranë 30 mijë ushtarë dhe oficerë dhe 60 mijë mbetën të sakatuar.
Për këto agresione
kundër vendeve fqinje, me dështime të turpshme, fajin kryesor, para së
gjithash, e ka vetë popullit rus, i cili, tradicionalisht, ushqen respekt për
diktatorët gjakatarë. Prandaj shkrimtari, publicisti dhe mendimtari rus, Ivan
Shmelov (1873-1950), thotë:
“Rusët janë një
popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart
dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë...”.
Duke pasur
parasysh një të tillë formim psikologjik të popullit rus, jo rastësisht, më14 tetor 2016, në qytetin
e Orllovit të qarkut të Kirovit, për herë të parë në historinë e Rusisë,
u inagurua shtatorja e diktatorit gjakatar, carit Ivani i Tmerrshëm. Profesori
i Universitetit të Orllovit, Juri Malutin, ngriti padi kundër Kryetarit të
Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Por dardha e ka bishtin prapa. Në qytetin
Velikie Lluki të qarkut të Pskovit, më 15 gusht 2023, u inagurua shtatorja e
Stalinit me një lartësi prej 8 metrash. Me sa duket “epidemia” e ngritjes së
shtatoreve të diktatorëve do të vazhdojë të përhapet në mbarë Rusinë.
Pra,
dashuria e popullit rus për diktatorët është tradicionale, sepse, sipas
formimit të tij psikologjik, gjatë sundimit të tyre ka dalë shumë në pah
“madhështia” e Rusisë. Kjo “madhështi” ka rënë tepër në sy gjatë
sundimit të Stalinit, sidomos pas sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit
Sovjetik më 22 qershor 1941. Por disfatat e ushtrisë së kuqe në vitin 1941,
propaganda sovjetike i pati kaluar në heshtje, duke parapëlqyer mistifikimet
heroike për ato ngjarje, mistifikime që
kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe tani në Rusinë putiniste.
Historiani
rus dhe gjerman, Aleksandër Gogun, i Universitetit të Berlinit me frekuentim të
lirë, është autor i librit me titull “Gabimi i vitit 1941”. Ai shkruan:
“Statistika e thjeshtë dëshmon se Ushtria e
Kuqe, në vitin 1941, nuk u shfaros në luftë, ajo pranoi të binte rob e
vermahtit. Numri i ushtarëve të rënë rob kapte shifrën afërsisht prej 3,5
milionë, ndërkohë që ushtria efektive në qershorin e atij viti arrinte në 5,5
milionë ushtarë dhe oficerë, ¾ e të cilëve ishin përqendruar në kufijtë
perëndimorë të Bashkimit Sovjetik. Pa
prekur karakteristikat konkrete të luftimit,.. lidhur me armatën e blinduar
staliniane në gjysmën e dytë të vitit 1941, po japim një përshkrim të qartë,
deri në notat e groteskut, të atyre ngjarjeve, përshkrim që e ka përcjellë një
dëshmitar i drejtpërdrejtë - Taras Boroveci, komandant i një çete partizane
antisovjetike:
“Që nga deti Balltik deri në detin
e Zi, po shpaloset një pamje e paparë në historinë e njerëzimit... Divizione,
korpuse, ushtri, fronte të tëra tërhiqen me duart lart””. (Citohet
sipas: Aleksandër
Gogun. “Arsyet
e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”.
06 korrik 2021).
Po si
shpjegohet që ¾ e
ushtrisë efektive të Bashkimit Sovjetik, siç thekson historiani Aleksandër
Gogun, ishin përqendruar në kufijtë e tij perëndimor?
Përgjigjen
e kësaj pyetjeje e gjejmë në nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht
1939. Ky pakt fshihte
në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj
demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini
synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të
përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte
nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante
të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në
Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së
kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi
Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën
Perëndimore, dëshmohet edhe në dy burimet në vijim:
1. “… në planin
operativ të ushtrisë së kuqe është një shënim i zëvendësshefit të Shtabit të
Përgjithshëm, gjeneralit Nikollaj
Vatutin (1901-1944): “sulmi të fillojë më 12 qershor”. Faktikisht, nuk arritën
t’i grumbullojnë trupat, t’i përqendrojnë forcat dhe prandaj datën e shtynë për
një afat paksa më vonë”” (Citohet sipas: Aleksandër Gogun. “Arsyet
e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”.
06 korrik 2021).
2.
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit
sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe
Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06
korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të
trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.).
Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane
arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet
sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”.
Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).
Gazetarja
e njohur ruse, Julia Llatëjnina (1966), është ndalur në atë disfatë të turpshme
që pësoi ushtria e kuqe më 22 qershor 1941. Ajo shkruan:
“Më
22 qershor populli rus u shndërrua në kope frikacakësh... Si ta shpjegojmë atë
lemeri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke pasur epërsi mbi gjermanët
edhe në armatim, edhe në numër, edhe në cilësi, pati braktisur armatimin dhe u
hodh në anën e gjermanëve?” (Citohet sipas: Julia Llatëjnina. “Citate dhe
aforizma për Rusinë dhe rusët”. Faqja e internetit “Livejournal”. 04
mars 2023).
Pa
përmendur miliona jetë civilësh që ranë viktima nga radhët e popullit sovjetik
gjatë asaj lufte 4-vjeçare, po ndalemi vetëm në numrin e ushtarakëve të vrarë.
Në burimin e mëposhtëm thuhet:
“Pas
atij sulmi, humbën jetën... tetë milionë ushtarakë, nga të cilët rreth katër
milionë e gjysmë patën vdekur në kampet e përqendrimit për robërit ushtarakë” Citohet sipas: “Vojennoje
obozrenjije”. Faqja e internetit “topwar.ru”. 25 qershor 2010).
Vetvetiu
vjen përfundimi se historiani dhe diplomati francez Lui Filip de Segyr, ka pasur shumë të drejtë
me shënimin që ka pasë lënë më shumë se dy shekuj më parë për Rusinë, si një
kolos me këmbë argjile. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që ushtria e kuqe, e
armatosur deri në dhëmbë, siç vë në dukje historiani Aleksandër Gogun, pas 22
qershorit 1941, për pesë muaj rresht, vazhdoi tërheqjen e turpshme me humbje të
rënda përgjatë pothuajse 1100 km, deri në rrethinat e Moskës. Dhe vetëm më 5
dhjetor ajo u hodh në mëymje kundër trupave gjermane. Po pse pikërisht
më 5 dhjetor? Sepse aty i erdhi një
“ndihmë e pallogaritshme nga strategu i madh ushtarak”, me emrin “Dimri rus”.
Sigurisht që ushtria e kuqe do ta fitonte atë luftë, se mbronte vendin e vet,
sepse dihet që luftërat pushtuese gjithmonë përfundojnë me disfata. Por ushtria
e kuqe, fitoreve të merituara që korri deri në Berlin mbi ushtrinë naziste, u
vuri vulën e turpit me përdhunimin e 2 milionë vajzave dhe grave gjermane, nga
mosha 8 deri në 80 vjeçe, një turp ky i pashlyeshëm kurrë ndonjëherë në
historinë e mbarë njerëzimit. Me sa duket, sipas gjeneralëve dhe komandantëve
të Ushtrisë së Kuqe, të të gjitha niveleve, “fajtore” për sulmin e 22 qershorit
paskëshin qenë vajzat dhe gratë gjermane!
Dhe kundër tyre “duhej kryer” hakmarrja në mënyrën më të poshtër, më shtazërore.
Analiza
fort e argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, shërben si një leksion tepër
domethënës për nostalgjikët rusë në Shqipëri, të cilët patën menduar se trupat
fashiste ruse do të priteshin me lule në Kiev, ose Ukraina do të mposhtej
brenda 3-4 ditëve. Me këtë analizë, gjenerali i nderuar e ka zveshur lakuriq
Rusinë fashiste, ashtu siç e kanë zhveshur deri tani edhe forcat e armatosura
të Ukrainës, të cilat shumë shpejt ia nxorën të brendshmet jashtë bandës
kriminale të Kremlinit dhe të oligarkëve të babëzitur rreth saj, që, me
grabitjet skandaloze të pasurive të vendit, Rusinë e populluar nga
njerëz-skllevër, e kanë katandisur në
një gërmadhinë të kalbur, jo vetëm ekonomikisht, por edhe ushtarakisht.
Kaliforni, 18 shtator 2023