Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Barbaritë serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913
E hene, 18.09.2023, 06:59 PM
BARBARITË SERBE NDAJ SHQIPTARËVE NË VITET 1912-1913
Kush
e harron të kaluarën rrezikon që ajo t’i përsëritet.
(George Santayana (1863-1952), filozof amerikan
me prejardhje spanjolle)
Nga
Xhelal Zejneli
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më
23 dhe 24 tetor 1912, midis ushtrisë serbe dhe asaj turke u zhvillua beteja
e Kumanovës. Sipas disa raporteve që i përmend në librin e vet publicisti
vjenez Leo Frojndlih (Leo Freundlich, 1875-1953), pas fitores serbe në
këtë betejë, ushtarët turq të vrarë janë varrosur në një gropë të
përbashkët.
Kryepeshkopi i Shkupit Lazër
Mjeda* raporton në vitin 1912 se në fshatrat e Kumanovës ushtria serbe ka
kryer krime të rënda. Shtëpive të fshatarëve shqiptarë ua ka vënë flakën. Ata
që kanë tentuar t’i shpëtojnë zjarrit, i kanë vrarë. I njëjti burim thotë se,
për të mos harxhuar municion, fëmijët i kanë vrarë me bajoneta.
Korrespondenti i luftës nga Ballkani
për gazetën Kievskaya Mysl, Leon Trocki (me prejardhje hebraike)
flet për dëshmitë e një ushtari serb i cili thotë: “Shumë fshatrave të
rrethinës së Kumanovës, ushtria serbe ua ka vënë flakën. Skena të tilla janë
parë përgjatë vijës hekurudhore, deri në Shkup”. The New York Times
i boton të dhënat nga raportet austro-hungareze ku thuhet se midis Kumanovës
dhe Shkupit ushtria serbe ka vrarë rreth 3.000 civilë shqiptarë.
Shënim: Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda (Mjedë,
6.3.1869 – Shkodër, 8.7.1935) është klerik katolik, themelues i shoqërisë
kulturore “Agimi”, mbrojtës i çështjes kombëtare, vëlla i Ndre Mjedës (1866-1937).
Gjatë shërbimit në Shkup dhe në Prizren, ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj
shqiptarëve. Lidhur me këtë, nëpërmjet një raporti të hollësishëm, e njoftoi
Vatikanin. Në gusht të vitit 1920, për veprimtarinë atdhetare, u burgos nga
serbët.
* * *
Shkupi ka qenë qendër administrative e Vilajetit të Kosovës.
Sipas të dhënave të caktuara, para Luftës së Parë Ballkanike ka pasur rreth
60.000 banorë. Përqindja më e madhe e tyre kanë qenë shqiptarë. Në raportet që
i ka botuar në librin e vet publicisti Frojndlih thuhet: “Ushtria serbe, me
të hyrë në Shkup, çdo natë ka hedhur në lumin Vardar rreth 20-30 shqiptarë”. Në
raportet e publikuara të autorit të sipërthënë thuhet: “Krime më të rënda
kanë kryer formacionet paraushtarake, komitët serbë. Ata kanë kryer terror ndaj
shqiptarëve. Gjatë natës, grupe ushtarësh të dehur kanë hyrë nëpër shtëpitë e
shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vrarë”. Në librin “Golgota
shqiptare” të publicistit Frojndlih jepen të dhëna edhe për “shumë raste
përdhunimesh të grave dhe të vajzave të mitura”. Ka pasur raste kur
çetnikët serbë “i kanë vrarë shqiptarët në rrugë, pa i dhënë kujt
përgjegjësi”. Shpeshherë, shqiptarët e vrarë kanë mbetur pa u varrosur për
arsye se gjatë dimrit toka ka qenë e ngrirë. Ka ndodhur që kufomat të jenë
hedhur në puse. Sipas burimeve të publicistit Frojndlih, 38 puse të rrethinës
së Shkupit kanë qenë të mbushura me kufoma shqiptarësh. Kryepeshkopi i Shkupit Lazër
Mjeda raporton: “Në një hendek të madh pas kështjellës së qytetit janë
hedhur mbi 100 kufoma shqiptarësh të vrarë. Në zonën e quajtur Uji i Tharët
ka një grykë e cila është varr masiv i 80 shqiptarëve”. Gazeta vjeneze Reichspost
përmend rastin e pacientëve shqiptarë në spitalin e Shkupit. Gjatë vizitë së
parë, mjeku kishte parë 132 pacientë. Të nesërmen kishin mbetur vetëm 80 sish.
Ditën e tretë ndërkaq, jo më shumë se 30. Pacientëve shqiptarë nuk u kanë dhënë
ushqim. Si pasojë, disa prej tyre kanë vdekur urie, ndërsa shumë të tjerë i
kanë hedhur të gjallë në Vardar. Dëshmitarët okularë tregojnë se ushtarët dhe
paramilitarët serbë i kanë komentuar vrasjet e shqiptarëve dhe plaçkitjet e
pasurive të tyre, si të kishte qenë kjo diçka krejt normale. Për t’i plaçkitur
fshatrat shqiptare përreth, shumë serbë kanë ardhur edhe prej Shumadie. Disa
prej tyre ua kanë marrë shqiptarëve kuajt dhe bagëtinë, disa të tjerë ndërkaq i
kanë shkulur edhe dyert dhe dritaret e
shtëpive. Në raportin e komisionit ndërkombëtar përmendet
deklarata e mësuesit të Shkupit, Vasil Smilev i cili ka parë sesi pranë fshatit
Butel trupat serbe kanë masakruar 60 meshkuj dhe femra shqiptare. Për krimin e
sipërthënë ai e kishte njoftuar konsullatën ruse. Konsulli
austro-hungarez në Shkup, fon Hajmrot (von Heimroth) raporton se
krejt Shkupi i ka parë fshatrat që digjen. Vlerësohet se në rajonin e Shkupit
janë therur rreth 2.000 shqiptarë.
*
* *
Shumë robër lufte dhe të plagosur,
ushtria serbe i ka dërguar në Nish. Korrespondenti i luftës Hermenegild
Vagner (Hermenegild Wagner) ka raportuar për gazetën londineze Dejli
Mejl (Daily Mail), për gazetën vjeneze Reichspost dhe
për The New York Times. Gjatë qëndrimit treditor në Nish në
nëntor të vitit 1912, ka qenë dëshmitar i veprimeve çnjerëzore ndaj robërve
shqiptarë. Instituti i Historisë në Prishtinë thotë se në Nish, shqiptarët i
kanë mbajtur në kampe përqendrimi. Duke iu referuar dokumenteve të arkivit
serb, historianët e Kosovës tregojnë se më 27 tetor 1912, në llogorin e Nishit
janë dërguar 650 shqiptarë, ndërsa më 30 tetor, edhe 700 të tjerë.
* * *
Në tetor të viti 1912, ushtria serbe
e sulmon Prishtinën. Raportet flasin se me të hyrë në qytet, ushtria
serbe dhe paramilitarët e saj, e fillojnë “gjuetinë” ndaj shqiptarëve.
Nga masakrat e kryera, popullata e Prishtinës pothuajse është asgjësuar. Ushtria
serbe ka hyrë në Kosovë me „Armatën e tretë“ të komanduar nga gjenerali Bozhidar
Jankoviq (1849-1920). Kryepeshkopi Lazër Mjeda dhe publicisti
austriak Leo Frojndlih, përgjegjës për krimet ndaj popullsisë civile në
Kosovë e konsiderojnë gjeneral Jankoviqin.
Daily Telegraph ka shkruar në atë kohë: “Të gjitha
tmerret e historisë nuk janë kurrgjë para mizorive të kryera prej trupave të
gjeneral Jankoviqit”. Si kryetar i
„Mbrojtjes Popullore“, gjeneral Jankoviqi mori pjesë në luftimet e çetnikëve
për Maqedoninë. Vlerësohet se në ditët e para të pushtetit serb, në Prishtinë
janë vrarë 5.000 shqiptarë.
Shënim: Vendbanimi apo komuna që ndodhet në kufirin ndërmjet
Kosovës dhe Maqedonisë e ka mbajtur emrin e tij.
* * *
Ndaj pushtimit të Ferizait,
banorët vendas kanë rezistuar me vendosmëri. Sipas raporteve të caktuara,
luftimet për qytetin kanë zgjatur tri ditë. Pasi e kishin marrë qytetin,
komandanti serb kishte urdhëruar që banorët e larguar nga qyteti, të kthehen në
shtëpi dhe t’i dorëzojnë armët. Me t’u kthyer në shtëpitë e veta, 300-400 vetë
ishin masakruan. Pas kësaj ka pasuar shkretimi i fshatrave shqiptare të rrethit
të Ferizait. Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe u janë vërsulur shtëpive
të pasura të shqiptarëve, kanë plaçkitur dhe kanë vranë sa kanë mundur. Krimet
në qytet dhe rrethinë janë shënuar në raportet e konsujve të huaj. Konsulli
serb në Shkup thotë se 1.200 shqiptarë janë vrarë gjatë luftimeve. Qyteti iu
bashkëngjit Mbretërisë së Serbisë, ndërsa emri i tij u ndërrua dhe u quajt Uroshevac,
sipas carit serb Urosh.
* * *
Nga ushtria serbo-malazeze pësoi edhe
Gjakova. Gazeta The New York Times shkruan se “në të
dyja anët e rrugës shihen njerëz të varur”. Rruga për në Gjakovë i ngjan
një “lugine të trekëmbëshave për varje”. Krime të rënda ndaj popullsisë
civile në rajonin e Gjakovës kanë kryer formacionet policore-ushtarake malazeze
të quajtur Kori i xhandarmërisë mbretërore. Në Gjakovë është
zbatuar edhe konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve të fesë katolike në fenë
ortodokse. Gazeta vjeneze Neue Freie Press (New Free Press) e
datës 20 mars 1913 raporton se më 7 mars të viti 1913 kleriku ortodoks serb, me
ndihmën e ushtrisë, ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse rreth 300 katolikë
të Gjakovës. Françeskani At Engjëlli (Pater Angelus) ka refuzuar të heqë
dorë nga feja e vet. Pasi e kanë torturuar, e kanë vrarë me bajonetë. Instituti
i Historisë i Prishtinës thotë se në mars të vitit 1913, në rajonin e Gjakovës,
Mali i Zi ka kryqëzuar, d.m.th. ka kthyer në fenë ortodokse mbi 1.700
shqiptarë. Historiani dhe akademiku Zef Mirdita (Prizren, 1936 – Zagreb,
2016) flet për “përndjekjen sistematike të klerit katolik dhe për
vrasjen e parisë katolike”. Ai thotë se “gjatë viti 1913, në rajonin e
Gjakovës janë konvertuar me dhunë në fenë ortodokse rreth 12.000 shqiptarë
katolikë”.
* * *
Pasi ushtria serbe e vuri nën
kontroll Prizrenin, mbi popullsinë civile pasuan masat represive.
Njësitet ushtarake dhe paramilitare serbe hynë nëpër shtëpi, plaçkitën,
ushtruan dhunë dhe vranë njerëz, pavarësisht nga gjinia dhe mosha. Gjatë ditëve
të para të administratës ushtarake serbe, rreth 400 njerëz “u zhdukën”.
Kufomat ishin lënë të shtrira nëpër rrugë. Sipas deklaratave të
dëshmitarëve okularë, ato ditë përreth Prizrenit ka pasur afërsisht 1.500
kufoma shqiptarësh. Gazetarëve të huaj nuk është lejuar të shkojnë në Prizren.
Pas veprimeve të ushtrisë serbe dhe të njësiteve paramilitare, Prizreni ishte
bërë një prej qyteteve më të shkatërruara të
Kosovës. Disa e kishin quajtur “mbretëri e vdekjes”. Përkundër
gjithë kësaj, gjeneral Jankoviqi e kishte detyruar parinë e Prizrenit të
nënshkruajnë një deklaratë falënderimi që do t’i dërgohej mbretit Petar I
Karagjorgjeviq (1844-1921), për “çlirimin” e tyre. Vlerësohet se në
rajonin e Prizrenit janë masakruar 5.000 shqiptarë. Trupat serbe nuk kanë
mundur të gjejnë kuaj për bartjen e pajisjeve për të shkuar në drejtim të
perëndimit. Barrën prej 50-60 kilogramësh ua kanë ngarkuar 200 shqiptarëve.
Marshi i natës për në Lumë ka zgjatur shtatë orë.
*
* *
Me të parë gjeneral Jankoviqi se
fiset shqiptare të Lumës nuk do t’u lejojë trupave serbe të përparojnë
kah deti Adriatik, i ka quajtur ata “bastardë të cilët duhet vrarë”. Pas
kësaj, u ka urdhëruar trupave serbe të vazhdojnë me një rreptësi të veçantë.
Ushtria e ka masakruar popullatën, burrat, gratë dhe fëmijët, pa kursyer kënd.
Në rajonin e Lumës ka djegur 27 fshatra. Raportet flasin për mizoritë e papara
të ushtrisë serbe, përfshi edhe djegien e grave dhe të fëmijëve, të lidhur për
mullari, para syve të etërve. Pas kësaj, rreth 400 meshkuj të Lumës,
vullnetarisht u janë dorëzuar autoriteteve serbe. Ata i kanë dërguar në Prizren
dhe i kanë vrarë.
Në atë kohë gazeta The
Daily Telegraph ka shkruar: “Tmerret e kryera nga gjeneral
Jankoviqi, kurrë s’kanë ndodhur në histori”.
* * *
Në Konferencën e Ambasadorëve në
Londër (1912-1913) u vendos që Luma të mbetet në Shqipëri. Megjithëkëtë,
ushtria serbe nuk tërhiqej. Në shtator 1913, shqiptarët u kundërvihen me armë.
Ushtria serbe ndërkaq u hakmor në mënyrë mizore. Raporti i komisionit
ndërkombëtar përmend letrën e një ushtari serb i cili e përshkruan
ekspeditën ndëshkimore ndaj shqiptarëve të rebeluar, të ndërmarrë kah fundi i
shtatorit të viti 1913. Ai shkruan: “Këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme.
Si është e mundur që njerëzit të jenë kaq barbarë dhe të kryejnë mizori të
tilla?! ... Luma nuk ekziston më. S’ka gjë tjetër pos kufomave, pluhurit dhe
hirit. Në fshatrat me 100, 150, 200 shtëpi nuk ka asnjë njeri, thjesht, asnjë.
Grumbullojmë 40-50 të vrarë dhe i shpojmë me bajoneta. Plaçkitim në të katër
anët. Oficeri u tha ushtarëve të shkojnë në Prizren për t’i shitur gjërat që i
kanë vjedhur”.
Në dhjetor të viti 1913, për masakrën ndaj
shqiptarëve në rajonin e Lumës dhe të Dibrës, Fuqive të Mëdha iu dërgua
një raport zyrtar. Masakra ishte kryer pasi ishte shpallur amnistia nga
autoritetet serbe. Në raport ishin shënuar emrat dhe mbiemrat e personave të
vrarë prej aradheve serbe, shpeshherë në mënyrën më barbare: duke i djegur,
duke i therur, duke i prerë me bajoneta. Jepet edhe lista me të dhëna të
hollësishme e fshatrave të djegura dhe të plaçkitura në zonën e Lumës dhe të Hasit.
* * *
Durrësi është qytet në mes të bregdetit shqiptar.
Serbia e pushtoi dhe u përpoq ta bënte port kryesor të saj. Më 6 mars 1913, në
zonën e Durrësit, trupat serbe dogjën shumë fshatra. Raportet flasin se
në fshatin Zezi, ushtria serbe ka djegur njëzet gra që kanë qenë në shtëpitë e
veta. Trupave serbe që e kishin marrë Durrësin u ishte urdhëruar të vazhdojnë
ekspeditën edhe pse nuk kanë të siguruar furnizim. Të mbetur pa furnizim, ata
janë mbështetur vetëm në plaçkitjen e popullsisë vendase. Plaçkitja ka marrë
përmasa të tilla saqë serbët në Durrës, mallrat e plaçkitura i kanë ngarkuar
nëpër anije dhe i kanë dërguar në Selanik. Që andej, ngarkesat janë dërguar në
Beograd.
* * *
The New York Times shkruan për dëshminë e mjekut të Kryqit të Kuq i cili thotë
se gjeneral Jankoviqi në afërsi të Sjenicës ka vrarë 950 shqiptarë dhe
turq - njerëz të respektuar. Në raportin e konsullit austriak thuhet se në Lipjan,
më 17 nëntor 1913 shumë kufoma shqiptarësh i kanë lënë të shtrira përgjatë
vijës hekurudhore.
* * *
Masakër është kryer edhe ndaj popullatës së
Gjilanit. Qyteti është djegur dhe është shkatërruar, edhe pse banorët e
qyteti nuk ka bërë rezistencë. Ushtria serbe dhe paramilitarët serbë kanë vrarë
shqiptarë edhe në Tërstenik, Vërban, Preshevë etj. Pas disfatës në
betejën e Bërdicës afër Shkodrës, forcat serbe i kanë masakruar banorët
e fshatit Barbullush ku kanë vrarë pleq, gra dhe fëmijë.
* * *
Në zonën e Pejës, deri në qershor të vitit
1913 Mali i Zi ka konvertuar dhunshëm në fenë ortodokse 20 fshatra shqiptare,
ndërsa në qytet - rreth 200 vetë. Më 21 shtator 1913, banorët shqiptarë të Gjakovës,
të Pejës, të Plavës, të Gucisë dhe të ish-Vilajetit të Kosovës u
kanë dërguar një peticion Fuqive të Mëdha. Aty thuhet: “Ushtria serbe dhe
malazeze e rregullt, që nga dita e parë e pushtimit të territorit shqiptar,
kanë ndërmarrë çdo gjë dhe kanë bërë çmos që popullata, ose ta humbë kombësinë
e vet, ose raca shqiptare të shuhet në mënyrë mizore”.
* * *
Një numër burrash dhe grash të Krujës, thjesht
janë qëlluar me plumb, ndërsa shumë shtëpi janë djegur. Më 5 janar 1913,
komandanti i ushtrisë serbe, kapiten i klasës së parë, A. Petroviq,
banorëve të qarkut të pushtuar të Krujës u ka lëshuar një komunikatë: “Po qe
se në qytet, në fshat apo në rrethinë vritet vetëm një ushtar serb, qyteti do
të rrafshohet me tokën, ndërsa të gjithë meshkujt e moshës mbi pesëmbëdhjetë
vjeç do të vriten me bajoneta”. Raportet thonë se serbët në këtë qytet e
kanë shkatërruar kishën katolike.
* * *
Raporti i datës 12 mars 1913 flet për krimet
e trupave serbe në rrethinën e Tiranës. Me fjalë të tjera, kur ushtria
serbe ka mësuar se banorët vendorë u kanë ofruar strehim vullnetarëve
shqiptarë, i tërë vendbanimi është djegur. Dhjetë burra dhe dy gra janë
ekzekutuar, ndërsa 17 vetë kanë pësuar nga zjarri.
* * *
Instituti i Historisë në Prishtinë,
duke iu referuar dokumenteve të diplomacisë serbe thotë se prej tetorit të
vitit 1912 deri në gusht të vitit 1914, nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga viset
shqiptare në Maqedoni, janë dëbuar me dhunë 281.747 vetë, pa i llogaritur
fëmijët deri gjashtë vjeç. Në pronat e shqiptarëve të dëbuar, qeveria serbe ka
sjellë mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi kishte
planifikuar të sjellë 5.000 familje.
Pjesa tjetër e rajoneve të pushtuara që kanë kaluar
nën administrimin ushtarak serb, në vitet në vijim do t’i nënshtrohet procesit
sistematik të kolonizimit dhe të serbizimit. Më 20
shkurt 1914, pushteti serb miratoi Ligjin për reformën agrare dhe për
kolonizimin e rajoneve të reja. Pas kësaj, në shumë prona shqiptare u
vendosën kolonë serbë, kryesisht nëpunës, ushtarë dhe policë.
Më 27 shkurt 1914, qeveria e Malit të Zi miratoi
ligjin për kolonizimin e tokave të pushtuara dhe deri në vitin 1915, kur Mali i
Zi është pushtuar, kolonët malazezë vendosen në “Metohi” - në tokat që u ishin
marrë shqiptarëve. Qysh në nëntor të vitit 1912 qeveria e Malit të Zi themeloi
një komitet i cili ishte i autorizuar që shqiptarëve t’ua njohë pronësinë vetëm
po qe se kanë dokumente mbi 50 vjet, të verifikuara në librat kadastrorë (defterhanet)
të Stambollit. Ndryshe, pasuritë e paluajtshme të tyre janë evidencuar si pronë
shtetërore.
* * *
Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914)
thotë se borgjezia serbe, duke e proklamuar politikën pushtuese ndaj Shqipërisë
“për herë të parë nga fytyra e popullit serb e ka hequr vellon e një kombi
të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”. Ai thotë: “Serbia ka dashur
të ketë dalje në det dhe një koloni të sajën, por mbeti pa dalë në det, ndërsa
prej kolonisë së paramenduar krijoi një armik të përbetuar”. Në vijim,
thotë: “Armiqësia e pafund e popullit shqiptar ndaj Serbisë është arritja e
parë e politikës së qeverisë serbe ndaj shqiptarëve”. Arritja tjetër, edhe
më e rrezikshme është “shtyrja e Shqipërisë në gjirin e Italisë dhe të
Austro-Hungarisë”, dy fuqive të mëdha më të interesuara për Ballkanin
Perëndimor. Në nëntor të vitit 1915, njësitë ushtarake austro-hungareze u
pritën në Kosovë si çlirimtarë.
Historiani dhe akademiku serb Dimitrije
Bogdanoviq (1930-1986), shkrimet e Dimitrije Tucoviqit mbi „mizoritë
e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve“ i konsideron si „argumente të
propagandës austriake kundër Serbisë“.
* * *
Historiani britanik, profesor i
Departamentit të historisë në Columbia University Mark Mazouer (Mark
Mazower, Londër, 1958- ), në librin e tij “Ballkani, që nga fundi i Bizantit
deri më sot” (The Balkans, From the End of Byzantium to the Present Day), studimit
të historisë së Ballkanit i ka kushtuar rëndësi të madhe. Për këtë libër e ka
marrë çmimin “Volfson” për histori (The Wofson History Prize). Ai
thotë: “Në ish-vilajetet osmane të Kosovës dhe të Manastirit, ushtria
pushtuese serbe pa dyshim ka vrarë mijëra civilë. Përkundër pohimeve të
pamenduara të disa oficerëve serbë për shfarosjen e shqiptarëve, këto vrasje më
tepër janë kryer nga hakmarrja sesa për shkak gjenocidi”.
* * *
Duhet theksuar se kudo që ka shkelur
ushtria serbe, ka hasur në qëndresën e armatosur të popullit shqiptar.
Qëndresa, sakrificat dhe lufta e shqiptarëve ka vazhduar deri në çlirimin
përfundimtar prej kolonialistëve serbomëdhenj.
* * *
Historiografia serbe nuk pranon që Serbia të ketë
kryer krime gjatë luftërave ballkanike. Sipas serbëve, të dhënat mbi krimet
serbe të asaj periudhe na qenkëshin “të njëanshme, produkt i propagandës
austro-hungareze dhe italiane. Për ta vazhduar ekspeditën e vet për në
Selanik, Austro-Hungaria ka synuar që territoret shqiptare t’i vërë nën
kontrollin e vet. Italia ndërkaq, ka synuar që duke e kontrolluar këtë
territor, ta kontrollojë ngushticën e Otrantos, ndërsa detin Adriatik ta
shndërrojë në liqen të vet”.
Më 26 gusht 1913 trupat serbe nuk e kanë lejuar Komisionin
ndërkombëtar të hetimeve të hyjënë Serbi. Sipas palës serbe dhe asaj
greke, anëtari rus i Komisionit ndërkombëtar tëhetimeve, Pavel Nikollajeviç
Milukov (Pavel Nikolajevi? Milyukov, 1859-1943) dhe ai britanik Henri
Noel Brailsford (Henry Noel Brailsford, 1873-1958) qenkëshin bullgarofilë.
Qeveria serbe, shumicën e raporteve për krimet e
luftës i ka mohuar zyrtarisht. Asnjë pushtues në histori nuk ka pranuar se
gjatë ekspeditave ushtarake ka kryer krime ndaj popullsisë civile.
Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në
luftërat ballkanike dëshomon edhe Carnegie Endowment for Internationl
Peace, Report of the International Commission to Inguire into the Causes and
Conduct of the Balkan Wars (Washington D. C., 1914), faqe
151 e tutje.
* * *
Historianët serbomëdhenj dhe qeveritë serbe që i
relativizojnë apo që i mohojnë krimet serbe ndaj shqiptarëve në periudha
historike të caktuara, përgënjeshtrohen nga fshati Zajaz i rrethit të Kërçovës.
Në Luftën e Dytë Ballkanike (1912-1913) e më vonë, ushtria serbe dhe
paramilitarët serbë në shumë qytete dhe fshatra të pjesës veriperëndimore në
Maqedoni, ndaj popullsisë civile shqiptare kanë kryer mizori.
Për t’i zbardhur krimet serbe në këto anë, në
fshatin Zajaz dhe në vise të tjera të rrethit të Kërçovës u kryen gjurmime dhe
kërkime shumëvjeçare të hollësishme dhe profesionale. Gjurmimet u kryen nga
ekspertë dhe specialistë. U zbuluan nëntë varre masive me mbetjet mortore të
500 civilëve të vrarë, midis tyre edhe pleq, gra dhe fëmijë. Të gjitha viktimat
janë identifikuar me emra e mbiemra. U zbuluan edhe puse me mbetjet mortore të
viktimave. Varre masive kishte pasur edhe në oborre shtëpish. Për viktimat e
barbarive serbe, në afërsi të fshatit Zajaz të Kërçovës u ndërtua Kompleksi
përkujtimor “Nëna Shqiptare”. Aty u rivarrosën me nderime të larta
të gjithë të vrarët. Kompleksi monumental me mbi tremijë metra katrorë u hap
për vizituesit që duan të bëjnë homazhe, më 28 nëntor 2017, në Ditën e
Flamurit, në Ditën e Pavarësisë. Në ceremoninë e hapjes morën
pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet. Midis tyre, shumë personalitete të
lëmit të politikës, të shkencës, të artit dhe të fesë.
Viktimat e Zajazit dhe të rrethit të Kërçovës, të
identifikuara me emër e mbiemër, janë dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e
iracionalizmit serb ndaj shqiptarëve në të gjitha trojet ku kanë shkelur
çetnikët.
* * *
Serbia ka kryer krime edhe gjatë luftës çlirimtare
të Kosovës në vitet 1998-1999. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë
vrarë, kanë ekzekutuar, kanë plagosur, kanë rrëmbyer, kanë burgosur, kanë
torturuar, kanë djegur, kanë përdhunuar. Kanë vrarë fëmijë para syve të
prindërve, kanë vrarë prindër në sy të fëmijëve. Të vrarë - 1133 fëmijë. Të
zhdukur - 1617. I varrosën në varre masive, hodhën kufoma në puse, dogjën
kufoma në furra fonderie. Në lumin Danub u gjet nga një peshkatar
autofrigoriferi me 86 kufoma. Nën kanosjen e armëve vrastare, rreth një milion
shqiptarë u dëbuan prej vatrave të veta. I zhdukën gjurmët e Ukshin Hotit,
e nxorën nga treni dhe e ekzekutuan profesor Fehmi Aganin, e ekzekutuan
në prag të shtëpisë profesorin dhe poetin Latif Berisha, e ekzekutuan
avokatin Bajram Kelmendi bashkë me tre djemtë e tij, i ekzekutuan
vëllezërit Bytyçi – Yllin, Agronin, Mehmetin të cilët ishin shtetas
amerikanë etj. Mos vallë edhe këto na qenkëshin propagandë austro-hungareze dhe
italiane!? Luftën pushtuese, Serbia e humbi.
Kosova, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e
Kosovës – ngadhënjeu. Kosova e Adem Jasharit. Për luftëtarin trim,
varr nuk ka. Ka një këngë për të.
* * *
Që prej vitit 1878 e këndej, Serbia ndaj
shqiptarëve ka kryer gjenocid. Për këtë, ajo duhet të përgjigjet
para Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe
për gjenocid.
* * *
Serbi! Ja te është Shqipëria, ja te janë
shqiptarët, ja te është shqiptaria. Nuk shkulet dot populli më i vjetër i
Ballkanit, ndër më të vjetrit e Evropës - prej një Serbie të mjerë!