| E diele, 17.09.2023, 06:57 PM |
DHE U MBLODHËM PRAPË…
Nga
Visar Zhiti
Do
takoheshim paradite në baret jashtë te Pallati i Kulturës. Astrit Rama po na
mblidhte, vinte nga Franca dhe s’ishim parë që nga epoka e burgut.
Unë
mbërrita i pari, kisha ngatërruar orarin. Ku të shkoja? Tryezat plot, lokalet
të bukura si në metropol. Me to e kemi arritur Europën, thashë.
Astriti
ishte veshur me të bardha si turist mesdhetar, me aparat fotografik me vete,
m’u duk më i ri se atëhere. Kur erdhi Rajmond Sejko, ishte me djersë në fytyrë
dukej sikur të kishte ecur në k?mbë që nga aeroporti, ku pak më parë të ishte
ulur avioni nga Amerika, ku ai jeton. Dhe do të ikte në një takim tjetër.
Pastaj u shfaq Dine Dine, edhe ai nga Amerika, edhe na pa dhe nuk e gjente dot
tryezën tonë.
S’kishim
nga t’ia mbanin, do të bisedonim dhe për burgun, kur ishim të rinj, ndërkaq
donim të bënim dhe foto si të ishim të rinj, thërrisnim kamerierin dhe ai vinte
menjëherë. Ja, që u mblodhëm, Dibër e
Çamëri e Skrapar, prit, prit se ka të tjerë që kanë ardhur, bisedonim me zë të
lartë. Po Adnan Nasufi që është shtruar në spital, nga Franca kishte ardhur dhe
ai, por donte të vizitonte Prizrenin dhe në kthim nuk ishte ndjerë mirë. Në
Spital i thashë se e kishte nga Lidhja e Prizrenit, që nuk po kryhet dot.
Qeshi. Është 90 vjeç dhe e mbante mend ditën time të parë të punës në minierë
në burgun e Spaçit. Bën mirë që shkruan,
më tha, t’i kam lexuar. Po ç’t’i bëjmë Dines, bëra humor unë, që na shkruan
novela dashurie? Po qeshnim. Në dhomë ishte i shtruar dhe një i sëmurë tjetër,
kishte punuar me Sigurimin e Shtetit dhe ashtu vazhdonte. Edhe ai qesh si ne
dhe na bashkon sëmundja, thashë unë prapë me humor.
Që
nga ballkoni i spitalit hijezonin si në të kaltër rrokaqiejtë e rinj të
Tiranës. S’ishin pak dhe dënduri pallatesh sikur të mos kishte rrugë mes tyre.
Donim
të merrnin taksi për t’u kthyer, por djali i Adnanin na tha se na çonte ai me makinën e vet, e mbante këtu, në Tiranë,
ta kishte, sa herë që vinte nga Franca.
AtDheu…
shkruajta unë siç e shkruante dhe poeti Ali Podrimja.