Kulturë
Shefqet Dibrani: Nëna nuk e do peng shpirtin tim?!
E marte, 05.09.2023, 06:46 PM
NËNA NUK E DO PENG SHPIRTIN TIM?!
(Figura e Nënës në poezinë e Dardan Berishës,
përkatësisht Eshref Berishës)
Dardan
Berisha, NËNA, GURI KU UNË LUTEM, poezi, botoi Shtëpia Botuese ATINUS,
Prishtinë 2022, faqe 150. ISBN 978-9951-753-44-9
Nga
Shefqet Dibrani
Dardan
Berisha, ka arritur për të ndërtuar figurën e Nënës gjerë në simbol të
shenjëtrimit, përkatësisht GURI ku ai lutët është tempull i hyjnishëm. Ky
artikulim sa metaforik po aq simbolik është variant i ri, i atyre këngëve
dedikuar nënave që zakonisht i këndojnë bijtë e tyre poet, kur ato nuk janë
gjallë. Në anën tjetër poezitë për Nënën të poetit Dardan Berisha (emër
artistik i Eshref Berishës), janë shtresime figurative që lidhen me
ndjenjën dhe afrin e poetit që ka pasur me nënën e tij, pasi jo të gjithë
fëmijët janë të lidhur kaq shumë me emrin e nënës së tyre, dhe aq më pak ka
poet që iu kanë qasur me kaq pasion motivit të poezisë që për simbolikë të saj
ka figurën e Nënës. Nga ky këndvështrim, poezitë e librit (më saktë Cikli
“NËNË”, faqe 29-53), janë lirika emocionale dhe përjetohen thellë edhe nga
lexuesi i saj.
Një
krahasim mjaftë interesant i Nënës me Xhubletën, veshje tradicionale
qindvjeçare, tashmë e pranuar edhe në UNESCO, si vlerë e kombit tonë, ashtu
sikurse nëpër të gjitha poezitë kushtuar nënës, figura e Nënës, mbetet e
ndritshme dhe e hyjnizuar. Në anën tjetër poezia NÁNA DHE XHUBLETA, edhe pse e
shkruar në trajtën arkaike të gegërishtës, tamam të folëmes rajonale që përketë
poeti, mbetet krijimi më artistik brenda këtij vëllimi poetik.
NÁNA DHE
XHUBLETA*
Nánë, kur
zbrite nuse n'ket ané,
Erdhe
veshun me xhublet - m'kan than'.
Më mbajte
n'brendsi tande dimën e ver'
Me
xhublet veshun, lagun, e ter'...!
Më mbaje
n'gji, dilje me mbjell, e me korr grun
Me
xhublet veshun, pa e hjekun kurr!
N'pun
kábmleht', n'shtrat gjumleht'
Nánë,
akoma ti me ket xhublet?!
Sa shumë
pun', nánë, sa pak me ngran'!
Për ty
nânë, kjo jetë gjithmon e rand'!
M'thuaj
i'her..., veq i'her, oj nânë
Çka
t'man, kaq t'fort, n'kamë?!
Prishtinë,
25.09.2017.
*Xhubleta,
ruan një arkivë të madhe historike
Faqe 31.
Nuk ka
poet të madh, pa poezinë e dashurisë për nënën e vet. Dardan Berisha, këtë
kusht e ka plotësuar me ciklin e poezive që kanë portretizuar figurën – simbol
të Nënës. Madje ai shprehet se “Nga dita që lash gjirin e nënës?! / Nana
çdo ditë mbjell thoj n’trupin e saj/ e hijenat “gojqeshur” çdo ditë mbjellin
skelete!", (faqe 29). Vetëm me kaq poezi dedikuar nënës, Dardan
Berisha është poet. E duke lexuar mëtutje poezinë e tij do të vërejm se autori
përveç pretendimit për t’i lënë të shkruara përshtypjet e tij lirike nuk ka
ambicie më shumë, prandaj ai nuk merakoset për vargun estetik, sa për vargun
metaforik i cili do të interpretoj mendimin dhe bindijen e tij në raport me
subjektin a fenomenin që ka fiksuar në varg, megjithatë kjo vlerë poetike e
poezisë që gjendet në Ciklin për Nënën, të cilën e ka “Gur ku ai lutët”,
e ka vatër ku ngrohte zemrën, tashmë e ka tempull ku rrëfehet, prandaj poezisë
i ka dhënë ngjyrim të fuqishëm emocional dhe personal, dhe shprehë ndjenjën që
interpretohet nga motivi në brendësinë e saj, ku portretizon sakrificën
tragjike dhe vuajtjen e Nënës gjerë në vetflijim për t’i rritur fëmijet e saj,
tamam ashtu siç shprehet në vargje: "Por, ankthin ma t’madh e ka nëna, kur për darkë
nuk/ gjendet asnjë kotherë buke/ Vë gurë në vegsh, fëmija të shpresojnë se janë
patate/ T’i zë gjumi të gjorët, me
shpresë se nuk do zgjohen nga/ uria në mesnatë...!// Por, uria gërryen, uria
kollitet e qanë në kthinat e zorrëve të boshatisura/ Dhe fëmijët përpiqen të
shpojnë “patatet”,/ për të parë në janë zierë.../ Në kusinë mbi zjarr, zihen
vetëm ankthet e nënës...!", (poezia ANKTHI I NËNËS, faqe 32.) Sipas
këtyre vargjeve kaq rrëqethëse, Nëna jo vetëm si Simbol por është Figurë Epike,
ngase “Legjenda për Patatet në Kusinë e mbi zjarr”, do të mbetet legjendë në
kujtesën e atyre që do ta lexojnë këtë libër.
O NËNË
I kënduam
heroizma babait
se çau
gurin,
u rrua
dhe doli në luftë,
U kthye
fitimtar me pushkë mbi supe!
Gërmoi
tokën deri në zemër
Nxori në
horizont hekur e ar
Farkoi
një unazë, dhe plugun farkoi!
Ty të
hodhi një shikim
Dhe arën
me plug çau
Kafshoi
bukë, e ujë burimi piu
E dremiti
një cop’herë me gur nën kokë...
Por, ti
nënë,
Jo vetëm
një gur, por me trup godite shkëmbin
Gurëmurit
i dhurove trupin, qumështin Jetës!
Pas
gjithë asaj vuajtjeje me pesëneqë në bark
Kujtove
fëmijët tjerë shpërndarë në ara
Fëmiut të
fundit, qumështin e përjetësisë i jep!
Nënë,
babai është heroi yt
Por
ti...,
Ti nënë
je heroina jonë!
Faqe 34.
Portreti
i Nënës, është vendosur edhe në titull poetik i cili orienton konceptin
figurativ që do të shpaloset në brendësinë e saj ndërsa disa motive shprehin
ndjenjë dhe afrinë që ka pasur poeti me Nënën, figurën e të cilës e trajton nga
shumë këndvështrime etike, epike dhe homerike. Sepse për të birin poet, bazuar
nga pikturimi figurativ i saj, Nëna është vlera morale dhe edukative e
familjes, është ndjenja epike dhe himnizimi i saj duket sikur ka dimenzionin
mitologjik me frymëzimet e mundshme nga veprat e poetit të lasht grek Homeri.
HEROINA
IME
Njeriu ka dy gjeografi më të rëndësishmet në jetë:
Nënën
dhe
Tokën.
Nënë,
babai është heroi yt
Por, ti
nënë je heroina e babait tonë
dhe
gjithë ne fëmijëve!
Nanë!
Ti m’ke
dhanë mishin, ashtin e shpirtin
M’ke
dhanë gjirin e rritën,
E unë...?
Unë, çdo
ditë po t’jap veç helm
E ti,
helmin në
mjalt ma kthen...!
Faqe 41.
Frymëzimi
poetik është sa konkret po aq hyjnor, që shprehin përjetimin real të vet
autorit. Edhe dashuria për Nënën është hyjnore, sepse Nëna, poetit ia ka
ndriquar jetën, ia ka spastruar shpirtin, ia ka shtuar fyrmëzimin i cili i
dridhet dhe i shtanget sa herë përmend emrin e saj, sa herë rikthen kujtimin
tek Ajo! Andaj “Jetën, Forcën, Gëzimin dhe Qeshjen/ Ja kam borxh nënës./
Edhe shpirtin do t’ia falja/ Por nëna nuk e do
peng shpirtin tim!/ Tërë jetën/ Më dhuroi nga shpirt’i saj", (poezia MË LEJO NËNË,
faqe 38.)
Ky tip i
poezisë është argument i pakontestueshëm që shpjegon për lidhjen shpirtërore të
poetit me Nënën e tij edhe përtej asaj lidhjes gjenetike që kanë të gjithë
fëmijet me nënat e tyre. Poezia dëfton afrinë, shpalos përkushtimin dhe
materializon përjetimin artistik, prandaj Figura e Nënës në poezinë e Dardan
Berishës, merr përmasat të hyjnishme si përsenofikimi me artistik i
mundshëm, kurse në anën tjetër poeti vetvetiu ka zbuluar atë lidhjen e cila
është proces metafizik i krijimit poetik.
PANGOPËSIA
E NANES TEME
Nji koh
m'ka pas pengu pangop'sia e nanës teme!
Tesh un
qi erdha n'hapin e gjashtdhet t'saj
Jam ba
vrim'e brim ma e thell për thmit e mi
Tesh e
kuptoj pse nana ka nejtun zgjuet nat'e dit
Se
s'ngihej tuj na shiku, e tuj na dashtë!
Na
m'bshtillte me frymmarrjen e saj, qi na mos me nirthtë,
E andrrat
na i shtronte
Udh'vet
kambet mos me na u vra...!
Faqe 37.
Sipas
konceptit metafizik, poeti kërkon të zbulojë thelbin më të thellë të mundshëm të
kësaj lidhjeje hyjnore me Nënën, prandaj është edhe kërkim real në gjetjen e dimenzionit
real për figurën artistike të Nënës, qoftë në poezi ose në përjetësimin hyjnor
e poetike të saj. Ky gjakim këmbëngulës dhe i vazhdueshëm artikulon ndijimin
artistik e poetik të autorit duke sublimuar përkushtimin e tij nëpër poezi dhe
vargje të shumta. Mjaftë sish artistike e të tjera në nivel të deshirueshmës me
të cilat poeti ka zbukurar mozaikun e Figurës së Nënës të cilës i rrëfehet në
mungesë: “Kur donë me m’pâ, Nánë,/ Shiko nga qielli
kur ka, e s’ka ré./ Kur donë me m’ndje,/ Përkëdhel gurë, përkëdhel dhé!", dhe poeti sugjeron:
"Vetëm ledhatoi gurët, nánë/ Kujto se njani nga ata unë jam...!",
(poezia ZÁ NGA KALAJA, faqe 53.)
Kjo
lidhje Nënë e Bir, ndërthurët me dialogimin e të birit me portretin figurativ
të Nënës dhe me portretin artistik i thurrur nëpër vargje. Misioni i këtij
qëllimi duket mjaftë i realizuar, anët artistike dhe vlera esenciale e poezisë
varët nga këndvështrimi subjektiv dhe nga mënyra se si i qasemi kësaj poezie.
Sidoqoftë lirikat e Dardan Berishës, shpërthejnë, kurse vargjet bulojnë si bari
në pranverë, sentencat poetike kanë shije elegjiake dhe shpeshherë epike, pasi
Nëna e poetit është “Guri, pran të cilit rrëfehet i Biri”, Ajo është
Heroinë që ka sfiduar kohë dhe vështirësi si shumë nëna të tjera. Ajo është
nëna që gatuante “patate”, me djerësen e vet, për t’i bekuar fëmijet e saj.
Vështirësitë tjera sociale janë pjesë e rrjedhave historike! Por ajo "Fluturon
gjithë ditën/ qëmton lule më lule/ mbledh nektarin/ në frym'e shi!// Edhe
atëherë/ kur futet në koshere/ e ne mendojmë/ se ka rënë të pushojë/ ajo prapë
punon!", (poezia BLETA, faqe 44.)
Libri me
poezi NËNA, GURI KU UNË LUTEM, veçmas poezitë dedikuar Nënës, janë me prirje
elegjiake, reale dhe përjetuese. Kanë të ngjizur elementin baladik dhe kanë
përjetim emocional. Si tërësi libri përfaqëson nivelin e poetit që karakterizon
botkuptimin metafizik të procesit krijues, si indikacion letrar i vlerës dhe i
rrëfimit sa më besnik të asaj që mendon. Vargjet sforcojnë mendimin e shprehur
për poezinë e autorit sepse del në pah përkushtimi fisnik dhe fisnikëria e
shprehjes artistike që funksionalizohet në poezitë dedikuar Nënës!
Leximi i
vëmendshëm i kësaj poezie mund të nxjerr edhe vlera të tjera të cilat ne nuk
arritëm me i pikasur, por mënyra e rrëfimit poetike për të shprehur dashurinë e
vet, me kaq sinqeritet dhe aq e drejtpërdrejt e bënë përjetimin dhe
përkushtimin real dhe të vërtetë. Vargjet janë të thjeshta dhe pa sforcime të
theksuara artistike. Dhe si mrekulli poetike, (gjithmonë sipas perceptimit
tim), poeza si e tillë lexohet dhe përjetohet bukur, dhe pa asnjë dilemë,
ky motiv haset rrallë në poezinë kushtuar Nënës, në kohën kur, “Nëna është
ajo që me lot përvëlues zbuti gurët e përhimë/ E ne “ngopeshim” duke “ngrënë”
“patate” për darkë", (faqe 29.)
Kjo orvatje kritike
pasqyron mundësinë e interpretimit si dukuri për të shtjelluar lajtmotivin e
veprës me nota kaq elegjiake e baladike, poezi këto që mitizojnë gjerë në
hyjnizim figurën e nënës dhe kjo është Nëna e Poetit, e cila duhet të
pushoj e qetë, pasi për të ka kush lutet!
St. Gallen, 2 shtator 2023.