| E shtune, 02.09.2023, 06:59 PM |
Dibra e Arbrit
Nga
Edison Ypi
Për
qefin tim, me makinën time, me naftën time, me kohën time jam nis atje ku po
nuk vajta fajin e kam vet, dhe ferri më pret.
Brenda
tunelit shpejtësia e lejuar është 70 kilometra në orë. Un banditi, un bastardi,
un aventurieri, ja kërcas me 120 në orë prej qefit që nga Tirana në Kukës
mundem me shku në më pak se 2 orë.
Para
10 vitesh Kuksi ishte Ferri, Prizreni Parajsa. Tani Kuksi dhe Prizreni janë
barazuar, janë bërë si Purgatori.
Në
Kukës hëngra një pilaf me kos. Pilafi çakull. Kosi hirrë. Megjithatë i hëngra
për hatër të pronarit që i ngriti në qiell shkrimet e mia që sipas tij janë më
të bukura se livadhet e Xhehenetit dhe më të tmerrshme se zifti i Xhehenemit.
Allahu
i ka ndrequr gjërat në atë mënyrë që kënaqësia e bukurisë së një peisazhi të
mos vijë befas me të tremb sa me ta ndal zemrën, por pakngapak.
Në
dalje të Kuksit drejt Dibrës, Allahu këtë rregull nuk e ka zbatuar. Aty
katundet, fushat, kodrat, bregoret, përrenjtë që zbresin nga Gjallica, çfaqen
aq papritmas sa po nuk pate kontroll të fortë të shqisave mund të bjeri
damllaja.
Ik
e ik nëpër atë mahnitje, ke ndjesinë se je duke i ra mespërmes Parajsës.
Një
kuksian anës rrugës së asfauar, thotë se nuk ka qënë kurrë në Dibër.
Pas
këtij kuksiani negativist, një tjetër kuksian thotë se nuk ka lënë vend të
Shqipërisë pa e shkelur, në majë të Gjallicës ngjitet të paktën tre herë në
vit.
Në
Kolosjan shtatë a terë kollos-janë pijnë kafe. Nguten sejcili me tregu nga një
mesele me heroizma historike shqiptareske.
Njëri
nga kollosjanët tregon për mijra serbë të therur si berra, si shqerra, si keca,
mu aty pranë ku është dhe një lapidar përkujtimor. Kollosjani shton se në atë
betejë erdhën edhe gra që dhanë ndihmesën e tyre në therjen e serbve me sopata
drush dhe thika buke, si dhe një Bej dibran me dy mijë trupa dhe katër topa që
ja shprazi serbve dhe i bëri çika-çika sa përroi u bë gjak i kuq.
Pas
nja njëzet kilometrash peisazhin me më tepër fshatra se natyrë e zëvendëson një
pamje edhe më e bukur me më tepër natyrë se fshatra.
Kthesat
e panumurta, ato që kudo tjetër të lodhin, këtu janë ndihmëse të mira për t'i
kqyrur pamjet e hatashme sa më hollësisht nga të gjitha këndet.
Diku
pyet veten; Morpo ku dhe pse është e bukur kjo rrugë ?! Këtu tek kjo qafë, tek
ky përrua i shpejtë, tek kjo korie e gjelbër ? Apo atje tek ai shkëmb larg në
horizont ku thuhet se është Lura ? Shpejt vjen në vete dhe kupton se bukuria e
këtij vendi nuk ka lidhje me çka sheh syri, dëgjon veshi, prek dora, nuhat
hunda, por me ndjesira më të thella.
Një
vigan kuksian 60 e kusur që e ka shtëpinë atje larg, atje poshtë, atje thellë,
në luginë zhytur e mbytur në gjelbërim ka ndalur Benzin në një qafë dhe po pret
djalin dhe nusen e djalit me ik diku.
A
e shet shtëpinë ? i them lumjanit për ta ngacmuar.
Tmerrohet.
Botën
me ma fal, thotë,nuk luj pi ktuhi.
Një
mesogrua me kosore në sup që, nuk guxoj ta quaj fshatare apo katundare, jo
vetëm pranon të fotografohet por dhe falenderon.
Pyes
disa adoleshentë nëse mund t'i fotografoj. Thank you, no foto, thotë njëri prej
tyre, kemi të tjera plane.
Çfarë
planesh keni ?
Po
presim të ikim në Angli, përgjigjen tre a katër njëherësh.
Një
vajzë e vogël spjegon me zell; Xhaminë e kanë ndërtuar ustallarët. Ai shkëmbi i
madh nuk është i zi por i bardhë sepse ashtu e ka bërë Allahu.
Barinj
dhe baresha 10-15 vjeçarë me nga katër a pesë dhi a dhën thonë se tanipërtani
janë të vegjël por pas do ikin. Jo Greqi, jo në Itali, jo në Gjermani. Vetëm në
Angli.
Në
një kafene tek një kthesë mbytur në jeshilllëk janë rrafshu disa tipa që
deklarojnë me vendosmëri dhe janë gati të firmosin e vulosin se mu aty fillon
Kalaja e Dodës.
Ku
është "Kalaja" dhe kush ka qënë "Doda" ? askush nuk e di.
Kalaja
e Dodës dhe Anglia janë dy popuj miq, thotë njëri, dhe ndërkohë që flet, nxjerr
nga xhepi nje shuk me sterlina.
Këtu
ka një bio kos që nuk është kos por elisir.
Naltmadhnin
e Tij kosin bio këtu e përgatit dikush që mburret se ka qënë mbi 20 vjet oficer
sigurimi në kufi, Ersekë, Gjirokastër. Ka qënë perversitet i diktatorit që
spiunat e jugut i çonte në veri dhe spiunat e veriut i hidhte në jug.
Ore,
i them sigurimistit të konvertuar në kosaxhi, a ke vrarë shqiptarë që kanë
dashur të arratisen ?
Po,
por jo shumë, nja tre a katër gjithsej, tha dhe qeshi.
Ik
e ik i mbështjellë me ëndërr.
Diku
vij në vete, nxjerr kokën nga jorgani i ëndrrës. Kjo rrugë që po shijoj nuk
mund të jetë tas me grosh. Nuk mund të jetë as cigare e dredhur me filtër në
Kukës dhe prush në Peshkopi. As llullë e gjatë me bisht të hallakatur si
gjarpër kilometrik. Është Nargjile që zjarrin e ka në Peshkopi dhe thithet në
Kukës.
Duke
ik e duke fol me kalimtarët, bindesh se dibrani ja ka marrë dorën dynjallikut.
Dibrani di ç'bën. Dibrani është i vetmi që nuk ka treguar ndonjë zell për të
ardhur në Tiranë që është arena shkërdhatokratike më e madhe e botës.
Dibrani
nuk ikën kuturu, dokudo, dosido. Dibrani ikën ku ka rregull, ku ka seriozitet,
ku është mbretëri, madje perandori, në Angli, ku me sterlinat që fiton duke
punu në një Car Wash mundet me ngrejt vilë këtu në Dibër, këtu në Kalanë e
Dodës.
Në
kohën e diktaturës për lumjanët dhe
dibranët që hapnin rrugët thuhej me përçmim se nuk duan më tepër se "buk e
grosh e kep". Tani lumjani nuk do më tepër se Angli, Londër, biftek, car
wash.
Në
vende të tjera të bukura vret menjen kur është më mirë me kalu andejpari, në
behar, në dimër, në muzg, në agim, nën shi, nën breshër ? Këtu jo. Këtu është
bukur kurdoherë, ditën, natën, në çdo orë, në çdo stinë.
Ja
dhe zjarri i Nargjiles prejnga shpërthejnë dëshirat, nis dehja, thuret ëndërra.
Peshkopia
dinamike, produktive, e zhurmshme, e rrëmujshme, krejt njësoj si truri i
dibranit që në kërkim të perfeksionit nuk i jep rëndësi hollësirave.
Hyj
në një qëndër zgjedhore demokrate. Bosh. Pyes dikend në trotuar. Ku jeni ? Jemi
në terren, thotë karakolli demokrat. Socialistat për me i dhën fitoren
kandidatit të tyre kan vu në lëvizje oficerat e sigurimit që bashkëpunonin me
oficerat e UDB-së për me kthy të arratisurit ose me i vra mbi telat me gjëmba,
tani bashkëpunojnë në biznes.
Krahas
Nëmërçkës, Divjakës, Vjosës, Pukës, Krrabës, Peshkopia meriton të jetë njëra
nga gratë e mia.
Për
shkak të një rrethrrotullimi pak sa nuk përfundova në Bllatë.
Në
Shupenzë groshët e zjera ishin për ibret.
Përtej
Qafës së Bullit, nga thellësia e luginës vijnë rënkimet e fragmenteve të
pambaruara të Rrugës së Arbrit.
Duke
zbritur nëpër leqet e laqeve të loqeve të koqeve të Klosit, pasi më siguroi se
ishin të freskët të sapokëputur në kopësht, një djalë i vogël më shiti fiq
frigoriferi.
Në
një Car Wash ku punojnë at e bir, biri nën 20 po përgatitet me ik në një Car
Wash në Londër, ku pasi do punojë disa vite do kthehet të ndërtojë vilë me
katër kate, basen të kaltër, luanë allçini te porta.
Ku
mora ujë, shitësi më siguroi se pas mbarimit të Rrugës së Arbërit, Klosi do
jetë një lagje e Tiranës, Burreli si Durrsi, qejflinjtë dhe qejfleshat e
llixhave do mund të bëjnë jo vetëm "shkuma party" por edhe
"balta party" në liqenin e Ulzës ku duhet të ruhen mos u futen nëpër
shalë e nëpër brekë gjarpërinjtë, ngjalat, gaforret e liqenit.
Mes
Burrelit dhe Rrëshenit puntori i karburantit që i thashë se jam kolonjar me
banim në Tiranë, më pyeti; I cilit fis je në Tiranë ?
Ku
një perri' beqare e përjetëshme punon në një restorant, mora groshë që i hëngra
në makinë.
Tek
një katund ku sa herë kaloj shoh një Bocca di Rosa, bleva një kalli misri të
pjekur.
Mbi
dhjetë orë në timon pa u ulur në asnjë kafene dhe në asnjë restorant.
Ka
dhe plot bukurira të tjera Shqipëria. Devolli, Myzeqeja, Zadrima, Tropoja,
Mirdita, janë njëra më e bukur se tjetra.
Por
s'ka si Dibra, që kurrë nuk ka qënë dhe kurrë nuk do jetë as e serbit as e
grekut, por vetëm e Arbrit.