| E enjte, 24.08.2023, 06:11 PM |
Pesimist dhe të pashpresë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Përderisa
në të kaluarën jo shumë të largët (para dhe pas përfundimit të luftës)
shqiptarët e Kosovës vlerësoheshin (nga ndërkombëtarët) si populli më optimist
në botë, sot është e kundërta, jemi kthyer në popullin më pesimist dhe të
pashpresë në ballkanin perëndimorë.
Rënja e optimizmit
produkt i klasës politike
Për
çfarë optimizmi bëhet fjalë kur të rinjtë dhe të gjitha shtresat e popullsisë
ia kthejnë shpinën atdheut të tyre dhe ikin drejt vendeve evro-perëndimore.
Përderisa emigrimi masiv përgjatë viteve ’90 ishte i justifikueshëm shkaku i
dhunës sistematike dhe represionit serb, fatkeqësisht emigrimet masive të
viteve të fundit janë produkt i thyerjes së shpresave për jetë nga
keq-qeverisjet e njëpasnjëshme të politikanëve shqiptarë.
Për
dallim nga emigrimet e viteve të ’90-ta, të cilat ishin të ndikuara nga dhuna
fizike dhe shkaqet socio-ekonomike, emigrimet e ditëve të sotme janë produkt i
demotivimit për jetë në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.
Në
mesin e atyre që po largohen nga Kosova nuk janë vetëm të rinjët që po e
ndërprejnë shkollimin për t’u shndërruar në punëtorë krahu në shtetet
perëndimore, por janë edhe shtresa intelektuale, janë mjekët specialist dhe
infermierët, studentët dhe profesorët, policët dhe ushtarët, janë të gjithë ata
që nuk janë të zanatit të politikës (hajnisë)!
Përqindja
më e madhe e largimit nga Kosova është në vendet rurale, gjysmë urbane dhe më
pak në ato urbane. Shkaqet janë të shumta dhe të shumllojshme, duke filluar
mungesa e perspektivës zhvillimore, mungesa e sigurimeve shëndetësore, pagat e
ulëta dhe pasiguria në vendet e punës në sektorin privat, degradimi i sistemit
arsimor dhe atij shëndetësorë, degradimi i sistemit të drejtësisë (prokurorisë
dhe gjyqësorit) kanë bërë që edhe njerëzit me nivelin më të lartë arsimor ta
braktisin vendin.
Ikja
e trurit kombëtar, e shtresës intelektuale është në përmasat më shqetësuese, do
të thoja alarmante, pasi ky boshëllëk do të jetë me pasoja afatëgjata dhe
vështirë i kompensueshëm për një kohë relativisht të gjatë.
Pse nuk largohen
politikanët nga vendi?!
Përgjigja
në këtë pyetje është fare e lehtë dhe e thjeshtë. Përderisa politika është
kthyer në biznesin më profitabil në vend, partitë politike janë kthyer në
korporata fitimprurëse për kastën e lartë politike dhe klientelat (sekserët) e
tyre në Kosovë dhe Diasporë.
Se
sa tërheqëse është bërë politika për njerëzit në Kosovë dhe trojet etnike
shqiptare në përgjithësi e dëshmojnë skandalet e përditshme korruptive të
zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe atyre publik, të cilët jo vetëm që e shkelin
ligjin dhe dhunojnë Kushtetutën, abuzojnë me ligjin dhe zhvatin buxhetin e
shtetit në të gjitha nivelet.
Politikanët
sa më të lartë në hierarki mbetën të pandëshkuar nga drejtësia, por si gjithnjë
ndëshkohen “peshqit e vegjël” të politikës apo sekserët e tyre, por asnjëherë
të fortët e politikës.
Për
këto 24 vjet nga paslufta dhe 15 vjet e gjysmë nga ri-shpallja e pavarësisë,
edhe përkundër aferave të shumta korruptive dhe skandaleve të njëpanjëshme
qeveritare nuk e kemi asnjë rast të vetëm ku është dënuar për korrupsion një
zyrtarë i lartë shtetërorë apo liderë partiak!
Ky
është një tregues për bashkërendim të krimit të organizimit dhe korrupsionit
mes pushtetit dhe opozitës.
Kjo
klasë kusarësh politikë vetëm “përlahen” para opinionit publik në Parlament dhe
në studiot televizive, por në prapaskenë janë në bashkëdyzim dhe harmoni të
plotë me njëra-tjetrën pushteti dhe opozita kur janë në pyetje tenderët,
vjedhja e parasë publike dhe mitmarrja (ryshfeti) në bashkëqeverisjet komunale.
Si pasojë e kësaj situate, popullata ndjehet e braktisur nga klasa aktuale
politike, ku këta të fundit mendojnë dhe punojnë vetëm për xhepat e tyre.
Përveq
papunësisë, varfërisë dhe mungesës së përspektivës zhvillimore, shqetësuese
është bërë edhe mungesa e sigurisë. Rritja e akteve kriminale, përkatësisht e
shtimit të vrasjeve në Kosovë e shpërfaqë mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë
dhe e motivon akoma më shumë largimin masiv të popullatës sëë mbetur nga vendi.
Florim Zeqa
21.08.2023