Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Kur poezia bëhet Feniks i qëndresës, i pathyeshmërisë dhe i përjetësisë
E merkure, 23.08.2023, 06:55 PM
Libra që nuk harrohen
KUR
POEZIA BËHET FENIKS I QËNDRESËS, i PATHYESHMËRISË DHE I PËRJETËSISË
(Prend Buzhala: "O Amë, o Amë", poezi
- botoi Klubi letrar "Vorea Ujko" 1995 – Klinë)
Jo
rrallë, por shumë shpesh, krijimtaria artistike kuptohet, shpjegohet,
interpretohet dhe lë porosinë tek secili në mënyrën e vetë, pra edhe poezia. Te
krijimtaria Prend Buzhalës, respektivisht në librin e tij të parë të nismës së
mbarë të rrugëtimit krijues të këtij krijuesi me vlera të veçanta, "O Amë,
o Amë", që në fillim na preokupon dhe zgjon kureshtjen diçka tjetër. Së
pari, ngase poezia e tij tregon për përvojën e e vargëzimit të thellë
filozofik, për peshën dhe tingëllimën e mesazhit, për formën e shtruarjes dhe të shtjellimit të krijimtarisë
artistike letrare me ngrohtësinë shpirtërore. Dhe e dyta. Dallohet me shprehjen
dhe shtresimin poetik, i cili përshkohet me të bëmat, kohën dhe vendin kur
poezia bëhet feniks i qëndresës, pathyeshmërisë
dhe i përjetësisë.
Nga
Sejdi BERISHA
Kur këndimi poetik bëhet memorie e pavdekshme e njerëzores
Nga kjo del se, Prend Buzhala, mëton që vargun dhe vullkanin që shpie
nëpër të si nëpër birë të gjilpërës, t'i
bënë memorie të pavdekshme të
njerëzores, si thotë Borhes për librin.
Vetë titulli i librit të këtij krijuesi, na bën të kuptojnë se autori i
ka hyrë një pune që ka kuptim të thellë të mendjes dhe të lërimit filozofik,
por edhe metaforë, nga e cila me siguri se kurrë më nuk do të dalë. Ngase, kjo
është rrugë e gjatë e labirint nga i
cili nuk mund të ndalesh, por as nuk mund të kthehesh prapa, sepse:
"Mos vë mure në mes të së vërtetës dhe së
bukurës,
Kur ta kundrosh jetën, shikimi do një shqetësim",
Kështu thotë autori që në fillim dhe kështu e vë në spikamë shqetësimin
për jetën, për njerëzoren përgjithësisht. Andaj, duke hyrë thellë e më thellë
në botën e poetit, ballafaqohemi, por nëse doni, edhe përqafohemi me
individualitetin, vargëzimin e posaçëm, që unë do të thosha, mirë është të
lirohemi nga format dhe konceptimet tradicionale, qofshin ato edhe më të
qëlluarat. Këtë gjë, si begati të krijimtarisë, e hasim te libri "O Amë, o
Amë".
Samjuel Smajls, në librin "Mbi karakterin" thotë se "atij
që nuk i rrah zemra për fëmijën e tij,
ai nuk mund të ketë dashuri të vërtetë as ndaj njerësisë dhe as ndaj
njerëzores". Pra, poetit Prend Buzhala, jo vetëm që i rrah zemra për dheun
e kësaj toke, por ai di t'i "takojë" edhe ngjarjet, di të shprehë e
ta ngritë zërin, i cili dëshiron të mos jetë vetëm i tij kundër të këqijave,
kundër tragjedive, që në asnjë moment nuk e ligështojnë as atë, por as popullin
që i takon, por, përkundrazi, i bën edhe më stoikë, ua ngrit vetëdijen në
piedestalin e diellit, të dritës, por që tok sjell vërejtje e porosi. Të parën për një kategori, ndërsa të dytën për të gjithë:
"...Amë e Frymëlindjeve:
i njeh trajtat e vdekjeve e të krimeve, trajtat e
varreve,..,
njeh vrasjen pas një pusie në rrugën për Janinë,
njeh vrasjen pas një qosheje të errët diku në
Bari,
e njeh vrasjen e
njeriut që s'don të lidhet, diku
në Shpellë."
(Poezia: "Amë e Frymëlindjeve që njeh vdekjen e ardhur pas
kryerjes së Detyrës ndaj jetës").
Shkrimtari, publicisti dhe studiuesi, Prend BUZHALA
Pesha e shprehjes poetike që obligon të ecësh krah për krah me poetin...!
Është kjo formë e shprehjes poetike, e konceptuar zjarrmishëm dhe reshur
me metaforë, që rrallë apo hiq, kështu, e hasim tek krijuesit në letrat tona.
Me këtë dua të them se, autori i librit me këmbëngulje ka nxjerrë porosinë dhe mesazhin e fortë përmes kësaj
forme, edhe pse në fillim ndoshta lexuesit të rëndomtë i duket e vështirë, por
ajo josh dhe obligon të ecësh krah për krah me poetin, ashtu siç është ai, i
tensionuar. Këtë e vërejmë kudo në këtë përmbledhje poezish:
“Amë e
Gjëmimeve që i çel plagë bebëza e syrit,
për trembëdhjetë vjeçarin e mbytur me kërbaç
xhandari,
Oh, Amë e hesperëve të moçëm, Amë
Dritëshpërndarëse,
çou ligjëro për dyzet mijë fatosa pa abetaret e
rrëmbyera,
për vashën e arrestuar në ushtri e
milici...",
ose:
"...për gjakun në dysheme këmishat e përgjakura,
për kthinat e burgut pa dritë...
për Nënën e burgosur, të ndarë nga fëmijët.
Amë e Travajave
të jetës në rrufetë e durimit në
ballë."
(Poezia: "Ligjëro, Amë Dheut, me rrufetë e
durimit në ballë").
Fjalë e shkurtër e paraqitur me rastin e promovimit të librit “O Amë, o
Amë” të autorit, Prend Buzhala, në
Krushevë të Vogël të Klinës, me 19 shtator 1997 Miq të nderuar, Krijues e punëtorë të kulturës, Ndodh që edhe kështu të tubohemi, për t'i bërë nderë vetvetes, duke
përkujtuar njerëzit që kanë bërë e bëjnë dritë në tokë e në qiell. E tillë është Nëna Terezë, bija, në damarët e të cilës qarkullonte
gjaku i këtij dheu, e cila dot nuk e harroi dhe as nuk e nënçmoi tokën në të
cilën u lind. Edhe pse, qysh në vegjëli, u nis në rrugën që, thënë
sinqerisht, nuk dihej se kah do ta shpinte, shpirti i saj i udhëhequr me
ndërgjegjen e pastër njerëzore e me
Zërin e Zotit, u bë mbështetje
e pa rrënuar e të gjithë njerëzve të shpresës së mirë, u bë dritë e diell e
të gjithë atyre që gjendeshin në
zgripcin e jetës, në pragun e territ, në prangat e skamjes. Sa thjeshtë e konsideronte jetën, po aq ajo atë ua bëri të madhe e të
vlefshme të tjerëve. Nëna të tilla nuk lindin shpesh dhe, ato mund të
rrjedhin vetëm nga damarët e tokës
bujare, por edhe të zemëruar, siç është toka shqiptare, siç është Kosova. Mendoni se nuk ka dhimbje e nuk i ka mbetur syri këtij dheu, që nuk
mund të prehen këtu eshtrat e hijes së saj. Po, me siguri se po! Bile, këtë e ndien secili njeri ynë në zemër, në shpirt e në rrjedhën e
gjakut nëpër damarët e trupit. Por kjo bëhet e durueshme, sepse jemi mësuar,
ndërsa, kësaj toke, arsyen ia flladit edhe shenjtëria e Nënës Terezë, sepse,
vepra e saj e kapërtheu tërë botën. Ani, se vërtet ishte e bekuar dhe, me
bekimin e saj le të përqafohen e ta çlirojnë shpirtin tërë njerëzit. Nuk jemi fanatikë, por edhe ashtu është, ajo ishte dhe është nëna jonë,
ishte dhe mbeti Nënë e botës. Sa madhështi, por që, disi shtrëngon shpirtin.
Nëna Terezë, ishe dhe mbeti diell e shpresë e njerëzisë, mburrje e bijë, hise
e secilit njeri. Do ta përfundoj këtë fjalë të shkurtër me thënien, e cila gjendet e shkruar
në murin e Shtëpisë së fëmijëve në qytetin Shishu Bhavani të Indisë, e
themeluar nga Nëna Terezë: "...Nderi dhe sinqeriteti do të të bëjnë
të lëndueshëm, s'është me rëndësi. Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë"! Ju faleminderit! (Sejdi BERISHA) |
Historia e kësaj toke është e begatë; ka plot
florinj, ka dritë, ka edhe qelb e pleh, ka edhe tmerr e llahtari, gjëra këto që
e trazojnë shpirtin e krijuesi...!
Historia e kësaj toke është e
begatë. Ka plotë florinj, ka dritë, por ka edhe qelb e pleh, ka edhe
tmerr e llahtari. Këto të fundit
trazojnë shpirtin e poetit pikërisht se "shikimi do shqetësim", e
sidomos ngjarjet që ai, sikurse të gjithë ne, i përjetoi, por ai pak më ndryshe dhe
si të tilla fuqishëm i përjetësoi në vargje:
"shko përballë Vatrës na ligjëro me gjuhë
të zjarrtë...
më të dashurit t'i vranë në Protestën e Dygishtave,
I pari kishte tre plumba midis sysh,
që me sytë e tij të hapen shtigje kah udhët e
lirisë",
dhe për ta forcuar këtë edhe më
shumë:
"...I dyti qëndronte i shtrirë me pesë
plumba në kraharor,
që në kraharorin e tij të marrin frymë baladat,
bimët, ujërat
(Poezia: "Afrohu te Vatra, Ti Amë e Lirisë
me plagët në ballë").
Vargjet e tilla jo vetëm se reflektojnë fleksibilitetin e autorit për të
shtruar temën thekshëm e intelektualisht, por tregojnë edhe për diapazonin e
gjerë kulturor e filozofik për rezistencën dhe fitoren!
Këtu vërejmë një strukturë të qëlluar e të mirëfilltë të
pjekurisë poetike. Bile-bile, ecjen tonë plot përplasje, poeti e avancon
duke i përcjellë me plot mllef të bëmat që na rrethojnë e që rrallë ndonjë
populli ia kanë rënduar supet sikurse neve. Ja, se si e përfundon ai poezinë:
"Amë e Muzave të Jetës, bebëza e syrit të Dheut
të lëndohet,
kur lirinë e blasfemojnë dhe e rrethojnë":-
"...Sa shekuj po na përcjell Amë e Urtisë, e Vetëpërmbajtjes:
të durosh do të thotë të krijosh Kohën e
Re".
Pra, edhe autori edhe këtë e ka si vargonj të jetës, të cilëve nganjëherë
i hiqen hallkat, e nganjëherë u vihen
hallkat e reja.
Pra, Prend Buzhala, përpëlitet me
jetën, apo, nëse doni, edhe me tragjiken që ndodh brenda nesh, përbrenda
njeriut. Për këtë arsye, poezia e tij
merr frymë më fuqishëm dhe më hidhërueshëm, që është si drita e kuqe për
ngritjen e vetëdijes, të tërë asaj që
është njerëzore. Sepse, këto dhe shumë gjëra të pahijshme e kanë
ngulfatur frymëmarrjen, e kanë errësuar
diellin:
"...Është një vajzë që po matet: a të ikë nga shtëpia apo
të vrasë veten. Askund strehim as ngushëllim nuk gjen. Dashurinë ia kanë vrarë
duke e fejuar përdhunshëm" (Poezia: "Mirëkuptim
për dashuritë tragjike, Amë e Mëshirës së plotë Njerëzore").
Librin e “vërshon” fjala Amë, që autori e "keqpërdor" për ta
zgjidhur nyjën e jetës, për ta korrigjuar historinë, për ta bërë pjesë të
shpirtit urtësinë, mirësinë, por edhe për t'i flakur të gjitha të këqijat e
ligatinat që na rrethojnë. Në saje të kësaj, poeti ka arritur që zbusë sado
kudo vrapin e lotëve - kohën e cila qan pse është para nesh.
Duke mos folur për strukturën e poezive as të vargëzimit, vlen të
theksojmë se, Prend Buzhala, me librin "O Amë, o Amë" ka dhënë
kontribut në pasurimin e letrave tek ne dhe ka hapur rrugëtimin e ndritur të punës dhe të krijimtarisë së tij
dhe jo vetëm.... Ka ngritur zjarrminë poetike me formën e posaçme të
konceptimit poetik dhe me detyrimin e lexuesit për t'u integruar në kopshtin
apo vullkanin, njësoj, të këtij poeti, krijimtaria e të cilit është plot sy e vesh, plot pësim për mësim!
Ernest Koliqi, thotë: "Njerëzit e mirë janë të dënuar me u ngujue në
vetmi. Në të vërtetën, s'kanë as miq as
shokë, por ndjekësa e armiq". Nëse është për t'i besuar, atëherë, autori i
librit "O Amë, o Amë", është
“ngujuar” në plasaritjen e kësaj toke për përspjetje në bashkim,
"ndjekës e armiq" i ka vargjet në kërkim të diellit...!
Krushevë e Vogël, më 21.01.1997