Speciale » Basha
Sabile Basha: Rifat Krasniqi, 'Sokrati' dhe Skënderbeu'
E shtune, 19.08.2023, 08:33 PM
TI KUJTOJMË ATDHETART TANË:
RIFAT
KRASNIQI, “SOKRATI” DHE “SKENDERBEGU”, -GJYKATËSI QË TËRË JETËN DHE MENQURIN E
VET E VURI NË SHËRBIM TË KOMBIT ( 1917- U PUSHKATUA MË 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Rifat
Krasniqi ishte i lindur më 1917, në katundin Mamushë i Rahovecit. Ai ishte i
biri i Abdyrrahmanit dhe i Dudijes. Me profesion ishte gjykatës në Gjyqin e
Rrethit, një kohë ka studiuar në Beograd, ndërsa ka diplomuar në Zagreb, më
1942. Nuk ishte i martuar, kishte dy vëllezër dhe nënën. Ushtrinë nuk e kishte
të kryer. Nuk ishte i dënuar. Fliste shqip, serbisht, turqisht dhe nga pak
italisht. Me gjendje ekonomike mesatare, i pa dënuar ndonjëherë. Rifat Krasniqi
sipas të gjithëve që merrën me lëvizjen ilegale llogarisin se ai ishte koka e
organizatës Nacional Demokratike Shqiptare për Prizren dhe rrethet tjera për
rreth. Rifat Krasniqi gjatë veprimtarisë kishte formua shumë komitete të
rretheve e komunave e fshatrave anë e këndë Kosovës. Në veprimtari ilegale ai
kishte pseudonimin “Sokrati” dhe “Skenderbegu”, ishte sekretar i organizatës në
Komtetin e Rahovecit. Gjatë kohës së okupimit, qysh në fillim kishte punuar si
sekretar i Komunës në Mamushë. Pas kësaj kishte shkuar në Zagreb për të
përfunduar fakultetin. Në Zagreb ishte regjistruar dhe më 1942 në qershor
kishte përfunduar fakultetin. Në Zagreb si student kishte qëndruar 8 muaj. Pasi
se kishte përfunduar drejtësinë, kishte ardhur në Tiranë dhe kishte dorëzuar
lutjen në Ministrin për Emërime. Pasi se ishte dashur të pres një kohë deri tek
emërimi, ata e kishin dërguar në Kukës, në Gjykatën e Rrethit. Këtu kishte
qëndrua një muaj, por pasi se nuk kishte pasur para për të jetuar, e lëshon
punën dhe kthehet në shtëpi. Pas një muaji i kishte ardhur dekreti se e kishin
emëruar si praktikant-gjykatës në Rahovec. Nga këtu shkon në Rahovec dhe ia
fillon punës si praktikant i Gjykatës. Në këtë punë kishte qëndrua rreth 15
muaj. Më vonë ishte avancuar si gjykatës i klasit të dytë, i vendosur si
gjykatës i klasit të dytë në gjykatën e Istogut. Në Istog kishte qëndruar katër
muaj, nga këtu më vonë kishte kaluar në Prizren. Kjo ka ndodhur në vitin 1944.
Në Prizren kishte shkuar kur kishte përfunduar lufta. Gjatë kohës së ardhjes së
partizanëve, në Prizren kishte qëndruar një muaj dhe nga këtu kishte shkuar në
Rahovec. Në Rahovec ishte punësuar në Këshillin Popullor të Rrethit si gjykatës
në gjykatë. Aty kishte punuar 5 muaj. Pastaj e kishin caktuar si sekretar të
Seksionit Social, dhe në këtë pozitë kishte ngelur deri më 1 mars 1945. Por,
pasi se në Komunën e Mamushës, sekretari
kishte qenë i sëmur nga tuberkulozi, e dërgojnë atë për sekretar në
Komunë. Në këtë pozitë kishte qëndrua
deri në ditën e arrestimit. Në organizatën e ONDSH-së, ishte futur në
muajin prill 1945. Lidhja e tij e parë për ilegale kishte qenë Kadri Minushi,
nga Domaneku, i cili ishte shef i Seksionit Shëndetësor në Këshillin Popullor
të Rrethit, në Rahovec, dhe i kishte thënë: “sonte do të takohemi që të mbajmë
një konferencë për t’u organizuar”. I kishte treguar edhe këtë se do të vijnë
Ahmet Dërguti, Kajtaz Ramadani, dhe asgjë më tepër. Kadri Minushi i kishte
tregua se kishte thirrë edhe Ahmet Dërgutin. Kur kishte ardhur Ahmet Dërguti
edhe ai i kishte përmendur konferencën. Ai nuk kishte kurrfarë njohurie se
çfarë konference do të mbahet dhe nuk e kishte ditur se çfarë konference do të
jetë. Shokët i kishin thënë se deri më tani nuk kishin guxuar që të thërrisnin
në konferencë se dukej shumë serioz dhe nuk guxonin të lëshoheshin në biseda.
Takimi ishte caktua që të mbahej në teqe, menjëherë posa të bie terri. Pastaj
me Kadri Minushin kishin shkuar në teqe, tek Sheh Mujedini dhe aty kishin
darkuar. Në darkë kishin marrë pjesë: Ahmet Dërguti, Kajtaz Ramadani, Kadri Minushi,
Sheh Mujedini, Sheh Zylfiqari. Në mbledhje kishte fol Ahmet Dërguti, pastaj
kishte folur edhe Rifat Krasniqi. Ishte biseduar për organizimin e Komitetit
ilegal të ONDSH-es, me qëllim që Kosova e Metohia t’i bashkohen Shqipërisë.
Rifati kishte shtuar se duhet me punua për bashkimin e Kosovës e Metohisë me
Shqipërinë, kishte folur për flamurin kombëtar, pastaj kishte thënë se
shqiptarët duhet të jenë më së paku 80% në administratë, kishte folur edhe për
padrejtësitë të cilat po bëhen nga ana e partizanëve, kishte thënë se në radhët
e partizanëve ka më tepër shovinizëm, e cila vjen nga drazhiqevcat të cilët
janë futur në radhët e partizanëve; komunistët e vërtetë kurrë nuk e kishin
bërë këtë gjë. Kishte pyetur se kush i ka mbytur fshatarët. Ahmet Dërguti në
këtë takim kishte kërkua se menjëherë duhet të formohet komiteti, dhe në
komitet të futen disa seksione, si ai, i financave, propaganda etj. Rifati
ishte pajtuar. Seksioni i financave duhet të grumbullojë ndihmat nga tregtarët
për komitet, dhe komiteti duhet t’iu ndihmojë njerëzit që ndodheshin në male.
Atëherë ishte propozua që të zgjidhët kryetari i Komitetit. Ahmet Dërguti
kishte propozua që për kryetar të zgjidhet, Kajtaz Ramadani dhe ishte përkrah
njëzëri. Pas kësaj Ahmet Dërguti kishte propozua që Rifat Krasniqi të jetë
sekretar, ngase ai ishte më i përshtatshmi dhe të gjithë u pajtuan me të. Për
arkëtar u zgjodh Ahmet Dërguti, veç kësaj ky ka pas për detyrë që të punojë
edhe në sektorin e propagandës. Për nënkryetar u zgjedhë Kadri Minushi. Në komitet
hynë edhe Sheh Mujedini. Në këtë mbledhje u caktuan edhe emrat ilegal.
Propozimin për emra ilegal e kishte bërë vet Rifati, se në rast të direktivave
dhe të dërgimit të letrave për të mos u zbulua se kush është. Me mbledhjen e
parë kishte udhëhequr Rifati. Si detyrë parësore kishin vu që në të gjitha
komunat të formohen komitetet, dhe duhet të vehen kontakte me Prizrenin,
Gjakovën dhe Drenicën. Për të formuar komitetet u angazhuan Kajtaz Ramadani dhe
Kadri Minushi në komunat: Banjsk, Kijevë, Dollc, Crnilluk ose Caralluk,
Ostrozub dhe Bratotim. Ata vetë pranuan që të formonin komitete në këto anë
ngase ishin nga atje. Për Rahovec e mori për detyrë Sheh Mujedini dhe Ahmet
Dërguti. Për Bellacerk e mori Sheh Mujedini. Për komunën e Mamushë e mori për
detyrë, tek në mbledhjen e dytë Vahit Mustafa, i cili ishte anëtar i ri i
Komitetit. Lidhjet me Drenicën u caktua që t’i mbante Kadri Minushi dhe
Kajtazi. Rifati dhe Sheh Mujedini morëm përsipër që të krijojn lidhje me
Prizrenin. Morën qëndrim që mbledhjen e dytë ta mbajmë sa më shpejt. Për
organizim kishin dhanë direktiva Rifati dhe Ahmet Dërguti. Mbledhjen e dytë e
kishin mbajtur pas 15 dite. Mbledhjen e kishte thirr Rifat Krasniqi. Mbledhja
ishte mbajtur në shtëpinë e Halil Dërgutit, tregtar nga Rahoveci. Ai e kishte
ditur se mbledhja do të mbahet në shtëpinë e tij. Përveç atyre që kishim qenë
edhe më herët, në mbledhje kishin ardhur edhe disa të rinj: Vahid Mustafa,
Halil Dërguti, Ismail Gashi-hoxha, Murati... tregtar nga Rahoveci. Anëtarët e
rinj ishin njoftuar se ne kishim mbajt një konferencë më herët dhe se çka
kishim vendosur dhe çka kishim përfunduar. Ata u pajtuan me zgjedhjen e
anëtarëve të Komitetit. Për punën e Konferencës së parë kishte referuar Rifati.
Edhe mbledhjen e dytë e kishte hapur Rifati dhe i kishte njoftuar për punën e
mbledhjes së dytë. Në këtë mbledhje Vaid Mustafa kishte marrë për detyrë që të
formojë komitetin në komunën e Mamushës, a Rifati kishte marrë për detyrë që të
formoj komitetin në komunën e Opterushës, plus kësaj kishte pasur edhe të vej
lidhje me Prizrenin. Halil Dërguti kishte marrë për detyrë që të mbledh ndihma
në Rahovec së bashku me Sheh Mujedinin. Sheh Mujedini qysh në mbledhjen e parë
kishte marrë për detyrë që të formonte komitetin e vendit në Rahovec dhe të
marrë lidhje me Gjakovën. Pas kësaj me propozimin e Vaid Mustafës ka ardhur
deri te dhënia e betimit. Qëllimi i dhënies së betimit ka qenë që mos të
tradhtohen shokët në mes veti, dhe të punohet më tepër. Tekstin e betimit e
kishin formuluar Rifat Krasniqi dhe Vaid Mustafa. Teksti i betimit ishte:
“Betohemi në zot, në librin e shenjët Kuranin, të dërguarin e zotit, dhe
flamurin, se do të punojmë të gjithë për të mirën e popullit, dhe nuk do të
tradhtojmë shokët në komitet”. Rifati e kishte lexua i pari tekstin, pastaj
shokët e kishin thënë pas tij. Kuranin e kishte sjellë Halil Dërguti, po ashtu
edhe flamurin, ndërsa revolen e kishte pasur Kadri Minushi. Kjo ishte edhe
mbledhja e fundit ngase, se pushteti e kishte diktuar se po mbahen mbledhjet
ilegale. Rifati emrin e tij ilegal nga “Sokrati” e kishte ndërrua në Prizren.
Në burgun hetues në Prizren, Rifat Krasniqi u mor në pyetje 3 herë: me 9 korrik, dhe dy herë me 30 gusht
1945. Gjyqi Popullor Krahinor i Kosovës e Metohisë, që kishte organizua
procesin gjyqësor nga 20 -27 shtator 1945, me aktgjykimin Gj.nr. 17/45, iu
shqiptua dënimi me vdekje- pushkatim: Halim Spahiut, Tahir Dedës, Rifat
Krasniqit, Sefedin Ahmetit, Rexhep Avdullah Kabashit dhe Kajtaz Ramadanit,dhe
dënimin e humbjes së përhershme të të gjitha të drejtave politike e qytetare dhe me konfiskimin e
tërë pasurisë së tyre. Ata gjashtë
patriot u ekzekutuan me 5 shkurtit 1946, në Prishtinë. Pushkatimi u bë në orën 06:00 (gjashtë) të
mëngjesit, pa praninë e publikut në vendin e quajtur “Kiseli bunar”.