| E marte, 08.08.2023, 07:00 PM |
KUVENDI KUSHTETUES PANSHQIPTAR – PADREJTESISHT I HARRUAR!
Kuvendit kombëtar i
parapriu Lidhja e Dytë e Prizrenit
Nga
Adil FETAHU
Në vigjilje të kapitullimit të
Italisë fashiste, e duke u frikësuar se
forcat e koalicionit antifashist anglo-amerikano-ruse do të zbarkonin në
Shqipëri, ushria gjermane ndërmori masa duke dërguar disa reparte në Shqipëri
të ushtrisë së saj për të zënë pikat
strategjike dhe portet e aeroportet shqiptare. Në atë kohë edhe ushtria
gjermane kishte marrë goditje të rënda në frontin e Lindjes, dhe nuk kishte
forca të mjaftueshme për t’i dërguar në Shqipëri, prandaj e mendoi strategjinë
e tillë, që populli shqiptar të mos e ndiente ushtrinë gjermane si okupatore.
Në këtë aspekt e shfrytëzonte simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët
ushtrinë gjermane e pritën dhe konsideronin si çlirimtare kundërejt dhunës 23
vjeçare së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Strategjia gjermane ishte t’i
qetësojë dhe përvetësojë shqiptarët, t’iu lejoi që këta të formojnë organet e
veta për të gjitha hallkat e pushtetit civil të pavarur. Për të krijuar një
pushtet bashkëpunues me ushtrinë gjermane, besimin më të madh e kishin në
kuadrat udhëheqëse politike nga Kosova. Në këtë
kontekst përfaqësuesi kryesor për Ballkanin, Dr.Hermann Neubacher, i
thirri në një takim në Beograd (më 6 shtator 1943) Xhafer Devën dhe Vehbi
Frashërin, i biri i Mehdi Frashërit. Mehdi Frashëri ishte një antifashist i
dëshmuar dhe për këtë arsye ishte internua në një kamp në Itali, bashkë me
shumë intelektualë tjerë antifashistë. Neubacheri ua kishte bërë me dije Devës
dhe Frashërit kapitullimin e shpejtë të Italisë dhe nevojën e një organizimi
për të mos lënë hapësirë për kaos. Xhafer Deva i kishte propozuar formimin e
një komiteti ekzekutiv të përkohshëm për t’u marrë me menaxhimin e situatës
deri në formimin e organeve përkatëse. Për këtë qëllim Deva prej Beogradi shkon
në Shkodër (më 8 shtator), ku informohet definitivisht për kapitullimin e
Italisë. Neubacheri shkon në Tiranë më 10 shtator. Ai u premtoi shqiptarëve: rivendosje të pavarësisë, qeverisje plotësisht
të pavarur, pa u përzie ushtria gjermane në punët e organeve civile shqiptare, garantimin
e kufijve etnikë që ishin krijuar, brënda të cilëve përshiheshin 74000 km
katrore toka të banuara me shumicë shqiptare. Ai u sugjeroi shqiptarëve të
krijonin një organizëm i cili do të rishpallte pavarësinë e Shqipërisë pas
kapitullimit të Italisë. Për ralizimin e qëllimeve të veta Neubacher kishte më
shumë besim të personalitetet shqiptare të Kosovës, duke pasur parasysh
simpatinë e tyre ndaj ushtrisë gjermane, e cila i kishte çliruar nga torturat
që kishin përjetuar nën Jugosllavinë. Si rezultat i atyre bisedimeve, Ibrahim
Biçaku, Vehbi Frashëri dhe Xhafer Deva, në bashkëpunim me figura tjera shqiptare,
më 14 shtator formuan një Komitet Kombëtar prej 22 vetave, të kryesuar nga
Ibrahim Biçaku Komiteti Kombëtar formoi një Komitet Ekzekutiv, si një qeveri e
përkohshme, prej 5 vetash: Bedri Pejani, Xhafer Deva, Vehbi Frashëri, Mihal Zallari dhe Eqrem
Telha.
Në ndërkohë u mbajt “Lidhja e Dytë e
Prizrenit”, më 16-20 shtator 1943, në
frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit (1878). Në mbledhjet e Lidhjes së Dytë të
Prizrenit, u murën vendime: a) për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet
shqiptar; b) organizimi politik-ushtarak për mbrojtjen e kufijve shqiptar; c)
krijimi i një Komiteti Ekzekutiv Qendror, në Prizren, me degët në të gjitha
qendrat e krahinave shqiptare, për të kryer funksionin e qeverisjes vendore; d)
përcaktimi i kritereve dhe mënyrës së zgjedhjes së delegatëve për Kuvendin
Kushtetues Kombëtar në Tiranë.
*
Komiteti Kombëtar e rishpalli
pavarësinë e Shqipërisë më 19 shtator, të cilën e njohu qeveria gjermane më 24 shtator 1943,
me notën që ia dërgoi Komitetit Kombëtar, me këtë përmbajtje:
“Qeveria e Rajhut përshëndet
vendimin e patriotëve shqiptarë që, pas ndërprerjes së çdo legaliteti dhe
vazhdimësie, për shkak të ngjarjeve të fundit, të marrin mbi vete përgjegjësinë
për udhëheqjen e shtetit shqiptar në bazë të pavarësisë së Shqipnisë. Qeveria e
Rajhut njeh Këshillin Ekzekutiv, të emëruar më 15 shtator nga ana e Komitetit
Kombëtar, i cili ka marrë mbi vete punët e qeverisë së Shqinisë”.
Nota e Qeverisë së Rajhut për
njohjen e pavarësisë së Shqipërisë kishte karakter diplomatik dhe juridik në
marrëdhëniet midis dy shteteve. Konsulli i përgjithshëm gjerman që ishte në
Tiranë u ngrit në nivelin e ambasadorit,
kurse ambassador i Shqipërisë për Gjermani u emërue Rauf Fico.
Ndërkohë, përmes konsullit gjerman
në Romë, u bë e mundur që Mehdi Frashëri të kthehet në Tiranë, pas qëndrimit në
kampin Italian. Eprorët e ushtrisë dhe diplomacisë gjermane kishin besim në Frashërin
për bashkëpunim.
Mbledhja e Kuvendit Kushtetues
Kombëtar
Krahas punëve tjera vijuese,
Komiteti Ekzekutiv bëri përpjekjet për zgjedhjen e delegatëve për Kuvendin
Kombëtar, të cilin e kishte caktuar për 16 tetor 1943. Delegatët duhet të
zgjedheshin nga secila prefekturë, nënprefekturë, komunë a bashkësi e tokave të
bashkuara të Shqipërisë etnike, sipas rregullave dhe kritereve të caktuara. Me
qenë se në kushte të luftës nuk ishte e mundur të zhvilloheshin zgjedhje
normale e delegatëve nga çdo prefekturë, Këshilli Ekzekeutiv ishte autorizuar
të caktonte përfaqësues nga radhët e
personaliteteve të shquara dhe nga radhët e klerit dhe bajraktarëve të
Malësisë.
Mlbedhja e parë e Kuvendit
Kushtetues Kombëtar u filloi më 16 tetor 1943, në Pallatin Mbretëror në Tiranë,
në të cilën morën pjesë 187 delegatë. Kryesues të mbledhjes së Kuvendit u
caktuan Lef Nosi (kryetar) dhe Xhelal Mitrovica (sekretar). Numri më i madh i
delegatëve ishin nga Kosova dhe nga Dibra e Madhe. Delegatët nga Kosova, të veshur
me rroba kombëtare e shumë sish edhe të armatosur, kishin arritur në Tiranë në mënyrë të
organizuar, me tre aubobusa, Kur delegatëve të zgjedhur iu bashuan edhe 57 veta
nga personalitetet e caktuara nga Këshilli Ekzekutiv, numri i pjesëmarrësve në
Kuvend arriti 244 veta.
Seanca e dytë e Kuvendit u mbajt më
18 tetor, në të cilën Ibrahim Biçaku paraqiti një raporti të punëve që kishte kryer Komiteti Ekzekutiv. Në
atë seancë delegatët bënë betimin dhe zgjodhën Kryesinë: Lef Nosi (kryetar) e
Sokrat Dodbiba (sekretar).
Kuvendi zhvillonte punimet në bazë
të akteve të para kohës së pushtimit Italian, dmth. në bazë të Kushtetutës së
Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, duke rrëzuar kështu të gjitha aktet e
pushtetit Italian të nxjerra pas 7 prillit 1939, të cilat kishin të bënin me
bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë fashiste. Kuvendi zgjodhi Këshllin
e Lartë të Shetit (Regjencën), i cili përfaqësonte shtetin shqiptar në vend të
Mbretit, dhe bashkë me Asamblenë kishte pushtetin legjislativ. Këshillin e
Lartë të Regjencës, Kuvendi e zgjodhi në
këtë përbërje: Mehdi Frashëri (kryetar), Lef Nosi, Anton Harapi, Fuat Dibra. Regjenca do të kryejë funksionin e
institucionit të Mbretit të Shqipërisë.
Me qenë se Lef Nosi u zgjodh në
Këshillin e Regjencës, në vend të tij, për kryetar të Kuvendit (të transformuar
në parlament më të reduktuar), u zgjodh patrioti i njohur korçar Idhomen
Kosturi. Kur i kishin ofruar Idhomenit postin
e kryetarit të Kvendit, a kishte thënë: “Nëse është për të mirën e popullit, e
pranoj detyrën, e nëse është fjala vetëm për një post (karrige), nuk kam nevojë
sepse kam mjaft karriga në shtëpi”. Të nesërmen e vranë komunistët, para
shtëpisë së tij në Durrës. Në vend të tij, për kryetar kuvendi u zgjodh korçari
tjetër, prof. Mihal Zallari.
Respektimi i Kushtetutës së vitit
1928 dhe zgjedhja e organeve sipas asaj Kushtetute, jep të nënkuptohet se
synohej të mbahej sistemi monrakist në Shqipëri.
Pas zgjedhjes së Regjencës, Mehdi
Frashëri kishte mbajtur një ligjëratë në Kuvend, në të cilën, përveç se kishte
lavdëruar punën e Kuvendit si vazhdimësi e kontinuitetit të shtetit të pavarur
shqiptar, kishte përshkruar gjendjen dhe preferonte pikëpamjet lidhur me
qëndrimin politik në ato rrethana të luftës: “Vetëm një gjë nuk duhet ta
harrojmë, se ndodhemi në kohë lufte. Asnjë shtet në Ballkan nuk ka mbetur pa u
okupuar prej ushtrive ndërluftuese, mike ose armike. Kështu edhe Shqipnia sot
nodhet nën okupimin e ushtrisë gjermane, por kjo ushtri ka ardhur si ushtri e
një shteti mik dhe jo anmik e luftues kundra nesh… Ndeja e saj në tokat tona
asht e lidhun me ngjarjet e luftës dhe mund të zgjatë disa javë ose disa muaj,
por gjithmonë është e përkohshme dhe kjo gja në një mënyrë nuk i gjason
aneksimit kolonial të përheshëm si ajo e Italisë”, kishte thënë M.Frashëri.
Ndër shumë akte tjera juridike të
rëndësishme që miratoi Kuvendi Kushtetues Kombëtar, ishte shpallja e pavarësisë
dhe e mosangazhimit të shtetit shqiptar
në luftë, në asnjenin krah (asnjajsia, neutraliteti), si dhe çfuqizimi e anulimi i Dekretit të
pushtetit Italian (3.6.1940), sipas të cilit “Shqipëria ishte në gjendje lufte
me të gjitha ato shtete me të cilat Mbretëria Italiane ishte në luftë”.
Derisa Kuvendi mbante mbledhjen në
Pallatin Mbretëror, komunistat partizan e granatonin Pallatin me mortaja.
Puna e parë e Regjencës ishte
mandatimi i një qeverie, e cila duhej t’i jepte fund anarkisë dhe kaosit të
krijuar. Pas mandatimit nga Regjenca, Kuvendi e votoi Qeverinë, me këtë
përbërje:
Rexhep Mitrovica, kryetar
Xhafer Deva, ministër i punëve të
brendshme
Mehmet Konica (Bahri Omari) ministër
i punëve të jashtme
Rrok Kola, ministër i drejtësisë
Ago Agaj, ministër i ekonomisë
Musa Gjylbegu, ministër i punëve
botore (publike)
Eqrem Qabej, ministër i arsimit, por
ai nuk e pranoi këtë detyrë, prandaj në vend të tij u zgjodh Koço Muka
Sokrat Dodbiba, ministër i financave
Kolë Tamara, ministër i kulturës
popullore
Vehbi Frashëri, nënministër i punëve
të jashtme
Qazim Bllaca, nënministër i
ekonomisë.
Kryetari Rexhep Mitrovica i paraqiti
Kuvendit Programin e Qeverisë, me synimet e mbrojtjes së pavarësisë dhe
tërësisë territoriale. Edhe Qeveria u quajt Qeveri Kombëtare, me qenë se
përfaqësohej nga të gjitha territoret e çliruara shqiptare. Sipas programit,
detyrat kryesore të kësaj qeverie ishin: sigurimi i qetësisë së brendshme;
sigurimi i pavarësisë së jashtme dhe neutraliteti i Shtetit Shqiptar; liria e
plotë e mbledhjeve, e fjalës dhe e shtypit për të gjitha grupimet politike (përveç partisë komuniste); ndërmjetësimi te shteti
gjerman për lirimin e të gjithë shqiptarëve të burgosur e të internuar nga
pushteti Italian; transferimi i trezorit
të banknotave shqiptare nga bankat e Italisë,etj.. Ndër masat e tjera të
Qeverisë u arrit marrëveshja me Shtetin
Gjerman që paraja shqiptare ishte i vetmi mjet pagese në qarkullimin në
Shqipëri, kështu që për nevojat e ushtrisë së vet në Shqipëri, shteti i
Gjermanisë detyrohej të blente valutën shqiptare.
Ajo që ishte me rëndësi, se në Shqipëri
u vendos një administratë civile krejtësisht shqiptare, me të gjitha
institucionet, aktet juridike dhe simbolet kombëtare, ashtu sikur i kishte pasur
Monarkia para okupimit Italian, e jo administratë ushtarake gjermane, sikur
ishte në Jugosllavi, Greqi, Çekosllovaki, Norvegji etj.
Edhepse ky ishte një fiksion i
pavarësisë së Shtetit Shqiptar, megjithatë, për çështjet civile, të rendit, të
ekonomisë, financave, arsimit e kulturës,
organet kombëtare kishin pavarësi të plotë dhe nuk pengoheshin nga ushtria
gjermane.
Kuvendi Kushtetues Kombëtar
funksionoi prej 16 shtator 1943, deri më 5 tetor 1944, kur forcat komuniste
muarën në duar situatën në vend, vunë pushtetin e tyre, ashtu që udhëheqësit
kryesor të Qeverisë e të Kuvendit u detyruan ta braktisin vendin e të emigrojnë
jashtë vendit.
Kuvendi Kushtetues Kombëtar, ashtu
çfarë ishte, duhet ta zëjë vendin e merituar në sistemin parlamentar të
Shqipërisë dhe padrejtësisht ka mbetur në harresë edhe nga ata të cilët e kanë
ditur, e të mos flasim për ata të cilët nuk e kanë ditur.
Adil FETAHU