Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Idetë hegjemoniste dhe ekspansioniste janë anakronike dhe në kundërshti me parimet demokratike
E enjte, 03.08.2023, 07:28 PM
IDETË HEGJEMONISTE DHE EKSPANSIONISTE JANË ANAKRONIKE DHE NË KUNDËRSHTI ME PARIMET DEMOKRATIKE (I – III)
- ideologjia serbomadhe -
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Ideologjia serbomadhe gjatë shpërbërjes së RSFJ-së - Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX,
RSF e Jugosllavisë u shpërbë me luftë. Në këto luftëra kundër Sllovenisë,
Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës, u përfshi Serbia.
Akademiku serb me
shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq (1921-2014) shkruan: “Çështja
kombëtare serbe është çështje e lirive dhe e të drejtave ekzistenciale të
etnosit serb në tërësi, është çështje e identitetit të tij shpirtëror, kulturor
dhe historik, pavarësisht nga kufijtë e tashëm të republikave dhe
konstitucionit të Jugosllavisë. Po qe se kjo liri dhe kjo e drejtë nuk merret
parasysh, atëherë del se qëllimi historik i popullit serb nuk është realizuar –
bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet...”
Në vitin 1986,
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (ASShA) nxori një memorandum. Njihet si
Memorandumi i ASShA-së. Në këtë shkrim famëkeq, midis tjerash
thuhet: “Serbët në Jugosllavi janë të diskriminuar. Shqiptarët në Kosovë,
ndaj tyre ushtrojnë gjenocid”. Pas këtij memorandumi shpërthen në
Serbi nacionalizmi serb. Në tërë Jugosllavinë vërshojnë valIdett e protestave
të organizuara të serbëve dhe të malazezëve. Pjesëmarrësit nëpër mitingje
kishin transport të organizuar me autobusë. Nën trysninë e demonstratave
shemben pushtetet e krahinave autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës. U shemb
edhe pushteti republikan në Mal të Zi. Në Vojvodinë dhe në Mal të Zi erdhën në
pushtet njerëz që i bindeshin politikës së Sllobodan Millosheviqit (1941-2006).
Nacionalistët serbë e cilësuan Jugosllavinë si katastrofën më të madhe të
Serbisë. Sipas tyre, duke pranuar të bëhet pjesë e shtetit të Jugosllavisë, në
vend ta kishte krijuar Serbinë e Madhe në periudhën e volitshme pas Luftës I
Botërore, Serbia ka bërë gabim fatal. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet
’90 të shekullit XX, bashkimi i serbëve ishte qëllim që e përfaqësonin
politikanët serbë. Me idenë serbomadhe ishin të përshkuar faktorët kryesorë të
politikës serbe – Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit, Partia Radikale
Serbe e Vojisllav Sheshelit dhe Lëvizja Serbe e Rimëkëmbjes e Vuk
Drashkoviqit (1946- ). Radikalët serbë të Vojisllav Sheshelit
(1954- ) tentuan t’i zhvarrosin mbetjet mortore të Josi Broz Titos* dhe
t’i dërgojnë në Kumrovec të Kroacisë, aty ku kishte lindur. Por kjo nuk ndodhi.
Shënim: Josip Broz Tito
(1892-1980) – ka lindur në Kumrovec të Kroacisë. Babai Franjo Broz ishte kroat,
ndërsa nëna Maria Javershek ishte sllovene. Prindërit i e tij kishin 15
fëmijë. Titoja ishte fëmija i shtatë.
Memorandumi i ASShA – Është dokument të cilin e hartoi Akademia Serbe e
Shkencave dhe e Arteve ndërmjet viteve 1985 dhe 1986. Është program strategjik
i inteligjencies serbe. Memorandumi thekson “pozitën e rëndë dhe pabarazinë
e popullit serb në Jugosllavi, sidomos në Kosovë, ku ndaj popullatës serbe
zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Demonstratat e
shqiptarëve në Kosovë të vitit 1981, akademikët serbë i quajnë “agresion
neofashist”. Memorandumi kritikon konfederalizmin dhe
autorizimet e mëdha të krahinave autonome (të Kosovës dhe të Vojvodinë) të
realizuara me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974. Me këtë kushtetutë, “serbët
janë diskriminuar”. Sipas akademikëve serbë, “çështja serbe nuk
do të konsiderohet e zgjidhur para se të realizohet plotësisht bashkimi
kombëtar dhe kulturor i serbëve, pavarësisht se ku jetojnë ata” (faqet
70-73).
Për shkak të
pikëpamjeve mbi gjendjen e kombit serb dhe kërkesave për riorganizimin
rrënjësor të RSF të Jugosllavisë, sapo u publikua, Memorandumi shkaktoi reagime
të vrullshme në Jugosllavi. Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i
atëhershëm i RS të Serbisë, Ivan Stamboliq (1936-2000), e quajti
manifest lufte për komisarët serbë. E kanë cilësuar si pikë të zezë
të historisë serbe. Sakaq, atë e shpallën tradhtar. Ndër shumë qytetarë të
Jugosllavisë, ky dokument u konsiderua si shprehje e nacionalizmit serbomadh
dhe mjet i përhapjes së ndjenjave antishqiptare. Është thënë se
Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kryesor për shpërbërjen e RSF të
Jugosllavisë dhe se ka kontribuar me të madhe për luftërat në Jugosllavi.
Kroatët e quajtën Memorandumin nekrolog të Jugosllavisë.
Memorandumi e
përcaktoi drejtimin e zgjidhjes së “çështjes serbe” brenda RSF të
Jugosllavisë, duke folur qartas për mundësinë që kjo bashkësi shtetërore të
shpërbëhet. Për një situatë të tillë, serbët duhet të jenë të përgatitur
vendosmërisht. Dokumenti u publikua në dy vazhdime në gazetën e Beogradit “Veçernje
novosti”, më 24 dhe 25 shtator 1986. Nëpër kiosqe shitej në mënyrë jolegale
edhe si libër. Dokumenti doli anonim. Nuk dihej se cilët ishin akademikët që e
kishin hartuar atë.
Pas shumë vitesh
doli në shesh se grupi i punës që kishte marrë pjesë në përpilimin e
Memorandumit përbëhej prej akademikëve, si: filologu dhe linguisti Pavle
Iviq (1924-1999); nënkryetari i
ASShA-së, shkrimtari Antonije Isakoviq (1923-2002); kryetari i ASShA-së,
dijetar i biologjisë molekulare Dushan Kanazir (1921-2009); filozofi Mihajlo
Markoviq (1923-2010); juristi dhe ekonomisti Milosh Macura
(1916-2005); historiani Dejan Medakoviq (1922-2008); historiani i
letërsisë Miroslav Pantiq (1926-2011); paleontologu Nikola Pantiq
(1927-2002); neurobiologu Lubisha Rakiq (1931-2022); historiani Radovan
Samarxhiq (1922-1994); themeluesi i shkollës së robotikës në Beograd Miomir
Vukobratoviq (1931-2012); historiani Vasilije Krestiq (1932- );
juristi Ivan Maksimoviq (1924-2007); ekonomisti Kosta Mihajloviq
(1917-2007); ekonomisti Nikola Çobeliq (1912-2002).
Akademikët e
sipërthënë janë shkolluar në Universitetin e Beogradit. Asnjëri prej tyre nuk
është shkolluar në ndonjë prej universiteteve të Evropës. Pothuajse të gjithë
kanë qenë profesorë në Universitetin e Beogradit.
* * *
Mitingjet e serbomëdhenjve në vitet 1987-1989 – Organizues “të revolucionit
antiburokratik” ishin Millosheviqi, Voisllav Shesheli, Vuk Drashkoviqi
dhe njerëzit rreth tyre. Pranë Millosheviqit ishte Ivica Daçiqi (1966-
), ndërsa pranë Sheshelit ishin Tomisllav Nikoliqi (1952- ) dhe kryetari
i përtashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi (1970- ). Në vitet 2012-2017,
Nikoloqi ishte kryetar i Serbisë. “Revolucionin antiburokratik” kroatët
e quajtën “revolucion të kosit” (jogurt revolucija). Kështu sepse
pjesëmarrësve në revolucion, domethënë revolucionarëve, u jepej nga një gjevrek
me nga një gotë dhallë ose kos. U mbajtën një sërë mitingjesh apo tubimesh
masive me ndihmën e të cilëve kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së
Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi i shembi pushtetet e krahinave
autonome – të Vojvodinë dhe të Kosovës. E shembi edhe udhëheqjen partiake dhe
republikane (shtetërore) të Malit të Zi, duke caktuar në vend të tyre ithtarët
e vet. Me ndryshimet që u kryen në vitin 1989 në Kushtetutën e RS të Serbisë,
autonomitë e Vojvodinës dhe të Kosovës të cilat ishin pjesë konstitutive të federatës
- u shuan. “Revolucionin antiburokratik” Serbia tentoi ta mbartë edhe në
republikat e tjera, por hasi në qëndresën e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Zagrebi
dhe Lubjana thanë: “Jugosllavia duhet të rindërtohet mbi parime të
konfederatës”. Serbomëdhenjtë s’u pajtuan. Në Jugosllavi shpërtheu lufta.
Plani i Serbisë së Madhe i hartuar nga Voisllav Shesheli – Që në fillim të luftërave në Jugosllavi që
shpërthyen në vitin 1991 e këndej, udhëheqësi serb i çetnikëve Voisllav
Shesheli e riaktualizoi planin e vjetër të çetnikëve për krijimin e Serbisë së
Madhe dhe për pastrimin etnik të saj. ky plan bazohej në parimin “Ku janë
varret serbe, aty janë tokat serbe”, duke kombinuar kësisoj të
drejtën historike dhe etnike për territoret e republikave fqinje të
Jugosllavisë. Në kuadër të Serbisë së Madhe, ai pretendonte të përfshijë pjesën
më të madhe të territorit të Jugosllavisë: Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi,
Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe një pjesë të madhe të Kroacisë, të ndarë sipas
vijës së paramenduar Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica. Sipas studiuesve
kroatë, këtë ide Shesheli e ka marrë prej ideologut çetnik të Luftës II
Botërore, Stevan Moleviq ( 1888-1957). Pas këtij përcaktimi programor
qëndronte Lëvizja Çetnike Serbe e Sheshelit, e cila më vonë u
quajt Partia Radikale Serbe. Kjo parti i dërgonte vullnetarët e vet në
fushëbeteja anembanë Jugosllavisë. Partia Radikale Serbe e Sheshelit, sot e
kësaj dite këtë program e mbron zyrtarisht. Në krye të kësaj partie, deri në
vitin 2008 kanë qenë edhe Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi. Sipas disa
studiuesve, Nikoliqi dhe Vuçiqi paskan deklaruar: “Ideja e Serbisë së Madhe
është joreale”.
Shënim: Më 12 qershor
2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në ceremoninë e
kurorëzimit kishtar të Aleksandar Sheshelit, djalit të liderit të Partisë
Radikale Serbe, Voisllav Sheshelit. Gjatë kësaj ceremonie janë kënduar këngë
çetnike, këngë “patriotike” për vojvodën e çetnikëve Pavle
Gjurishiqin (1907 – 21.04.1945), trupat e të cilit, në shkurt të vitit 1943
kanë kryer masakër ndaj myslimanëve në Plevle, Çajnicë dhe Foçë të BH-së. Më
pas edhe në Kroaci. U vra prej ustashëve kroatë në kampin Stara Gradishka, më
21 prill 1945.
Pjesëmarrja e
Vuçiqit në dasmën e një krimineli të luftës tregon qartë se ai sot e kësaj dite
ndjek ideologjinë e ish-shefit të vet.
Shesheli ka qenë dhe
mbetet luftënxitës, kriminel lufte i dënuar në formë të prerë. Kryetar i
Partisë Radikale Serbe, vojvodë çetnikësh dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së
Serbisë. Përhapës i kroatofobisë. Përhapjes së urrejtjes ndaj
kroatëve ia ka kushtuar një pjesë të madhe të librit “Ideologjia e
nacionalizmit serb” të viti 2000 si dhe veprën prej mbi 1.000 faqeve “Kombi
artificial kroat, projekt kriminal i kishës katolike të Romës” të viti
2007. Në vitin 2003 iu dorëzua Tribunalit të Hagës. U gjykua për krime lufte të
kryera në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Në shtator të vitit 2014, për
shkak të mjekimit nga karcinomi, u lirua nga paraburgimi. Me aktgjykimin e
shkallës së parë të datës 31 mars 2016, Gjykata e Hagës e liroi nga faji sipas
të gjitha pikave të aktakuzës. Me aktgjykimin e shkallës së dytë u dënua me
dhjetë vjet heqje lirie për krime kundër njerëzimit që nënkuptojnë përndjekjet,
dëbimet dhe zhvendosjen e dhunshme të kroatëve (dikur shqiptarë të fisit
Kelmendi) në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992. Nuk u kthye në
burg ngase Kolegji ankimor, në vuajtjen e dënimit e llogariti kohën që e kishte
kaluar në paraburgim ku kishte qëndruar prej viti 2003 deri në vitin 2014.
* * *
Plani për Serbi të Madhe i Vuk Drashkoviqit - Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, plan për
Serbi të Madhe hartoi edhe kryetari i Lëvizjes Serbe të Rimëkëmbjes (Srpski
pokret obnove / SPO), politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq (1946-
). Sipas këtij plani, RSF e Jugosllavisë do të mundë të rikrijohej me formimin
e bashkësisë së shteteve të pavarura, e cila do të përfshinte Serbinë,
Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën. Sipas planit, Bosnja dhe
Hercegovina do të zgjerohej me pjesë të Kroacisë, me përqindje të lartë të
serbëve, duke i lënë Kroacisë pjesë të Posavinës dhe Hercegovinën perëndimore.
Në pikëpamje etnike, me këtë plan, Kroacia do të bohej homogjene, ndërsa BH-ja
do të kishte përafërsisht përqindje të barabartë serbësh dhe boshnjakësh,
d.m.th. nga 50%. Ky plan do të duhej të ishte një lloj plani paqësor midis
serbëve dhe kroatëve. Plani nënkuptonte rikrijimin e Bosnjës dhe Hercegovinës,
duke iu dhënë asaj pjesët e Kroacisë të banuara me serbë dhe si kompensim, do
t’i bashkëngjiteshin pjesët e BH-së të banuara me kroatë. Katër shtetet sovrane
të sipërthëna, do të vendosnin lidhje të ngushta përkitazi me politikën e
jashtme dhe komandën e përbashkët mbi njësitet që kërkojnë shpenzime buxhetore
më të mëdha, siç janë aviacioni, njësitë e mekanizuara. Me kalimin e kohës, kur
të qetësoheshin pasionet kombëtare, mbi baza perëndimore dhe demokratike, do të
tentonin të vendosnin ndonjë lidhje me Kroacinë dhe me Slloveninë.
Këtë plan, në korrik
të vitit 1991, Drashkoviqi ia propozoi kryetarit të atëhershëm të Kryesisë së
RSFJ-së, Stjepan “Stipe” Mesiqit*, Plani u refuzua, pa u shqyrtuar fare.
Në fillim të luftës
në Kroaci, Drashkoviqi organizon formacionin ushtarak vullnetar të quajtur Garda
Serbe (Srpska grada), të cilin e dërgon në fushëbetejë. Në atë
kohë, si një politikan pro-çetnik, e kritikonte Millosheviqin për
arsye se, duke u mbështetur në komunizëm, në kuadrot
komuniste të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe duke qenë në antagonizëm me
Perëndimin, serbët jashtë kufijve të Serbisë së atëhershme, nuk ka qenë e
mundur të mbroheshin. Kroacia, por edhe kundërshtarët politikë të
Drashkoviqit në Serbi, këtë propozim e pritën me cinizëm. Sipas disa
studiuesve, me fajin e Millosheviqit, rrethanat ndryshuan në dëm të Serbisë,
kështu që vetë Drashkoviqi dhe partia e tij, hoqën dorë nga ky program.
Drashkoviqi pohon se për një plan të ngjashëm paska folur pozitivisht me
kryetarin e atëhershëm të BH-së, Alija Izetbegoviqin (1925-2003) – janar
1992, libri “Meta”.
Shënim: Stjepan “Stipe”
Mesiqi (1934- ) është politikan kroat. Ka qenë kryetar i Kryesisë së
RSFJ-së. Në vitet 2000-20110, ka qenë dy mandate kryetar i Republikës së
Kroacisë.
* *
*
“Jugosllavia e cunguar” e Millosheviqit – Në prag të shpërbërjes
së RSFJ-së, përfaqësuesit e elitës politike serbe u përpoqën t’i përkufizojnë
qëllimet kombëtare serbe, si: “të gjithë serbët në një shtet”,
në kuadër të diskursit të Jugosllavisë socialiste. Millosheviqi synonte të
krijojë një Jugosllavi të cunguar e cila do të përfshinte Serbinë, Malin e Zi,
Maqedoninë, Bosnjën e Hercegovinën si dhe pjesët e Kroacisë, të banuara me
serbë. Millosheviqi dhe Partia Socialiste e Serbisë në pushtet, morën qëndrim
se “Kroacia mund të shkëputet, por për një gjë të tillë nuk mund t’i detyrojë
serbët e Kroacisë, të cilët duan të vazhdojnë të jetojnë në Jugosllavi.
Në rast shpërbërjeje të Jugosllavisë, patjetër të tërhiqen kufij të ri që
do t’i përfshinin të gjitha rajonet ku jetojnë serbët, qoftë si shumicë, qoftë
si pakicë”.
Njëri prej hartuesve
të Memorandumit të ASShA-së dhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë në
pushtet, filozofi Mihajllo Markoviq (1923-2010) porosit: “Kufiri i ri
shtetëror patjetër të shkojë me vijën që ndan popullin serb nga ai kroat. Kufirin
e ri duhet ta kontrollojë Armata Popullore e Jugosllavisë”.
Më 9 tetor 1991,
Mihajllo Markoviqi deklaron: “Në shtetin e ri të Jugosllavisë do të ketë të
paktën tri njësi federale: Serbia, Mali i Zi dhe rajoni i bashkuar i Bosnjës e
Hercegovinës dhe i Kninit. Po qe se myslimanët e Bosnjës dëshirojnë të mbeten
në shtetin e ri të Jugosllavisë, do të mund të mbeten. Po qe se do të duan të
shkëputen, atëherë do të duhet të dinë se shteti i myslimanëve të Bosnjës, në
të gjitha anët do të jetë i rrethuar me territor serb”.
* * *
Propaganda serbe
përsëriste me ngulm: “Kufijtë e republikave të Jugosllavisë nuk janë veçse
kufij administrativë të brendshëm, ndaj nuk mund të bëhen kufij ndërshtetërorë,
me vendim të njëanshëm, gjë që thuhet edhe në nenin 5 të Kushtetutës së
RSFJ-së”.
Më 25 qershor 1991,
Kroacia e shpall pavarësinë. Më 8 korrik 1991, Kuvendi i Serbisë kërkon prej
organeve “federative” dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë, “të mbrojnë
vetëm atë pjesë të Jugosllavisë në të cilën popujt që jetojnë në ato hapësira
deklarohen se duan të jetojnë bashkë”. Planet e Millosheviqit për krijimin
e Jugosllavisë së cunguar nën dominim serb, me shpalljen e
pavarësisë së BH-së dhe të Maqedonisë në vitin 1992 - bien në ujë. Pas kësaj,
Serbia mbetet në bashkësi shtetërore vetëm me Malin e Zi.
Sipas akuzave të
Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, idenë “të gjithë
serbët në një shtet”, Millosheviqi ka tentuar ta
realizojë me dhunë. Me këtë rast, konceptin e Serbisë së Madhe ai
nuk e ka përmendur haptas, por ka bashkëpunuar me nacionalistët e skajshëm siç
është Vojisllav Shesheli të cilët e mbronin atë ide. Sipas mendimit të
prokurorit britanik Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice; Londër, 1945- ),
praktikisht ato kanë qenë qëllime të njëjta, për arsye se kufijtë e shtetit
serb janë përputhur në “vijën e Sheshelit”
Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica.
Shënim: Ish-prokurori i
Tribunalit të Hagës, Prof. Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice;
Londër, 1945- ) është avokat dhe gjyqtar britanik. E ka udhëhequr Prokurorinë e
Hagës në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit. Sipas serbëve, ky qenkësh antiserb
i përbetuar.
Sipas disa
studiuesve, Millosheviqi ka ngulur këmbë ta ruajë emërtimin Jugosllavi
për dy arsye: e para, që ta arsyetojë aneksimin e pjesëve të Kroacisë dhe të
Bosnjës e Hercegovinës; dhe e dyta, që Jugosllavia e cunguar të fitonte njohje
ndërkombëtare si trashëguese e RSFJ-së.
Pas vendosjes së
sistemit shumëpartiak në Jugosllavi, shfaqen grupime mbi baza etnike. Në Serbi
paraqiten parti të cilat haptas kërkojnë krijimin e Serbisë së Madhe.
* * *
“Revolucioni i trungjeve” (Balvan revolucija) – Ky revolucion serb ta përkujton “revolucionin
e kosit” (jogurt revolucija) të serbëve në vitet 1987-1989 në
Vojvodinë dhe në Mal të Zi. “Revolucioni i trungjeve” shpërtheu në
Kroaci më 17 gusht 1990. Serbët e rebeluar refuzuan t’i binden qeverisë kroate
dhe nëpër rrugët e Dalmacisë ngritën bllokada. Kjo i shkaktoi dëme turizmit
veror në Kroaci. Duke qenë se rrugët bllokoheshin me trungje, veprimi i
revolucionarëve serbë u quajt prej kroatëve “revolucion trungjesh”. Si
pasojë, tensionet etnike midis serbëve dhe kroatëve u rritën. Ky incident
paralajmëroi luftën në Kroaci.
Shënim: Një revolucion të
ngjashëm serbët lokalë organizuan edhe në veri të Kosovës. Më 31 korrik 2022
bllokuan rrugën magjistrale në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinjës që
gjendet në Komunën e Leposaviqit. Një bllokadë ishte vendosur edhe në rrugën
magjistrale Prishtinë-Rashkë.
* * *
Pas daljes së
Kroacisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës nga federata jugosllave, në këto
republika krijohen entitete. Në territorin e Republikës së
Kroacisë u vetëshpall Republika e Krainës Serbe (Republika
Srpska Krajina), kurse në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinë – Republika
Serbe Bosnja dhe Hercegovina (Republika Srpska Bosna i Hercegovina).
Këto “shtete” serbe të papranuara, sakaq i formuan edhe forcat e veta të
armatosura – Ushtrinë Serbe të Krainës dhe Ushtrinë e
Republikës Serbe, me mbështetjen logjistike të Armatës Popullore të
Jugosllavisë, e cila mbeti nën kontrollin e Serbisë. Ndërmjet
përfaqësuesve të Serbisë dhe udhëheqësve të serbëve të rebeluar ishte
përgatitur ajo që Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë e klasifikoi si
“fushatë kriminale e përbashkët” që kishte për qëllim dëbimin
sistematik dhe të dhunshëm të popujve joserbë nga rajonet e pushtuara. Në
anën tjetër, Serbia vazhdimisht pohonte se ajo nuk është në luftë
dhe se ajo nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet e Armatës Popullore të
Jugosllavisë e cila është nën komandën formale të Kryesisë së RSFJ-së.
Koloneli i
atëhershëm i APJ-së Dr. Dushan Plença deklaron: “APJ-ja,
krahas kohortave* neoçetnike, e pranoi edhe strategjinë hegjemoniste, ia ktheu
shpinën të kaluarës së vet, u nis në një luftë të pakuptimtë kundër të gjithëve
në Jugosllavi, pastaj edhe kundër Evropës dhe botës”.
Shënim: Kohortë-a
– njësi taktike e këmbësorisë romake.
* * *
Sipas studiuesve të
caktuar, “serbët në hapësirat e Jugosllavisë nuk kanë jetuar në mjedise
etnike të veçanta, por bashkë me popullatën tjetër. Nga kjo del se midis
rajoneve serbe dhe atyre joserbe, nuk është e mundur të tërhiqet një vijë
ndarëse e saktë. Në praktikë, kjo ka qenë pretekst për konflikte të armatosura
për territore që u shndërruan në luftë në Kroaci dhe në luftë në Bosnjë dhe
Hercegovinë”.
Në këto luftëra kanë
vepruar shumë formacione paraushtarake, si: “Tigrat” e Arkanit*,
çetnikët e Sheshelit, “Garda Serbe” e Vuk Drashkoviqit, “Kninxhat”
e Kapiten Draganit*, etj. Pala serbe, duke i shpërfillur përpjekjet
ndërkombëtare, punoi për arritjen e qëllimit të luftës – t’i pushtojë
rajonet kompakte serbe në Kroaci dhe në BH dhe ta dëbojë popullsinë joserbe të
atjeshme. Në territoret e pushtuara serbët zbatuan pastrim
etnik dhe kryen krime masive. Më e tmerrshëm prej të
gjithëve është masakra, përkatësisht gjenocidi në Srebrenicë.
Në vitet 1998-1999,
serbët kryen krime lufte dhe gjenocid edhe në Kosovë.
Shënim: Zhelko
Razhnjatoviq i njohur si Arkan - kriminel lufte. Ka lindur në vitin
1952. U vra - “për interesa politikë” – më 15 janar 2000, në hotelin “Interkontinental”
në Beograd.
Dragan Vasilkoviq i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” – ka lindur
në Beograd në vitin 1952. Ka qenë themelues dhe udhëheqës i njësitit
paraushtarak serb “Kninxhat”, paraardhës i “Beretave të Kuqe”
(“Crvene beretke”). Në mars 2010, Gjykata Supreme e Australisë mori vendim
për arrestimin e tij. U burgos më 12 maj 2010 dhe iu dorëzua Kroacisë ku ishte
akuzuar për krime lufte. Aty vuajti dënimin me burg deri më 28 mars 2020.
* * *
Nacionalistët dhe
radikalët serbë deklarojnë: “S’ka për të pasur paqe pa bashkimin e trojeve
serbe. Qëllim përfundimtar mbetet shteti i përbashkët serb. Punën e
filluar ta çojmë deri në fund”.
Planin Z-4 që u ofronte autonomi të gjerë në kuadër të
Republikës së Kroacisë, serbët e refuzuan. Pas masakrës në Srebrenicë më 11
korrik 1995, situata ndërkombëtare për serbët ndryshoi përfundimisht. Kjo
ndikoi që OKB-ja të vendosë sanksione ndaj RFJ-së (Serbisë). Më 4 gusht 1995,
Kroacia ndërmori operacionin ushtarak “Stuhia” (Oluja) që
përfundoi me rënien e Krainës Serbe të vetëshpallur dhe me një valë refugjatësh
serbë.
Prej 30 gushtit deri
më 14 shtator 1995, NATO-ja i bombardoi pozicionet serbe në BH. Kjo solli
ndërprerjen e rrethimit të Sarajevës nga serbët. Në nëntor të po atij viti, u
nënshkrua Marrëveshja e paqes në Dejton*. Lufta në Bosnjë dhe
Hercegovinë përfundoi. Serbia njohu sovranitetin dhe tërësinë tokësore
(integritetin territorial) të BH-së dhe të Kroacisë.
Në luftërat në
Jugosllavi, Serbia nuk ia doli t’i ndryshojë kufijtë shtetërorë. Në opinionin
botëror, serbëve dhe Serbisë u doli emri i keq. Krimet e kryera gjatë luftërave
në Jugosllavi u shërbyen Fuqive të Mëdha të Perëndimit që në rastin e Kosovës
të reagojnë shumë më shpejtë. Pas shpërthimit të luftës në Kosovë të nisur në
vitin 1998 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe masakrave të para
sistematike ndaj shqiptarëve, më 1999 pason ndërhyrja e NATO-s kundër forcave
ushtarake, policore dhe paraushtarake të RFJ-së (Serbisë). Ndërhyrja kishte për
qëllim të parandalonte krimet ndaj popullatës civile dhe eksodin e shqiptarëve.
Pas luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, Serbia i dha fund pushtimit të
Kosovës. Pas disa vitesh, Mali i Zi e la bashkësinë shtetërore me Serbinë. Më
17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës, me mbështetjen e ShBA-së dhe të BE-së, e
shpalli pavarësinë.
Shënim: Marrëveshja e
Dejtonit u arrit në portin ushtarak ajror Right-Paterson afër Dejtonit
(Dayton), në shtetin amerikan Ohajo (Ohio). Me Dejtonin, lufta në Bosnjë dhe
Hercegovinë që zgjati prej vitit 1992 deri në vitin 1995, u ndal zyrtarisht.
Konferenca zgjati prej 1 nëntori deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës ishin
kryetari i BH-së, Alija Izetbegoviq, kryetari i Serbisë, Sllobodan
Millosheviq, kryetari i Kroacisë, Franjo Tugjman, ndërmjetësuesi
kryesor amerikan, diplomati Riçërd Hollbruk (Richard Charles Albert
Holbrooke, 1941-2010) dhe gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Kanne
Clark, 1944- ). Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në Paris më 14 dhjetor 1995.
* * *
Profesori i
historisë së Evropës Juglindore në Institutin për Evropën Lindore të
Universitetit të Lirë, Berlin, Holm Zundhausen (Holm Sundhaussen,
1942-2015), në librin e tij “Historia e Serbisë prej shekullit 19-të deri në
shekullin 21”, konstaton: “Me një masë sigurie mund të thuhet se
historia e Serbisë dhe e shoqërisë serbe do të ishte zhvilluar ndryshe, sikur
elitat para rreth njëqind vjetëve të ishin interesuar më tepër për rregullimin
e shtetit dhe të shoqërisë, sesa për ekspansion territorial. Me fitoren e
Pirros në luftërat ballkanike 1912/1913, shteti serb ia ka ngarkuar vetes mbi
shpinë hipotekën të cilën kurrë nuk ka mundur të shlyejë. Serbia ka mundur të
bëhet vend tejet i zhvilluar, Ka pasur potencial për një gjë të tillë. Por,
potenciali i saj është flijuar në emër të “idesë së madhe” e cila Serbinë e
viteve ’90 të shekullit XX e ka çuar prapa për rrafsh një shekull”.
* * *
Ideologjia serbomadhe sot – Dështimet ushtarake në një varg luftërash të
njëpasnjëshme, ngecja ekonomike dhe izolimi në vitet e para pas luftërave,
duhet të ndikojnë te populli serb për të parë se koncepti i Serbisë së Madhe
nuk është në përputhje me interesat kombëtarë të Serbisë. Politika e sotme
serbe duhet të distancohet nga ideologjia serbomadhe apo nga politika e
Millosheviqit. Këtë distancim nuk mund ta bëjnë as kanë për ta bërë Aleksandar
Vuçiqi (1970- ), Ivica Daçiqi (1966- ), Aleksandar Vulini (1972-
) apo Millorad Dodiku (1959- ) i Republikës Serbe të
BH-së. Që të gjithë janë prorusë dhe miq të Vlladimir Putinit (1952-
).
Në vend të zgjerimit
të shtetit serb, qëllim parësor i Serbisë duhet të jenë integrimet
euroatlantike. Kjo s’bëhet dot kurrë, pa e njohur Serbia realitetin në rajon si
dhe pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Ideja: “Të
gjithë serbët në të njëjtin shtet” mund të realizohet vetëm me integrimin e
Serbisë në BE. Kjo vlen edhe për popujt e tjerë të rajonit.
Në Serbi ende ka
forca të cilat haptas veprojnë për konceptin e Serbisë së Madhe. Këtu bëjnë
pjesë: Partia Radikale Serbe dhe lëvizja e skajshme (ekstremiste) “Obraz”.
Për idenë serbomadhe, në një formë pak më diskrete angazhohet Akademia Serbe e
Shkencave dhe e Arteve, Kisha Ortodokse Serbe, Partia Popullore dhe Partia
Demokratike e Serbisë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, politikë serbomadhe ndjek
Partia Demokratike Serbe.
Megjithëkëtë, koka e
idesë së Serbisë së Madhe sot, është Aleksandar Vuçiqi. Ideja e
serbomadhe është politikë shtetërore e Serbisë. Kjo ide sot, si
gjithmonë gjatë historisë, mbështetet nga Rusia, nga Putini
(1952-) dhe nga mësuesi i tij – Sergej Lavrovi (1950- ).
Kroatët, boshnjakët
dhe shqiptarët, idenë serbomadhe e shohin si pengesë për marrëdhënie të
fqinjësisë së mirë.