Mendime
Florim Zeqa: Askush nuk guxon t’i prekë bosët e krimit!
E merkure, 02.08.2023, 06:50 PM
Askush nuk guxon t’i prekë bosët e krimit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sipas
ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të
pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës
së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi
nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të
gjykatës.
Ligji i mirë pa
zbatueshmëri, kthehet në mashtrim për qytetarët
Kosova
nuk është se ka mungesë të ligjeve, ka problem me zbatimin e tyre, shkaku i
ushtrimit të ndikimit të skajshëm të politikës mbi sistemin e drejtësisë.
I
ashtuquajturi Projektligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar dhe ai
për deklarimin e pasurisë, të cilin e ka miratuar Parlamenti i Kosovës, me këtë
përbërje të kontrolluar të Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, jo vetëm që
nuk do të gjejë zbatueshmëri në praktikë, do të favorizojë akoma më tepër
korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, për shkak se cak i ligjit do të
jenë zyrtarët dhe ish zyrtarët e nivelit të ulët por jo edhe bosët e
korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të
gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të
njerëzve të pushtetshëm për dy dekada në politikë, e të cilët edhe nuk kanë
ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe gjoja si
'trashëgimi', thuajse janë fëmijë të 'princave' të fshatrave prej nga ata
vijnë.
Prokuroria,
Policia dhe Gjyqësori nga frika e përballjes me bosët e krimit, i injorojnë në
tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin e figurave të larta shtetërore,
qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal.
Lidhja e
mafio-oligarkëve me politikanët e inkriminuar
Lufta
kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është aq e vështirë dhe e
komplikuar, shkaku se mafio-oligarkët e pasluftës bashkë me politikanët e
inkriminuar i kanë shpërndarë të gjitha pasuritë e paligjshme qindra milionëshe
tek kompanitë fantome të mafio-oligarkëve, kompanitë e familjarëve apo
klientelave të tyre në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi e
gjithandej vendeve të rajonit e deri tek ‘Parajsat Fiskale’ në vendet me siguri
të lartë monetare.
Projektligj
për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar do të kishte kuptim vetëm nëse
secili i dyshuar do t'i nënshtrohet procesit të VETTING-ut, filluar nga
presidentja, kryeparlamentari, kryeministri, zv. ministra e deputetë, si dhe
verifikimi i pasurisë së familjarëve të tyre, pasi ka dyshime të bazuara se
kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona e shumëçka
tjetër përgjatë viteve të fundit.
Blerja
e shtëpive dhe banesave prej qindramijëra eurove nga zyrtarët e lartë
shtetërorë pa mbulesë fiskale është tregues i mjaftueshëm për përfshirjen e
tyre në afera të mëdha korruptive përmes ministrave e zv. ministrave, përmes
oligarkëve ekonomik dhe sekserëve të tyre në Kosovë dhe Diasporë. Mosbërja
transparente e lëvizjeve financiare të fondeve publike e shton akoma më tepër dozën
e dyshimit për shpërdorime enorme të parasë publike nga ana e pushtetarëve
aktualë.
E
keqja bëhet më e madhe për faktin se nuk ka prokurorë vendorë që guxon të
ngrisë padi kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, e aq më pak ndaj bosëve të
krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Për të justifikuar ligjin,
prokurorët gjithnjë gjejnë viktima të nivelit të ulët për t’i larguar nga puna
dhe dënuar në formën e prerë, kurse kriminelet e nivelit të lartë si gjithnjë
mbeten të lirë dhe të paprekshëm nga drejtësia.
Florim Zeqa
01.08.2023