| E diele, 02.07.2023, 07:52 PM |
MËSIMET NGA LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT PËR AKTUALITETIN POLITIK MBARË SHQIPTAR: A EKZISTON MË BESA SHQIPTARE?
Nga
Frank Shkreli
Përball
aktualitetit konfliktual politik në trojet shqiptare, por edhe duke marrë
parasysh situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve për shtensionimin e
menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në
rast të dështimit – përfshir sanksione të njëanshme kundër Republikës së
Kosovës – ndoshta ia vlen të shikohet se çfarë mësimesh mund të nxirren nga
Lidhja Shqiptaer e Prizrenit në 145-vjetorin e saj. Në një kohë kur sot, jo shumë ndryshe nga
atëherë, rrezikohet copëtimi i trojeve shqiptare.
Historia e shqiptarëve na tregon se
kurdoherë që trojet shqiptare kërcnoheshin nga fqinjtë dhe armiqtë e jashtëm –
shqiptarët bashkoheshin dhe thirrnin mbajtjen e kuvendit dhe lidhnin Besën për
të mbrojtur, të gjithë së bashku, interesat e Kombit shqiptar në të gjitha
trojet e veta. Përball rreziqeve të shumta që i kanoseshin krahinave shqiptare
në atë kohë nga fqinjtë grabitqarë hidhet kushtrimi për mbajtjen e Lidhjes
Shqiptare në Prizren në mbrojtje të tokave, interesave dhe të drejtave
kombëtare të shqiptarëve. Nuk ishte pra
ky një takim krahinor ose gjysëm përfaqësues, por ishte mbarë kombëtar.
145-vite më parë,
me 10 Qershori të vitit 1878 është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, aty u
përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl
Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën
shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë
gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri,
përfaqsuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit.
Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e
vetme kombëtare shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të
gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe
për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.
Me atë rast, një
Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u
morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte
kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si enti përfaqësues më i lartë
i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 anëtarësh
nga të gjitha trevat shqiptare.
Kush mund ta marrë
me mend sot një organizim të tillë mbarëkombëtar – përball konflikteve aktuale
politike brenda dy shteteve shqiptare dhe përball mosmarrveshjeve të
vazhdueshme politike midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, në lidhje me
çeshtjet më madhore të Kombit.
Qershori i vitit
1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve
që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të
tërësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve
shqiptare.
Në një memorandum
të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit
britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk
duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që
do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter
kombëtar që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhënjimisht
kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të
zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.
Nga protesta e 16
qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqësues
të popullsisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës,
Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të
nënshkruarit, në emër të të gjithë popullit, kemi nderin të shpallim se kombi
shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është
njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së territorit që
është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me
interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”
Ndërsa në
memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, disa
personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i
parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato
parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të
cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se
është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta
mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të
diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”
Në letrën protestë
kundër popullsisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më
25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullsinë shqiptare prej
ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “…Po qe se do të ndodhte
flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të
lartpërmendura…ne do të vdesim me nder deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi
aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.
Dhe në vendimin që
mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik,
1878 për t’i kërkuar qeverisë osmane bashkimin e trojeve shqiptare në një
vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, theksohet se, “Shqiptarët,
të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe
Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur tokën e shenjtë të
vendlindjes…”. (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).
Ja
ku jemi sot! Është korriku i vitit 2023 – 145-vite ç’prej themelimit të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, Kombi shqiptar -- përball kërcnimeve të vazhdueshme të
fqinjve ndaj të drejtave të shqiptarëve, sidomos nga Serbia me mbështetjen e
Rusisë -- as sot nuk po gjenë paqën në trojet e veta.
Zëri
i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë liderve të kombit,
në këtë 145-vjetor të saj. U bën thirrje, në emër të karakterit të përbashkët
kombëtar, që të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të
cilën e kini hedhur vendin, qoftë në marrëdhëniet me njëri tjetrit, qoftë në
marrëdhëniet rajonale. Burrat e Lidhjes
së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqësuesit e sotëm të
klasës politike shqiptare, megjithëse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore
ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjendjen e sotme të
shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta
konsakrohej me besën shqiptare!
Përball
rrezikut të brendshëm dhe të jashtëm, liderët shqiptarë aktualë, në vend që të
lidhin besëlidhje me njëri tjetrin. në emër të interesave madhore të Kombit për
zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike trokasin dyerve të
kancelarive evropiane – jo për të mbrojtur interesat kombëtare kundër synimeve
armiqësore të të huajve – por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para
autoriteteve të huaja. Miqët perëndimorë i duan shqiptarët të bashkuar në
objektivat e përbashkëta në mbrojtje të të drejtave të tyre shekullore dhe në
miqësi me kombet fqinje.
Në
qoftë se qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i
besëlidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqve të
jashtëm, qershori i vitit 2023 – pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve
politike e shoqërore, të brendshme dhe të jashtme. Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 145-vjetor të saj. I bën thirrje Tiranës
zyrtare dhe Prishtinës zyrtare -- në emër të karakterit dhe interesave të
përbashkta kombëtare, të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi
konfliktesh politike, në të cilën i kini hedhur dy shtetet shqitare dhe Kombin
mbarë.
Besoj
se duhet të jeni të vetëdijshëm se, në qoftëse me të vërtetë reflektoni mbi
veprimet tuaja politike sot – si në arenën kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare --
ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e
tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike, “si një detyrë të shenjtë të
diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”. Por edhe në kundërshtim të
plotë me Besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë dhe të Besës
Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit.
Jeni
në rrugën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me dëshirat e shumicës së
shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Si të tillë, në
qoftë se vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të
dënoheni moralisht – si politikanë individë dhe si grup politikanësh – nga ky
brez dhe nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve, për mos përfilljen e të drejtave
dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.
Shqiptarët
kanë dy shtete të vetat në Ballkanin Perëndimor. E kini në dorë të bëni
ndryshimin e madh për të cilin pret Kombi shqiptar: Për një jetë të paqë e
pajtim midis shqiptarëve pa dallim, në siguri dhe në harmoni recipkroke
bashkjetëse me fqinjët, në familjen e madhe euro-atlantike, ku shqiptarët e
kanë pasur gjithmonë karrigën e vet. Por, nëqoftse shqiptarët nuk kujdesen për
veten, për interesat e njëri tjetrit dhe për të mirën e përbashkët afatgjatë si
komb, atëherë, pse të lodhen të huajt me ne, kur e shohin se shqiptarët nuk
kanë as një kompaktësi as unitet objektivash madhore kombëtare.
Pa një bashkrendim
të ideve dhe qëllimeve të përbashkëta mbarë-kombëtare – bazuar në Besën e
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit -- nuk besoj se diplomacitë solo nga Tirana dhe
Prishtina zyrtare, në lidhje me krizën në veri të Kosovës do të çojnë drejt
përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të krizës aktuale në veri të Kosovës,
por as të krizave të ardhëshme me të cilat do të përballet kombi shqiptar në
vitet dhe dekadat e ardhëshme. Tre dekadat e kaluara të tranzicionit politik na
kanë mësuar tanimë, që sipas thenjes së romakëve të vjetër, “të mos shpresojmë
pa dyshuar, por dhe të mos dyshojmë pa shpresuar.” Shpresa, thonë se vdes e fundit! Por shënjat,
nuk duken të mira. Nuk e di pse, por përball krizave të sotme me të cilat
përballen shqiptarët – po më shkon mendja larg tek ata që së janë më, por që
janë të pranishëm me veprat e sidomos me idealet dhe përpjekjet e tyre -- besa
besë – në mbrojtje të interesave kombëtare.
Sot realiteti i
egër e kërcënues, në forma të ndryshme, ndaj fateve dhe interesave të Atdheut
dhe Kombit po shfaqet gjithnjë e më shumë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar
– por Besa Shqiptare e Lidhjes së Prizrenit – arma më e fortë, historikisht, e
shqiptarëve për tu përballur me kërcënimet ndaj Kombit: Nuk është më, fatkeqsish!
(Besëlidhja
Shqiptare (Shaban Hysa, tablo 3 vitit, 1978)