E diele, 22.12.2024, 06:36 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Ardian Ndreca: Dëshmorët e harruem të epopesë kombëtare

E enjte, 01.01.2009, 03:04 PM


Dëshmorët e harruem të epopesë kombëtare

Martirët e Fushës së Korçës

Nga Ardian Ndreca

Herojt e vërtetë, ata qi i dhanë gjakun Shqipnís për liri e përparim, shpesh herë janë të harruem e ndër librat e historisë për ‘ta nuk tepron asnji rresht, e pra jeta e tyne âsht bâ fli për të mirën e kombit mbarë. Ndër këta heroj të harruem bâjnë pjesë edhe dëshmorët e fushës së Korçës: Bajazit Rehova, Odisea Kotta Pjasto, Kostaq Spiro Kosturi, Kristaq Furxhiu, Petraq Kristofilaku dhe Nuçi Lapi, të cilët u vranë prej ushtrisë turke tue mbrojtë me armë nderin e Nanës Shqipní me 16 – 17 korrik 1911.
Ishte koha kur lëvizja për pamvarësinë e kombit kishte fillue me nxít luftën e çetave të armatosuna prej Kosovet deri në jug të vendit, e bash këtu veprojshin çetat e Spiro Bellkamenit, Themistokli Gërmenjit, Qamil Panaritit, Çerçiz Topullit etj. Tashma lufta po organizohej me programe dhe me koordinim veprimesh, çashtja shqiptare kishte edhe nji Komitet të sajin. Në ketë përpjekje të gjanë, ndërmjet atyne qi me pushkë dhe me mendim patriotik dhanë nji kontribut të çmueshëm për çashtjen kombëtare, mundena me kujtue shkurt emnat e Mihal Gramenos, Jashar Erebarës, Xhevat Kortshës, Thoma Avramit, Hafiz Ali Korçës, Thanas Floqit, Dhimitër Berattit, Haki Mborjes, Dhambi Bimblit, Vasil Tromarës e shumë të tjerëve.

* * *

Me 15 korrik 1911 çeta e Qamil Panaritit, qi ishte krahu i armatosun i "Vëllazërisë" dhe i "Bandës së Lirisë" së Korçës, kishte mbërritë në Orman Çiflik për me marrë furnizime të ndryshme. Ishin 20 vetë dhe u ndanë në dy grupe, njeni grup i përbâmë prej 12 vetësh nën komandën e Q. Panaritit zuni vend te Çifliku i Seitajt, ndërsa Spiro Bellkameni me 8 vetë u strehue në nji plevicë afër katundit Pojan, rreth 3 orë në kambë larg Korçës. Por tradhtari Emin beu i Pojanit njoftoi Hafûz Pashën në Korçë e ky dërgoi rreth 400 ushtarë turq me mitraloza nën komandën e Rexhep Pallës për me asgjasue trimat e lirisë.
Të rrethuem e t’pa shpresë me ça ushtrinë turke, trimat vendosen me bâ deken si me lé, ishin lidhë tue pasë si moto thirrjen "Liri a Vdekje", e tashti kishte ardhë momenti me vdekë si njerëz të lirë. Por, luani qi shpëtoi shokët qe Bajaziti prej Rehovës së Vithkuqit, "firar" i lirisë ndër malet e Korçës për vjetë të tanë, i cili zuni nji hendek e filloi me gjuejtë mbi turq tue vra 5-6 vetë e ndër ta edhe nji mylazim. I mbaruen fishekët e katër plumba në gjoks i a morën jetën. Trupin i a dërguene në Korçë, e me qi nuk kishte të afërm, turqit urdhnuene dy jevgjít me e shti në dhé në fund të vorreve myslimane pa i bâ shartet e fesë. Më mirë qi nuk u la me ujë gjaku i tij: - thanë shokët e "Vëllazërisë", pse gjakun e derdhun për liri nuk duhet ta shpërlajë uji e as koha prej kujtesës së kombit. Mbas tij u plagos edhe Odisea i Pjastollinjëve të Korçës, pinjoll 21 vjeçar i nji familje shumë të pasun, turqit filluene me e torturue për me e detyrue me folë, por të vetmet fjalë qi tha me gjysëm zanit qenë këto: “Asnjeri s’më dërgoi, përveç detyrës edhe ndjenjës sime”. Atëherë turqit tue e goditë me qytë të pushkës i thyene arrçin e qafës dhe i çanë kryet tue e lanë të vdekun. Kjo gja ndodhte në mëngjesin e ditës 16 korrik.
I treti qi mbeti në ketë përpjekje qe Kostaq Kosturi, i biri i dëshmorit Spiro Kosturi, të cilin grekët, atëherë kur nuk ishin endé miq të çashtjes shqiptare, e vranë pabesisht në Selanik me 11 nandor 1906. Kostaqi pat ndjekë shkollën amerikane të Korçës, tue shndritë mes djelmnisë korçare e tue qenë themelues i shoqnisë "Vëllazëria". Kostaqi 18 vjeçar bânte propagandë atdhetare dhe i mësonte abetaren fëmijve korçarë, myslimanë dhe të krishtenë. Familja e tij do t’i jepte atdheut edhe nji tjetër figurë të harrueme: Idhomene Kosturin, edhe ky anëtarë i Komitetit e në vitet ’20 edhe kryeministër i Shqipnís; u vra me atentat në vjetin 1944 prej nji celule komuniste në Durrës, kur tashma ishte burrë plak e kishte kohë qi nuk përzihej në jetën politike aktive.
Kostaq Kosturi ra i plagosun në duer të turqve në luftën e Orman Çiflikut, e anadollakët nisën menjiherë me e torturue për me e detyrue me tregue. Djali i Spiro mëmëdhetarit qindroi si trim e dha shpirt si atdhetar. Egërsinat e Azisë i ranë me qytë të pushkëve mbas kreje tue i derdhë trutë mbi barin e djegun prej diellit të korrikut, disa halldupë të tjerë i ngulën bajonetat në gjoks tue e pre dhe tue dashtë me e shëmtue edhe mbas vdekjes. Kur mbërriti në Korçë trupi i tij dyqanet e Kosturëve u mbyllën në shênj zije e u veshën me cohë të zezë, e tue qenë se anadollakët nuk mbërrijshin me e njohtë, aq shumë e kishin shpërfytyrue, thirrën njerëzit me e pa kufomën. I vëllai, Dhimitraqi, kur e shikoi trupin e pajetë të Kostës, pa i u dridhë zâni e pa qa, tha: Vërtet, ky është im vëlla, dhe e mori trupin e gjakosun në shtëpi.
Turqit deshtën me rrêjt edhe konsujt qi gjindeshin ato ditë në Korçë, tue thanë se kishin vra disa hajdutë, por atdhetarët e vërtetë i treguen të vërtetën të huejve e konsujt fotografuen trupat e tre dëshmorëve të lirisë.
Ndërkaq nji bari nga Voskopoja, i kapun rob prej turqve në Orman Çiflik, tue pasë frikë se po e pushkatojnë, i tregoi anmiqve plevicën e Pojanit ku rrinte e mshehun pjesa tjetër e çetës. E kështu të dielen nadje, me 17 korrik, Spiro Bellkameni u gjind i rrethuem bashkë me shokët e vet. Kapedani urdhnoi me ça rrethimin e vet’i teti doli me bomba në dorë tue thirrë: "Rroftë Shqipëria". Turqit mbetën të hutuem e aty për aty u vra vetëm Kristaq Furrxhiu 24 vjeçar, i cili sapo ishte kthye prej Ameriket për me u vû në shërbim të interesave të atdheut. Mâ përtej mbeti i vramë edhe Petraq Kristofilaku dhe Nuçi Lapi, trupat e të cilëve u dërguene në Korçë të coptuem prej goditjeve të bishave turke. I vranë me tradhtí, por puna e nisun prej tyne nuk u ndal, ata nuk kishin dalë malit vetëm me i vû pushkën turkut, por mbi të gjitha me zgjue shqiptarët prej gjumit shekullor. Nuk patën shumë sukses deri n’ato ditë korrikut, por mbas vdekjes së tyne etja për lirí përfshiu mbarë fushën e malet e asaj krahine. Ideja kombtare zuni rrânjë dhe u ringjall Rovi, Rëmbeci, Dishnica, Pëndavini, Vloçishti e Sovjani; Korça tashma mundej me u krenue me gjakun e bijve të saj.
Ishte vjeti 1911, Shqipnija dergjej në thundrën e anmikut 500 vjeçar. Shtypjes, vorfnís, dhunës, terrorit, grabitjeve, korrupsionit, mbrapambetjes në të cilën e kishte çue vendin pushtuesi turk - po i afrohej fundi. Megjithatë, endè duhej derdhë gjak për lirín e Shqipnís, e ai gjak, qi s’u kursye, nuk duhet harrue as sot e as kurrë.

* * *

Fakti qi sot historinë e Shqipnís po e “shkruejnë” të përkohshmet e ndryshme tregon vetëm mjerimin ku ka ra shkenca e historisë. Duhet me pritë qi të kalojnë kjo gjeneratë historianësh të armatosun me koncepte idelogjike, me metoda joshkencore dhe me nji habitus kërkimor bardh e zí.
Historinë nuk duhet me e shkrue të përkohshmet, historia duhet me na folë prej nji elteri qi nuk i përket asnji politike, asnji sektarizmi, asnji partie, ajo duhet me i shërbye vetëm të vërtetës. Nuk mjafton me zbulue lidhjet shkakore, biografitë, me përshkrue ngjarjet, historia e njerëzimit duhet pa nën dritën e të mirës dhe të keqes qi âsht mishnue çdo herë në vazhdën e saj, duhet me kuptue nëse prej nji ngjarje historike ka mbijetue e mira apo e keqja, nëse dinjiteti i njeriut ka dalë i humbun apo i fituem. Mësimi i historisë na kthen mbrapsht, në formë konceptesh, mirësinë dhe të keqen qi gjen strehë tek secili njerí. Çdo e mirë në historí – na tregon iluministi Herder – i shërben njerëzimit, të këqijat, të mëdha apo të vogla, janë kundër njerëzimit.
Por sot e keqja âsht se jeta e shumicës prej nesh përmban aq pak forcë shpirtnore në vetvete sa mos me mujtë me u klasifikue, mjerisht, as si e mirë dhe as si e keqe!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora