Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci
E shtune, 17.06.2023, 06:57 PM
LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI!
Presidentja
e Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian
Nga
Frank Shkreli
“Liri, Pavarësi, Demokraci
Freedom, Independence, Democracy
Liberté, Indépendance, Démocratie”
Me këto fjalë në
tri gjuhë e filloi fjalimin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa
Osmani e ftuar të mërkurën në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në të
vërtetë, këto janë fjalët e Presidentit të parë historik të Republikës së
Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova të shqiptuara 25-vite më parë, me rastin e
prezantimit Dr Rugovës të Çmimit Sakharov, nga Parlamenti Evropian. Ëmimi u
jepet indiidëve ose gruoeve të cilët promovojnë lirinë e mendimit dhe lirinë e
fjalës. Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në seancën plenare të Parlamentit Evropian – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA
OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)
Duke iu drejtuar
Presidentes Roberta Metsola, politikanes konservatore nga Malta dhe deputetëve
të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani,
me qëllim i përshëndeti ata me këto tri fjalë: Liri, Pavarësi, Demokraci. Ishin
këto fjalët e Dr. Ibrahim Rugovës shqiptuar me rastin e pranimit të Çmimit
prestigjoz, Sakharov, dhënë atij 25-vjet më parë nga Parlamenti Evropian. Çmimi Sakharov është një nderim që u
akordohet individëve ose grupeve individësh që kanë dedikuar jetën e tyre në
mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë së të menduarit. Çmimi, që mban
emrin e ish-shkencëtarit dhe disidentit rus, është themeluar nga parlamenti
Evropian në vitin 1988.
“Këto tri fjalë të
fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga
Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto ide, në fakt, kanë qenë
vizion i popullit të Kosovës. Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe
popullit tonë është realitet”, filloi fjalimin e saj Presidentja e republikës
së Kosovës, Vjosa Osmani para entit më të lartë politik, përfaqsues të popujve
të Evropës në Strasburg.
“Kosova sot është
e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i
demokracisë. 25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar,
Presidenti Rugova u nderua me çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë
ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian (José Maria
Gil-Robles, EP President 1997 – 1999) si, “Një njeri që është zëri i popullit
të tij, një popull, zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”. Sakharov Prize 1998: Award ceremony Ibrahim RUGOVA - Kosovo
| European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)
Udhëheqsja e
Republikës së Kosovës, si presidentja e parë e Kosovës që iu drejtua këtij enti
të lartë evropian -- një brezi të ri deputetësh evropianë të cilët, për arsye
të moshës së re, ndoshta as nuk kanë dëgjuar në të kaluarën për Ibrahim
Rugovën, i tha Parlamentit Evropian se Presidenti Rugova e ka “konsideruar
Çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për
liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar
mbështetjen e deputetëve të atëhershëm evropianë për t’u bashkuar me ta në emër
të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) përfaqëson. Ai kërkoi që
Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, është shprehur ajo.
Zonja Osmani u kujtoi parlamentarëve evropianë se ajo ishte vetëm 16 vjeç kur
tanket e ushtrisë serbe hynin në vendlindjen e saj në Mitrovicë dhe se gjithnjë
mban mend se si dhënja e Çmimit Sakharov Dr. Ibrahim Rugovës si dhe fjalët e
tija në atë kohë, “na dhanë aq shumë shpresë.”
Ishte një shenjë e fortë, theksoi ajo, se në Evropë, shqiptarët e
Kosovës, “më në fund po dëgjoheshim”, se “Evropa jo vetëm që i kishte hapur
dyert Presidentit Rugova por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një
popull të shtypur sistematikisht”.
“Sot, duke
qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës
së pavarur të Kosovës që po flas para Parlamentit Evropian, për t’ju
falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka
dhënë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë”, u shpreh ajo, në shenjë
mirënjohjeje për ndihmën që ai ent ka dhënë në të kaluarën dhe tani për Kosovën.
Presidentja Osmani
u tha deputetëve evropianë se, në fjalën e tij 25-vjetë më parë në Parlamentin
Evropian, duke pranuar Çmimin Sakharov të Lirisë së të Menduarit dhe fjalës së
lirë, Dr. Ibrahim Rugova u ka kujtuar atyre fjalën e urtë e të vjetër popullore
shqiptare se, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.
Zonja Osmani i tha brezit të ri të politikanëve të sotëm evropianë se –
ashtu si atëherë në kohën e Rugovës -- Kosova ka nevojë edhe sot për miq dhe
për ndihmën e tyre. “Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po
aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një
ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh”, theksou ajo në fjalën e saj drejtuar
Parlamentit Evropian. Kjo siç duket – duke pasur ndër mend krizën e ditëve të
fundit në vendlindjen e saj në Mitrovicë, në veri të Kosovës, të shkaktuar nga
banda terroriste serbe të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar – në përpjekje për
të destablizuar Kosovën, rajonin dhe më gjërë.
Pasojnë disa nga
pjesët më pikante të fjalimit të të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa
Osmani në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian të mërkurën në Strasburg:
“Presidentja Vjosa Osmani: “Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si
Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë
një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me
potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e
ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e
kaltërta dhe e verdha. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një
agim të ri."
Presidentja Vjosa Osmani: “25 vjet më parë, këtu në
Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova është nderuar me çmimin
Saharov nga Parlamenti Evropian. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert
Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të
shtypur sistematikisht."
Presidentja Vjosa
Osmani: “Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, populli dhe institucionet
e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes
dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar
institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar
demokracinë tonë.”
Presidentja Vjosa
Osmani: “Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e
saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe nga
një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku. Ne jemi të
gatshëm t’i bashkojmë forcat tona me ju, për të kontribuar për një Evropë më të
fortë, më të begatë dhe të bashkuar."
Presidentja Vjosa
Osmani: Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës. Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike
të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat
dhe shpirtërat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe
solidaritetit."
Presidentja Vjosa
Osmani: “Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me
një tjetër fitues të çmimit Sakharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi
gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë
të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me
rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, ai ka thenë: “Duke më
nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe
liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.
Presidentja Vjosa
Osmani: “Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të
tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke
folur të mërkurën në Parlamentin Evropian.
Presidentja Vjosa Osmani: “Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak
të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi
vjen nga forca kolektive e popullit të tij”.