| E merkure, 24.05.2023, 08:35 PM |
Foto
me Elona Beqirajn (Vjene, 19.05.2023)
Mbrëmje e bukur letrare në Vjenë
Nga
Anton Marku
Vjenë, 19 maj
2023: Në sallën e mbushur përplot të qendrës kulturore ‘‘Brunnenpassage” u
mbajt një orë letrare në kuadër të projektit ‘‘Diaspora Blues”. Para publikut
shqiptar dhe austriak me poezitë e tyre në gjuhën gjermane u prezantuan dy
autorë të rinj, të lindur në Gjermani nga prindër shqiptarë nga Kosova, Elonë
Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku. Ky eveniment u organizua nga grupi ‘‘K” nga Vjena në bashkëpunim me Shoqatën e
Miqësisë Austriako-Kosovare ‘‘Alexander Moissi” nga Salzburgu dhe ‘‘Rosa
Luxemburg Stiftung” , si dhe u mbështet nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në
Austri.
Në këtë lexim
multimedial, këta dy autorë tejet interesant dhe kreativë folën për sfidat me
të cilat përballen çdo ditë si të rinjtë shqiptarë të rritur në diasporë: për
dashurinë dhe pikëllimin, identitetin e migrantit, feminizmin, identitetin
seksual, racizmin dhe diskriminimin.
Elonë Beqiraj
lexoi tekste nga libri i saj ,,Und wir kamen jeden Sommer” (“Dhe ne erdhëm çdo
verë”) ndërsa Fatbardh Kqiku nga përmbledhja e tij me poezi ,,Zwischen den
rissen‘‘ (‘‘Mes të çarave”), që të dy publikuar nga shtëpia botues re:sonar
Verlag.
Nga tekstet e
deklamuara u la të kuptohej se ata shkruajnë jo vetëm për vetën por edhe për
vendet dhe njerëzit që duan. Me këtë ata krijojnë diçka të re, një kulturë të
tretë. Që të dy studiojnë dhe janë aktivë në disa projekte dhe shoqata në
Gjermani, që është atdheu i tyre i parë, por jo dhe e vetëm. Kosova është i
dyti. Ata jetojnë mes dy identiteteve, atij shqiptar dhe gjerman të cilët, në
shikim të parë, duket se e plotësojnë njëra-tjetrin, por në brendi të poezive
të tyre e vërteta del të jetë pak më ndryshe. Ajo çfarë i tërheqë ata të
shkruajnë për Kosovën janë tregimet e prindërve, historia, trashëgimia
kulturore, doket dhe zakonet por edhe romantizmi për vendlindjen e të parëve të
tyre, e herë-herë dhe iluzioni për të.
Në anën tjetër, të
mos qenurit të pranuar plotësisht në shoqërinë gjermane shkakton trauma të
cilat nuk tejkalohen lehtë. Duke qenë ‘‘jo-gjerman’’ ata janë konfrontuar me
diskriminim që nga fëmijëria. Në këtë kontekst ata shkruajnë sidomos për
stigmatizimin ndaj tyre në vendin ku janë lindur dhe rritur. Për ta problemet
nisin që nga emrat që nuk janë tipikë gjerman.
Më pas lidhur me
poezitë e lexuar foli Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Krijuesve Shqiptarë në Austri, i cili, ndër të tjera tha; ‘‘Pasi lexuesi të
njihet me biografitë dhe tekstet e këtyre dy autorëve, ai ballafaqohet doemos
me pyetjen se si duhet dhe si mund të definohet diaspora – si hapësirë apo si
komunitet. Një çështje tjetër, po aq e rëndësishme, që i vjen në mendje është edhe ajo se çfarë është
në të vërtetë letërsia. Ajo mund të jetë dialog me vetveten, pastaj komunikim
dhe bashkëbisedim me të tjerët, me botën e jashtme. Por, ajo është më shumë se
sa vetëm emocion, se sa vetëm ndjenjë, është dhe mesazh, revoltë, e në disa
raste mund të jetë edhe mjet politik. Pothuajse të gjitha këto elemente janë të
pranishme në tekstet e Elonës dhe të Fatbardhit”. Më tej ai shtoi se: ‘‘Në
poezitë e këtyre autorëve kemi të bëjmë me një përpjekje të suksesshme për një
krijuar një baraspeshë mes “këtu” – Gjermanisë, vendin ku ata kanë lindur dhe “atje” – Kosovës, vendin e prindërve të
tyre. Poezitë e tyre gjithashtu janë protestë shoqërore të cilat fuqizojnë
migrantët në rezistencën e tyre ndaj paragjykimeve dhe padrejtësive”.
Mbrëmja u përmbyll
me pyetje nga publiku dhe një koktej rasti.