Mendime
Enver Bytyçi: Sot është momenti i fundit kur demokratët duhet t’i thonë jo farsës
E enjte, 11.05.2023, 06:53 PM
Enver Bytyçi:
Mbrëmë
pamë një shfaqje turpi të marrëdhënies midis atij që quhej kryeopozitar dhe
përfaqësuesit numër dy të mazhorancës, kartel i drogës. Natën, fshehtas, madje
duke ikur me vrap nga sikleti, u takuan në një shtëpi “motel” dy “gjelat” e
parlamentit, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe shefi i grupit
parlamentar të Rilindjes, Taulant Balla.
Komedia
kthehet në tragjedi kur e dimë se si dhe sa herë janë mohuar këto takime. Kur
kemi parë se si AliBashistët kanë akuzuar Sali Berishën për “intrigant” kur ai
denoncoi këtë aferë! Por mbi të gjitha, kjo komedi është shkaku i tragjedive
elektorale dhe rrënimit të demokracisë në Shqipëri. Ky “trimi” i PD-së, Luli
pra, natën bën pazare me kundërshtarët politikë të demokratëve dhe ditën na
hiqej si anti-estabilishment! Natën bënte pazare me Edi Ramën përmes njeriut më
të afërt të tij dhe ditën u shiste shqiptarëve “Trekëndshin e Bermundës
Rama-Berisha-Meta”! Ndërkaq ky takim i fshehtë i 3 dhjetorit 2022 e thellon dyshimin
për takimin e natës së 17 majit 2017.
Mbrëmë
ranë të gjitha alibitë! Prandaj të gjithë ata që kanë kandiduar për kryetar
bashkie ose në këshillat bashkiake në emër të Lulzim Bashës dhe Alibathës kanë
rastin të tërhiqen nga gara pa kthim dhe t’i bashkohen Partisë Demokratike që
bën opozitën reale e të vërtetë! Prej mbrëmë nuk ka më dilemë. Kush kandidon
dhe kush voton AliBashën ka kandiduar për Edi Ramën dhe Erion Velinë dhe ka
votuar për Rilindjen!
Pavarësisht
çfarë ka ndodhur deritani, sot është momenti i fundit kur demokratët e gënjyer
të Ali Bashës duhet t’i thonë jo farsës, jo tradhtive politike, jo
bashkëpunimit me Edi Ramën! Asnjë votë e demokratëve të gënjyer ose jo nuk
duhet të shkojë për Rilindjen! Bëjeni sot demokratë, sepse nesër do të jetë vonë!
Dhe nëse vonohemi, treni na ikën!