Kulturë
Resmi Osmani: Kishte trokitur rinia
E premte, 05.05.2023, 06:17 PM
KISHTE TROKITUR RINIA
Fragment
nga romani” Me sytë e fëmijës”
Nga
Resmi Osmani
Në
mbyllje të mbrëmjes, u ndam duke u përqafuar. I lam shëndet e i tham
mirupafshim secilit. Disa nga vajzat, kishin ca blloqe të vegjël dhe kërkonin
që të shkruanim në ‘ta diçka si kujtim, me vjershërim, të tjerë ndanin
kartolina me përkushtim, duke vënë posht shkrimit firmën. Ua plotësova
dëshirën.
Kur
dolëm ishte bërë natë. Natë vere, e ngrohtë , me hënë të plotë, që derdhte
dritën e saj të zbehtë, qielli pa një re, i qëndisur me yje. Rrugët e mugëta
të ndriçuara dobët, ishin thuajse bosh.
Rrall shihej ndonjë kalimtar i vonuar. Unë dhe Llaqi, e kishim vënë Melaninë në
mes dhe ecnim të heshtur si të na kishin shterrur fjalët. Te rruga e tij për në
shtëpi, Llaqi u nda nga ne.
Mbetëm
të dy. Ecnim të heshtur,ishte një heshtje nga ato që flasin, me një kumt të
fshehtë, të mistershëm. E ndjenim në tërë qënien tone. Ishte diçka tërësisht
shpirtërore, por e vagullt, e mjegullt. Disi të mallëngjyer që po ndaheshim. Eh
ndarjet! Shpresonim që jo për shumë kohë.
Do
të desha, që jo ecje nën dritën e hënës të zgjaste pa fund. Kur u afruam te shtëpia e saj, nuk e di si mu
dha dhe vetiu, nga një tërheqje e dëshiruar për t’a ndjerë më të afërt, i mora
dorën në timen . Ajo nuk e hoqi.Dukej që edhe ajo e priste. Ndjeva butësinë dhe
ngrohtësinë e asaj dore dhe ndodhi mrekullia: një rrymë drithëruese më përshkoi
të tërin.Zëmra shpeshtoi rrahjet.
Qëndruam
para portës së shtëpisë së saj, që ndriçohej dobët nga llampa e rrugës. E zhyta
shikimin në sytë e saj dhe po kërkoja fjalët e ndarjes. Ishte një fjalë e vetme
që kisha tre vjet që e mbaja të ndryrë përbrenda, por s’po guxoja. Ma thoshte
zemra: ajo priste diçka prej meje, por unë në vend që të ndihesha vetvetja,ai i
vërteti, që ajo njihte, isha shushatur e mu duk vetja si humbameno. Gjuha më
ishte lidhur.Rrinim kundruall dhe shiheshim në sy. Heshtje e ankthshme. Atëhere
guximtarja Melani, kur s’e prisja, u ngrit në maja të këmbëve që të më arrinte,
më hodhi të dy duart në qafë , dhe u mbështet në parzmin tim, ndjeva shtypjen e
gjokseve te saj të vegjël e të fortë dhe dihatjen e ngrohtë të frymëmarrjes, më
dha një puthje të beftë në faqe. Dhe vrik, pa thënë një fjalë, u shkëput, hapi
portën dhe ngjiti nxitimthi shkallët e
verandës. Aty qëndroi, ktheu kokën ndaj meje dhe më përshëndeti me dorë.
Mbeta
një copë herë si i gozhduar në vend dhe vetiu vura dorën në faqe, atje ku ishte
gjurma e buzëve të saj, ishte sikur
frikesohesha se e puthura do të fluturonte dhe nuk do të më linte të përjetoja
lumturinë dhe mrekullinë e atij çasti.
Mora
rrugën për në shtëpi.
Nuk
ecja, fluturoja mëndjetrazuar,zemërtronditur në një qiell lumturie, mbushur me
yje, i dehur nga lumturia. Edhe pse e mendoja, druhesha t’i vija një emër asaj që ndodhi. Le të mbetej pa emër,por ajo
ishte brenda meje.
E
ndjeja, e kuptoja, me gjithë qënien time, që fëmijëria kishte mbetur pas, në
ata vjetët e shkuar, duke vrapuar me këmbët e zbathura, në fushën e pluhurosur,
pas atij topit me lecka dhe, nuk ishin më sytë e saj që shihnin botën.
Kishte
trokitur rinia.