E merkure, 05.02.2025, 06:55 PM (GMT)

Kulturë

Suzana Kuqi: Urime përçartëse

E hene, 29.12.2008, 06:54 PM


Suzana Kuqi

Urime përçartëse

Kaluan dhe krishtlindjet, të gjithë janë në pritje të vitit të ri. Nuk e di se si i solli Zoti aq mbarë punët, sa edhe burri i dashur e mbaroi punën për këtë vit. Mrekulli vërtet, veçse... më pak mrekulli se unë duhej të punoja. Do të ishte më mirë të punonte ai dhe unë të isha në shtëpi këto ditë, po ku të pyet shansi se çfarë është më mirë? Jo vetëm kaq, por don ti shkon e më zë edhe gripi por çfarë gripi... . Ku e gjeti xhanëm? Aq shumë punë mblidhen në fund të vitit, kush është grua më kupton. Sikur nuk mjafton bakllavaja që duhet bërë apo petat e byrekut të qumështit. Pluhurat mblidhen aq shpejt sa duken sikur nuk janë fshirë prej muajsh. Ju betohem, nëse rastësisht bien mbi mobilje ca fara lulesh e nuk i fshij, jam e sigurtë se pas një jave jo vetëm do të kenë mbirë por do të kenë çelur edhe lule. Le të mos flasim për xhamat, me gjithë këtë shi që ka rënë kohët e fundit. Shiu ka pushuar por jashtë bën aq ftohtë... Le të rrinë ashtu. Për punët e tjera do të më ndihmojnë femijët dhe burri, gënjeva veten unë e me mendje bëra një plan pune. I shkreti plan, mbeti vetëm në mendjen time. Fëmijët ja kanë mbushur mendjen vetes se janë me pushime, janë të rritur e kanë filluar të bëjnë jetë nate, helbete për këtë janë festat. Flenë deri pas mesditës e zgjohen pak para se unë të nisem për punë e sa mezi kam kohë t'i përshëndes. Kur kthehem nga puna nuk i gjej në shtëpi kanë dale secili me të fejuarin a të fejuarën . Burri i dashur, kur filloi pushimet më pyeti për ndonjë libër të bukur. Dhe unë e zgjuara i rekomandova një që e kam blerë që në verë dhe e kam marrë disa herë në dorë në mëdyshje nëse ja vlen t'i hyj asaj aventure prej njëmijë e katërqint faqesh apo jo. Dhe çdo herë e kam lënë pezull. Fundja thashë me vete, t'a lexojë ai e të ma përmbledhë me pak fjalë deri sa unë të gjej guximin e duhur. E filloi, e mbërtheu dhe po e përpin si i babëzitur. Ec e thuaji po deshe për ndonjë punë. Libri në mëngjes, në drekë, në mbrëmje. Harron edhe të hajë po të mos e thirrësh. U bënë dy ditë. E unë që pres të më thotë diçka interesante të paktën. Por e gjitha sa kam dëgjuar prej tij është : "bobo dhe njëmijë faqe... bobo dhe tetëqint faqe... bobo dhe gjashtëqint faqe, bobo..." Sikur nuk po lexon për qejf por e ka marrë si detyrim. E unë që rropatem tërë ditën e ditës, aq sa nuk kam kohë të lexoj as edhe një faqe të librit që kam në dorë. Librit them, kur t'i vijë koha që ta marr sërish ndër duar me siguri do t'i kem harruar edhe titullin. Le pastaj që frigoriferi është katandisur në atë farë feje, sa po ta hapësh e ndërkohe je duke folur padashur me vete, zëri të kthehet mbrapsht me oshëtimë e të tremb, aq bosh ka mbetur. Por sonte shpresat i kam të mira. Nuk ja pashë më librin ndër duar, siç duket e ka mbaruar. Edhe mua sikur më kanë zbritur ethet. Kështu që nesër mund të shkojmë e të bëjmë pazar për darkën e vitit të ri e mbase gjej edhe pak kohë të shkoj e t'u bëj ndonjë urim miqve e kushërinjve të mij. E përfitoj nga rasti t'ju bëj urimet më të mira e më të sinqerta të gjithë atyre që do të marrin mundimin të lexojnë këto përçartje të zakonshme gruaje.

GEZUAR VITIN E RI 2009

Uroj që 2009 t'ju Sjellë Gjithshka Dëshëroni, por Uroj gjithashtu t'ju Japë edhe Kohën për t'i Gëzuar e Shijuar .

Me respekt Suzana



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora