Kulturë
Tahir Bezhani: Bukurie Hajdarmataj - Grua pa faj
E diele, 23.04.2023, 06:50 PM
POEZIA DHE ARTI POETIK KA PËR QËLLIM TRASIMIN E RRUGËTIMIT TË SHËNDETSHËM NË PËRMASA NJERËZORE
Vështrim
libri:
Bukurie
Hajdarmataj: “ Grua pa faj”,2016, botoi
“OLYMP” Prishtinë
”Libër
që përmban shtyllat e edukatës njerëzore në artin poetik”
Nga
Tahir Bezhani
Autorja
e librit, Bukurie Hajdarmataj, para lexuesve del për herë të parë me librin
poetik të lartcekur me të cilin ndez dritën e shpresës tek lexuesi se do kemi
një poete të mirëfilltë me një talent të spikatur. Ky vlerësim buron nga penda e saj e mprehtë e cila me një modesti njerëzore e krijuese,
skalit vargun brilant duke dhënë mesazhe të brumosura nga jeta njerëzore, nga
përditshmëria e rrethanave të së kaluarës dhe së tanishmes.
Bukurie
Hajdarmataj, e lindur në Shoshan të Tropojës,
e punësuar në Shkollën e Mesme të
Bashkuar “Hoxhë Zogu” në Zogaj, në vete mbart një përvojë jete e pune të gjatë,
ku përjetimet e saja, kanë prekur ndjenjat e saj intelektual, duke nxitur në
krijimtari që nga shkolla fillore dhe ajo e mesme. Idetë e saja krijuese prekin
të gjitha fushat e jetës njerëzore, duke
ngërthyer në brendi dhembjen dhe dashurinë
si shtylla të ndërgjegjes njerëzore nëpër kohë....
Libri
poetik me titull mjaft provokativ, “Grua pa faj,” përmban sekuenca
të ndjeshmërisë shpirtërore duke dhënë preferenca plot dhembje mbi fatin e
femrës shqiptare në trojet tona. Njëkosisht, pos vuajtjes së saj, nxjerr
në dritë edhe kontributin historik, si pjesë e pandashme dhe e barabartë
e shoqërisë sonë.
Poezia
“Shqiponja e malësisë ”, dedikuar mësueses e cila vuajti nga diktatura e
monizmit në Shqipëri, Rukie Ramës, përmban gjithë kalavarën e dhimbjes së
femrës shqiptare, duke personifikuar atë me gjitha vuajtjet e nënave shqiptare
në kohë e rrethana tejet të ndërlikuara.
Duke paraqitur një sistem tejet
monstruoz të kohës, në poezinë e lartëcekur shkruan:
”
Bisha të sëmura ata ishin/ Ah!.../Njollë e zezë e shoqërisë/Ja gjakosën këmbët
shqiponjës/Në jetë e vdekje gjynahe mbajnë mbi kurriz”
Duke cilësuar personalitetin e një mësueseje në
rrethana të tilla, si Rukie Ramën poetja më tej e karakterizon, duke nxjerrë si
heroinë, simbol të qëndresës:
“Ishte
vajza e parë që grisi shaminë/udhëtare në rrugën e shpresës së thyer/vrapon një
vajzë, djalë, a shqiponjë fluturon/ mes shtigjeve bytyqase, / nga vapa dhe
shirat gërryer”.
Ideja
për të arritur qëllimin duhet të kaloi përmes një martirizimi ideologjik, duke
kredhur në baltimin e brendshëm. Mënyra e tillë e qasjes së vargut poetik,
poezinë e bënë art kreativ përmasash, ku autori mbetet gjatë në mbamendje.
Mendoj se refleksioni i kësaj poezie
përkushtuese ka prodhuar me arsye gjithë përjetimin e dhimbshëm të një
mësueseje brenda një diktature të egër e të gjatë....
Ndonëse,
poezia e titulluar “Grua pa faj”, ngritë në piedestal gjithë fatin ecejakeve jetësore, duke
triumfuar në luftë me kohën, si në vargjet:
”
Grua gri në k’të botë gri/Gëzimi yt i vetëm fëmijët/Bota të shkeli ty?/ Apo
botën po e shkel tash ti?”
Autorja
e librit, Bukurie Hajdarmataj, duke qenë edukatore brezash, përditshmëria e saj
është përherë e atakuar me ngjarje të rëndësishme të jetës, të cilat, si valë
deti, e trazojnë deri në hidhërime e
gëzime jete. Uni i saj krijues kacafytet me çdo rrethanë nga ku pikon arti këndshëm....
Poetja
Bukurie Hajdarmataj artin poetik e ka si kështjellë të ndërgjegjes njerëzore e
shoqërore, përmes së cilës jeta lë
gjurmë të kohës . Ajo i detyrohet profesionit të edukatores dhe përmes poezisë, tregon gjithë dashurinë
për shkollën, nxënësit, brezat e ardhshëm, dritë ardhmërie e
vendit tonë. Duke përjetuar thellë dashurinë ndaj nxënësve, natyrshëm,
reflekton me vargje: “çdo ditë marr buzëqeshje /Çdo mëngjes ndihem e
gëzuar /ndihem e bekuar me nxënësit e mi...”
E
përkushtuar tërësisht në edukimin e brezave, me sinqeritet krijues, nxjerr në
pah tërë
respektin edukativ që duhet të
ketë një mësues apo mësuese. Me të tillë karakter dashurie për gjeneratat
paraqitet edhe tek poezia “Maturantët,” ku përditshmëria e jetës përkon me dashuri dhe përkushtim të sinqertë kudo.
Në
librin poetik “Grua pa faj” gërshetohen edhe një mori termash të cilat spikasin dhimbje e dashuri kohësh, por
edhe gëzime nga fëmijëria, duke përkujtuar një jetë të ëmbël në prehërin e
nënës e gjyshërve, aty ku jeta merr hov lartësive. Autorja me forcë shpirti i
kushton vargje motrës së dashur, duke
kujtuar atë “ që njeh detin e tallazeve brenda meje,” duke iu drejtuar se çfarë
të quaj ty, ”Rreze dielli kur bie shi/Apo....Në mjegullën time ylberi im?.”.
Ndërsa
për vëllain, ka një peshë akoma më të ndjeshme, sigurisht, bazuar edhe në
traditën tonë me rastin e lindjes se djalit. Autorja vëllait i drejtohet me
vargje madhështore:” Vëlla është dera e pragut/Është gëzimi i konakut/Vëllai
fjala e shpresës/Vëllai është drita e jetës...”.
Një
element i veçantë që bie në sy të lexuesit është glorifikimi deri ne piedestal të gjyshit të fëmijëve të
saj, gjegjësisht, vjehrrit, ku rrallë e ndeshim në poezi një përkushtim
vjehërror, ose fare. Kjo flet për një përkushtim të mirëfilltë familjarë, një
dashuri edukative si rregullator i jetës brenda familjes.
Bukurie
Hajdarmataj, në librin e saj “Grua pa faj,” trajton një mori temash aktuale
duke u nisur nga motivet e vjetra e që akoma kanë rrënjë në kohën tonë, pastaj
duke iu qasur gyrbetit, si dukuri dhe
dhimbje e madhe e kohës sonë, me pasojë zbrazja e vendit nga brezat e rij dhe
asimilimi i tyre në botën perëndimore, pa a asnjë arsye.
Duke
lexuar një libër me poezi të arrira e tema të llojllojshmërisë të jetës
sonë në tërësi, mbesim me shpresë se
nga autorja Bukurie Hajdarmataj, do
lexojmë vepra të reja poetike, e pse jo edhe në prozë, duke na befasuar
këndshëm me boten e saj të brendshme plot thesar jete....
Gjakovë, 14.04.2023