| E diele, 23.04.2023, 07:00 PM |
PJESTARËT E FAMILJES GJIKA NGA DHËRMIU,
NË
SHËRBIM TË MBRETËRISË SË NAPOLIT
Nga
Lutfi ALIA
Mbreti
Karli Borbon, pasi u ngjit në fronin Partenopeo, që në fillim u impenjua për
legjitimitetin e pozicionit të tij si mbret. Ndonëse Karli mbretëronte që nga
viti 1734, Gran Bretagna, Austria dhe Sardenja nuk donin që mbretëria më e
madhe e gadishullit Apenin të kalonte në duart e Borbonëve, që ishte familje që
mbretëronte në Spanjë dhe në Francë.
Deri në vitin 1738, sovraniteti i Karlit në mbretërinë e Napolit, nuk njihej
zyrtarisht nga fuqitë e Europës, sidomos nga Austria, por situata u ndryshua
pas fitoreve të ushtrisë të Karlit në betejat e kundër austriakëve, sidomos pas
betejës të Velletri më 1744, ku roli vendimtarë i fitores i dedikohet
batalionit të arbërorëve, i komanduar nga koloneli Strati Gjika. [Galasso G,
Storia del Regno di Napoli, Novara, Istituto Geografico De Agostini,
2008-2011].
Konti
Strati Gjika ishte nga Dhërmiu. Fillimisht kishte shërbyer toger në ushtrinë e
Venecias, por pas kont-radiktave me komandën, e shkarkuan nga detyra, madje e
dënuan me vdekje dhe në këto rrethana u detyrua të braktisi Serenissimën e të
vendoset në Napoli, i emëruar oficer fillimisht në Batalionin e më pas në
Regjimentin Mbretëror Maqedono-Ilir. [Antonio D’Onofrio, Una famiglia
di esuli. Viaggiatori.
Circolazioni scambi ed esilio, Anno 1, Numero 2, marzo 2018.] [Archivio di Stato di
Venezia, Provveditori di Terra e di Mare, filza 81, 15 settembre - 10 novembre
1737, filza 1293, 25 novembre 1738].
Konti
Strati Gjika rekrutoi shumë arbëror për forcimin e ushtrisë të Karlit. Ardhja e
arbërorëve në Napoli nuk ishte eksod vullnetarë, por rekrutim ushtarësh në
shërbim të kurorës të Borbonëve, një praktikë që në shekullin XVIII, kryhej dhe
nga shtete të tjera europiane. Në këtë kohë, në brigjet e Arbërisë ankoroheshin
anije napolitane, ingleze, ruse dhe franceze, që kërkonin rekrutimin e banorëve
të provincës së Himarës, madje repartet e stratiotëve arbëror shërbenin në
mbretëritë e Spanjës, të Francës, të Anglisë, në mbretërinë e Napolit, të
Montekarlos, në Republikën e San Marino dhe në Venecia. [F. Barra, Il
regno delle Due Sicilie: 1734-1860. Le relazioni internazionali. Vol. I:
Avellino, Il Terebinto edizioni 2017].
Shqiptarë
në ushtrinë e mbretërisë së Napolit, me veshjen tradicionale me fustanellë
Në
vitin 1737, në sheshin Kapua në Avellino u organizua batalioni Mbretëror me
komandant Strati Gjika. Me shtimin e të rekrutuarve, më 1739 ky formacion u
organizua në Regjimentin Mbretëror Maqedono-Ilir me dy batalione. Në vitin 1755
Komandant i regjimentit ishte gjenerali Strati Gjika. Pas vdekjes të mbretit
Karli, në fron u ngjit Ferdinandi IV, i cili në vitin 1778 e riformoi në mënyrë
radikale ushtrinë dhe marinën. Në të gjitha njesitë ushtarake u emëruan oficera
të huaj, mes tyre shquheshin 300 oficera albanezë, të cilët krijuan një aparat
ushtarak të fuqishëm dhe me efikasitet drejtues, që e shndërroi armatën
mbretërore në instrument luftarak efiçient. Regjimentin e albanezëve e quanin
dhe “Coppoloni - kapuçanët, sepse mbanin festen tipike albaneze. Në vitn 1798,
Ministria e Luftës e Mbretërisë mobilizoi përsëri shumë albanezë, të cilët i
organizoi në “Batalionin e pushkatarëve vullnetarë Albanezë – cacciatori
albanesi”, i njohur dhe batalioni i “Camiciotti - i fustanellave”, për veshjen
tipike shqiptare me fustanella. [M. Schipa, Il regno di Napoli al
tempo di Carlo di Borbone, Milano, Società Dante Alighieri, 1923,
vol. I]. [Acton H. I Borboni
di Napoli (1734-1825), Firenze,
Giunti, 1997]
Athanas Gjika, Mikele Gjika dhe Strati Gjika i Riu.
Pas
vdekjes të gjeneralit Strati Gjika, komandant i regjimentit u emërua djali i
tij, gjenerali Athanas Gjika. Në reformën e vitit 1800, batalioni i
pushkatarëve albanezë u inkuadrua në Regjimentin Mbretëror, madje deri në vitin
1812, Athanas Gjika vazhdoi të dërgoi misionar, për të mobilizuar rekruta
shqiptarë në Provincën e Himarës dhe të Çamërisë. [A. Leh, Cenno
storico dei servigi militari prestati nel Regno delle Due Sicilie dai Greci,
Epiroti, Albanesi e Macedoni in epoche diverse, Corfù, 1843, p. 15.]
Pjestarët
e familjes Gjika jetonin në Napoli, kryeqyteti i mbretërisë, me detyra
komanduese në rradhët e Regjimentit Mbretëror, ku krahas Athanasit, militonin
dhe dy vëllezërit konti Mikele Gjika, me gradën major, dhe vëllai i vogël Strati Gjika (i riu), me
gradën toger. [Archivio di Stato di Napoli, Ministero degli Affari
esteri, b. 5319, f. Esteri 5316/III].
Revolucionari Mikele Gjika.
Gjatë
dy viteve të fushatës të trupave francezë të Napoleon Bonapartit në Itali,
njera pas tjetrës u shpallën republikat “motra” filofranceze dhe jakobine. Më
23 janar 1799, ushtria franceze e komanduar nga gjenerali Shamponjè, hyri në
Napoli. Atë ditë u shpall Republika e Napolit, me një qeveri me 20 antarë, mes
tyre dhe katër arbëreshë. Eleonora Fonseka Pimentel, në numërin e parë të
gazetës Monitor Napoletano shkruan: ... Jemi të lirë, më së fundi
arrijti dhe për ne dita kur mund të shqiptojmë fjalët e shenjta liri,
barazi...”
Me
këto ndryshime politike, majori Mikele Gjika i braktisi borbonët dhe u bë
republikan revolucionar dhe aktivist për mbrojtjen e indipenencës të Republikës
Partenopeo. Konti Mikele Gjika u njoh dhe u miqësua me gjeneralin francez
Guillaum Philibert Duhesme, i cili e gradoi Mikelin gjeneral brigade i
Republikës dhe e emëroi komandant batalioni në Legjionin I Napoletan. Gjatë
periudhës të Republikës Partenopeo, gjenerali Mikele Gjika ishte pjemarrës
aktiv dhe protagonist në shumë ngjarje të asaj kohe.
Në
gazetën periodike “Monitore Napolitano”, njoftohet se më 26 shkurt 1799,
batalioni i komanduar nga gjenerali Mikele Gjika, marshoi për në Benevento, për
të arrijt komandantin e brigadës Hektor Karafa dhe për t’u bashkuar me
legjionet franceze në Pulja. [Monitore Napoletano, giovedi 26, Piovoso anno
VII della Libertà. I della Repubblica Napoletana, febbraio 1799]. Në
kronikat e 16 marsit 1799 të periodikut Monitore, tregohet se majori
Mikele Gjika, së bashku me vëllanë e vogël togerin Strati Gjika, gjatë
marshimit për në Solofra në ndihmë të forcave të Hektor Karafa, në afërsi të
Acerra u sulmuan nga rmonarkistët, të cilët e plagosën togerin Strati Gjika dhe
gjeneralin Mikele Gjika, por ai nuk u ndal dhe duke thirrur Rroftë Republika, i
sulmoi dhe i theu grupet e armatosura dhe vazhdoi marshimin në krye të
batalionit për në Foxhia. [Monitore Napoletano, giovedi 26, Ventoso anno VII
della Libertà. I della Repubblica Napoletana Una e Indivisibile, sabato 16,
1799, Numero 13].
Republika e
Napolit nuk u legjimitua nga asnjë traktat ndërkombëtar dhe pas disa muajsh, me
ndihmën e anglezëve dhe armatës të koalicionit, borbonët u rikthyen në pushtet
dhe filluan ndëshkimin e të gjithë atyre që tradhëtuan kurorën mbretërore. Me
fundin e Republikës dhe si pjesmarrës në rezistencën popullore të Kastel Nuovo
dhe si tradhëtar i kurorës borbone, mbreti Ferdinandi IV e dënoi me vdekje
kontin Mikele Gjika, por kjo sentencë nuk u zbatua sepse e morën në mbrojtje
bashkatdhetarët arbëror, të cilit i kërkuan me insistim Ferdinandit IV ta falte
Mikelin, për hirë të besnikërisë së tyre në shërbim të Mbretërisë së Napolit.
Mbreti e pranoi kërkesën e ushtarëve të tij dhe e fali Mikele Gjikën, si
rezulton dhe në dekretin mbretëror të botuar në numërin 22 të Monitore Napoletano. Më
3 maj 1800, dënimi me vdekje u kthye me burgim në kështjellën e Shën Katerina
në ishullin Favinjana, ku qëndroi deri në paktin e Paqes në Firence në vitin
1801, kur u lirua. [Benedetto Croce, La Rivoluzione Napoletana del 1799; biografie,
racconti, ricerche, Bari, Giuseppe Laterza & Figli,1912., p 3-83].
Si
ndodh shpesh në situatat e ndërlikuara politike, pozicioni i kontit Mikele
Gjika nuk ishte i sigurtë edhe pse amnistia i dha lirinë, ai gjithmonë ishte
person politikisht i djegur si jakobin dhe në këto rrethana mbretëria e
konsideronte një person i padëshirueshëm për idealet e tij politike. Ishte
Franca e Napoleonit që e ndihmoi Mikelin të largohet nga Italia dhe Ai zgjodhi
rrugën më të mirë, u kthye në vendlindjen e tij në Dhërmi, ku jetoi me familjen
në vitet 1801 – 1807. Në fakt Mikele Gjika nuk ishte vetëm një arbëror i kthyer
në atdheun e tij, por ishte dhe një ikanak i persekutuar nga Mbretëria e
Napolit, ashtu si ishte dhe konsull i Francës.
Konti Mikele Gjika, Konsulli i Përgjithshëm i Francës në
Republikën e Shtatishujve Jonike.
Me
paktin e paqes në Firence të Francës me Mbretërinë e Napolit, si dhe me disa
traktate me fuqitë e tjera
Europiane,
u shuan armiqësitë mes tyre, por gjithmonë në favorin ë francezëve. I fundit
ishte traktati i Amiens
i 25
marsit 1802, por kjo paqe ishte afatshkurtër, sepse pas një viti rifilluan
konfliktet me Britaninë e Madhe,
të
pasuara në vitin 1805 me luftën e koalicionit të tretë. Në fjalimin para
ushtarëve në Schönbrunn më 27 dhjetor 1805, Napoelon Bonaparti shpalli rrëzimin
e mbretërisë e Napolit dhe në fron vendosi vëllain gjeneralin Joseph Bonaparti,
i cili mbretëroi deri në vitin 1808.
Më 17
tetor 1806, mbreti Joseph Bonaparti e emëroi kontin Mikele Gjika Konsulli i
Përgjithshëm i Francës në Republikën e Shtatishujve të Bashkuara, e krijuar si
një unitet i ri territorial me ishujt kryesorë Cefalonia, Cerigo, Korfuzi,
Itaka, Pakso, Santa Maura dhe Zante, ku përfshiheshin dhe me ishujt e vegjël
rreth tyre.
Konti
Mikele Gjika u vendos në Korfuz dhe kur dilte në bregun lindor të ishullit
shihte përballë Albaninë, atdheun e të atit Strati Gjika. Emërimi i Mikele
Gjika nuk shprehte detyrën zyrtare si konsull, por urdhërohej të vendosej në
një vend sekret, ku të shmangëte dyshimet nga banorët, pra ishte ngarkuar me
detyra vëzhguesi, si ishin specifikuar në instruksionet që i dërgoheshin të adresuara
jo konsullit, por “Zotit Konte Mikele Gjika”, me udhëzime për të mbajtur
nënkontroll situatat e vendeve në detin Adriatik. [H. Acton, I
Borboni di Napoli (1734-1825), Firenze, Giunti, 1997, p. 584-585]. [A.S.N.
Ministero degli Affari Esteri, b. 5319 - f. Esteri 5316/I. Anno 1806].
Konti
Mikele Gjika më shumë ishte informator i Francës, se sa konsulli, si rezulton
në detyrat e ngarkuara:
- Të
survejonte lëvizjet e forcave tokësore dhe detare të rusëve në Korfuz dhe në
ishujt e tjerë të Jonit.
- Në
instruksion theksohet: “Zotëria e Juaj e Shkëlqyer autorizohet të udhëtoi në
Albania, në Grykën e Kotorrit
dhe në
Raguzë. Në këto vende mund të dërgoni njerëz besnikë, për të vrojtuar nga afër
dhe për të verifikuar
forcat
ushtarake, vendosjen e tyre, armatimet në dispozicion dhe për t’u informuar në
se kanë vendosur të
sulmojnë
forcat franceze.
-
Punoni me kujdes për të verifikuar marrëdhëniet e rusëve me Albanezët dhe
Malzezët dhe me popujt e tjerë.
- Verifiko dhe na informo për të gjitha aksionet
ushtarake në territoret e Raguzës dhe Grykës së Kotorrit, nga
ku
mund të kryhen sulme nga rusët, kundër forcave franceze.
[A.
D’Onofrio, Il consolato del regno di Napoli a Corfù (1806-1808),
Napoli, Università degli studi di Napoli “L’Orientale”, laurea in Scienze
politiche e delle relazioni internazionali, A.A. 2011/2012]. [A. D’Onofrio.
Le isole Ionie negli equilibri del Mediterraneo napoleonico, Napoli, Università
degli studi di Napoli “L’Orientale”, laurea magistrale in Studi Internazionali,
A.A. 2013/2014, 2 Volumi]. [A.S.Na, Ministero degli Affari
esteri, b. 5319, Fascicolo Esteri 5316/III].
Konti
Mikele Gjika vizitonte me rradhë ishujt, që asi kohe njiheshin Republika e
Shtatë Ishujve të Bashkuar, Republika e Ishujve Jonike, Republika
Shtatishullore, Eptaneso dhe Shteti Jonik. Për këto shërbime që kryente Mikele
Gjika si “konsull”, i paguhej rroga me 600 dukate në vit, për shpenzime
kançellarie dhe te segretarisë i paguheshin 300 dukate, ndërsa shpenzimet
postare i rimborsoheshin në veçanti, ashtu si i ishte dhënë një shumë e
veçantë, që ta përdorte për pagesë informatorësh, por pa u kompromentuar
publikisht. Është plotësisht e qartë se konti Mikele Gjika kryente kryesisht
funksionet e konsullit-spiun në favor të Francës, me rëndësi të madhe për
mbretin e ri të Napolit Joseph Bonaparte, i cili ishte i interesuar të
informohej për numërin e trupave ruse të dislokuar në Korfuz, sepse rusët me
forcat ingleze në Siçili, përbënin kërcënim për francezët.
Mbretëria
e Napolit me mbret Joseph Bonaparti nuk u njoh nga fuqitë europiane, andaj nuk
kishte të drejtë të dërgonte konsull në territoret e kontrolluara nga shtete të
tjera si nga Rusia që kishte trupa në Korfuz, për më tepër që Rusia ishte ne
gjendje lufte me Francën. [E. Rodocanachi, Bonaparte et les Iles
Ioniennes, un épisode des conquétes de la République et du premier Empire
(1797-1816), Parigi, Félix, 1899], [R. M. Delli Quadri, Il
Mediterraneo delle costituzioni. Dalla repubblica delle Sette Isole Unite agli
Stati Uniti delle Isole Ionie, Milano, Franco Angeli, 2017].
Këto
pengesa u kapërcyen me emërimin konsull të kontit Mikel Gjika, me origjinë
arbërore, emri i të cilit rezultonte i regjistruar si shqiptar në Librin e Artë
të fisnikërisë të Korfuzit, sipas kushtetutës të Republikës të Shtatishujve,
çka e favorizonte të lëvizte lirshëm në këto ishuj, ashtu si shfrytëzonte
njohjet në atdheun e tij, si në trevat e Provincës së Himarës dhe të Çamërisë.
Duke e autorizuar të udhëtonte në shtetet e tjera ballkanike, deri në Raaguzë dhe
në Grykën e Kotorrit, tregon se i ishin ngarkuar detyra me rëndësi strategjike
të spiunazhit, të mbante nën kontroll dhe të pengonte rekrutimin e albanezëve
nga Britania e Madhe dhe nga Rusia, që ishin dy forcat më aktive në pellgun e
Adriatikut. [G. Paulini, Memorie storiche sulla fondazione della
Repubblica Jonica ossia delle sette isole unite. Roma, Libreria G. Gallarini,
1802].
Ndonëse
ishte emëruar konsull i mbretërisë së Napolit, Konti Mikele Gjika u ndodh para
disa të papriturave,
që ia
ndërlikuan qëndrimin në Korfuz. Në raportin me numër 334, e informon
sekretarinë e Joseph Bonapartit,
së
spao zbritën në ishull së bashku me të vëllanë Strati Gjika i Riu, policia e
Korfuzit i urdhëroi të largoheshin familjarisht nga ishulli, me anijen e parë
që nisej për në Otranto dhe të ktheheshin në mbretërinë e Napolit. Mikele Gjika
protestoi ndaj këtij urdhëri, duke theksuar se kishte zbarkuar në ishull për
motive personale, kështu mundi të qëndroi edhe tetë ditë në Korfuz. Gjatë këtij
qëndrimi të shkurtër mblodhi informacione për situatën në ishull, të cilat i
dërgoi sekretarisë të shtetit në Napoli, nëpërmjet zotiti Vigoroux, që ishte
konsulli i Francës në Republikën e Shtatishujve. [ASNa Rapporto numero 3 dell'11 novembre
1806. ASNa, b. 5319, f. Esteri 5316/III 33].
Zbarkimi i kontit Mikele Gjika dhe i familjes së tij në
Dhërmi.
Në
këto rrethana, konti Mikele së bashku me familjen, në fillim të nëntorit 1806,
u detyrua të largohet nga Korfuzi. Pasi pagoi një varkëtar, zbarkoi në Albania,
pikërisht në Dhërmi, ku u vendosën familjarisht dhe ku qëndroi deri në gusht të
vitit 1807. Gjatë qëndrimit në atdheun e vet, konti Mikele Gjika, i shoqëruar
nga tetë kalorës arbëror, vizitoi fshatrat e Provincës së Himarës dhe të Vlorës
dhe për situatat në këto treva, dërgoi informacione sekretarisë të mbretërisë
së Napolit. Mikele Gjika ishte i bindur se idealet e tij revolucionare si
republikan, do ta ndihmonin popullin arbëror, madje shpresonte ndërhyrjen e
francezëve dhe njëkohësisht vazhdonte të rekrutonte arbërorë në shërbim të
mbretit të Napolit. Mikeli lëvizte lirshëm në trojet arbërore, nuk pengohej nga
autoritetet turke, sepse Perandoria Osmane ishte aleate e Francës, çka e
favorizoi të vizitonte Vloën, Durrësin, Raguzën dhe Grykën e Kottorrit, si rezulton
në relacionet e vitit 1806, dërguar sekretarisë të mbretit Joseph Bonaparti. [ASNa:
Rapporto numero 5, del 22 novembre 1806]
Në
nëntor 1806, Mikele Gjika organizoi një takim me gjeneralin francez César Berthier,
Guvernatori i Përgjithshëm i Republikës të Shtatishujve, të cilit i prezantoi
të deleguarit e Provincës së Himarës, të cilët kërkuan ndihmën e Francës, për
të formuar një regjim kombëtar Albanez, që do të ishte në shërbim të Napoelon
Bonapartit. [ASNa, b. 5319, fasc. Esteri 5316/III. Anno 11. Novem
1806 - dicem 1807]. [Corrispondenza del generale César Berthier
conservata agli ANP, Fonds Général Berthier (an IX-1879), Répertoire
(33AP/01-33AP/43)]. Megjithë premtimet e
guvernatorit Bertier, nuk u ndërmor asnjë veprim konkret, për të ndihmuar
himarjotët të çliroheshin nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe as në formimin e
Republikës së Himarës, si i kërkuan Francës, ashtu si i kishin kërkuar një
shekull më parë Vatikanit dhe mbretit të Napolit. Himara dhe Çamëria prej shumë
vitesh shfrytëzoheshin për rekrutimin e banorëve për të shërbyer në ushtritë e
shteteve europiane, por asnjë prej tyre nuk ndihmoi në shpalljen e pavarësisë
dhe as në formimin e një shteti arbëror. [ASNa: Rapporto numero 5, del 22
novembre 1806].
Në
këtë periudhë, si rusët dhe inglezët vizitonin fshatrat e Provincë së Himarës,
me synime të rekrutonin ushtarë. Në dhjetor 1806, mënjëherë pasi Perandoria
Osmane i shpalli luftë Rusisë, një anije ingleze ankoroi në brigjet arbërore.
Oficerat inglezë vizituan fshatrat bregdetar për të rekrutuar sa më shumë
arbëror, kundrejt pagesave tepër joshëse, por Mikele Gjika, i mbështetur nga
bashkatdhetarët iu kundërvunë këtyre tentativave, madje arrijtën të bllokojnë
rekrutimin e shumë banorëve. [ASNa, b. 5319, f. Esteri 5316/III. Anno 11. Novembre 1806
- dicembre 1807].
Gjatë qendrimit në
Dhërmi, në zbatim të detyrave të ngarkuara me funksionet konsull- informator,
vizitoi dhe ishujt e Republikës të Shtatishujve dhe në relacionet dërguar
mbretit, shprehte indinjatë për sjelljet e rusëve me banorët e këtyre ishujve,
duke theksuar se banorët nuk ishin të sigurtë në trojet e veta, nuk gëzojnë
liri qytetare, sepse rusët i ndëshkonin dhe i detyronin të braktisin
vendlindjen, andaj i quanin rusët pushtues, barbarë, tartar shtypës, ndërsa
aristokracia greke e ishujve, ishte bashkuar me rusët. [ASNa:
Rapporto numero 6, del 24 novembre 1806. Ivi.].
Në
fund të vitit 1806, gjendja financiare e Mikelit u rëndua, sepse nuk kishte
maarrë paagesaat mujore, si pasojë e ndërprerjes të lidhjes detare me Dhërmiun
nga korsarët inglez, që kontrollonin detet Adriatik dhe Jon. Në këto rrethana,
për të kryer misionet e ngarkuara, Mikele u detyrua të përdori të ardhurat e
veta financiare, madje në muajt e fundit të vitit u detyrua të hypotekonte
pasuritë e familjes, shtëpinë dhe tokat, shiti dhe stolitë e gruas, madje dhe
shtëpinë që kishte në Korfuz. [Rapporto numero 18 del 7 gennaio 1807. Rapporto numero 20
del 11 gennaio 1807. Rapporto numero 23 del 25 gennaio 1807. Rapporto numero 36
del 23 marzo 1807; A. S. Na, Ministero degli Affari Esteri, b, 5319, f. Esteri
5316/III.]
Vetëm
pas paqes të Tilsit më 7 korrik 1807, kur Republika e Shtatishujve kaloi në
vartësi të Francës, konti Mikele Gjika u kthye ne funksionet e konsullit në
Korfuz, ku qëndroi 10 vite në këtë detyrë. Krahas misioneve diplomatike, Mikele
Gjika vazhdoi traditën e familjes, i impenjuar në projektin e rekrutimit të
arbërorëve në
rradhët
e ushtrisë franceze. [A.S.Na. Ministero degli Affari Esteri. Rapporto numero 62 del 16 settembre
1807].
Për kohën e qëndrimit
dhe të aktiviteteve në territoret e Albanisë, konsulli Mikele Gjika shkruan:
“Qëndrimi im në Albania, më shërbeu për realizuar objektivat e caktuara dhe
krahas shërbimeve ndaj Shtetit, më ndihmoi dhe ndikimi i gjendjes në Albania,
atdheu im, për të cilin ndjej dhimbje që ende vuan nën shtypjen e eger të
Perandorisë Osmane”. [Rapporto numero 58 del 30 agosto 1807. ASNa, Ministero
degli Affari Esteri, b. 5319, f. Esteri 5316/III. Anno 11. novembre 1806 -
dicembre 1807].
Konti
Mikele Gjika vazhdoi funksionet e Konsullit të Përgjithshëm të Mbretërisë së
Napolit në Republikën e Shtatishujve Jonikë, deri në fund të dominimit francez.
Vdiq dhe e varrosën në Korfuz në vitin 1818. [A. Leh, Cenno storico
dei servigi militari prestati nel Regno delle Due Sicilie dai Greci, Epiroti,
Albanesi e Macedoni in epoche diverse, Corfù, 1843, pp. 52].