Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Pjetër Bogdani me Kelmendasit u fut në Prishtinë
E shtune, 22.04.2023, 06:58 PM
Pjetër Bogdani me Kelmendasit u fut në Prishtinë
Nga
Gani Mehmetaj
Kur
ushtria austriake hyri në Prishtinë, s’pati nevojë të shkrepte asnjë shishane.
Në qytetin më të madh të Rrafshit të Dardanisë, u vendos komanda me logjistikën
e vet. Për sigurinë e qytetit e të katundeve kujdeseshin ushtarët e Arbërisë.
Raporti
që e kisha në dorë më drithëroi. Shkrimi ishte ndryshe, dora kishte rrëshqitur
nga ndonjë shqetësim, sepse shkronjat herë zgjateshin, herë ngushtoheshin.
Në
raportin e fratit të paemër, shkruante: “Shkëlqesi, Ipeshkvi ynë, Pjetër
Bogdani, vdiq. Me pikëllim të pakufishëm e varrosëm pranë Katedrales së qytetit
të Prishtinës. Ia bëmë nderimet që rrallë kujt i bëhen, e vajtuam. Ai i
udhëhoqi në luftë arbërorët kundër turqve. Por para se të të informoj për
periudhën pas vdekjes së tij, ndiej obligim t’jua them disa fjalë për gjendjen
në Arbëri, kur ishte gjallë imzot Bogdani.
Ende
pa arritur ushtria e gjeneralit Pikolomini, Bogdani me ushtarët arbërorë e
çliroi Prizrenin, Prishtinën, e Pejën. Kushtrimit të tij iu përgjigjën të
gjithë, i madh e i vogël, jehona mbërriti deri në Ohër. E vlente të jetoje ato
ditë.
Më
duhet ta pranoj se që nga vdekja e Gjergj Kastriotit, nuk pati organizim të
tillë, mobilizim të përgjithshëm e padurim që të luftohej turku. Mizoritë e
tartarëve ua sollën shpirtin në majë të hundës.
Ngjarjet
rrodhën kështu. Në Kaçanik ushtarët e gjakut tonë e mbajtën kufirin pa e lejuar
të futej as të dilte gjallë asnjë ushtar turk. Shkupin e çliruan trupat vendës
që u ndihmuan nga prijësit e Tetovës e të Karadakut. Ata hynë triumfalisht në
qytetin e Bogdanit.
“Kënaqu
me këtë mrekulli e vdis!”, thoshin ato ditë arbërorët. Ishte parakalim madhështor,
ishte kënaqësi t’i shihje sesi valëviteshin një det qeleshesh të bardha në
formacion ushtarak.
Kambanat
e Katedrales së Shkupit nuk pushuan gjithë ditën. Nga qytetet tjera të Lekës së
Madh, arbërorët çliruan Gostivarin, Uskanën, Strugën, Ohrin e Manastirin.
Prijësi
ynë, imzot Bogdani, gjithë kohën ishte në organizim e në dijeni të sukseseve të
arbërorëve. Në Prishtinë forcat vendëse e dëbuan ushtrinë tartare për herë të
dytë. Lufta e vendësve ishte në ethe, për jetë a vdekje, sepse e dinin çfarë i
priste po u futën tartarët e turqit në qytet.
Herën
e parë kur tartarët e rimorën qytetin, masakruan bura e gra, vranë pleq e
dogjën gjysmën e qytetit. Kështu,kësaj here, kjo farë e keqe u dëbua përtej
Grykës së Llapit.
Kur
ushtria austriake hyri në Prishtinë, s’pati nevojë të shkrepte asnjë shishane.
Në qytetin më të madh të Rrafshit të Dardanisë, u vendos komanda me logjistikën
e vet. Për sigurinë e qytetit e të katundeve kujdeseshin ushtarët e Arbërisë.
Por
koha e lavdisë kaloi shpejt, si shkreptimë reje. Nuk ishte turku ai që e ktheu
fatin e luftës në duart e veta, nuk ishte as dobësia e arbërorëve që i bëri të
zbytheshin para armiqve, përkundrazi më duhet të them me mburrje se ishim më të
fuqishëm se kurrë më parë, ishim një, si në kohën e Skënderbeut. Flamuri i
Arbrit valëvitej gjithë kohën në pikat strategjike të qytetit.
Kur
mendonim se çdo gjë po shkonte si në vaj, një sëmundje tinëzare i shkretoi
tokat e Arbërisë. Mbyti mijëra banorë. Një herë ia nisi nga fëmijët, pastaj
nisën të lëngonin gratë. Ishte e tmerrshme kur i shihje burrat, luftëtarë të
çartur sesi vuanin e zvarriteshin me dhimbje të tmerrshme nëpër llucë. Ata që
shpëtuan nga sëmundja ia mbathën në Malësinë e Gollakut apo edhe më larg në
Malësinë e Karadakut, sikurse e quajnë turqit një pjesë të malësisë në periferi
të Arbërisë.
Në
këtë pështjellim të paparë, të shkaktuar nga kjo sëmundje ferri, kur çdo gjë po
e merrte rrokullimën, trupat austriake nisën të zbytheshin, të tërhiqeshin apo
ta izolonin ushtrinë e vet nga vendësit, sepse thoshin sikur donin t’i ruanin
të pacenuar trupat perandorake. Nga priftërinjtë tanë që ishin në shtabin e
tyre, mësuam se austriakët e mbanin të fshehtë, por murtaja bëri kërdinë në
ushtrinë e tyre. Nga murtaja u shua edhe Pikolomini.
Duket
murtaja erdhi nga ndeshja e parë me ushtrinë turke në Nish, qytetin më të
skajshëm të Dardanisë. Në betejën e Nishit, ku mori goditje të pariparueshme
ushtria e sulltanit, luftuan në anën austriake skizmatikët e gjakut tonë.
Serbët, sikurse në kohën e Skënderbeut, morën anën e turkut. Na tradhtuan për
herë të dytë.
Ka
informacione se murtaja e preku edhe qytetin e Konstantinit të madh, megjithëse
thonë jo në përmasat që e goditi qendrën e Dardanisë së sotme.
Më
duhet t’ju them se asnjëherë nuk u kuptua vërtet e sollën trupat austriake
sëmundjen e ferrit, apo e hodhën trupat turke në të tërhequr. Ka gjasa që ata u
futën në mesin e ushtarëve tanë dhe i infektuan një herë puset, pastaj të
korrat që ishin aq të bollshme. Por pati edhe hamendësime tjera.
Sëmundja
erdhi e shkoi, por me sëmundje shkoi edhe koka e prijësve të Arbërisë. Prapa la
mjerim e shkretëtirë.
As
gjeneralin austriak, me disa ushtarakë të tjerë të lartë të Perandorisë
Austriake, as ipeshkvin tonë, Bogdanin, nuk e vranë turqit, as tartarët mizorë,
por ashtu siç ju thashë, e mbyti mortaja, e cila bëri kërdinë mbi ushtrinë tonë
dhe mbi popullatën.
Prapë
nuk më hiqet nga mendja: e futën këtë sëmundje vrastare turqit me tradhti, apo
fara e keqe që mbjellë më herët. Pati hamendësime se murtajën e sollën në
strajca serbët, armiq të vjetër të arbërorëve.
Hamendësimet
nuk na ndihmuan asgjë, që ta ndryshojmë fatin e Arbërisë. Ndërkaq, mbetëm pa
një prijës të madh ushtarak e shpirtëror. Vetëm mbreti ynë, Skënderbeu para
imzot Bogdanit, i ndriçoi si yll shkëlqimtar tokat e Arbërisë dhe gjithë
Gadishullin e Ilirisë.
Pak
javë para se të shuhej jeta e imzot Bogdanit, komanda e Arbërisë e dërgoi
udhëheqësin në Prishtinë, te mjekët gjermanë që ta shëronin, por ata nuk e
ndihmuan dot. Ai po mbaronte në vuajtje të tmerrshme, megjithëse asnjëherë nuk
iu dëgjua zëri, më thanë ata që i qëndruan pranë.
“Sikur
të vinte pak ditë më herët, mbase do të kishte më shumë shpresa”, na e la pikë
në zemër, mjeku perandorak, që iu kushtua me gjithë zemër. Por ata që ishin në
eskortën përcjellëse të imzot Pjetër Bogdanit, tregojnë se ai qe tepër i zënë
me organizim e luftime që t’i kushtonte vëmendje trupit, i cili po e
tradhtonte.
Kështu,
një ditë të zymtë, ndër më të zymtat në historinë e Arbërisë, në vitin 1689,
pas Krishtit, udhëheqësi ynë vdiq në Prishtinë. Ai e la një hon të madh, sepse
mungesa e tij nuk do të plotësohet kohë të gjatë.
Komandantët
e Arbërisë u përpoqën të rezistonin, mirëpo ushtria u përgjysmua nga vdekja që
e priste si kosë e ferrit shtatin e ushtarëve, ndërsa shpesh vdisnin në këmbë
pa pranuar të preheshin në shtratin e vdekjes. Ushtarët i përgjysmoi uria e
etja, sepse mjekët nuk i lejonin të pinin ujin e infektuar, as ushqimin që po
ashtu druhej se është me mikrobin e murtajës.
Si
s’na u ça zemra nga pikëllimi, kur shihnim ushtarë të vdisnin në vuajtje të
tmerrshme; si s’tregoi Zoti pak mëshirë për këta fatkeq, që patën mision të
shenjtë: të mbronin dheun e të parëve, të mbronin gratë e fëmijët; si s’na
ndihen shenjtorët, ndërsa na e dhanë rastin ta çlironim Arbërinë një herë e
përgjithmonë; si s’ na buzëqeshi fati në aktin përfundimtar, kur nuk lamë këmbë
turku nga Shkupi deri në Ohër.
Sa
e çuditshme e sa mizore: fatin e luftës e ndryshoi një mikrob tinëzar, i
frikshëm e vdekjeprurës, ndërsa nuk mund të shihej, as të luftohej. Një mikrob
më pak i frikshëm, para qindra vjetësh e shtriu përtokë mbretin tonë, Gjergj
Kastriotin.
Dhe
si mallkim një mikrob i padukshëm e mbyti prijësin tonë të madh, Pjetër
Bogdanin.
Më
duhet t’ju rrëfej se mbi kufomat që i hidhnim nëpër gropa të thella, hidhnim
gëlqere të pashuar. Koha nuk priste, koha mund të na ndëshkonte. Ende
shpresonim se do ta këpusnim sëmundjen. Por fati na dha kahe tjetër. Mjerë
Arbëria sesi u pllakos për herë të dytë.
Katunde
të tëra u braktisën, vendbanime tjera mbetën me pak banorë, të tmerruar e të
dëshpëruar nga e panjohura. Të shikonin si shpëtimtar, kur u tregoje kush ishe.
Besonin se me hirin e Zotit, do të shpëtonin. Ndonjëherë të shikonin të
tmerruar, kur druanin se do t’jua sillje mikrobin e frikshëm, prandaj pa një pa
dy të dëbonin, ose të kërcënonin, që të mos ua shkelje kufirin e katundit, ku
bënin rojë.
Derisa
udhëtoja në Dardani, pashë me sytë e mi se si nëpër disa katunde banorët e
humbën arsyen. Me të vërejtur njerëz të dyshimtë, i kapnin dhe i digjnin në
turr të druve, apo i varnin. Ua bënin gjyqin aty për aty, sepse dikush e
përhapi frikën se e gjithë Arbëria e pësoi nga njerëz të dyshimtë, që futeshin
nëpër katunde, hidhnin minj a mace të infektuara dhe iknin nga sytë këmbët.
Më
kap tmerri kur e parafytyroj fundin e fatkeqit të linçuar nga banorët që
shkumëzonin nga tërbimi. Shëmtira të tilla ndodhën edhe në fillim të luftës,
kur dyshohej se armiku spiunonte, kështu që çdo njeri që nuk e fliste mirë
gjuhën e arbërorëve e pësonte keq, madje e pësonin edhe ata që nga frika
belbëzonin. Më treguan se pati edhe situata tragjikomike.
Grupe
serbësh që plaçkitnin në kohë lufte, ndërsa pastaj gjenerali Pikolomini
urdhëroi të dëboheshin, sepse i solli, duke shpresuar se do të ndihmonin kundër
turkut, nuk e braktisën Dardaninë. Mbeten tek-tuk për fatkeqësinë e tyre. Të
irrituar nga ta, arbërorët e armatosur ndalnin në rrugë të panjohurit, me
dyshimin se janë serbë, i detyronin të thoshin: Thura, tharkun e thive me
thupra thane. Ndonjë fatkeq i cili në vend të kësaj formule, thoshte tura,
tarkun e tive me tupra tane, e linçonin. Këtë fat e pësonin edhe turqit e
mbetur, të cilët për fatkeqësinë e tyre kishin ardhur nga fundi i Anadollit, që
të gjenin vdekjen në katundet e humbura të Arbërisë.
Në
rrugëtimin tim në tokat e shkreta, disave që ende frika nuk ua errësoi arsyen
më pyetën: padër, pse na ndëshkoi Zoti kaq mizorisht? Çfarë i bëmë?
Nuk
dita ç’t’u thosha, nuk kisha përgjigje as për vete. Atyre ua ktheva përgjigjen
ngushëlluese: nuk dihet asnjëherë vullnesa e Zotit, nuk dihet qëllimi i tij
përfundimtar. Ata më shikuan me shpresa të shuara e me pikëllim të thellë në
sy. Ata nuk besonin dhe nuk shpresonin më në asgjë. Zoti prapë i braktisi kur e
patën lirinë aq afër. E dinin çfarë i priste, bënin rojë ditën e natën.
Shkëlqesi,
më e tmerrshmja ishte kur hordhitë turke e tartare hynë në Prishtinë. Ata bënë
kërdinë, vranë gra e fëmijë. Aziatikët depërtuan nga Nishi, qytet të cilin
tashmë e shtinë në dorë, sepse austriakët u tërhoqën përtej Danubit.
Ndërkaq,
me të kuptuar ku ishte varri i imzot Bogdanit, trupat tartare e turke erdhën si
qentë e çartur para katedrales, në qendër të qytetit. Ngrehinës ia vunë
zjarrin, silleshin rreth e rrotull si kanibalët rreth presë kur e piqnin në
hell. Kështu e dogjën gjysmën e godinës, një godinë madhështore, ndër më të
mëdhatë në Arbëri.
Trupat
aziatike bënë akte të shëmtuara kundër banorëve vendës. Bënë aktin tjetër të
shëmtuar të paparë në botën e qytetëruar: ia nxorën eshtrat nga varri ipeshkvit
tonë, i hodhën nëpër djerrina, i ndollën qentë që t’i hanë. Një lemeri e tillë
i bëri qytetarët që shpëtuan të marrin ikën, t’ia mbajnë nga sytë këmbët.
Disa
bëjnë be në të gjithë shenjtorët se në terrin e natës, ndërsa i ndriçonte
ndonjë flakadan i godinës që digjej, panë se si ushtarët turq e tartarë nga
tërbimi nxirrnin eshtra nga varret dhe i kafshonin si qentë e çartur, aq shumë
i grinte tërbimi e urrejtja.
Të
tjerët thonë se eshtrat e ipeshkvit tonë nuk i gjetën në varr, nuk i gjetën as
në katakombet e katedrales, ku shpresonin se mund të ishin fshehur në
strehimoret nëntokësore. Prandaj, ushtarët e huaj në shenjë hakmarrje ia
përdhosën varrin, ia thyen gurët e varrit, e nxorën arkëmortin jashtë.
Pëshpëritet
se trupi i imzot Bogdanit u rivarros gjetiu. Askush ose pakkush e di ku i
prehen eshtrat. Ka edhe zëra që thonë se trupi i tij nuk u gjet në varr, ata
pëshpëritnin diçka tjetër, pëshpërimë e cila nuk do të dalë kurrë nga goja ime,
as sot, as mot, sepse nuk më takon mua të bëj krahasime të pakrahasueshme,
megjithëse bëjnë be e rrufe ata se ai ishte në varr dhe nuk është më.
Ipeshkvin
tonë e mbështjell oreoli i lavdisë, por edhe thagma e shenjtërisë. Ai ishte i
shenjtë në të gjallë, duhet të shenjtërohet në amshim. Populli edhe në këto
ditë të rënda ka nisur ta ngrejë në qiell emrin e lavdinë e tij.
Megjithëse
është ditë zie e pikëllimi të thellë, megjithëse tokat e Arbërisë asnjëherë nuk
ishin në gjendje më të rëndë, qysh nga vdekja e Skënderbeut, më duhet t’ju
themi se patëm ditë të lavdishme. Prapë më duhet të bëj krahasime: asnjëherë
nuk ishim më të organizuar e më të fortë që nga koha e mbretit Gjergj,
asnjëherë nuk ishim më të afërt e më të dashur me njëri-tjetrin, “je arbëror,
je im vëlla”, e përsërisnim fjalën e vjetër mallëngjyese të arbëreshëve.
Forcat
tona të armatosura në kulmin e lavdisë iu kundërvunë me sukses pushtuesit turk,
i cili vuri në veprim tartarët e Krimesë, por edhe çetat serbe e bullgare, të
cilat janë të njohura për mizorit ndaj popullatës.
Gjenerali
austriak, Pikolomini, u mahnit nga organizmi ynë, ashtu sikurse na lavdëroi për
trimërinë. Për një apo dy muaj ushtria e Arbërisë çliroi Shkupin, Tetovën,
Prishtinën, Prizrenin e Pejën, ndërsa ende pa u futur në Shkodër e Lezhë,
trupat turke e tartare ia mbathën me të katrat, para forcave të armatosura të
Kelmendit e Berishës, duke kaluar nëpër Qafë-Thanë, sepse shteg tjetër ikjeje
tanët nuk u lanë. Por trupat arbërore në Strugë e Ohër u dolën para.
Lajmet
që na vinin nga Jugu thonë se asnjë ushtar i huaj nuk shpëtoi, pos kasnecëve të
tyre që duhej të tregonin për mynxyrat që i prisnin po u kthyen prapë në tokat
e Arbërisë.
Shkëlqesi,
suksesi ynë ushtarak nuk qe i rastit. Ne u përgatitëm një kohë të gjatë.
Imzot
Bogdani disa vjet më parë ia nisi një letër perandorit austriak, ku e bënte me
dije se në Arbëri ishin të gatshëm të hidheshin në sulm frontal kundër
pushtuesit, vetëm nëse ata na e mbronin shpinën që të mos na sulmonin aradhet
serbe e bullgare, të cilat gjithnjë u prinin forcave turke, duke e tmerruar
popullatën civile.
Pas
disfatës forcat e mbetura u riorganizuan dhe u tërhoqën nëpër malet e
Pashtrikut, Lubotenit, Rugovës e Gollakut. Janë në pritje të ditëve më të mira.
Jemi
duke u ballafaquar me një mizori të paparë. Shpërngulja e popullatës nga
Arbëria drejt tokave austriake është shqetësuese. Kolonat e gjata, të pafundme
shihen luginave e gërxhave, duke ikur drejt veriut. I ngjason shpërnguljes
biblike. Fatkeqësisht arbërorët nuk po ikin drejt tokave të premtuara, ata po
ia mbathin nga tokat e tyre, në tokat e huaja. Thonë se ultësira e Panonisë do
të popullohet me njerëzit e gjakut tonë. Perandori austriak u ka premtuar toka
të pëlleshme e kamje. Por asnjëri prej arbërorëve nuk ikën për lakmi, por nga
halli. Pas vdekjes së Skënderbeut kjo është shpërngulja më e madhe.
Gjysma
e fisit të Kelmendit e të Berishës ikën përtej Nishit, të udhëhequr nga
priftërinjtë tanë, që s’dinin ç’të bënin tjetër, pos t’i shpinin atje ku ua
thoshte mendja se do ta shpëtonin kokën. Ikën me të madhe edhe nga Rrafshi i
Dardanisë, ndërsa i lanë shtëpitë e pasuritë. Hakmarrja e turqve ishte e
pritshme. I druanin plojës sikurse dikur në Kështjellën e Krujës e të Lezhës.
U
druanin tmerreve që pësuan banorët e Prizrenit deri në një. Kështjellën e Pejës
turqit e dogjën dhe e rrafshuan me tokë. Gur mbi gur nuk lanë.
Me
mbyt pikëllimi dhe më turbullohen sytë nga lotët, kur e kujtoj tmerrin nëpër të
cilin po kalojmë.
Megjithëse
luftën e humbëm, Gryka e Kaçanikut ende mbahet e mbyllur. Një pjesë e trupave
pushtuese pasi e morën Shkupin, u përpoqën të futen në Ferizaj e Prishtinë
përmes Grykës së Kaçanikut. Mirëpo kryengritësit nuk lanë këmbë turku të futej
më tutje.
Gryka
e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve, qindra malësorë të Arbërisë ranë, por
fushëbetejën nuk e braktisën. Doli kënga me thirrje kushtrimi:
Hej,
Kaçanik-o, shkamb e gur
Vritesh
e pritesh për flamur.
Kënga
thotë se arbërorët jetën e tyre e paguan shtrenjtë. Mbrojtësit e grykës u vranë
tinëzisht, prapa shpinës. Megjithatë turqve nuk ua mbanë të kalojnë ngushticës
së frikshme. Kush ua mësoi rrugën e fshehtë trupave pushtuese? Një dhiare nëpër
të cilën u futën turqit asnjëherë nuk u mor vesh.
Lajmëtarët
na raportuan se trupat turke e tartare u futën nga Lugina e Nishit nëpër
qytetin e riemërtuar Kurshumli. Llapjanët nuk patëm mundësi t’u rezistonin,
ishin tejet të molisur e të përgjysmuar nga luftërat.
Një
tjetër lajm i hidhur erdhi nga krahina e Nishit. Popullata e atjeshme u
islamizua dhunshëm. Përnjëherësh i detyruan të bëheshin myslimanë, ose të
deklaroheshin serbë, sepse më nuk ua kishin besën, ndërsa Patrikana e
Stambollit e tumiri...