| E marte, 13.12.2022, 07:55 PM |
Të hetohet Lista Srpska!
Nga
Enver Bytyçi
Kosova
kaloi dhe ende po vazhdon në një sprovë të fortë, në luftën e saj të ftohtë për
territorin. Nuk ka për t’u mbyllur kjo plagë derisa ajo të bëhet anëtare e
OKB-së. Por, kriza e sotme është më e egër se çdo herë tjetër. U qëllua policia
e Kosovës dhe ajo e EULEX-it. Jo vetëm u ngritën barrikada, por Beogradi
kërcënoi se do të dërgojë ushtrinë në Kosovë.
Nëse
i analizojmë të gjitha veprimet dhe aksionet provokuese të presidentit të
Serbisë, atëherë vemë re se skenari vetëm se përsëritet. Dhe sa herë përsëritet,
aq herë ndodh e njëjta taktikë zgjidhjeje: - Presion Kosovës për të bërë
lëshime, ankesa e madje kritika deri të ashpra kundër liderëve të saj dhe
thuajse asnjë reagim ndaj akteve barbare e kriminale të Beogradit dhe bandave
të tij në veri të vendit.
Duket
shumë qartë se në veri të Mitrovicës nuk janë serbët ata që shkaktojnë
trazirat. Janë strukturat paralele të fshehta deri në bodrumet e kishave serbe
e të armatosura në mënyrë të kundërligjshme. Sa më shumë ushtrohet kjo
stërvitje në veri, aq më shumë serbët zhgënjehen nga skenari i mashtrimit të
Beogradit. Ata kanë kuptuar se presidenti dhe qeveria serbe luajnë për
interesat e tyre dhe jo për qytetarët serbë në Kosovë. Ata e dinë se nuk është
e vërtetë ajo që thotë Vuçiq se “po ushtrohet terror ndaj tyre”. Sepse askush
nuk ka cenuar qoftë dhe një anëtar të pakicës serbe në veri ose në jug të
Ibrit. Prandaj serbët janë së paku skeptikë ndaj politikës së Beogradit.
Por,
ndërkohë në Kosovë e sidomos në veri të saj është Lista Srpska ajo që vepron si
një organizatë politike me frymëzim terrorist. Kjo organizatë politike e
serbëve duhet hetuar. Ajo i duhet nënshtruar një ekzaminimi juridik, sepse
asnjë organizatë e tillë, në asnjë vend të botës, nuk mund të jetë legale, kur
cenon në mënyrë të përsëritur rendin kushtetues të një vendi. Ndoshta Gjykata
Kushtetuese duhet të urdhërojë hetimin e veprimtarisë anti-shtetërore të Listës
Srpska dhe ta shqyrtojë legalitetin e saj.
Lista
Srpska është thjesht instrument në duart e Vuçiqit për destabilizimin e Kosovës.
Ajo u krijua me bekimin e Vuçiq dhe Hashim Thaçit. Qeveritë e korruptuara të
Kosovës, me bazë lidhjet në PDK, AAK dhe te LDK e Isa Mustafës, u pajtuan me
mbështetjen pa kushte të kësaj partie të serbëve në Kosovë, e cila i ngjan
partive të shpallura si terroriste nëpër botë. Mbështetja që Lista Srpska mori
nga Thaçi, Mustafa dhe në raste të caktuara edhe nga Haradinaj, ishte një nga
shkaqet e faktorizimit të saj, si dhe të rritjes së pranisë së qeverisë së
Beogradit në Kosovë.
Rasti
i konfliktit të këtyre ditëve në veri të vendit është i volitshëm për të bërë
një vlerësim real e objektiv të situatës dhe faktorëve që çojnë vazhdimisht në
këtë lloj krize të përsëritur. Nga kjo analizë objekt kryesor është e duhet të
jetë prania e Serbisë dhe politikave të saj në subjektet politike të
minoritetit serb në Kosovë. Lista Srpska duhet parë si subjekt destabilizues e
luftë-ndjellës dhe si e tillë ajo nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e saj
politike. Kjo edhe për faktin se deputetët e funksionarët e kësaj partie janë
betuar në kushtetutën e Republikës së Kosovës e ndërkohë çdo ditë provojnë se e
shkelin atë.
Krahasoni
kritikat e Baerbeck me ato që kanë bërë e bëjnë politikanët e Kosovës ndaj
Vuçiqit!
Ndërkaq
analiza duhet të kaplojë edhe rolin e faktorëve të tjerë politikë në raste të
tilla krizash. P.sh duhet parë se cili ishte qëndrimi i partive opozitare. Nëse
ato i kontribuuan aksioneve destabilizuese të armikut, apo kontribuuan për
kontrollin shtetëror në veri të Kosovës? Qëndruan pranë policisë së Kosovës dhe
institucioneve të saj, apo me deklarimet e tyre ndihmuan politikat
destabilizuese të Beogradit dhe të Listës Srpska? Pra, çka ndodhi me faktorin
politik shqiptar në Kosovë e madje edhe jashtë saj?
Pas
deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, është shumë e
thjeshtë të vlerësohen qëndrimet e politikanëve të Kosovës. Qëndrimet e tyre
duhen ballafaquar me ato të Annalena Baerbeck. Aty do të kuptohet se cili ishte
qëndrimi i subjekteve politike të Kosovës dhe sa kontribuuan ato për stabilizimin
e gjendjes së krijuar! Krahasoni kritikat e Baerbeck me ato që kanë bërë e
bëjnë politikanët e Kosovës ndaj Vuçiqit! Vendosni në peshore se kë kritikojnë
e fajësojnë politikanët opozitarë e të papërgjegjshëm të Kosovës, qeverinë e
vendit të tyre, apo qeverinë e vendit agresor, Serbisë! Të gjitha këto duhen
bërë me profesionalizëm, pa dashur që të paraqiten të gjithë politikanët që
deklarohen kundër Qeverisë së Kosovës si njerëz që me qëllim apo pa dashje kanë
ndikuar për keq në përballimin e situatës së krijuar këto ditë. Por, ama dikush
duhet ta vlerësojë qëndrimin e Vlora Çitakut, sepse ajo është diplomate, nuk
është naive të kapet pas nënkuptimeve, për të relativizuar përgjegjësinë e
kriminelëve në qeverinë dhe në krye të shtetit të Serbisë e të atyre në veri të
Kosovës.
Në
fund të fundit dikush duhet t’ia bëjë me dijë publikut gjithçka, në mënyrë të
përmbledhur. Edhe për qëndrimet e Borrell, të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, si
dhe aktorëve të tjerë që kanë mbajtur qëndrime ose jo ndaj këtyre ngjarjeve. Se
nesër, të jeni të sigurt, do të ndodhin serishmi ngjarje të tilla. E së paku
duhet refleksion, duhet rrit përgjegjësia dhe kompaktësimi. Kur armiku sulmon,
çka ndodhi këto ditë në veri të Mitrovicës, shqiptarët duhet të bëhen bashkë.
Kjo është gjithçka që duhet arrit!