| E marte, 13.12.2022, 07:59 PM |
FATI I KOMBIT DHE I ATDHEUT, GJITHMONË ISHTE DHE MBETI AMANETI SHPIRTËROR I SECILIT SHQIPTAR INTELEKTUAL DHE I TË GJITHA SHTRESAVE TË TJERA GJITHANDEJ BOTËS NË MËRGATË...!
Bisedë
me krijuesin dhe nënkryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe e
Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, Neki LULAJN
Nga
Sejdi BERISHA
Neki Lulaj, deri
me tash ka botuar tetë libra: “Dardania ime”, “Zjarri i shpirtit” “Në
kështjellën e përjetësisë”, “Balada e heshtjes”, “Vesa mbi gur”, “Trinomi i
lirisë”- bashkautor me H. Qyqallen, “Bukuria e bekuar” dhe “Kodi i tokës”
Disa nga
librat e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze dhe në atë rumune. Është Nënkryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, që nga viti 2015
është anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht. Ndërsa,
nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në qershor 2017, është zgjedhur
Kryetar i Lidhjes Shqiptare në botë për pesë lande gjermane obligim.
Është përfshirë
në shumë antologji të botuara në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Suedi,
Romani, New York, në Maqedoninë e Veriut, Itali, Zvicër, Austri, Greqi,
Angli etj.
Është
bashkëpunëtor i shumë gazetave kombëtare në të gjitha trojet shqiptare dhe
gjithandej Evropës dhe SHBA-ve. Po ashtu
është fitues i çmimeve të ndryshme poetike dhe i shpërblyer me Mirënjohje te
ndryshme.
__________
Të gjithë ata që u bënë pjesë e mallit dhe e dhembjes të cilët mërguan në
shtetet e ndryshme evropiane dhe të botës, morën me vete një grusht dhé, e n? shpirt frymën e atdheut si gjënë më të
shtrenjtë të jetës
Pyetja: Vlerat shpirtërore, kulturore dhe historiografike janë themel i afirmimit
mbase edhe i zhvillimit të një kombi. Në këtë drejtim edhe diaspora me vite
mbase edhe decenie ka dhënë kontribut të çmueshëm.
N. Lulaj: Po, pjesa
neuralgjike e shpirtit të kombit është mërgata! Rruga e mërgimit për ne
shqiptarët daton diku nga vitet 1876 por edhe më herët. Për shkak të kushteve
politike, sociale dhe ekonomike, shqiptarët e kanë shijuar që herët
emigracionin, ndërsa, vendet e preferuara ishin ato që i tërhiqnin më së shumti
e sidomos atje përtej oqeanit. Ndoshta nuk është momenti t’i theksoj emrat në
këtë rast. Por, nga shënimet me të cilat disponoj, i pari shqiptar që ka
shkelur në „Tokën e Premtuar“ të Amerikës, ishte Kolë Kristofori nga një fshat
i Korçës në vitin 1884. Kështu, “pionierët” e tjerë shqiptarë, në Amerikë i
ngjasojnë lumit që nuk shteron. Pra, që atëherë, emigrantët e parë ishin tepër
aktivë në lëvizjen kombëtare dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të Sotir Peçit,
Fan Nolit, Faik Konicës, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhi, Athanas Gegaj,
Mithat Bej Frashëri etj., të cilët loznin role të rëndësishme në
internacionalizimin e çështjes kombëtare shqiptare tek organet zyrtare t? shteteve ku jetonin. Edhe të tjerët, që migruan në shtetet e
ndryshme evropiane, morën me vete një grusht dhé, e në shpirt frymën e atdheut
si gjënë më të shtrenjtë të jetës.
Pra, të larguarit
e ri nga vendi, nuk qëndruan si komunitet pasiv, por krahas ndihmave familjare
arritën të impenjohen fuqishëm në çdo shtet ku ngulën duke punuar dhe luftuar
për çështjen e shenjtë kombëtare.
Kështu që,
kontributet e çmueshme të shqiptarëve në mërgim, edhe atëherë por edhe sot janë
të pazëvendësueshme, si në organizimin e jetës duke hapur klube dhe shoqata
shqiptare, ashtu edhe në rrjedhat politike, e veçmas duke u shquar edhe në
aktivitetet kulturore dhe sportive, si në futboll, boks, kulturë, muzikë, film,
mjekësi por edhe në të gjitha rrjedhat tjera të jetës, duke ia ngritur kështu
namin atdheut.
Krijimtaria letrare në mërgatë ka rëndësi të veçantë për
qëndresën dhe zhvillimin e kombit, andaj trajtimi i temave lidhur me këtë janë
fondamentale(Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA duke biseduar me
krijuesin, Neki Lulaj, i cili jeton dhe vepron në Gjermani
Po ashtu, mërgata, duke dhënë kontributin e vetë dhe duke u rreshtuar edhe
në UÇK, mendoj se përherë e ka vendin e nderit në mbrojtje të atdheut.
Kontributet tjera
të çmueshme janë sakrifica karshi atdheut duke i dalë krah dhe duke u rreshtuar
në UÇK, për çfarë mendoj se mërgata e ka dhënë provimin dhe përherë e ka vendin
e nderit në mbrojtje të atdheut.
Pyetja: Ju jeni mbi dyzetë vite në diasporë, që do të thotë se edhe si
veprimtarë, por edhe si krijues keni punuar shumë për mirëqenien e kombit por
edhe për shqiptarët gjithandej jo vetëm në Gjermani?
N.Lulaj: Po, këtu në
mërgim i kam kaluar mbi dyzet vite, dhe nuk e di a kam mundur t’i dalë zot sa
duhet atdheut dhe kombit. ”E ndiej obligim shpirtëror dhe moral që mos të
“tradhtoj” dy herë, ngase njëherë kam tradhtuar kur kam ikur nga Kosova, dashtë
Zoti e atdheu të ma falë gabimin”!
Krijuesi, Neki Lulaj në një nga aktivitetet kulturore në
diasporë
Ishim krushqi në organizimin e aktiviteteve tw shumta për kauzën dhe fatin
e atdheut dhe të kombit...
Andaj, si
veprimtar nuk kam kursyer dhe nuk do të kursehem kurrë. Isha krushk i palodhur
në organizimin dhe konsolidimin e jetës duke i dalë zot atdheut, si me protesta
paqësore të cilat i organizonim nëpër qytetet e ndryshme gjermane dhe
evropiane, ashtu edhe në organizimin e jetës politike dhe në
internacionalizimin e çështjes së rëndë nëpër të cilat kalonte aso kohe populli
i Kosovës nën makinerinë e egër të regjimit milosheviqian duke e pasqyruar në
mënyrë të sinqertë gjendjen reale tek pala gjermane në seminare të ndryshme, që
aso kohe i mbanim me aktivistët e “Asylkreiss-it“ gjerman, por edhe nëpër
shkolla fillore, të mesme, në universitete e deri tek Bundestagu gjerman dhe ai
evropian.
Ndu të theksoj se
në ato vite, të vetmen dritare të Informimit, veç tjerash e kemi pasur të
përditshmen kombëtare “Bota sot”, e cila aso kohe botohej në Zofingen të
Zvicrës, e në të cilën gazetë rregullisht kam publikuar për aktivitetet e
nduardurta të mërgimtarëve.
Në kohën kur
Kosova ishte e okupuar, nuk na ka ra ndërmend të merremi me gjëra të tjera
përveç se me organizimin e gjërave me rëndësi jetike kombëtare duke kontribuar
në Fondet e ndryshme si: “Ta ndihmojmë shkollën shqipe ne Kosovë”, në “Fondin e
Achenit”, pastaj në “Fondin e 3%-shit” dhe “Në ndihmë familjeve të prekura nga
lufta” e deri tek sakrifica sublime e të rinjve që veshën uniformat ushtarake
për t’i dalë zot atdheut.
Neki Lulaj në një nga manifestimet letrare të mërgatës të
organizuar edhe në Kosovë
Libri “Trinomi i lirisë” dhe dy antologji të botuara-dëshmi për punën
serioze të krijuesve në diasporë
Pyetja: Në fushën e kulturës e veçmas të letërsisë, në vendin ku jetojnë
dhe veprojnë krijuesit, mund të thuhet se ata janë bukur mirë të organizuar dhe
të rreshtuar në intensifikimin e peshës të fjalës së shkruar?
N.Lulaj:.Po është shumë e
vërtetë se jemi shumë mirë të organizuar, pas konsultimeve me krijuesit
shqiptarë në mërgim, u bënë përgatitjet për Kuvendin Themelues, i cili u mbajt
me 10 dhjetor të vitit 2006 dhe u themelua “Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve
dhe e Krijuesve Shqiptarë” në Gjermani. Që nga kjo datë neve kemi kryetar,
nënkryetar, një kryesi dhe një anëtarësi të gjerë, dhe rregullisht i mbajmë
takimet letrare e që krijuesit e ri shqiptarë dhe te tjerët i kanë zhvilluar
dhe i zhvillojnë aktivitetet e tyre, si në promovimin e veprave letrare nga
autorët të cilët janë anëtarë të këtij asociacioni letrar dhe aktivitete të
thera kulturore. Çdo vit i mbajmë Takimet Letrare “Azem Shkreli” me karakter
garues, ku shpërblehen garuesit për vepra letrare dhe për poezi më të mira.
Vite me radhë, në
takimet “Azem Shkreli” marrin pjesë edhe shkrimtarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Dua të veçoj se në muajin maj të vitit 2012, e kemi botuar librin “Trinomi i
lirisë” (Bashkautor Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla), kushtuar 30-vjetorit të
vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, në të cilin libër janë përfshi
30 autorë. Këtë Antologji poetike e kemi promovuar me 29 korrik 2012 nën
patronazhin e Kryetarit të Pejës. Pastaj, vlen të theksojmë edhe botimin e dy
Antologjive poetike; njëra për Shenjtoren Nënë Tereza “Vargje për Nënën” dhe
tjetra për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun“ “Moti i madh“, përgatitur nga Hasan
Qyqalla dhe Fran Tanushi. Krijuesit letrarë shqiptarë në mërgatë, e kanë botuar
edhe përmbledhjen poetike “Ora poetike“ në Paris (2021).
Njëherësh,
zhvillojmë takime dhe aktivitete letrare nëpër Klubet shqiptare në vigjilje të
kremteve kombëtare, e që fjala e bukur poetike përcjellët me një interesim të
madh.
Unë, ëndrrat edhe vargun poetik, i shoh atje ku i kam varret e prindërve
atje në oborrin e shtëpisë sime...!
Pyetja: Të flasim pak për punën tuaj si krijues, si shkrimtar dhe poet.
Cila është ajo rruga e krijuesit që padyshim se nuk është e lehtë, por është
edhe mjaft e përgjegjshme?
N. Lulaj: Thënë të drejtën,
unë jetoj mbi dyzetë vite në mërgim, por asnjëherë në gjumë nuk kam parë ëndërr
gjermane. Unë, ëndrrat i shoh atje ku i kam varret e prindërve atje në oborrin
e shtëpisë plotë bar mbi gur pasi askush nuk jeton më atje, e shpirti më
rrugëton në rrugët tona plotë jetë, plotë gaz e njerëz zemërmirë, buzë lumenjve
plotë ujë, në rrugët plotë mërgimtarë, në bjeshkët plotë borë e buzë përroskave
plot ujë duke u zhdjergur nga bjeshka. Rinia i ngjet poezisë, andaj duke
menduar se nuk do të plakëm kurrë, qysh si nxënës i shkollës fillore kam
filluar të merrem me poezi. Të jesh poet, sipas mendimit tim, nuk është e
lehtë, kurse, të shkruash poezi është një univers tjetër... Shkrimet e mia
poetike i publikoj nëpër gazetat e kohës në Shqipëri, si te gazeta “Telegraf“,
„Gazeta e Alpeve“ dhe te gazeta „Dielli“ në SHBA, te gazeta „Albanazus“ në
Bukuresht, por edhe te „Gazeta Javore„ e cila botohet në Mal të Zi si dhe tek
portalet e ndryshme, të cilat në numër janë bërë shumë.
Jo vetëm në manifestimet dhe festat letrare, por puna e
Neki Lulajt është e frytshme edhe në fushat e tjera jo vetëm të kulturës
Nuk është ne
domenin tim që te nxjerr për çdo ditë shkrime poetike. Poezinë, çdoherë pasi që
e shkruaj, e la në shtëpi të pushojë, si brumin e bukës, që të vjen, ngase
kështu më duket më mirë dhe më e drejtë...
Rruga poetike
është rrugë me plotë lule, por edhe plotë përgjegjësi! Frymëzimi më kaplon si
uji i kroit, kurse e vargjet si stërkalat mbi gurrën e lugut. Por, nëse nuk
ndien përgjegjësi për atë që e shkruan, atëherë nuk je poet i vlerave-kështu
mendoj unë.
Pyetja: Ju jeni edhe nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe
Krijuesve të tjerë Shqiptar në Gjermani. Cila është puna e këtij asociacioni me
rëndësi të veçantë?
N. Lulaj: Po, punët në Kryesinë e LSHAKSH në Gjermani, i bëjmë bashkërisht, në mënyrë
kolegjiale. Kemi një koordinim me Kryesinë dhe me anëtarësinë e gjerë të
shkëlqyeshme dhe për çdo lakmi. Kurse, puna e këtij asociacioni është shkollë
dhe qendër e shumë aktiviteteve kulturore. Së pari në ngritjen e vlerave
krijuese dhe letrare, pastaj, në zbulimin e krijuesve të rinj dhe të tjerëve që
e duan artin. Pastaj, në promovimin e veprave të reja letrare, të cilat botohen
gjatë një viti kalendarik si dhe në zbulimin e përkthyesve dhe të recituesve të
rinj dhe atë jo vetëm në Gjermani, por në të gjitha shtetet evropiane.
Edhe kjo foto dëshmon për masivizimin e aktiviteteve
letrare dhe kulturore në diasporë
Bashkëpunimi më i ngushtë me atdheun është thelbësor që gjeneratat e reja
të edukohen dhe të qëndrojnë vertikalisht në aspektin kombëtar...!
Pyetja: Krijuesit atje janë entuziastë por edhe, nëse mund të thuhet,
edhe këmbëngulës për të arritur sa më shumë duke botuar vepra poetike por edhe
të fushave të tjera. Sa qëndron kjo dhe cilat janë vlerat krijuese, por edhe
çfarë duhet bërë në të ardhshmen që letërsia dhe kultura në diasporë ta kanë
një taban sa më bindës për t’u inkuadruar në rrjedhat e cilësisë krijuese
kombëtare, pse jo edhe ndërkombëtare?
N. Lulaj: Dihet se krijuesit kurrë nuk pajtohen me atë që e kanë arritur duke qenë
ambicioz dhe këmbëngulës në kërkim të vlerave më të përsosura jo vetëm në
arsim, art dhe në poezi por edhe në fushat e mjekësisë, sportit, arkitekturës
dhe të biznesit, por në të gjithë lëmenjtë e tjerë, numri i të cilëve po rritët
gjithnjë.
Nëpër qendrat
evropiane, por edhe ato botërore ku gravitojnë mërgimtarët, funksionojnë
klubet, shoqatat por edhe shkollat shqipe, mbase edhe grupet letrare, të cilat
në një formë i bëjnë konkurrencë për mos asimilimin e gjeneratave të reja, të
cilat po rritën dhe shkollohen larg atdheut. Njëherësh, televizioni shqiptar
është një institucion kulturor në vete, që mundëson informimin e shpejt dhe të
drejtë me programet e nduarduarta edukative. Bashkëpunimi më i ngushtë me
atdheun është edhe letërsia e cila krijohet në mërgatë, e tëra është burimore
dhe e lidhur me taban kombëtar...
Një foto kujtimi pas orës letrare në Gjakovë me krijuesit
nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora
Pyetja: Sa është në nivel bashkëpunimi dhe uniteti i krijuesve në mes
vete dhe a është i intensifikuar bashkëpunimi i ndërsjellë i krijuesve
shqiptarë në Gjermani me ata që jetojnë e veprojnë në shtete të tjera, si bie
fjala në Suedi, në Angli, në Zvicër, Austri etj.?
N. Lulaj: Është fat i pa kontestueshëm se bashkëpunimi dhe uniteti mes krijuesve që
krijojnë në mërgim është tejet i madh dhe kemi bashkëpunim të ngushtë dhe shumë
të mirë me krijuesit shqiptarë edhe në shtetet e tjera ku gravitojnë shqiptarë,
si në Austri, Zvicër, Angli, Suedi, Francë, Greqi, Itali etj. Vlen theksuar
edhe bashkëpunimin tejet të mirë që e kemi me Tetovën, e posaçërisht me
shkrimtarët, Zeqirja dhe Zejnepe Rexhepi, si dhe me Kroaci, Slloveni, Bukuresht
etj. Njëherësh, për çdo sezon veror, ne bashkërisht organizojmë Takimet e
Krijuesve të mërgatës nëpër qytetet e Kosovës, duke përuruar vlerat krijuese,
librat e krijuesve, si në Bibliotekën Kombëtare „Pjetër Bogdani“ në Prishtinë,
por edhe në të gjitha qytetet e të Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut...
Pyetja: Cili është bashkëpunimi në mes krijuesve të diasporës dhe atyre
në Kosovë e më gjerë. Po ashtu, sa bashkëpunojnë në mes vete shoqatat dhe
asociacionet letrare të diasporës me ato vendore dhe anasjelltas?
N. Lulaj: Ne, e kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe tejet të sinqertë me krijuesit në
Kosovë, Shqipëri, Tetovë. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra të gjithë
ata që çdoherë janë të gatshëm dhe të papërtueshëm për bashkëpunim.
Mërgata dhe diaspora kudo janë prezent me veprimtarinë e
tyre letrare dhe kulturore. Këtë e dëshmon edhe kjo foto nga Biblioteka
Kombëtare Universitare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë
Cilësia dhe arti duhet të janë ajo bërthama fisnike, rreth së cilës
krijimtaria të japë fryt por që edhe krijuesit ta forcojnë unitetin dhe
fanatizmin e vlerave, edhe pse letërsia që krijohet në diasporë ndoshta ka një kostum tjetër, por fundi
i fundit mesazhi është i njëjtë mos shpeshherë edhe më i fortë....
Pyetja: Ju deri me tash i keni botuar disa libra me poezi, ta cilat
kujtoj se janë mirëpritur nga lexuesit, e që janë promovuar edhe këtu në Kosovë,
si e konsideroni mesazhin dhe mendimin poetik që lind e krijohet në diasporë.
Veprat e krijuara atje a pëlqehen dhe a janë të mishëruara e të inkorporuara në
“maratonën” krijuese në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare?
N. Lulaj: Unë, deri me tash
kam botuar dhjetë përmbledhje poetike duke filluar nga qendra e dikurshme e
shqiptarëve të Rilindjes, ku dikur ka jetuar Noli, Asdreni, Lasgush Poradeci,
Mitrush Kuteli e shumë të tjerë, Bukureshti, Tirana, Prishtina, Shkupi etj.
Pra, çdo libër po nuk pat kritikë, sipas mendimit tim është ndoshta edhe i pa
vlerë... Kritika të nxitë dhe të bën edhe më të vyeshëm krijuesin por edhe
librit i japë konotacion tjetër. Nëse nuk ka kritikë, do të thotë se libri nuk
ka zgjuar kureshtje tek lexuesit. Pra, arti është bërthama fisnike, rreth se
cilës duhet të jemi bashkuar. Poezia që krijohet në diasporë, ka një mesazh
tjetër që i përngjan rinisë së ndrydhur ose rinisë se burgosur! Ka një mall
tjetër, ka një kostum tjetër të veshjes, por fundi i fundit, mesazhi është i njëjtë.
Çdo gjë që shkruhet dhe botohet, duhet të përjetësohet në
dokument të përjetshëm (Neki Lulaj duke punuar në bibliotekë-dritaren e
diturisë)
Do beja një
krahasim; në dasmat tona çdoherë këndohen këngë trimërie, kurse në luftë
këndohen këngë dashurie, këngë lirie... Pra, ashtu ashtu është edhe tek poezia.
Çdoherë në poezi jam përpjekur dhe përpiqem të jam sa më origjinal. I dua të
gjitha gjinitë letrare, edhe ato i kam për shpirt, por poezinë e kam
bashkudhëtare të jetës!... Kështu më lidhë krijimtaria.
Në kuadër të
kësaj, dua të them se mërgata me vendin e origjinës është e lidhur si mishi me
kockën, prandaj falënderoj shkrimtarët vendor tek të cilët çdo herë gjejmë
përkrahje morale shoqërore e kolegjiale, dhe të cilët nuk kursejnë asgjë për
ne, duke na përkrahur deri në maksimum, duke na shoqëruar në ditët poetike të
mërgatës, duke na shërbyer edhe me rezyme dhe parathënie librash falas,
kuptohet pa asnjë kompensim. Ketë e ka bërë disa herë gazetari, shkrimtari,
poeti-krenaria, urtaku e i mençuri i Dukagjinit shkrimtari dhe publicisti, z.
Sejdi Berisha.
E gjithë kjo na
japë kuraje dhe na ngritë moralin e bashkëpunimit edhe më të lartë. Pastaj,
disa nga shkrimtaret e mërgatës, edhe unë vetë jam anëtar i Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës, pra, edhe kjo është përkrahja e pa rezervë që e kemi
nga krijuesit e atdheut!
Pyetja: Ju jeni edhe anëtar i shumë komisioneve dhe i asociacioneve të
ngjashme që bëjnë përpjekje për afirmimin e vlerave kulturore dhe letrare
gjithëshqiptare, a çmohet dhe a mbështetet puna në këtë drejtim?
Neki Lulaj: Po. Jam anëtar kryesie dhe administrator në “Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë
në Mërgatë” këtë vit, pra, në muajin nëntor, i mbushë tetë vite nga themelimi i
saj. Por, gjatë këtyre viteve janë intensifikuar dukshëm aktivitetet dhe në
anën tjetër sa që edhe anëtarësia sa vjen e shtohet... E si shpjegohet ky
masivizim i LKSHM?! Që nga themelimi, jemi përqendruar në Festivale Poetike
vjetore, kombëtare e ndërkombëtare, të cilat tani më kanë zënë rrënjë dhe janë
kthyer në traditë, e ato janë: "Pavarësia poetike“(Takimet pranverore),
"Promenadë mërgimtare" (Takimet verore në atdhe) dhe takimet (Nëntori
historik kombëtar) "Nëntori poetik". Një njëherësh jam edhe anëtar i
Kryesisë në Shoqatën Humanitare “Dardania“ në Wiesbaden të Gjermanisë, pastaj
Kryetar dhe koordinator i disa landeve në Gjermani i Lidhjes Shqiptare në botë.
Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt dhe takimet e ngjashme nxisin
dhe shtojnë interesimin për letërsinë kombëtare e ndoshta edhe për
intensifikimin e përkthimit të saj në gjuhë të huaja...
Pyetja: Shoqatat krijuese në diasporë, përveç që angazhohen për
afirmimin e vlerave krijuese atje, sa është kontributi i tyre por edhe i
secilit krijues veç e veç që veprat letrare nga gjuha shqipe të përkthehen në
gjuhën gjermane apo edhe në gjuhë të tjera, që vlerat krijuese kombëtare
shqiptare të afirmohen sa më shumë gjithandej vendeve të Evropës dhe botës. Kjo
nuk do të thotë që të përkthehen vetëm ato vepra që shkruhen e botohen në
diasporë, por edhe të veprave të atyre krijuesve që jetojnë e veprojnë në
Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare?
N. Lulaj: Çdo vit, krijuesit e mërgatës janë aktivë me pjesëmarrjen e tyre në
Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, ku në stendën e Kosovës bëjmë
edhe promovimin e librave. Ku, përveç vizitoreve shqiptarë, kemi edhe vizitorë
dhe krijues gjerman, por edhe italian, që zgjojnë interesim për letërsinë
shqipe. Në këtë formë, më së miri, krijuesit shqiptar të mërgatës lidhin ura
bashkëpunimi dhe përkthimi në gjuhën gjermane.
Ora e mësimit me nxënës shqiptarë në diasporë për ta mos harruar gjuhën amtare por edhe historinë kombëtare e ka peshën e veçantë, për atë do edhe përgatitje dhe cilësi në mësimdhënie (Neki Lulaj duke u përgatitur për njësinë e re mësimore)
Në mërgatë, mësuesi që predikon gjuhën shqipe është si një lloj shenjtori
për nxënësit shqiptarë, e unë jam shumë i lidhur me nxënësit e mi, kurse mësues
është ai që nxehësve u jep diçka më tepër se sa që ka teksti shkollor!
Pyetja: Të flasim pak edhe për peshën e arsimimit të gjeneratave të reja
shqiptare në Gjermani, gjë e cila ndikon shumë në ruajtjen e gjuhës amtare por
edhe të traditave dhe të vlerave të tërë asaj që ka peshën historike kombëtare.
Ju, ka mbi tridhjetë e pesë vite e keni mbajtur gjallë shkollën shqipe atje ku
jetoni. Cili është ai roli fondamental për tq intensifikuar edhe më shumë
shkollimin në gjuhën shqipe, apo për ta ruajtur dhe kultivuar gjuhën amtare në
diasporë?
N. Lulaj: Udhëheq me krenarinë më të madhe tani e mbi 35 vite shkollën shqipe, pra
mësimin plotësues të shkollës shqipe në Speyer të Gjermanisë. Mësuesi është si
një lloj shenjtori i himnizuar për nxënësit, unë jam shumë i lidhur me nxënësit
e mi. Në shkolla ka mësues dhe mësimdhënës, por mësues është ai që nxënësve u
jep diçka më tepër se sa ka teksti shkollor, e unë jam përpjekur të jam i
tillë. Nuk duhet që mësimdhënësi të shkojë vetë sa për të kryer një obligim
profesioni apo pune.
Mësimi plotësues i
gjuhës shqipe është e vetmja dritare e jetës për gjeneratat e reja, e cila në
një formë e pengon asimilimin. Sepse, aty mësohet për bukuritë që i ka atdheu,
për gjuhën, për kulturën, për historinë kombëtare, për historinë e letërsisë,
për muzikën, për artin, për heronjtë dhe për dëshmorët e atdheut. Andaj, kujtoj
se pikërisht në këtë mënyrë ruhet dhe kultivohet tradita tek të rinjtë tanë.
Athua mos vlerat kulturore dhe ato letrare e të mos them se edhe shkrimtari
i ditëve të sotme është i harruar...!
Pyetja: Dhe krejt në fund. Cili është mendimi i juaj që letërsia
kombëtare të respektohet dhe të mbështetët më shumë nga shteti i Kosovës dhe ai
i Shqipërisë?
N. Lulaj: Cilësia e krijimtarisë kombëtare në Kosovë, Shqipëri si dhe në Maqedoninë e
Veriut dhe Mal të Zi, po rritet gjithnjë e më tepër, por përkrahja
institucionale, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri është tejet e vogël, të mos
them se shkrimtari i ditëve të sotme është i harruar. Mendoj se shkrimtarëve të
vërtetë, respektivisht të dëshmuar por edhe atyre të gjeneratave të reja, do
t’u nevojitej një përkrahje e madhe por edhe
financiare nga institucionet-shtetërore, në mënyrë që t’u krijohen
kushtet më të mira krijuese por edhe të jetesës, sepse kjo shtresë
intelektualësh kujtoj se është e lënë pas dore...!
Pyetja: Pra, a duhet t’u jepet kuraje, që të respektohen dhe që të shpërblehen
krijuesit e mirëfilltë si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror. E them
këtë, sepse janë edhe kasnec edhe ambasadorë të të gjitha fushave, pra edhe
letrare dhe kulturore?
N. Lulaj: Tek ndarja e shpërblimeve, dekoratave dhe të mirënjohjeve, kam vërejtje
serioze, sepse një gjë e tillë sikur është bërë gati si një sëmundje kronike e
shoqërisë sonë. Shpeshherë ato ndehën pa filluar takimi, e besa me tel. edhe
para takimit, të cilën gjë nuk e pëlqej aspak edhe pse askush nuk jeton për një
shpërblim apo mirënjohje. Dua të cek se mërgimtarët nga Kosova marrin pjesë
rregullisht në konkurse të ndryshme letrare me karakter garues.
Në një konkurs
letrar të shpallur para dy vitesh në Kaçanik e kam fituar shpërblimin e dytë,
kurse në konkursin letrar „Ditët e Naimit“ në qytetin e Përmetit, poezia ime
është shpërblyer dhe kam zënë vendin e tretë.
Krijuesi, Beki Lulaj duke vënë lule të freskëta te varri
i Faik Konicës në SHBA, sepse, dot nuk harrohen njerëzit e mendjes dhe të
kauzës kombëtare që kanë dhënë shumë për kombin dhe atdheun...!
Pyetja: Ju, gjatë krijimtarisë tuaj keni
shëtitur edhe nëpër shumë vende të Evropës, Amerikës dhe gjithsesi edhe në
shumë qytete anekënd trojeve shqiptare, ku keni vizituar shumë vende historike
dhe muze. Keni mësuar për shumë gjëra historike dhe personalitete që njeriu
rrallë i prekë dhe i mëson drejtpërdrejtë gjithë këtë thesar. A keni menduar që
tërë këtë pelegrinazh mbase historik do ta përjetësoni në libër reportazhesh
pse jo edhe të natyrës tjetër?
N. Lulaj: Po. Është e vërtetë se udhëtimin tim-shëtitjen e kam nisur me një “trok
kali” e nuk e di se ku dhe kur do të ndalëm. Gjatë rrugëtimit të krijimtarisë
sime kam pasur fatin t’i shëtis gati të gjitha qytetet e rëndësishme të
Evropës.
Nëse më lejohet do
t’i përmend vetëm disa, ngase gjeografia e shëtitjeve të mia është bukur
e gjatë dhe interesante. Për herë të parë kur e kam vizituar Berlinin,
gjegjësisht, Portën e Bradenburgut të lirë, me lot në sy i frymëzuar e pata
shkruar një poezi : „E kur do të thehët gardhi jonë“...!
Shkurt, gjatë
qëndrimit tim në Gjermani i kam vizituar të gjitha qytetet nga Hamburgu e
deri në Passao.
Kam vizituar edhe
shumë qytete e monumente historike gjithandej Evropës dhe në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Por për ta mos bezdisur lexuesin në këtë intervistë,
kësaj radhe nuk do të lëshohem në detale, kështu që përkitazi me këtë do të
flas herëve të tjera, prej nga kujtoj se do të rezultojë edhe një libër shumë
me peshë...
Pyetja: Ju faleminderit. Puna e krijuesit, kudo që vepron ai, është e
shenjtë dhe e pazëvendësueshme?
N. Lulaj: Ne në mërgim, nganjëherë bëjmë jetë asketi dhe do ta kisha parafrazuar me
një thënie të Dante Aligieri-t: “S`ka dhimbje më të madhe se sa ta kujtosh
kohën e lumtur në mjerim“! Na nuk ndiejmë lumturi në mërgim...!
Pyetja: Synimet e Juaja për krijimtari sigurisht se janë të pashtershme
dhe të pandalshme?
N. Lulaj: Asnjëherë nuk them se e kam kryer misionin tim poetik. Krijuesi i përngjanë
bletës, e bleta është e pandalshme dhe e palodhur. Pra, letërsia është një
xeherore e pashtershme shpirti...!
_____________
BIOGRAFIA E SHKURTËR E NEKI LULAJT
Neki Lulaj u lind me 13 janar
1955 në fshatin Broliq të komunës së Pejës.
Shkollën fillore e filloi në
Prapaqan të Deçanit kurse semimaturën e përfundoi në shkollën fillore
“Fan Noli“ në Kryshec të Pejës. Gjimnazin „Vëllezërit Frashër“ e mbaroi
në Deçan, u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri“ dega
letërsi dhe gjuhë shqipe në Gjakovë,e me pas mbaroi Fakultetin Filozofik,
dega letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Kosovës në Prishtinë.
Pastaj punoi si mësimdhënës i
Gjuhës shqipe në Shkollën fillore “B. Kidriq“ në Vushtrri nga shtatori i
vitit 1980 deri me 31 Nëntor të vitit 1992.
Qysh si nxënës i shkollës
fillore filloi të merret me shkrime dhe poezi të cilat i publikonte në
gazetën „Pionieri“, në „Rilindja“(Faqja për fëmijë), në “Zani i rinisë“, dhe në
gazetat „Bat“ dhe „Shëndeti“.
Gjatë studimeve ishte i
pranishëm me shkrimet e tij në „Rilindja“, në gazetën e studenteve „Bota e re“,
“Zëri i rinisë“ dhe me vonë edhe në revistën letrare „Jeta e re“ që botohej në
Prishtinë.
Rrethanat e egra të
regjimit sërbosllav rënduan mbi supet e rinisë shqiptare e sidomos
edhe te pishtarët e zëshëm të arsimit, kështu që Nekiu qe i
detyruar që ta marrë rrugën e mërgimit dhe përfundimisht mërgoi në shtetin
Gjerman, ku edhe sot e kësaj dite jeton dhe vepron.
Në Gjermani ka vazhduar
Fakultetin për Kualifikimin përkatës dhe punoi si Social-Pedagog, dhe pastaj u
punësua në procesin edukativo arsimor në një gjimnaz gjerman. Njëherësh tani
tetëmbëdhjetë vite ka udhëhequr mësimin plotësues në gjuhën shqipe me nxënësit
shqiptarë.
Deri me tash ka botuar tetë
libra: “Dardania ime”, “Zjarri i shpirtit” “Në kështjellën e përjetësisë”,
“Balada e heshtjes”, “Vesa mbi gur”, “Trinomi i lirisë”- bashkautor me H.
Qyqallen, “Bukuria e bekuar” dhe “Kodi i tokës”
Disa nga librat e tij
janë përkthyer në gjuhën gjermane, angleze dhe në atë rumune. Është Nënkryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, që nga viti 2015
është anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht. Ndërsa,
nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në qershor 2017, është zgjedhur
Kryetar i Lidhjes Shqiptare në botë për pesë lande gjermane obligim.
Është përfshirë në shumë
antologji të botuara në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Suedi, Rumuni, New
York, në Maqedoninë e Veriut, Itali, Zvicër, Austri, Greqi, Angli etj.
Është bashkëpunëtor i shumë
gazetave kombëtare në të gjitha trojet shqiptare dhe gjithandej Evropës dhe
SHBA-ve. Po ashtu, është fitues i çmimeve të ndryshme poetike dhe i shpërblyer
me Mirënjohje të shumta.