| E diele, 27.11.2022, 07:57 PM |
Nga Fritz RADOVANI
110 VJET
AT GJERGJ
FISHTA O.F.M.
HYMNI I
FLAMURIT KOMBTAR
Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.
Bini, Toskë!...
Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!...
Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?
Bini, Toskë!...
Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.
Bini, Toskë!...
M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!...
Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.
Bini, Toskë!...
Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!
Bini, Toskë!...
Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo,
Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!...
Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i
lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh
rrethim kishin hi në Shkoder. Megjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë
nderkombtare nuk
e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e së kremtes
së Shna’ Ndout,
12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që Fuqitë
nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta , këshillue
me disa bashkëvllazen
të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e
në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet
të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së
Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija
me njiherë,
si u patne porositë perpara u shpërndanë çeta-çeta nepër
rrugët e qytetit
tue këndue: “Porsi fleta...”.
Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit,
Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën
kurrsesi urdhnit të tij.
Ata kercnuen se do t’a zbresin Flamurin me topa!...
At Fishta ju pergjegjë: “Do t’ ishte nderimi ma i madh me
u gjuejtë me topa
Flamuri ynë kombtar!”
***
1.Porsi fleta...Krahasim i bukur, plot
dashuni e nderim! Gjithë sa herë Poetit i bjen me folë për gjuhë, kombsi,
emblemë ka për të perdorë shprehje gati të mbinatyrshme. –rreh, valon,
valvitet.
(Për këto shenime jam bazue tek komenti i At
Viktor Volaj “Lirika”, në original. F.R.)
2. A ngallnjyesë...deshmorë: në vend të
vargut të perparshëm, Bini, Lekë, bini Malcorë, asht koha e njizetepesë
vjetorit, kur u diskutue çeshtja e Flamurit kombtar, i vumë ky me qellim me
zhdukë çdo regionalizem në trojet tona.
3. Ndezet zhari,...merr flakë, digjet; -
vehet n’t’lehta, ikë shpejt, (kambët e lehta e faqja e bardhë)... 4.Poeti ngulmon mbi të drejten qi ka
Shqiptari për Liri dhe Demokraci. 5...kamba e t’huejt...Po na...
6.Me u shkri: me u shue. – Kortarë kortarë:
kemi m’u ba copë e grima përpara, kurma kurma ashtu si pritet peshku
....Krahasime të cilat tregojnë pasuninë e gjuhës së Poetit.
7. Sokola: Perdorë gati gjithmonë në
vështrimin metaforik për trima. – shtiellet: valon, valvitet. – Si pol veshet Perendis, tue përdorë
nji gjuhë antropomorfike, Fishta e krahason Flamrin e Shqypnisë, si mos t’ishte
mjaft fleta e Engjullit, po, edhe me petkun e Perendisë.
8. me u shue, me u shkimë, me mbarue, me dalë
farët. – rrnue nji jetë, nji shembull akusativit të mbrendshem (lat. Aetatem vivere).
– Per nen sukuj t’huej t’Balkanit: nen flamuj t’huej.... quejt në të përbuzun
zhele, lvere, të popujve të huej të Balkanit, qi piksynojnë me marrë tokat
t’ona padrejtsisht.
9. Trima n’zâ: Perballë kalimit të sa popujve
nepër tokat t’ona, të Parët tonë kanë qindrue, tue mos i lanë me na përpi, me
na zhdukë. Edhe pse Romakët patën shtrue Ilirinë, ishin Ilirët ata qi ia
ngjiten dorën Romës së ligshtueme, tue marrë frenjtë e sundimit në dorë e tue i
prij legjoneve për 150 vjet, - Kastrjota: Per një të katërt shekulli,
Skenderbegu kjé Ai qi ndër të tana luftat i bani ballë anmikut Lindor t’Evropës
në Kohën e Mesjetës, tue mos e lanë me ngulë kambë n’Atdhéun tonë.
Trimnia e Tij u ba legjendare menjiherë si
mbrenda Atdheut tonë ashtu edhe jashtë ndër të huej.
“Një Festë e Perjetëshme per Shqiptarë
në gjithë Boten!” F. Radovani.
Melbourne, 28 Nandor 2022.