| E premte, 18.11.2022, 02:00 PM |
INTERVISTË ME STUDIUESIN DHE PUBLICISTIN FAHRI XHARRA
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Fahri Xharra lindi më 4 prill 1951 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Lubjanës në degën e Shkencave Natyrore Teknologjike. Në vitet 1990-2006, Xharra ka punuar në drejtimin e disa kompanive në Kosovë, Zvicër, Europën Lindore, Afrikë dhe Azi.
Në
vitin 2006 është kthyer përfundimisht në vendlindje.
Pas
kthimit i lindi pasioni për historinë dhe kulturën kombëtare dhe ka dhënë një
kontribut të çmuar në njohjen dhe ruajtjen e Indentitetit Europian të
Shqiptarëve.
Është
njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe autor i librave: 'Roma fliste Shqip',
'Çështja shqiptare ndër shekuj', 'Unë dhe O.J. Schmitti', 'E vërteta historike
- Shqiptarët Ortodoks të Maqedonisë' dhe 'Antika e Mohuar'.
Xharra
është i pranishëm në shumë media dhe portale, sigurisht edhe tek ne në ZSH, ku
ka autorësinë e mbi 800 artikujve.
Në
këtë intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare, do të flasim mbi jetën dhe
krijimtarinë publicistike të Fahri Xharrës, për problematika të ndryshme historike
dhe aktuale.
GM: Z. Xharra, do të
fillojmë disa dekada më parë. Si ishte fëmijëria juaj?
FXH:
U linda një të Merkure në Prill të vitit 1951. Isha fëmija i parë. E kisha një
fëmijëri të lumtur. Pas meje linden edhe 5 të tjerë, një vëlla dhe katër motra.
Shumë
herët kam filluar të mësoj së lexuari shqip para se të hyj në shkollë. E mësova
edhe cirilicën nga kurreshtja. Isha ndër nxenësit më të mirë në klasë. Quhej
Shkolla fillore “Mustafa Bakija“ në Gjakovë. Gjatë tetë viteve sa zgjati shkollimi
isha i shkëlqyeshëm.
Në
shkollën fillore dikur nga klasa e gjashtë fillova të shkruaj poezi të cilat
botoheshin në shtojcën javore të së pëditshmes “Rilindja”, pra “Rilindja për
fëmijë” si dhe lexoheshin në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës.
Më
kujtohet që festimin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar dola
me një shkrim “Shpata e Skënderbeut”.
Për
katër vjet kam qenë në grupin koral të shkollës. Merrnim pjesë në festivalet që
organizohesin nëpër Kosovë. Në Gjakovë mbahej aso kohe Festivali Ndërkombëtar i
Poezisë në stadiumin e hapur “Shani Nushi” dhe kori i shkollës sonë e hapte atë me dy këngë korale.
Nga
fëmijëria e kam një krenari që në klasën e shtatë e flitsha rrjedhshëm frëngjishten
dhe serbishten.
GM: Çfarë kujtoni nga
jeta studentore në ish-Jugosllavi?
FXH:
Studimet i kam kryer në Lubjanë të Sllovenisë gati në afat (një semester i
humbur për mësimin e gjuhës sllovene).
Ishte
një guxim i madh të shkoje për studime në Lubjanë, së pari gjuha sllovene dhe e
dyta Univeriseti i Lubjanës ishte më i vështiri aso kohe.
Ishte
viti 1970, në Kosovë pas demonstratave studentore të vitit 1968, e ndjenim një
frymëmarrje kombëtare më të lehtë. Fabrikat e Kosovës ishin me kuadro serbe.
Ndjehej nevoja që të zëvendësoheshin nga shqiptarët. Fabrika e tekstileve “Emin
Duraku“ hapi konkurs të pakufizuar për shkollim në Lubjanë.
Unë
iu mbusha mendjen 25 gjimnazistëve që të marrim atë rrugë. Bursat ishim të
siguruara. Me 20 Shtator 1970 u gjetëm në Lubjanë, pas një udhëtimi gati 24
orësh me tren, nga Prizreni deri në Lublanë, rreth 1.000 kilometra.
U
paraqitëm në sekretarinë e Univeristetit, i dorëzuam dokumentat dhe për herë të
parë e shkruam kombësinë “Shqiptar“, Albanec, deri në atë kohë shkruhej “Siptar”.
Një gjë që neve na dukej si e qëllimshme ndaj shqiptarëve ishte regjimi shumë i ashpër i profesorëve ndaj nesh. Por jo, gati në përfundim e kuptuam të vërtetën. Duheshin të dilnim inxhinierë solid, që mos kemi nevojë të dikujt më që të na i zgjidhë problemet nga mosdija e jonë.
Si
student kam shkruar për” Zërin e Rinisë” që botohej në Prishtinë dhe në dy të
përjavshme të Lubjanës “Antena” dhe “Dnevnik”, kuptohet sllovenisht.
Disa
kohë Shoqata e studentëve shqiptar në Lubjanë e botonim të përmuajshmen “Besa”
e cila u ndërpre nga që financimi nga Prishtina na u ndërpre.
GM: Si u njohët me
bashkëshorten, me të cilën keni 3 fëmijë?
FXH:
Njohja me bashkëshorten nuk ishte e rastit, diçka fshehej në mes nesh dhe ajo u
kororizua me martesë. Një vit pas martesës e nënshkrova kontratën me firmën e
madhe zvicerane ”CIBA” dhe me 1 Janar 1991 shkuam së bashku në Casablanca të
Marokut ku e mora përgjegjësinë të përfaqësoja këtë firmë të madhe nga Bazelli,
bruto qarkullimi vjetor i saj në botë ishte 25 miliard franka në vit.
Ishte
krenari e madhe për mua që isha përfaqësues i saj në Afrikën Veriore.
Aty
na lindën bineqët Rilinda dhe Krenari dhe pas katër vitesh edhe Iliri.
Puna
në firmë dhe rritja e fëmijëve ishte një angazhim i madh.
Pas 6 viteve në Marok na transferuan në Selanik për të marrë në mbikqyerje të njejtën firmë duke u kujdesur për Europën Jug Lindore.
Pas
disa vitesh të suksesshme në Selanik e
ndërrova firmën dhe kalova në “Bezema”, po ashtu Zvicerane, me seli në kantonin
St. Gallen ku e udhëhiqja tregun e Azisë Qendrore, shtetet nga Deti i Zi e deri
në kufi me Kinën.
Në
të gjitha lëvizjet isha me familje. Fëmijët e mi kaluan nga frëngjishtja,
arabishtja, greqishtja në gjemanisht pa e harruar aspak gjuhën shqipe.
Ishte
një jetë shumë interesante i ballafaquar me shumë kultura dhe shumë fe.
GM: Me profesion jeni
Inxhinier i Shkencave Natyrore/Teknologjike, por duket që e keni braktisur,
duke u përqëndruar tek kultura dhe historia jonë kombëtare. Pse?
FXH:
Pasi e lëshova Zvicrën familjarisht dhe u ktheva në Kosovë në vitin 2007 duke
menduar se u ba Kosova, atëherë u ballafaqova me një dëshpërim të madh. E vërteta
ishte që “Bac nuk u krye“!
Askush
nuk më dha punë dhe mbeta në një udhëkryq të jetës.
E
njihja historinë e kombit, jo në nivelin e sotëm. Shkrimet e para ishin nga
temat që askush nuk i kishte deri më ato vite. Kishte shumë e shumë lexime në
gazetat e Kosovës dhe të Shqipërisë. “Zemra Shqiptare” ishte portal i parë
elektronik që e rriti lexueshmërinë e shkrimeve të mia. Me qenë se u hapa shumë
në histori, më duhej edhe të zgjeroj dijen time. Duke njohur shumë gjuhë e
kisha më të lehtë të arrija në faktet e shkruara nga të huajt. Një kujdes e kam
pasur që në do shkrime i shkruaja referencat dhe shkrimin e bënin më të lexueshëm.
Nuk
po flas për reagimet e lexuesve që ishin shumë me vlerë. Lexuesit befasoheshin
për faktet që nuk i kishin lexuar kurrë.
GM: Ju flisni disa gjuhë
të huaja. Si do e përshkruanit njeriun shumë-gjuhësh (poliglot)?
FXH:
Njohja e shumë gjuhëve të jep krenari në rrethin që jeton. Kur i kreva studimet
i flisja frengjishten, serbishten dhe sllovenishten, por këto nuk mjaftonin.
Shkuarja në shtet arabe, pastaj në Greqi, Bullgari, Rumani, në Gjeorgji,
Armeni, Turkmenistan, Uzbekistan, Kirgizstan dhe Tagjikistan ma imponoi njohjen
e gjuhëve tjera. Në Zvicër duhet patjetër gjermanishtja, italishtja dhe frëngjishtja.
Duke
shkuar nga shteti në shtet më duhej përkthyesi dhe shoqëruesi.
Në
bisedat komerciale që shpesh kalonin edhe në anën kombëtare, e shihja të domosdoshme
që unë të flisja direkt me bashkëbiseduesin pa ndihmën e përkthyesit. Pra kjo
është e mira e njohjes së gjuhëve të ndryshme.
Ishte
një fat i madh që i dija të gjitha ato gjuhë sepse më ndihmuan pastaj si
rrëmyes i historisë.
GM: Jeni autor i disa
librave studimorë dhe historikë. Një përshkrim i shkurtër përmbajtësor për
lexuesit tanë që ende nuk janë njohur me krijimtarinë tuaj…
FXH: E thash edhe më parë që i kam prekuar gati të gjitha temat historike, që nga pellazgët e deri te koha e jonë. Me politikën ditore nuk merrem, i kam të publikuara mbi dhjetë mijë faqe. Mund të veçoj librin “Roma fliste shqip” që unë e quaj si kryeveprën time. Libri nuk është i përfunduar por krenaria qëndron aty se pas 2000 vitesh jam ai që e kam prekuar këtë temë për Perandorinë Romake si dhe me prova të forta kam vërtetuar që latinishtja është një gjuhë e shpifur, por e krijuar nga etruskishtja, ilirishtja dhe shumë e shumë gjuhëve tjera të fiseve pellazge që kanë jetuar mijëra vjet para formimit të Romës në Gadishullin Apenin. Libri është përkthyer edhe në Italisht “Roma parlava Albanese”.
Libri
i parë i imi është ”Antika e mohuar” e
pasuar nga “E vërteta shqiptare - Shqiptarët Ortodoks të Maqedonisë’’ dhe “ Unë
dhe Oliver C. Schmitti“.
“Çështja
shqiptare ndër shekuj'' është në gjashtë vëllime, 1000 faqe, shpresoj që t’i
botoj edhe 4 vëllime po ashtu një mijë faqëshe po me në njëjtin titull.
GM: Librat e juaj në
përgjithësi janë mirëpritur nga lexuesit, por ka patur edhe kritikë që mendojnë
se jeni ndikuar edhe nga atdhe-dashuria në interpretimet e pjesëve të dyshimta
të historisë…?
FXH:
Pa atdhdashuri nuk shkruahet asgjë, por kur atdhedashuria dokumentohet me fakte
atëherë kjo nuk është ndikim por e vërtetë.
Kur
flitet kundër shkrimeve, pse nuk demantohen?!
Nuk
ka pjesë të dyshimta në historinë tonë të mohuar.
GM: Çfarë presim në të
ardhmen nga studiuesi Xharra?
FXH:
Jam duke punuar në një përmbledhje librash me vlerë të madhe historika për ne
“Enciklopedia Pellazgjike”, besoj që do arrij në 5 mijë faqe. Në libër do të
përfshihen të gjithë pellazgologët botëror dhe ata shqiptar. Pellazgu, më nuk
është mit, atij duhet t’i japim gjuhën shqipe që të flasë shqip. Libri
enciklopedik është shumë i domosdoshëm nga se serbët na kanë hy në histori dhe
po e quajnë vetveten pasardhës të pellazgëve.
Pse
Akademitë tona nuk flasin për pellazgët?!
GM: Për Pushtimin Osman
ka mendime të ndryshme në shoqërinë tonë, deri në ‘’bashkëjetesë të lumtur’’!
Ju si e mendoni?
FXH:
Konvertimi dhe masakrat osmane mbi ne janë kryer deri pas epokës së lavdishme
të Skenderbeut. Pas vdekjes së
Skënderbeut kanë ikur kokat dhe aristokracia e kohës, pastaj konvertimi ka qenë
për të shpëtuar kokën por edhe për përfitime familjare.
“Bashkëjetesë
e lumtur” ishte për ata që i përfituan të mirat e osmanlive.
Po
thuhet se kemi bashkëqeverisë. Jo .
Edhe
në Perandorinë Romake i kishim 18 perandorë ilir, por asgjë nuk bashkëqeverisëm,
ata na shkatërruan çdo gjë ilire.
Ashtu
edhe Bizanti, ashtu edhe Perandoria Osmane. Të flitet ndryshe, vetëm e rrejmë
vetveten.
GM: Shqiptarët ishin të
krishterë, paganë apo ateistë, por me ardhjen e osmanëve shumica e përqafoi
fenë e pushtuesve. Ishte kjo një dobësi, jo e myslimanëve të sotëm, por e të
krishterëve të djeshëm? Ka pasur pasoja negative distancimi kulturor nga
Europa?
FXH:
E ceka më lart mënyrën e konvertimit. Nuk është dhe nuk ishte dobësi por në
fillim, dhunë e paguar nga ne me gjak dhe zhdukje dhe më vonë shpëtim i kokës. Deri në shekullin 18-të si të them nuk
nënçmoheshim nga europianët. Kadareja e spjegon këtë çështje shumë bukur se si
e humbëm 2 herë Europën:
–
“Është një problem mjaft i ndërlikuar, ka qenë dhe do të mbetet në marrëdhëniet
e Shqipërisë me Europën, që është e vështirë të shpjegohet në një intervistë.
Por komplikimi vazhdon. Mendoj se përfytyrimi i Europës për Shqipërinë dhe i
Shqipërisë për Europën ka pasur gjithmonë diçka të mangët. Të dy palët kanë
patur vizione të gabuara për njëri – tjetrin. Shqipëria herë e ka idealizuar
Europën, herë është nervozuar së tepërmi me të. Domethënë, ka patur dy qëndrime
të skajshme. Europa gjithashtu, herë e ka parë me indiferencë Shqipërinë dhe
herë është interesuar për të. Prandaj këtu ka vend për të korigjuar në këto dy
optika, në të dy anët dhe, mendoj se themelore për Shqipërinë, vendimtar është
mirëkuptimi i saj me Europën. Një mirëkuptim realist, i bazuar mbi të vërtetën
dhe jo mbi iluzione, një marrëveshje konstruktive, në mënyrë që Shqipëria ta
ndjejë veten në familjen europiane me dinjitet, në mënyrë që të mos ketë as
rolin e arrogantit që ka pasur dikur dhe as rolin e lypsarit që mendojnë disa.
Gjithashtu,
kjo optikë realiste, e shëndetshme, e Shqipërisë do të shoqërohet se s’bën nga
një optikë e shëndetshme e Europës. Një marrëveshje, një mirëkuptim i dyanshëm
do të hapi shumë porta të mbyllura, do të sqarojë shumë gjëra të pasqarueshme,
do të kapërcejë shumë vështirësi që duken të pakapërcyeshme tani për tani. Ismail Kadare”
GM: Kush është Europa
për ju?
FXH:
Edhe në këtë pyetje do e citoja Kadarenë:
Evropa
si frymë, si parim shpirtëror është përcaktuar qysh në shekullin e kaluar. Ajo
ç’ka qenë e vlefshme për kombin, ka vazhduar të jetë e vlefshme për një familje
kombesh. Dhe Evropa, ashtu siç thoni ju, e tillë është konceptuar nga
themeluesist shpirtërorë të saj, si familje.
Në
këtë kah, krijimi i Evropës se Bashkuar, duke qenë lajm i mirë për evropianët e
vjetër, ka qenë dyfish i tillë për ne të tjerët, ne që e kishim humbur atë.
Për
ne Evropa, përpara se të jetë një luks, një shkallëzim drejt përparimit, një
përkryerje, ka qenë një domosdoshmëri. Një jetë e munguar. Për shqiptarët,
populli më i vetmuar i kontinentit, ka qenë më shumë se kaq: një vatër.
Kjo
mund të tingëllojë si patetike, por nuk është ashtu. Për një popull pa familje,
gjetja e kësaj të fundit është hyrje në një fazë krejtësisht të re të
ekzistencës. Me fjalë të tjera, për herë të parë në këto 600 vitet e fundit
Shqipëria bëhet gati të hyjë në kontinent pa vetminë e saj. Dhe kjo fazë e re
kërkon vetvetiu doktrinën e vet.
Doktrinat
e popujve përpunohen shpesh në faza të vështira. Ka qenë rilindja kombëtare
shqiptare, bijë e iluminizmit të largët evropian, që përcaktoi orientimin e ri
shqiptar. Sintagmat «Liri» dhe «Evropë» po afroheshin përherë e më tepër.
Lideri rilindas, Naim Frashëri, shkoi edhe më tej, duke e parashtruar këtë ide
të re në një formë përmbysjeje kozmike. Në një vjershë programatike ai do të
shkruajë se drita për Shqipërinë nuk lind nga Lindja, por nga Perëndimi. (O
dritëz e bekuar, që lind nga perëndon).
Sipas
rilindasve, një Shqipëri e lirë, serioze dhe e moralshme mund të ishte e tillë
vetëm në kontinentin e vet. * Nga Ismail Kadare”
GM: Amerika...!
FXH:
Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve
por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të
negociatave, Presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime.
“Por
ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë,
ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese”.
Më
9 dhjetor 1919, Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara -
arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që
Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano
thotë se Presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur
dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e
kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej
do të sillte zhdukjen e Shqipërisë.
“Më
6 mars, Presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga
këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe
fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së
Paqes”.
“Meqë
amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e
Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe”.
Amerika e tregoi veten edhe në Luftën e Kosovës 1999
që është mik dhe mbrojtës i shqiptarëve.
Përderisa
Blloku Lindor ishte kundër nesh, ajo e angazhoi Aleancën Verio – Atlantike që të
bombardohej Serbia, dhe pas 78 ditësh bombardimesh Serbia e nënshkroi dorëzimin
e saj.
Por
ne e paguam shumë shtrenjt duke i humbur gati 14 mijë vet të vrarë, rrënimet e
panumërta, mbi 20 mijë gra dhe vajza të
dhunuara nga të gjitha moshat si dhe dëbimin e gati një million njerëzve
në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.
GM: Jeni nga Gjakova e
kulturës dhe patriotizmit. Kush është Gjakova në këndvështrimin e Xharrës?
FXH:
Po dhe jam krenar që jam gjakovar.
Unë
e bëj një dallim në mes të partizanëve shqiptar dhe të Kosovës.
Përderisa në Kosovë luhej diplomacia e shqiptarëve se si të shpëtohej nga serbi ,
në Shqipëri luhej një lojë tjetër që të
bëhën republikë e shtatë e Jugosllavisë
Të
kaloj në thelbin e këtij pyetjeje: A e
keni ditur që Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini në Krime, morën vendim unanim në
fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: "Ata popuj që kanë bashkëpunuar
me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t’i shfarosin, shpërngulin
ose deportojnë në ato vende që kërkohet"?
Ne
asnjëherë nuk e kemi shfaqur publikisht se sa e tmerrshme për ne kishte me qenë
sikur mos t’i kishim pasë edhe lëvizjet dhe rezistencën partizane në Kosovë.
Nëse
e marrim si pikënisje këshillën e poetit të madh gjerman J. V Gëte, se: “nëse
duam ta portretizojmë në mënyrë objektive profilin e një figure historike ose
“një periudheje historike (fxh )” , atëherë veprimtaria e tij nuk duhet të
shkëputet nga konteksti i gjerë politik, shoqëror dhe kulturor i kohës”.
(Azdren Shala). Dhe ky mësim aq shumë vlen në rastin konkret.
Pse
jam edhe me partizanët, e edhe me ballistët e Kosovës!? Problemi qëndron tek
figura e partizanëve! Fatkeqësisht, për raportin e tyre me Luftën e Dytë
Botërore, ka bërë që shumica e shqiptarëve t`i anatemojnë vazhdimisht, pas
asnjë të drejtë. Epitete të tilla si titistë, proserb, tradhtar e deri në
kriminel, janë pa vend dhe në të njëjtën kohë tregojnë cektësinë e mendimit dhe
studimit në publicistiken dhe shkencën shqiptare.
"Ata
popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që
t` i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet"
(vendim i Konferencës së Jaltës (4 - 11 shkurt 1945. “
O
zot, çdo të ndodhte me shqiptarët e ish Jugosllavisë?
Besoj
se më kuptuat?
Gjakova
ishte edhe qendër intelektuale e Kosovës. Pas Luftës së Dyteë Botërore ishte
qendër e përhapjes së dijes në tërë Kosovën.
Në
ditët e dhimbshme të viteve 1912-1913 , At Gjergj Fishta pat shkruar “Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova …Vendet
ma t’ mirat ne na i mori shkjau, E, shk’ asht ma zi, në vlla me vlla na
dau! Shkoi Manastiri! Dibra edhe
Gjakova! …Dhe, pastaj “Politika” (e Beogradit ) e datës 6 Prill 1913 me
titullin: “Nëpër Gjakovë” dhe nëntitullin ”Çerdhja e shkatërruar e banditëve
kryengritës” shkruan: ”Duke e shikuar nga jashtë Gjakova duket si një grumbull
i shatorrëve të djegur …. Gjakova me shekuj ishte e paarritshme për tërë botën
tjetër. Çerdhja e egërsisë arnaute i ka pranuar në rrethin e saj vetëm ata që
ishin në lidhje familjare me banorët kryengritës dhe banditët arnaut të
Gjakovës. Të gjitha përpjekjet turke, me shekuj ishin të kota në mbizotërimin e
Gjakovës… Dhe tani, çdo gjë ndërroi.
Të
ju them diçka me vlerë:” “Të mbrosh çështjen kombëtare në opinion përmes
mediave, kur të cënojnë integritetin, territorin e kombit, të mohojnë gjuhën apo historinë dhe
kulturën e të parëve, është atdhetari dhe asnjëherë nacionalizëm e as lokalizëm”.
Duhet
përmendur që Mësuesit e Gjakovës ishin Pishtarë të arsimit në Kosovë.
GM: Si do e përshkruanit
jetën e shqiptarëve në kohën e pushtimit serbo-jugosllav?
FXH:
Paslufta nga viti 1945 ka qenë tmerr për shqiptarët e Jugosllavisë. Më rënjen e
Rankoviqit, kriminelit antishaqiptar serb, filluan gjërat të marrin frymë. Demonstratat
studentore të vitit 1968 e kishin “një këmbë të lehtë” për të mirën e
shqiptarëve. U hap Univeristeti i Prishtinës në vitin 1970. Në vitin 1974 u
aprovua Kushtetuta e re e cila e futi Kosovën në Federatën Jugosllave si njësi
të barabartë. Kosova u bë subjekt federativ i Jugosllavisë. Quhej Autonomi me
presionin e Rusisë dhe të Serbisë.
Hapja
e Univeristetit në Prishtinë i solli profësoret e Shqipërisë për të ligjeruar.
Filloi
forcimi ekonomik i Kosovës.
Kjo
zgjati deri në vitin 1990 kur u hoq autonomia dhe u futëm përsëri si pjesë e
Serbisë.
GM: Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
FXH:
Zoti dhe Amerika në qiell dhe U?K në tokë, ja ky është përshkrimi.
GM: Unë mendoj se
Diktatori Enver Hoxha është anti-shqiptari më i madh që ka shkelur tokën
arbërore. Megjithatë, kush ishte për ju në Kosovë Shqipëria Komuniste e E.
Hoxhës?
FXH:
Ne ishim të mashtruar nga propaganda e Shqipërisë, ishim mish e shpirt të
lidhur me Shqipërinë.
Por
nëse e shikojmë tani dhe e analizojmë mirë do të shohim se ne i kishim dy
rrugë: ose me Beogradin ose me Tiranën. Ne, nuk e dinim gjendjen në Shqipëri
sepse vareshim nga radio, TV dhe librat që na vijshin fshehtas.
Për
ne që jetonim në tokat tona në Jugosllavi ishte më e mbarë që ishim të drejtuar
kah Tirana.
GM: Historia na tregon
që kemi pasur hoxhallarë që kanë sakrifikuar gjithçka për kombin e tyre, por
sot kemi një brez të çoroditur, sidomos në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të
cilët urrejnë gjithçka shqiptare dhe europiane. Mbi të gjitha urrejnë
zhvillimin e kombit tonë dhe kryesisht gjininë femërore. Pse ky ndryshim sipas
këndvështrimit tuaj?
FXH:
Kishim hoxhallarë që ishin atdhetar por ata duhej të fshiheshin, të sotmit janë
aq shumë të paguar sa që edhe nga gjumi “zgjohen“ për t’i numruar paratë, sepse
janë aq të dehur nga pasuria e fituar në mënyrë të pa ndershme. Por historia e
jonë njeh edhe patriotët.
Nga
një shkrim i imi për Hoxhë Vokën e Dibres:
….Dhe
në vitin 1888 me përpjekje të mëdha dhe guxim të pa shoq, i vetëdijshëm për
rrezikun që mund ti kanosej, Saidi arriti që në shtëpinë e vet ta hap shkollën
e parë shqipe e cila punonte në fshehtësi. Aso kohe shtypi i kohës për Dibrën
shkruante: "Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e
mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm
që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe...i madh e i vogël thërrasin: me
gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!"
Mirëpo
duhet ditur se çdo herë e më tepër veprimtaria e kësaj shkolle vinte duke u
vështirësuar, sepse ishte e pa mundur që mos të zbulohej nga autoritet osmane,
aq më tepër pse ajo bëri një jehonë të madhe në opinion. Ndërkaq që autoritet turke
dhe ata pro turke Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që dëshiron ta
helmojë rininë dhe ta largojë atë nga rruga e fesë, duke e njollosur se
"hoxha është prishur nga feja", "është kaur" etj., andaj e
shpallën si të pa fe, dhe shkuan aq larg sa që nuk e lejonin të falej në xhami.
Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji, elan dhe guxim, ishte zotuar se
çfarë do që i del përpara nuk do të mundet ta shmangi nga rruga e interesit
kombëtar, dhe për akuza të tilla nuk ia ndiente fort veshi, ndërkaq që ai
kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: "Myslimanët e vërtet duhet
të dinë se feja islame urdhënon me e dashur atdheun", dhe "Për
mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq
dashuri ka në fenë".Shkolla u mbyll pas një viti. http://www.zemrashqiptare.net/news/39564/fahri-xharra-hoxhe-voka-hoxhe-shqiptar.html
GM: Cilët nga
personalitetet tona kombëtare do veçonit në periudha të ndryshme kohore?
FXH:
Nga politika nuk kam askend për ta përmendur
sepse që nga Mbreti e deri me sot anjë nuk ka treguar ndonjë atdhetari .
Nga
historianët: Arishtish Kolën, Dhimitër Pilikën, Jakov Milajn, Jani Kondon,
që ishin viktima që e thoshin të
vërtetën shqiptare.
Kur
jemi te e vërteta ynë historike jemi strukur si miu në zgavrën e tij. Iu është
hapur goja e serbëve, bullgarëve dhe grekëve që pa frikë po notojnë në oqeanin
e historisë sonë.
GM: Është shkrimtari më
i madh i kombit shqiptar dhe një ndër krye-shkrimtarët e botës, i përkthyer në
dhjetëra gjuhë dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare. Është edhe
krye-mbrojtësi i Identitetit Natyral Europian të Shqiptarëve. Kuptohet, Ismail
Kadare! Jam në dijeni të faktit që Kadare ka vlerësim shumë pozitiv për ju.
Çfarë kujtoni nga takimi me Kadarenë…?
FXH: Kadare ka qenë frymzimi im që nga koha kur në Kosovë u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe romanet e tjera me radhë. Kadareja është ylli polar i shqiptarisë.
Kadare ka qenë njeri shumë i madh gjatë Konferencës së Rambujes, ka qenë shumë madh edhe në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar, ka qenë shumë i madh në mbrojtje të historisë kombëtare kur shpirtshiturit e cënonin atë, ka qenë super i madh në mbrojte të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Ju të “Zemrës Shqiptare” e dini për shkrimet e mia që shkruaja edhe në mbrojtje të tij, por edhe shkrime i frymëzuar nga ai.
Po
i përmendi vetëm dy libra të tij “Mosmarrëveshja“ dhe “Mbi krimin në Ballkan“.
Mjerë ai që nuk i ka lexuar!
Të
gjithë lexuesit e mi e dinë se sa kam qenë i kërcënuar me rrahje, me familje
dhe me vrasje, por kisha qëndrim stoik dhe kjo i takon së kaluarës.
Edhe
një detaj, nga takimi i parë me Kadarenë, duke biseduar i thotë botuesit të
librave të tij:” Interesant, aq i afërt po më duket Fahriu, thuaj se kam
ndejtur shumë herë me të”.
GM: Si do e vlerësonit
punën apo jo-punën e politikanëve në Kosovë pas çlirimit?
FXH:
Eshtë tmerruese. Ditëve të fundit jemi të ballafaquar me presionin serb dhe rus
për ndarjen e Kosovës dhe të asociacionit të komunave serbe.
Nuk
jemi unik në qasjen tonë në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës.
Nga Shqipëria asnjë ndihmë.
GM: Bashkimi Kombëtar,
thjesht një ëndërr?
FXH:
Bashkimi kimbëtar e do kohën e vet, bashkimin e kokave, bashkimi dhe qëndrimi i njëjtë
në politikën ndërkombëtare, bashkimi i Universiteteve, i Akademive. Kërkon
mençuri të madhe politike dhe kjo neve na mungon.
GM: Një mesazh për
lexuesit e Zemra Shqiptare…
FXH:
Të ruajmë gjuhën dhe historinë!
_____