Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Varri i Krishtit, ku ndodhi Ringjallja
E enjte, 17.11.2022, 08:00 PM
VARRI I KRISHTIT,
KU NDODHI RINGJALLJA…
Nga
Visar Zhiti
Pelegrinazhi
ynë në Tokën e Shenjtë, edhe pse po i afrohet fundit, ndjehet se do të vazhdojë
brenda nesh…
Kemi
parë mjaft e kemi mësuar shumë, sidomos shpirtërisht, sa s’e dimë a do t’i
tregojmë dot, por mund të themi vetëm kaq se Bibla na u bë e gjallë. Ndoshta
dhe ky ishte qëllimi…
Të
tronditur jemi ende me emocionin e Rrugës së Kryqit dhe Varrin e Krishtit -
kulmime të përjetimeve në Jeruzalem. E gjitha na ngjan me një ëndërr dhe ankth
dhe vërshim i beftë drite.
…që
t’i shikonim, dolëm pas mesnate, herët, kur s’duhej të kishte turma nëpër
qytet, që të mos pengoheshim dhe të shmangnim radhët e gjata. U futëm nga Porta
e Herodit dhe po ecnim si grup rrugicave të ngushta, ku dritat zverdhnin si
flakë qirinjsh dhe hëna sipër digjej si kemore meshe. Ndonjë mace shfaqej te
dyert e mbyllura si enigmat, por dhe ndonjë makinë policie më tej dhe ushtarë
me armë pranë tyre, ndonjëri dhe këndonte bashkë me ne, teksa ndalnim më radhë
në vendet, ku kishte ndaluar Krishti… Stacioni i parë, siç i quanin këtu… I
dyti… me kryqin mbi shpinë… I treti… goditjet me kamxhik, ja, kolona, ku e
lidhën, tani është e përgjysmuar, iu afruam, e preknim me dorë të dridhur,
dukej sikur ende kishte diçka nga trupi i Birit të Zotit. Këtu Jezusit i shqyen
veshjen
bashkë me mishin dhe më tej dhe e tallnin turmat duke i vënë kurorën me gjëmba
mbi ballin e përgjakur. Aty ku Ai rrëzohej, ngrihej sërish mes rënkimeve dhe ne
lexonim pjesën përkatëse nga Bibla dhe vazhdonim me meditimët dhe himnet deri
te ndalesa tjetër. Po përshkonim pikërisht po atë Rrugë të Dhimbjeve të para
2000 vjetëve… Hapat tanë kumbonin mbi gurët e hershëm si rrahjet e zemrave.
Ndalesa
4… Jezusi takon Nënën… edhe nënat që janë me ne, u shtrengojnë duart fëmijëve
që kanë marrë me vete në pelegrinazh… 7… 8… Jezusi u flet grave të Jeruzalemit,
unë i hedh krahun Edës time mbi supe… 9… 10… te e 11-ta ndodhi kryqëzimi
tragjik, po ku është Golgota? Këtu s’ka asnjë kodër? As kryq të përbindshëm, të
zi… Janë ndërtuar kisha të lavdishme mbi to, i nisi Shën Helena, nëna e
perandorit romak, Konstandinit, me origjinë ilire, ishte dardan, pra nga Kosova
jonë… duhet ta themi, të bëjmë dhe ne diçka… si të tjerët, po mendoja dhe
futemi në njërën nga kishat në heshtje dramatike. Në dysheme nën një xham të
madh, ja, shkëmbi i errët, i shtrirë i Golgotës si kurriz kafshe… pelegrinët
bien në gjunjë aty. Ngrihen të përlotur. Eda ndez qirinj të tjerë.
Ndalesa
12, Krishti vdes në kryq.
13.
Jezusin e zbresim nga kryqi dhe ia japin Nënës në prehër. Tani lexon Eda ime,
zëri përhapet në mugëtirë dhe sikur mpikset me dritat. Këtu m’u mor fryma
prapë. 14… shkuam te vendi, ku shtrinë kurmin e sfilitur të Jezusit. Ka njerëz
të tjerë para nesh, të gjunjëzuar, puthin rrasën. Vëmë duar aty. Ç’duam të
marrim nga thellësitë? Ç’kumt të pambërritshëm shenjtëror? Dhe ikim te varri.
Të vendi që ka qenë shpellë dikur, si nën ndriçime pishtarësh, një meshë
mahnitëse, e paparë ndonjëherë, Father Mario dhe Father Dindo i kanë sytë plot
me lotë që vezullojnë bashkë me rubinët e kishëzës, edhe zërin mallëngjyes, nuk
po qajmë për vdekjen, na thanë, e kemi nga emocioni, nga mesha këtu për herë të
parë në jetë, se Krishti për ne është në jetë dhe është gëzim.
…dhe
shkojmë një nga një te varri nëpër hyrjen e ngushtë… ngjante me një shtrat
guri… m’u mor fryma prapë, po më çahej krahërori si shkëmbi i Golgotas nga
tërmeti atë pasdite në orën 3.00, kur dha frymën e fundit me gozhdët e ngulura
mbi mishin njerëzor dymijë e njëzet e dy vite më parë… e deri më tani, kur
mishi i jetës ende masakrohet, desha të dal me vrap, me britma ose të shembesha
mu aty përdhe. Por pashë Edën time dhe u ktheva prapë me atë të varri. Nuk
nxinte të tjerë. Eda dhe unë po ledhatonim pllakën e gurtë me psherëtima, në
fakt po ledhatonim Atë që ishte shtrirë aty, i padukshëm dhe i gjithkundshëm,
Birin me atë pikëllim prindëror, të hatashëm, kozmik. Eda m’u bë Marie, ikonë e
bukur, e kapa nga supet, e ngrita, dola i pari nga hyrja e ngushtë, e gurtë,
mëgjunjazi, hija e Edës binte mbi mua shelbuese, e ndihmova prapë të ngrihej
dhe menjëherë u ktheva nga varri për herë të tretë dhe vura kokën aty. S’e di
sa ndejta ashtu, një përjetësi, por po përsiasja turbull se këtu vdekja u
sfidua me vdekjen, varri është bosh, s’ka mortje aty, varri më ngushëllues në
botë, varri që shpëton prindin nga tragjedia, Biri u ngjall, varri i mrekullisë
që pranoi jetën si fitimtare, që ajo vazhdon përtej, me më të rëndësishmen,
shpirtin, që rrjedh si dritën prapë shpirt, kujtesë dhe fjalë dhe dhimbje… Pa
atë varr toka do të ishte e shkretë, pa atë vdekje, jeta do të ishte më e
vdekur. Kështu në fituam jetën e Tokës dhe atë të Qiellit. Me Krishtin ndryshoi
historia njerëzore mori rrugë tjetër, erdhën epokat e Mëshirës hyjnore dhe të
dashurisë, që është si pavdekësia…
Kur
u përmenda pashë veten në krah të Edës time, te kisha tjetër aty pranë, “Upper
Room”, ku ndodhi “Darka e Fundit” dhe shfaqja e Krishtit, njëra se ai
vazhdimisht shfaqet, nga kupola qiellore bie drita e ringjalljes, e Birit të
Zotit… Ai u fut mes dishepujve të vet dhe njerëzimit pa fund e vazhdon,
vazhdon, vazhdon, Ai solli ringjalljen, që është dashuri… sjell dashurinë që
është ringjallje… solli Kohën e re pas Krishtit…
U
kthyem andej nga erdhëm. Tani ishte ditë
në rrugët e Jeruzalemit. Dëgjoheshin kambanat dhe zëri i hoxhës nga minaretë në
te njëjtën kohë. Në Rrugën e Kryqit, ato që më ishin dukur si dyer të mbyllura
enigmash në errësirë, pashë që ishin dyer shitoresh, mund të blije ikona,
Krishtin e gdhendur në dru, varëse floriri, unaza, rruzare, më tej bukë,
djathëra, zarzavate, pak më tej tapete, kapele, etj, etj. Po besim, po shpresë
a e dini ku merret? Me të përditëshmen, të zakonshmen, madje dhe më të
rëndomtën ishin të përziera si asgjëkundi tjetër, veçse në Jeruzalem martirja
dhe e shenjta.
-
Duhet të dish të bashkëjetosh me to, - po më thoshte Eda ime, te çdo njeri
është e shenjta...
Dhe
po bisedonim për martirët e Kishës tonë, për meshtarët që regjimi i futi
burgjeve dhe një pjesë i pushkatoi dhe ata, teksa binin nën breshëritë e
plumbave, thërrisnin: Rroftë Krishti Mbret, rroftë Atdhe!
-
Shiko atje tej, - thashë befas, - një Krisht në krye të rrugës... Dhe do të
tregojmë dhe herë të tjera për Atë…
Jeruzalem, 16 Nëntor 2022