E enjte, 26.12.2024, 12:27 PM (GMT)

Kulturë

Drita Halimi-Statovci: Promovimi - Zejtaria dhe Tregtia në Luginë të Preshevës dhe Viset Shqiptare

E premte, 28.10.2022, 06:49 PM


Promovimi-Preshevë, 23.10.2022

ZEJTARIA DHE TREGTIA NË LUGINË TË PRESHEVËS DHE NË VISET SHQIPTARE

Botues: SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE NË PRESHEVË

Përmbledhësi i Konferencës Shkencore tetor 2021.

Nga Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci

Në Konferencën Shkencore të Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore të Preshevës, me temën bosht: ZEJTARIA DHE TREGTIA NË LUGINË TË PRESHEVËS DHE NË VISET SHQIPTARE, mbajtur në Preshevë, studiuesit dhe audienca e interesuar paten mundësi të dëgjonin, të diskutonin dhe të shkëmbenin dije dhe interesime për çështje të ndryshme lidhur me zejtarinë dhe tregëtinë e Luginës së Preshevës dhe më gjërë, ndërsa sot i gëzohemi Përmbledhësit mjaft voluminoz që kemi në dorë, të po asaj Konference të vitit 2021.

Ky Përmbledhës reflekton një bashkëpunim të gjerë të studiuesëve ndërmjet Luginës së Preshevës dhe hapësirës së gjerë kudo që jetojnë shqiptarët. Zaten, konferencat përgjithësisht organizohen në kuptimin e mobilitetit fizik, përkatësisht të bashkëpunimit akademik, institucional dhe individual në çdo gjeografishtrirje, dhe këtë realitet ja se ku e patëm në Konferenzën shkencore për Zejtarinë dhe Tregtionë dhe e kemi në këtë libër përmbledhës të Konferencëspërkatëse që që po e promovojmë sot.

Përmbledhësi mban në vete 23 punime, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me tematikën e zejtarisë, por që pasqyrojnë gjendjen e kësaj zejeje në vendbanime të ndryshme të hapësirës shqiptare. Autorët e punimeve të Përmbledhësit, duke sjell fakte të hulumtuara në terren, ose të nxjerra nga literatura për zejtarinë dhe zejtarët, mundësojnë të përfitohet një tablo informuese, që tregon për praninë dhe zhvillimin e zejeve të ndryshme në Luginën e Preshevës, por edhe më gjerë, në këtë rast që nga shekulli XVI e këtej. Por nuk harrohet të shënohet se disa zeje shfaqen me forma të ndryshme që nga antikiteti e kultura ilire, vazhdojnë në mesjetën e hershme e mesjetën e vonë dhe kulminacionin e arrijnë në shekujt XVII-XVIII dhe në shekullin XIX. Çuditërisht disa zeje mbeten gjallë edhe në ditët e sotme, pra, edhe pse ato transformohen, humbin fare, me modesti funksionojnë edhe në shekullin XXI.

Po të shikohen radhazi punimet e përfshira në këtë Përmbledhës të Konferencës 2021, mësojmë për tematika si: mjeshtëritë dhe zejet në fjalët e urta; zejtaria në Tetovë e në Pollog; panairet tregtare në trevat lindore shqiptare, efektet sociokulturore të zejtarisë, ose për zejtarinë e mjeshtërinë fshatare të krahinës së Bytyqit, e të qytetit të Kumanovës. Nuk mbetet pa u spikatur edhe problematika e simbolikës së motiveve të zbatuara në zejtari e në artizanate, retrospektiva zhvillimore e zejtarisë së Gjilanit, krahasimi për disa zeje të Prishtinës dikur dhe sot. Pas këtyre temave vjen zejtaria e Mitrovicës në shekullin XX, simbolet e kultit në gdhendjet në gur në Drenicë, moçmëria e Vushtrrisë nëpërmjet hyjnive dhe kulteve, Çarshia e Pejës dhe zejtaria, specifika e zhvillimit të zejeve në trevën e Hashanisë, artizanet e fustaneve të nusërisë, punimet e dorës në veshje e artizanate të Medvegjës, përpunimi i drurit në Gollak, zejtaria dhe tregtia në Komunën e Bujanocit  dhe veçmas në Komunën e Medvegjës, zhvillimi agrar dhe zejtaria e Preshevës , artizanatete dhe perspektivat e tyre në Tërnoc, zejtaria dhe tregtia pikërisht në Preshevë, veprimtaria në vazhdim e SHTKK, për të përfunduar me fjalën përmbyllëse për punimet  e Konferencës së vitit 2021.

Si tërësi ky Përmbledhës pasqyron një bashkëpunim të gjerë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin shoqëror, për zhvillimin akademik  shkencor dhe kulturor të individit dhe të shoqërisë, të zhvillimit ndërmjet një komune dhe të një hapësire të gjerë gjeografike, të shtrirjes së tematikës së zejtarisë në raporte brendakombëtare dhe hera-herës në ato ndërkombëtare. Konferenca dhe ky Përmbledhës reflekton  një realitet që shpërfaqë, mbi të gjithat bashkimin e dijes, të punës dhe të vullnetit për të ardhmen kulturore e shkencore të Luginës së Preshevës, por edhe më gjerë për kulturën shqiptare. Megjithatë ka vend edhe për ndonjë sugjerim pune saktësuese, e që kryesorja do të ishte përdallimi i zejtarisë dhe i zejeve (zanateve) si profesion, si shkollim e mësim përkatës, dhe në anën tjetër të artizanateve si mjeshtri e lirë. Të gjitha këto përfaqësojnë trashëgimi kulturore, e cila në jetën humane i mban bashkë dhe unik individët dhe shoqërinë. Trashëgimia kulturore bindshëm e fuqishëm i jep identitet: individit, komunitetit, popullit dhe vendit  përkatës, andaj kur shkruajmë për trashëgimi kulturore të cilës do fushë duhet pasur kujdesin e realitetit shkencor.

Në vend të përfundimit me këtë rast dëshiroj të falënderoj kryetarin e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës z.Xhemaledin Salihu, tok me stafin e paktë që ka rreth vetes e që e ndihmojnë për organizimin me sukses të konferencave shkencore në Preshevë. Por, duhet theksuar se pa angazhimin dhe punën vetëmohuese e të parreshtur të z. Xhemaledin Salihu, zor se do të ishim këtu bashkë sot, e as që do ta shijonim bukurinë kulturore domethënëse të shumë Konferencave të mbajtura rregullisht e për çdo vit që nga tetori i 2010-tës e deri në ditët tona.

Ju faleminderit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora