E shtune, 23.11.2024, 03:18 PM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Bosët e futbollit në shënjestrën e krimit dhe të drejtësisë

E shtune, 27.12.2008, 06:25 PM


Shkruar nga Leonard Karaj, Etleva Delia    

Askush nuk e pranon, por prangosja e presidentit të klubit të Elbasanit, Arben Laze për trafikim ndërkombëtar të drogës ka shfaqur haptazi lidhjet e topit me botën e krimit. Historia ka treguar se jo pak herë Njëshat që kanë drejtuar klube si në Superligën shqiptare, por edhe tek inferiorët, origjinën e të ardhurave të tyre e kanë pasur jo pak të stisur. Tranzicionit të gjatë që ka kapluar vendin tonë nuk i ka shpëtuar as futbolli, i cili mbetet ende një nga sportet më të ndjekur, por jo vetëm nga sportdashësit.
 Këto të fundit kanë qenë dhe mbeten preja kryesore e të ashtuquajturve "presidentë", të cilët më shumë kanë luajtur rolin e një donatori se sa të një kreu të mirëfilltë.
Duke iu referuar të dënuarve, ish-presidentë të klubeve të futbollit, del se ofiqi që ata kanë mbajtur nuk ka qenë veçse një mburojë për aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.
Në sezonin 1996-1997, djali i presidentit të firmës piramidale "Xhaferri", Rapush Xhaferri pati bërë të mundur që me paratë e kreditorëve shqiptarë të sillte te Lushnja një kampion, Mario Kempes. Argjentinasi u soll në Superligën shqiptare nga presidenti i Lushnjës, Pëllumb Xhaferri për shifrën e 350 mijë dollarëve, por direkt pas shembjes së firmave ky i fundit së bashku me dy vëllezërit e tij dhe babai dolën para drejtësisë me akuzën e mashtrimit në proporcione të mëdha.
Akuza për mos-pagime taksash, falsifikime dokumentesh dhe evazion fiskal ka pasur edhe ndaj presidentit të Tiranës, El Sajed, të Dinamos, Mihal Delijorgji dhe të Partizanit, Albert Xhani. Por në të tria rastet akuzat u hodhën poshtë. Egjiptiani kishte edhe një përplasje me kryetarin e bashkisë së Tiranës, pas ndërtimit të dy kullave binjake në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", madje këshilli bashkiak mori edhe një vendim për shembjen e tyre, por që nuk u zbatua asnjëherë. Ndërsa emri i Mihal Delijorgjit u përmend nga prokuroria shqiptare si fillim në prill të 2004 ku ai akuzohej për falsifikim dokumentesh dhe për evazion fiskal. Delijorgji la shumë shpejt qelinë e burgut por duke paguar edhe një shumë prej një milion dollarësh si garanci. Emri i tij u bë sërish publik më 15 mars të këtij viti në tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Aktualisht Delijorgji është në pritje të marrjes në gjykim për akuzat e mësipërme. Tjetër histori për Njëshin e "Demave të kuq". Albert Xhani u arrestua më 29 maj 2004 pas një vendimi të marrë nga gjykata. Ai akuzohej për tjetërsim pasurie, akuzë kjo që lidhej me veprimtarinë e tij tregtare të disa viteve më parë, kur ai i shiti ish-kompanisë piramidale VEFA disa objekte, të cilat i kishte blerë gjatë procesit të privatizimit. Pas marrjes së pafajësisë Xhani vazhdoi të drejtojë Partizanin, që faktikisht është i vetmi klub në Superligën shqiptare 100 për qind i privatizuar.
Ndërsa akoma më keq ka shkuar për Njëshat që kanë drejtuar në të shkuarën klubin e Tomorrit të Beratit. Fati i keq i ekipit të qytetit të vogël, i cili njëherë pothuajse u bë edhe kampion i Shqipërisë, ka nisur me Adrian Çobën. Ai ishte presidenti më i suksesshëm i klubit, por njihej për implikim në botën kriminale. Pasditen e 13 majit të vitit 2000 ai zbriste shkallët e stadiumit "Selman Stërmasi" duke u ulur në një kafe së bashku me tre gjyqtarët e ndeshjes. Vetëm pak minuta më pas, sipas policisë, një i njohuri i tij, Aglin Goxhaj, shfaqet në derën e lokalit duke hapur zjarr me breshëri. Çoba dhe gjyqtari Luan Zylfo gjejnë vdekjen e menjëhershme ndërsa dy gjyqtarë të tjerë plagosen. Pas vdekjes së tij ekipi i Beratit u zhyt në renditje dhe përfundoi në Kategorinë e Dytë. Në këtë moment del në skenë Edmond Malollari, i cili u bë presidenti i radhës i klubit beratas. Emri i tij nuk u lakua shumë deri në momentin kur ai u ekzekutua në mënyrë mafioze në derën e shtëpisë së tij. Më 14 dhjetor të vitit 2005 biznesmeni Malollari u ekzekutua me një pistoletë me silenciator në shkallët e pallatit, i cili ndodhet vetëm pak metra larg të njëjtit vend ku u ekzekutua edhe Çoba, pranë stadiumit "Selman Stërmasi" në kryeqytet. Motivi i vrasjes dyshohej se ishte një borxh i vjetër që Malollari ia kishte marrë disa personave dhe refuzonte t'ia kthente. Pas tyre drejtimin e klubit tentoi ta merrte Ylli Keli. Në fillim të vitit 2006 me nisjen e fazës së dytë, vëllezërit Keli vendosën që të rindërtonin ekipin dhe ta ngrinin atë në kategorinë e parë. Edhe pse zyrtarisht presidenca ishte e familjes Malollari, ata filluan që të investonin në këtë klub. Në këtë moment u erdhi në ndihmë edhe bashkia e Beratit, e cila vendosi që t'ia hiqte presidencën e klubit familjes Malollari dhe t'ia jepte Ylli Kelit. Gruaja e Malollarit nuk e pranoi këtë gjë dhe vendimin e bashkisë e hodhi në gjyq. Procesi vazhdon ende në Gjykatën e Beratit. Por kjo nuk e pengoi aspak Ylli Kelin që të vazhdonte të investonte në ekipin e "Tomorrit". Gjatë dy-tre muajve të parë ai ka bërë edhe blerje të reja me shpresën se ekipi do të ngrihej në Ligën Superiore. Blerjet dhe financimet e bëra nga vëllezërit Keli nisën që të jepnin frytet e para por në fund të sezonin ata e lanë sërish ekipin. Një aksion i policisë së antidrogës në Torino të Italisë pati vënë në pranga dy vëllezërit e tij, Ferdinand dhe Afrim Keli. Vëllezërit u prangosën në kuadrin e një operacioni i cili shpuri pas hekurave të burgut 61 persona, shqiptarë e rumunë, si dhe sekuestroi 40 kilogram heroinë e kokainë.
Por zinxhiri i vrasjeve të presidentëve nuk u këput këtu. Një atentat ndau nga jeta edhe presidentin e Vllaznisë, Myftar Çelën. Ai u ekzekutua në Tuz të Malit të Zi më 15 qershor 2003. Autor i këtij krimi pas hetimeve të policisë ishte shqiptaro-malazezi Bajram Çulmulaj me të cilin viktima kishte qenë shumë mik. Myftar Çela, vite më parë kishte punuar me të dyshuarin, si autor i vrasjes së tij, në kohën kur merreshin me aktivitetin e karburanteve gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Duhet theksuar se nën drejtimin e tij Vllaznia pati fituar edhe kampionatin më 2001. I fundit në listën e presidentëve që janë në shënjestrën e krimit është Arben Laze i Elbasanit. I arrestuar për trafik droge, ai është i fundit prej plejadës së vet që përfundon në qeli, por ama askush nuk e di nëse ai është njëkohësisht i fundit i një epoke. Asaj epoke që mund të quhet se krimi dhe futbolli bashkëjetuan për bukuri në Shqipëri.  

Albert Xhani, presidenti i Partizanit
Albert Xhani u arrestua më 29 maj 2004, pas një vendimi të marrë nga gjykata. Presidenti i Partizanit akuzohej për tjetërsim pasurie. Kjo akuzë lidhej me veprimtarinë e tij tregtare të disa viteve më parë, kur ai i shiti ish-kompanisë piramidale VEFA disa objekte, të cilat i kishte blerë gjatë procesit të privatizimit. Sipas akuzës, ky veprim i cilësuar si tjetërsim pasurie, kap një shifër prej disa milionë dollarësh, të cilat konsiderohen si dëm ndaj kreditorëve të ish kompanisë VEFA. Xhani u akuzua edhe për shpërdorim detyre, akuzë kjo që nuk u qartësua pasi Xhani nuk mbante detyra shtetërore.

Arben Laze, presidenti i Elbasanit
Policia e antidrogës arrestoi të mërkurën, 24 dhjetor 2008 presidentin e Elbasanit, Arben Laze dhe vëllain e tij, Fatjon Laze. Sipas Policisë së Shtetit personat në fjalë akuzohen për trafik droge dhe për grup të strukturuar kriminal. Policia pohoi se grupi, ku bën pjesë edhe Arben Laze, ishte nën survejim të antidrogës prej disa muajsh. Pasi janë siguruar provat e duhura për formulimin e akuzës, trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, është ndërmarrë edhe urdhër-arresti, i ekzekutuar nga policia të mërkurën pas mesdite.

Edmond Malollari, presidenti i Tomorrit
Emri i tij nuk u lakua shumë deri në momentin kur ai u ekzekutua në mënyrë mafioze në derën e shtëpisë së tij. Më 14 dhjetor të vitit 2005, biznesmeni dhe presidenti i Tomorrit Edmond Malollari u ekzekutua me një pistoletë me silenciator në shkallët e pallatit pak metra larg stadiumit "Selman Stërmasi" në kryeqytet. Motivi i vrasjes dyshohej se ishte një borxh i vjetër që Malollari ia kishte marrë disa personave dhe refuzonte t'ia kthente. Ky do të ishte edhe presidenti i dytë i Tomorrit të Beratit që ekzekutohej.

Ylli Keli, presidenti i Tomorrit
Ylli Keli tentoi që të marrë presidencën e KS Tomorrit disa kohë pas vrasjes së Edmond Malollarit. Në fillim të 2006-ës vellezërit Keli vendosën që të rindërtonin ekipin. Por një aksion i policisë së antidrogës në Torino të Italisë pati vënë në pranga dy vëllezërrit e tij, Ferdinand dhe Afrim Keli. Vëllezërit u prangosën në kuadrin e një operacioni i cili shpuri pas hekurave të burgut 61 persona, shqiptarë e rumunë, si dhe sekuestroi 40 kilogram heroinë e kokainë.

Pëllumb Xhaferri, presidenti i  Lushnjës
Presidenti i klubit të Lushnjës, Pëllumb Xhaferri i akuzua dhe burgos në vitin 1997 për ndërtim të firmave piramidale dhe mashtrim me shuma të mëdha parash. Ai së bashku me dy vëllezërit Liman e Asllan si dhe babanë, Rrapush Xhaferri u dënuan nga 8 deri në 10 vjet burg. Pëllumb Xhaferri do të mbahet mend si personi që arriti të sjellë trajnerin e parë të huaj në Superligën shqiptare. Më 1996-an në krye të klubit të Lushnjës erdhi Kampioni i Botës më 1978 me Argjentinën, Mario Kempes, i cili e drejtoi këtë skuadër deri në shpërthimin e revoltave për firmat piramidale.

Myftar Çela, presidenti i Vllaznisë
Presidenti i Vllaznisë, Myftar Çela u ekzekutua në Tuz të Malit të Zi më 15 qershor 2003. Autor i këtij krimi ishte shqiptaro-malazezi Bajram Çulmulaj me të cilin viktima kishte qenë shumë mik. Myftar Çela, vite më parë kishte punuar me të dyshuarin, si autor i vrasjes së tij, në kohën kur merreshin me aktivitetin e karburanteve gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në kohën kur ndaj ish-Jugosllavisë ishte vendosur embargo nga OKB. Nën drejtimin e tij Vllaznia pati fituar edhe kampionatin më 2001. 

Ardian Çobo, presidenti i Tomorrit
Ishte presidenti më i suksesshëm i Tomorrit të Beratit por që njihej edhe për implikim e tij në botën kriminale. Pasditen e 13 majit të vitit 2000 ai ishte ulur në një kafe pranë stadiumit Dinamo në Tiranë së bashku me tre gjyqtarët e ndeshjes. Sipas policisë, vetëm pak minuta më pas, Aglin Goxhaj qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të tij. Çobo dhe gjyqtari Luan Zylfo gjejnë vdekjen e menjëhershme ndërsa dy gjyqtarë të tjerë u plagosën.

Metwally Abdelrrahman el Sayed, presidenti i Tiranës
Egjiptiani El Sajed, i cili ishte presidenti i klubit të futbollit të Tiranës për 5 vjet rresht, nga viti 1999 deri në vitin 2004, nuk i shpëtoi dot problemeve me drejtësinë. Në kohën kur ai ishte ende president i "Tiranës", policia zbuloi pas disa denoncimesh se El Sajed ishte i përfshirë në afera korruptive dhe falsifikim dokumentesh. Egjiptiani kishte edhe një përplasje edhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, pas ndërtimit të dy kullave binjake në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", madje këshilli bashkiak mori edhe një vendim për shembjen e tyre, por që nuk u zbatua asnjëherë.

Mihal Delijorgji, presidenti i Dinamos
Presidenti i klubit të Dinamos Mihal Delijorgji është arrestuar në prill të vitit 2004. Ai akuzohej për falsifikim dokumentesh dhe për evazion fiskal, akuza këto që nuk u provuan dhe Delijorgji la shumë shpejt qelinë e burgut por duke paguar edhe një shumë prej një milion dollarësh si garanci. Emri i tij u bë sërish publik më 15 mars të këtij viti në tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Aktualisht Delijorgji është në pritje të marrjes në gjykim për akuzat e mësipërme.
 
Zbulohet "Mesfushori", kodi i trafikut të drogës

Faktet e zbuluara nga përgjimet dhe filmimet kanë qenë prova më bindëse për Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të firmosë urdhër-arrestin për presidentin e "Elbasanit", Arben Laze. Grupi hetimor që po shqyrton provat për përfshirjen në trafik droge të Lazes, vëllait të tij dhe dy personave të tjerë, ka nisur zbardhjen e bisedave që janë kryer mes 4 të arrestuarve, si dhe disa personave të tjerë që tashmë janë në hetim. "Mesfushori" ka qenë kodi që përdorej në telefonatat që ata kryenin me njëri-tjetrin dhe që nënkuptonte korrierin e drogës, i cili në këtë rast ishte Shkëlqim Hyzmo. Të gjitha porositë që bëheshin nga personat që ishin të interesuar për drogë dhe që zakonisht i drejtoheshin vëllait të Lazes, Fatjon Lazes, transportoheshin nga "Mesfushori", ashtu siç mori emrin edhe operacioni i dy ditëve më parë.

Trafiku

Policia ka mundur të zbardhë linjën e trafikut të drogës, në të cilën dyshohet se janë të përfshirë Arben Laze, presidenti i klubit të futbollit "Elbasani", vëllai i tij, Fatjon Laze, si dhe Arben Prifti e Shkëlqim Hyzmo. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se heroina e sekuestruar është porositur nga Arben Prifti nga Fieri. Ai e ka kërkuar drogën për blerje tek Fatjon Laze, vëllai i presidentit të "Elbasanit". Për marrjen e drogës në dorëzim Prifti ka përdorur Shkëlqim Hyzmon, të cilit i është dorëzuar droga nga vëllai i Arben Lazes, ndërkohë që sipas përgjimeve telefonike dhe dëshmive të mbledhura nga prokuroria, lënda narkotike ishte në pronësi të kreut të klubit të futbollit të Elbasanit. Menjëherë pas verifikimit të mekanizmit të lëvizjes së heroinës dhe zbardhjes së telefonatave të zhvilluara mes personave të dyshuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarve. Pas arrestimit të Shkëlqim Hyzmos në Lushnjë me rreth një kilogramë heroinë, policia ka vënë në pranga Arben Priftin. Më pas operacioni ka vazhduar në Elbasan, ku janë arrestuar presidenti i klubit të Elbasanit, Arben Laze, dhe vëllai i tij, Fatjon Laze. Arben Laze në momentin e arrestimit sapo ishte kthyer nga Maqedonia. Sipas policisë, Maqedonia ishte vendi ku merrej droga, më pas sillej në Elbasan dhe nga aty transportohej në drejtim të Tiranës.

Në kërkim edhe 3 persona të tjerë
Përveç katër personave të arrestuar për trafik lëndësh narkotike, policia bën të ditur se në këtë grup janë të përfshirë edhe 3 persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Gjithçka është zbuluar pas zbardhjes së përgjimeve telefonike dhe pamjeve filmike, që janë grumbulluar si provë gjatë dy muajve kur këta persona kanë qenë në hetim. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se në ditët në vazhdim priten edhe arrestime të tjera në lidhje me këtë aktivitet kriminal. 

Kryebashkiaku: Laze ende në krye të ekipit të Elbasanit
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini del në mbrojtje të presidentit të arrestuar të Elbasanit për trafik droge. Sejdini ka pohuar në një deklaratë për shtyp se, Laze do të vazhdojë të jetë në krye të këtij ekipi. "Pozicioni i Arben Lazes do të varet nga përfundimi i hetimeve dhe vendimi që do të marrin organet përkatëse të drejtësisë", deklaroi Sejdini, i zgjedhur si kryetar bashkie në Elbasan, propozuar nga PS. Biznesmeni i njohur dikur në fushën e sigurimeve, siguroi më tej mediat se "presidenti Laze vazhdon të ketë rolin e liderit në përqindjen e aksioneve duke kontrolluar 44 për qind të tyre. Presidenti Laze është investitori kryesor i klubit dhe futbollit elbasanas. Kontributi i tij ndër vite ka qenë maksimal. Në saj të kontributit të Arbe Lazes dhe ortakëve, por sidomos të tijin, Elbasani u shpall kampion dhe nënkampion i Shqipërisë, kurse në vijimësi, ka pasur dhe ka rezultate shumë të mira"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora