| E hene, 10.10.2022, 07:00 PM |
A n a l i z ë
NË TË DREJTËN
NDËRKOMBËTARE NUK EKZISTON AS BAZA, AS
KONCEPTI, AS SHPREHJA PËR TËRHEQJEN E NJOHJES SË SHTETEVE
Shkruan:
Adil FETAHU
Nocioni
shtet sipas të drejtës ndërkombëtare
Nga pikëpamja e të drejtës
ndërkombëtare, sheti është bashkësi politike e njerëzve, e organizuar në një
territor të caktuar nën pushtetin sovran (suprema potestas), i aftë dhe
i pranuar për të hy në marrëdhënie të dyanshme apo të shumanshme me entitetet
(shtetet) e tjera që kanë zotësi juridike ndërkombëtare. Shteti është edhe
aparat i dhunës që disponon mekanizma për të garantuar sigurinë e bashkësisë
politike dhe të pjesëtarëve të saj. Elementet përbërëse të shtetit janë:
qytetarët (shtetasit) e përhershëm, territori i caktuar dhe pushteti sovran i
pavarur nga ndonjë shtet i jashtëm. Shteti mundet vullnetarisht disa aspekte të
pushtetit të vet t’ia bartë një shteti tjetër apo një organizate të shteteve.
Nga pikëpamja e rregullimit
politik, shteti mund të jet i veçant
(unitar) ose i përbërë (federal), ndërsa nga pikëpamja e sundimit mund të jetë
monarki ose republikë, kurse nga pikëpamja e regjimit mund të jet shtet
demokratik ose autokratik.
Formimi i
shtetit
Shteti formohet kur një
territor i caktuar e shpallë pavarësinë, në pajtim me parimin e përgjithshëm të
së drejtës për vetëvendosje. Formimi i shtetit në këtë mënyrë hasë në problemin
e parimit kundër cënimit të kufijve të
shtetit prej të cilit ndahet shteti i ri i formuar. Megjithatë, parimi i të
drejtës së vetëvendosjes së popujve është me përparësi kundër cënimit të
kufijve të shtetit. Kjo për shkak se moscënimi i kufijve të shtetit ka të bëjë
kryesisht nga shtete të jashtme, me luftën agresive të shtetit kundër shtetit,
e jo me vullnetin e popullit të brendshëm, e që ai vullnet rrallë herë mund të
arrihet pa luftë të brendshme, pa kryengritje, që shpeshherë shndërrohet në
luftë qytetare (Eritrea, Sudani Jugor, Timori Lindor). Shteti mund të formohet
edhe me luftë ndërshtetërore, si rasti i Qipros së Veriut, që u bë me luftën
midis Turqisë e Greqisë. Ai shtet ekziston qe 50 vjet, pavarësisht se e ka
njohur vetëm Turqia dhe Pakistani. Formimi i shteteve nga shkatërrimi i RSFJ-së
është specific, për faktin se për krijimin e tyre janë zhvilluar luftëra të brendshme dhe kishte edhe
intervenime të jashtme (Bosne-Hercegovina, Kosova).
Shteti i ri mund të formohet
edhe me marrëveshje paqësore, siç ishte rasti i Çekosllovakisë dhe i BRSS-së.
Thuhet se shtetet zhdukin
dhe formojnë shtete. Zhdukja e shtetit, apo e një pjese të shtetit bëhet me
luftë okupuese dhe me aneksimin e shtetit apo të pjesës së okupuar (aneksimi i
Austrisë shtetit të Gjermnisë në vitin 1938, apo aneksimi i Letonisë, Lituanisë
dhe Estonisë BRSS në vitin 1939, dhe rasti më i ri: okupimi dhe aneksimi i
Krimesë (2014) e të rajoneve tjera të
Ukrainës (2022) nga Rusia agresive.
Shteti i
Kosovës – “sui generis”
Formimi i shtetit të Kosovës
është rast i veçantë, unikat dhe i pashembëllt në botë, sepse në momentin e
shpalljes së pavarësisë Kosova ishte nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, në bazë të Rezolutës
së Këshillit të Sigurimit 1244/99, që ishte akt juridik ndërkombëtar. Rezoluta
nuk e ka përcaktuar statusin as nuk ka
caktuar kurrëfar afati, kushte as kufizime për arritjen e statusit përfundimtar
të Kosovës. Esenca e administrimit të përkohshëm (faktori ushtarak dhe faktori
civil) ishte ruajtja e paqes dhe përgatitja e organeve vetëqeverisëse të
Kosovës në parime të së drejtës ndërkombëtare. Kjo u bë, krahas me Rezolutën
1244 edhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (2001), që gjithashtu është akt i
të drejtës ndërkombëtare, pasiqë e ka miratuar organi i KB.
Në pikëpamje të statusit
përfundimtar të Kosovës, Rezoluta 1244, në disa vende i referohet Marrëveshjes
së Rambujesë, në të cilën ishte përcaktuar se pas tri vjetëve, do të organizohet
referendumi i popullit të Kosovës për të përcaktuar statusin e vet politik.
Populli i Kosovës e kishte mbajtur referendumin në vitin 1991, me të cilin e
kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, por që ishte i okupuar nga
Serbia, dhe në ato kushte Kosova nuk e kishte elementin e tretë të shtetësisë –
pushtetin e vet suprem, por atë pushtet e ushtronte me dhunë Serbia.
Pas çlirimit të Kosovës, me
luftën çlirimtare të UÇK-së, me pjesëmarrjen dhe ndihmën vendimtare të
NATO-s, bashkësia ndërkombëtare, në
koordinim me KB, bënë përpjekje për të arritur marrëveshje në mënyrë paqsësore
për statusin përfundimtar të Kosovës, por për shkak të kryeneqësisë së
udhëheqjes së Serbisë nuk u arrit marrëveshje.
Për të zgjidhur problemin e
statusit të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, e caktoi
emisarin e tij special, Marti Ahtisarin,
të hartojë një raport dhe t’ia paraqet atij, me propozim se si e mendon
zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas shumë bisedimeve e konsultimeve, Ahtisari
e përgatiti dhe ia dorëzoi raportin e tij, me propozim që Kosovës t’i njihet pavarësi
e mbikqyrur . Sekretari i përgjithshëm i KB, në marrëveshje me Këshillin e
Sigurimit, e miratoi raportin e Ahtisarit. Në pajtim me Raportin e Ahtisarit,
me Marrëveshjen e Rambujesë, me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit,
dhe me parimet, normat dhe obligimet nga Korniza Kushtetuese (të gjitha këto
akte të së drejtës ndërkombëtare, sepse tri fundit ishin akte të KB),
përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nën mbikqyrjen e Administratës
së Kombeve të Bashkuar, më17.02.2008, e
shpallën vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur. Me
shpalljen e pavarësisë u pajtuan Kombet e Bashkuara, pëmes përfaqësuesit të vet
që ishte udhëqës-shef i Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, dhe nuk e
kundërshtoi as Këshilli i Sigurimit, që ishte autor i Rezolutës 1244.
Me insistimin e Serbisë,
Kombet e Bashkuara i dërgun kërkesë
organit më të lartë të drejtësisë botërore,
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,
që të jep mendimin këshillues, nëse Deklarata për shpalljen e pavarësisë së
Kosovës e ka shkelur, ose jo, të drejtën ndërkombëtare. Ajo Gjykatë dha
Mendimin e vet, se Deklarata mbi pavarësinë, e miratuar më 17 shkurt 2008,
nuk e ka shkelë të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të
Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese, rrjedhimisht Deklarata e
pavarësisë nuk ka shkelë asnjë parim të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, çdo kundërshtim apo kontestim, i kujtdoqoftë, i
aktit (Deklaratës) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është krejtësisht i
pabazë. Sidomos ata që thirren në të drejtën e përgjiithshme ndërkombëtare,
derisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
ka vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të së drejtës ndërkomb[tare.
Edhe diçka për Rezolutën
1244 të Këshillit të Sigurimit. Udhëheqjësia e Serbisë, e sidomos kryetari i
saj, Aleksandar Vuçiq, çdoherë thirret në atë Rezolutë, kinse ajo i garanton
sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë,
sepse Rezoluta 1244 nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por në rend të parë ka të
bëjë me shtetin e atëherëshëm të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë
(Serbi dhe Mali Zi, i cili nuk ka ekzistuar në kohën kur Kosova ka shpallë
pavarësinë) dhe me të gjitha shtetet fqinje rreth Kosovës: Serbinë, Maqedoninë,
Malin e Zi, madje edhe me Shqipërinë, duke qenë kundër pretendimeve
territoriale të shteteve fqinje të Kosovës, por edhe të Kosovës ndaj shteteve
fqinje. Parimi i integritetit territorial
i përcaktuar në Rezolutë, e pastaj edhe në Raportin dhe propozimin e Ahtisarit,
ka të bëjë me mosndryshimin e kufijve
ekzistues në rajon. Bile, është edhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë,
gjë që këtë parim e përmban edhe Kushtetuta aktuale e Kosovës, pasi është
dashur të jetë në harmoni me Dokumetin e Ahtisarit.
Prandaj, duke pasur parasysh
specifikat e formimit të shtetit të Kosovës, del se shteti i Kosovës është “sui
generis”, është rast unikat, i cili nuk mund t’i shërbejë si precedent, madje
është antiprecedent, që të mund t’i shërbejë dikujt, siç po pretendon Putini me
rajonet e okupuara të Ukrainës.
Njohja e
shtetit
Koncepti i njohjes së
shtetit ka karakter politik me efekte juridike. Në të drejtën ndërkombëtare
janë dy lloje njohjeje: 1) njohja e shtetit, dhe 2) njohja e qeverisë. Dallimi
konsiston kur shteti njihet, por qeveria e atij shteti nuk njihet si qeveri
legjitimit (si në raste të huntave ushtarake). . Mosnjohja e qeverisë nuk
nënkupton mosnjohjen e shtetit.
Janë dy teori themelore sa i
përket natyrës juridike të njohjes së shteteve. Njena quhet teori konstituive,
tjetra teori deklarative. Teoria konstitutive merr parasysh elementet e
përmendura më lartë që përbëjnë shtetin: territori, popullsia e përhershme në territorin
e caktuar, dhe pushteti sovran, por sipas asaj teorie, nuk mjaftojnë vetëm këto
tri elemente, veçse për të pasur subjektivitetin (personin) juridik të shtetit,
për të realizuar të drejta dhe detyrime me shtetësi të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare, krahas elementeve të përmendura shteti duhet
të jetë edhe i pranuar (i njohur nga shtete tjera). Njohja është çështje e
diskrecionit politik të shtetit që jep njohjen. Kësaj teorie mund t’i bëhet
vërejtje, se shteti i formuar, edhe pa u njohur nga shtetet tjera, nuk
qëndron pezull në ndonjë vakum juridik ,
por edhe ai është i detyruar t’iu përmbahet rregullave të së drejtës
ndërkombëtare, psh. mospërdorimit të forcës dhe mossulmimit kundër shtetit tjetër.
Nga ana tjetër, sipas
teorisë deklarative, që është dominuese
në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore,
njohja e shtetit është konfirmim ose konstatim i formimit të një shteti
të ri, në pajtim me kushtet të cilat i ka përcaktuar e drejta ndërkombëtare, dmth.
që ka tri elementet kryesore të shtetit, të përmendura më sipër. Sipas kësaj
teorie, edhe pa marrje të njohjes shteti ekziston me atributet e shtetit si subjekt i të
drejtës ndërkombëtare, pa marrë parasyshë vullnetin apo veprimet e shteteve
tjera. Sipas kësaj teorie, akti i njohjes vetëm e deklaron (konfirmon) faktin e
ekzistimit të shtetit, e nuk e konstituon subjektivitetin juridik të shetit,
sepse konsideron se ai subjektivitet është i konstituar.
Është edhe një teori e
ndërmjeme, si teori shkencore, e cila i kombinon pikëpamjet e dy teorive të
para, duke marrë parasysh gjendjen reale në praktikë. Kjo teori, shkencore,
konsideron se shteti i cili i disponon atributet konstituive të shtetit, duhet
të njihet nga shtetet e tjera, sepse nuk ka arsye të mos njihet.
Gjatë shpërbërjes së BRSS dhe
të RSFJ, në të drejtën ndërkombëtare të Europës u përcaktuan disa kushte për
njohjen e shteteve të reja:
demokratizimi i shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe të
minoriteteve brenda shteteve të reja të
formuara, që të obligohen dhe të përcaktojnë në kushtetutat e tyre se nuk kanë
pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje (Komisioni i Badinterit).
Bile, me imponimin e Greqisë, Maqedonisë
iu shtrua edhe një kusht i veçantë, që ta ndërrojë emrin nga Maqedonia, në
Maqedonia e Veriut, gjoja që të heqë pretendimet ndaj Maqedonisë së Epirit. Por
këto kritere nuk janë bërë zakon i përgjithshëm i të drejtës ndërkombëtare dhe nuk i obligojnë
shtetet e tjera, të cilat nuk janë (as do të bëhen) anëtare të Bashkimit
Europian. Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare po iu lejon akterëve të jashtëm që
të imponojnë plotësim të kushteve
paraprake shteteve të cilat kërkojnë njohje. Rasti më i ri është kushti
i Izraelit për njohjen e Kosovës, që Kosova ambasadën e vet ta instalojë në
Jerusalem. Po edhe në aktin final të Kongresit të Bërlinit (13 korrik 1878),
Serbia dhe Mali Zi janë njohur si shtete të pavarura, me kusht që të garantojnë
të drejta të barabarta civile dhe politike për të gjithë qytetarët, pa marrë
parasysh besimin dhe religjionin e tyre. E dihet se as Serbia as Mali Zi nuk e
kanë plotësuar kushtin e garantimit të të drejtave të përmendura, por njohja që
u është dhënë më 1878, nuk është tërhequr, sepse tërheqjen e njohjes de iure
nuk e parasheh e drejta ndërkmbëtare.
Njohja e shtetit konsiderohet
si “mjet’ politik me efekte juridike. Efektet juridike të njohjës së shtetit
shtrihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në planin e brendshëm. Në
planin ndërkombëtar me njohjen e fituar shteti i ri merr të gjitha të drejtat
dhe obligimet ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se të gjitha
shtetet që e kanë njohur, do të krijojnë marrëdhënie diplomatike me shtetin e
njohur. As shkëputja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë tërheqje e
njohjes.
Llojet e
njohjeve të shteteve të reja
E drejta ndërkombëtare njeh
dy lloje njohjesh të shteteve të reja:
-njohja de
facto, dhe
-njohja de
iure.
Njohja mund të bëhet
shprehimisht ose në mënyrë të heshtur. Njohja e bërë shprehimisht nënkupton
njohjen në mënyrë formale, duke publikuar njohjen, me deklaratën e shefit të
shtetit apo shefit të diplomacisë që
bënë njohjen, me notë diplomatike, apo përmes ndonjë marrëveshe (kontrate)
shumëpalëshe të disa shteteve. Njohje e heshtur konsiderohet çdo akt normativ-juridik
apo kontratë bilaterale me të cilën rregullohen marrëdhënie me shtetin e ri,
poqese në marrëveshje (kontratë) nuk është vënë rezerva, me të cilën tregohet
se marrëdhëniet e krijuara me kontratë nuk prejudikojnë njohjen e heshtur të
pavarsisë. Këso rezerve në praktikë kanë vënë shtetet arabe ndaj Izraelit.
Njohja de
facto nuk është njohje e plotë
dhe definitive, por është e pjesëshme dhe (mund të jetë) e përkohëshme. Njohja
de facto ka karakter të përkohëshëm (provizor) dhe mund të revokohet në çdo
kohë, ndonëse kjo rrallë herë ndodhë, veçse shërben si një hap drejt njohjes de
iure. Sidoqoftë, njohja de facto nënkupton një shkallë të lartë të pranimit
politik të shtetit të ri me efekte juridike: lidhja e kontratave dhe
marrëveshjeve të ndryshme nga fusha ekonomike, kulturore, njohja e pasaportave,
e diplomave, çertifikatave, lidhja e
raporteve të caktuara (zyrat ndërlidhëse) sipas interesave politike pragmatike
midis dy shteteve. Njohja de facto nuk nënkupton lidhjen e marrëdhënieve
diplomatike. Njohje të tillë de facto ndaj Kosovës kanë edhe disa shtete të
BE-së të cilat Kosovën nuk e kanë njohur de iure, si psh.Greqia, që ka zyrën
ndërlidhëse në Kosovë dhe i pranon pqsaportet e shtetit të Kosovës, Spanja,
Çekosllovakia etj, të cilat i pranojnë pasaportat e Kosovës dhe zhvillojnë gara
sportive me ekipet e Kosovës në kuadër orgnizatave sportive ndërkombëtare.
Për dallim nga njohja de
facto, njohja de iure është njohje e plotë dhe e parevokueshme. Kjo përfshinë
edhe krijimin e lidhjeve diplomatike me shtetin e ri, ndonëse lidhja diplomatike
nuk është as kusht as e domosdoshmëri.
Dallimi midis këtyre dy
lloje njohjesh konsiston në efektet juridike, në të drejtat dhe obligimet e
shtetit të njohur në raport me shtetet e tjera të veçanta dhe në raport me të
drejtën ndërkombëtare në përgjithësi.
Njohja e shtetit mund të
jetë individuale ose kolektive. Në
shumicën e rateve njohja bëhet në mënyrë individuale: shteti ndaj shetit. Por
ka edhe shumë raste kur njohja bëhet në mënyrë kolektive, nga ndonjë organizatë
ndërkombëtare e shteteve, qoftë vetëm si njohje, qoftë me pranimin e shtetit të
ri në organizatën ndërkombëtare. Pranimi i shtetit në OKB është njohje
kolektive e anëtareve të KB,përveç atyre që e kundërshtojnë praniin dhe kanë
qëndrim shprimor kundër njohjes.
Në të
drejtën ndërkombëtare nuk parashihet as përmendet tërheqja e njohjes
Nuk ka asnjë bazë, asnjë kriter dhe asnjë rregull juridik që
lejon tërheqjen e njohjes de iure, siç po vringëllojnë zyrtarët e Serbisë me do tërheqje të njohjeve
(çnjohje) të shtetit të Kosovës nga disa “banana republika” të Afrikës dhe
Amerikës Latine. Tërheqja e njohjes së shtetit nuk përmendet askund si shprehje
në të drejtën ndërkombëtare. Kjo është edhe për shkak se tërheqja e njohjes nuk
e ndryshon asgjë gjendjen faktike as statusin juridik të shtetit kundër të cilit është tërhequr
njohja. Nëse vërtetë ato shtete njëherë e kanë njohur Kosovën, e pastaj sipas
propagandës, gënjeshtrave apo premtimeve të diplomacisë së Serbisë e kanë
tërhequr njohjen, tregojnë për joseriozitetin e tyre si shtete, të cilat nuk e
njohin as e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është
dashur të reagojë e të kërkojë sqarime nga ato shtete të cilat e kanë tërhequr
njohjen, pa pasur asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë arsye nga
shteti i Kosovës. Propaganda serbe i ka bindë ato se shpallja e “njëanshme” e
pavarësisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare,
gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shpallja e pavarësisë nuk ka qenë e
njëanshme, por është bërë në bazë të
raportit të emisarit të Kombeve të Bashkuara (Marti Ahtisari), të pranuar nga
KB, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë ka vërtetuar se me aktin e shpalljes së pavarësisë, nuk është
shkelur e drejta ndërkombëtare as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as
Korniza Kushtetuese e Kosovës, që të dyja si akte ndërkombëtare, dhe nuk është
shkalur asnjë parim i zbatueshëm i të drejtës ndërkombëtare.
Kosova
duhet ta dinamizojë aktivitetin diplomatik për njohje të reja
Sipas raporteve të
publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tash pavarësinë e
Kosovës e kanë njohur 117 shtete, të mëdha e të vogla. Tri prej tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit
të Sigurimit. Njohja e fundit e Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si pjesë e
Marrëveshjes së Vashingtonit, të 4 shtatorit 2020, kur edhe u caktua
moratoriumi njëvjeçar i fushatës së Kosovës për njohje ose për anëtarësim në
organizatat ndërkombëtare, si dhe i
fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Sipas propagandës së
qeverisë dhe të mediave serbe, 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, dhe
për këtë lavdërohet ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka
thënë se të gjitha këto “çnjohje”, dhe vet futja e shprehjes “çnjohje” në të
drejtën ndërkombëtare, janë meritë dhe
rezultat i punës së tij. Nuk ka dyshim se në fushatën e tërheqjes së njohjeve
ka qenë e involvuar edhe Rusia në krah të Serbisë. Kurse Serbia me gënjeshtra,
mashtrime, propagandë, premtime, dhurata, heqje të vizave, ndihma në bujqësi,
dhurata të armëve, i ka mashtruar qeveritë e shteteve të brishta e jostabile të
Afrikës dhe Amerikës Latine për të tërhequr njohjen e pavarsësisë së Kosovës.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe kryetari Aleksandar
Vuçiq, thonë se i kanë në dorë edhe 4,
respektivisht 7, e së fundi 8 nota të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen
e Kosovës, por emrat e atyre shteteve nuk do i publikojnë nga frika se iu bëhet
presion nga Amerik?
Sido që të jetë numri i
tërheqjes së njohjeve, që siç e përmendëm më sipër, nuk ka asnjë bazë në të
drejtën ndërkombëtare, tash është koha më e volitshme për diplomacinë e
Kosovës të tregohet pragmatike,
vizionare dhe ta dinamizojë aktivitetin
e vet për të kërkuar njohje të reja. Tash
Rusia është shumë e zënë me agresionin e saj në Ukrainë, dhe ka humbur
prestigjin e saj edhe te ato shtete ku ka pasur ndikim, po edhe Serbia është njollosur dhe diskredituar si vendi i
vetëm në Europë që është përkrahëse dhe aleate e ngushtë e Rusisë. Politika e
jashtme e Kosovës, në këtë kontekst ndërkombëtar, duhet të jetë më e
përqëndruar në kërkim të njohjeve të reja, se sa në procesin e dialogut për
arritjen e marrëveshjeve tjera teknike, të cilat nuk prodhojnë asnjë rezultat
për Kosovën, sepse edhe ashtu Serbia nuk i zbaton. Në këtë aktivitet, duhet
diskredituar maksimalisht Serbinë, si shtet që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe
në Kosovë dhe si faktor destabilizues në rajon, që paraqet rrezik për paqen dhe
sigurënë në Ballkan e më gjërë.